Miratohen ndryshimet në ligjin për Vettingun në Polici, Gardë e AMP. Risitë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Miratohen ndryshimet në ligjin për Vettingun në Polici, Gardë e AMP. Risitë

Kuvendi miratoi me 74 vota pro projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar. Amendimet e ligjit parashikojnë reduktimin e numrit të subjekteve që i nënshtrohen vlerësimit kalimtar; ndërprerjen e mandatit të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe kalimi i kompetencave të vlerësimit kalimtar tek Agjencia e Mbikëqyrjes Policore; përcaktimin se vlerësimi do të fillojë nga viti 2008, përcaktimin e afatit për kryerjen e vlerësimit nga AMP; rishikimin e procesit të vlerësimit periodik çdo 5 vjet, për strukturat që kanë kaluar vlerësimin kalimtar, por vetëm për ndryshimet që kanë ndodhur midis këtyre periudhave.

Pjesë nga fjala e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në seancë:

Ligji që paraqesim sot synon të rregullojë përfundimisht procesin, në funksion të rritjes së integritetit të punonjësve të Policisë së Shtetit. E kemi parashikuar dhe paraqitur bashkë më programin qeverisës, e kemi diskutuar dhe ka patur debate parlamentare lidhur me këtë nismë, qoftë në senacë qoftë në Komisione dhe vijmë sot me një akt që synon ta rregullojë përfundisht këtë proces.

Integriteti dhe profesionalizmi janë dy shtyllat bazë, mbi të cilat kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim çdo nismë dhe reformë institucionale, siç kanë qenë transformimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që tashmë është pasuruar në mision, në përgjegjësi dhe në burimel; transformimi i Policisë Kriminale dhe Akademisë së Sigurisë, dy reforma të rëndësishme në proces e sipër. Duke shtuar dhe investimet domethënëse në modernizimin e kapaciteteve dixhitale të Policisë së Shtetit, të gjitha këto janë pjesë e një vizioni madhor për institucionet moderene, efiçente dhe të besueshme të sigurisë.

Vlerësimi kalimtar dhe periodik i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe AMP, i njohur gjerësisht si procesi i Vettingut është dhe mbetet shtylla dhe nisëm madhore, që kemi diskutuar gjatë.

Projekligji është propozuar pas një analize të imtësishme dhe mjaft serioze të rezultateve të matshme dhe të impaktit të procesit të zhvilluar deri tani, proces që siç e dini rezultoi të ishte i ngadaltë dhe i kushtueshëm për buxhetin publik. Numri i lartë i punonjësve që ishte menduar se duhet të nënshtroheshin Vettingut, rreth 12 mijë, në njëfarë mënyre krijoi një situatë konfuze, veçanërisht në Policinë e Shtetit, ku ishte dhe numri më i madh. Flisnim për një proces ku afati fundor ishte i paqartë, me riskun e tejzgjatjes përtej logjikës institucionale, një proces që po rezultonte jo efiçent dhe që rrezikonte të cënonte besimin jo vetëm tek subjektet e ligjit, por mbi të gjitha besimin tek publiku.

Duke vënë re këto të meta që kishte procesi, organizmi monitorues antikorrupsion dhe padiskutim më seriozi brenda Këshillit të Europës, GRECO, në raundin e fundit të vlerësimit të integritetit në institucionet ligjzbatuese në Shqipëri, rekomandoi rishikimin e ligjit, citoj “me qëllim kufizimin e subjekteve duke u përqëndruar tek nivelet menaxheriale, në strukturat me risk të lartë korrupsioni, në rastet e ngritjes në detyrë, të ecurisë në karrierë dhe rritjes në gradë”. Në fund të muajit, delegacioni shqiptar do të raportojë në Këshillin e Europës për përmbushjen e këtij rekomandimi.

Shkurtimisht risitë e p.ligjit janë:

  • Redukton fushën e zbatimit të ligjit, e diktuar nga analizat e kryera;
  • Përcakton afatin ligjor për kryerjen e procesit të vlerësimit;
  • Plotëson disa vakuume ligjore;
  • Standartizon procedurat e vlerësimit për tre komponentët pasurinë, figurën dhe profesionalizmin;
  • Parashikon sanksione ligjore për t’i dhënë fuqi detyruese zbatimit të vendimit të dhënë nga trupat e vlerësimit, nga institucionet përkatëse;
  • Ndërpritet mandati i KJV, duke marrë shkas nga ecuria tejet e ngadaltë e procesit (kanë përfunduar vlerësimin kalimtar vetëm 71 punonjës të strukturave);
  • AMP do të jetë struktura përgjegjëse për vlerësimin në radhët e Policisë, Gardës dhe vetë Agjencisë;
  • Rikonceptimi i periudhës së vlerësimit, duke filluar nga viti 2008 e në vijim;
  • ILDKPKI, si intitucioni më i specializuar do të bëjë vlerësimin pasuror, duke rritur besueshmërinë e procesit;
  • Është shtuar detyrimi i subjektit për testin e narkotikëve si dhe dhënia e mundësisë për strukturën ku bën pjesë subjekti, të përgatisë raport të hollësishëm për të;
  • Shtimi i barrës së provës për subjektin, si element i rëndësishëm i çdo hetimi administrativ etj.

Në tërësi ky projektligj plotëson edhe disa vakuume ligjore dhe shmang hapësirat për keqinterpretime në zbatimin praktik të tij, duke pasqyruar në mënyrë më të kuptueshme procesin e Vettingut.

Kam besim të ploltë se me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve të propozuara, do të sigurojmë zhvillimin e një procesi vlerësimi më të drejtë dhe më real. Faleminderit.

Previous Progres Raporti, Çuçi: Të mos merremi me retorikën politike, por me kontratën që kemi me BE si vend me negociata të hapura për anëtarësim