Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare projektligjin “Për buxhetin faktik të vitit 2023”, i cili fillimisht u paraqit para deputetëve nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj tha buxhetit i vitit 2023 pati si objektiv madhor reduktimin e efekteve që solli lufta në Ukrainë, përmes mbështetjes së shtresave në nevojë; mbështetjes së ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike dhe për sektorin e energjisë në tërësi, si dhe ruajtjen e rritjes së qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe konsolidimit fiskal.
Ministri theksoi se, përmes politikave fiskale të kujdesshme në drejtim të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, gjatë vitit 2023 u sigurua një ulje e qëndrueshme edhe e stokut të borxhit publik, angazhim që vijon të jetë prioritet i punës së Ministrisë së Financave.
Fjala e Ministrit Petrit Malaj:
E nderuar kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Vijmë sot për para jush për të sjellë për diskutim dhe miratim Projektligjin e Buxhetit Faktik të vitit 2023.
Ky buxhet pati një objektiv madhor, atë të reduktimit të efekteve që solli agresioni rus në Ukrainë dhe për këtë arsye u konsiderua si “Buxheti i Rezistencës” ndaj luftës.
Ne e gjetëm veten të përfshirë nën ndikimin e faktorëve të jashtëm jo nga dëshira, por si pasojë e efekteve zinxhirë.
Na u desh të merrnim përgjegjësi dhe të merrnim masa, ashtu sikundër ka bërë kjo qeveri përballë çdo sfide me të cilën jemi përballur. Nga opozita e atëhershme u akuzuam se “brutalisht” po ndërhynim në ekonominë e lirë të tregut, por detyrat tona ishin të shumëfishta.
Ne duhet të mendonim për rritjen e pagave të punonjësve të administratës, mësuesit, mjekët, policët, zjarrfikësit, për të mbështetur fermerët, për të mbështetur familjet e reja, për të mbështetur pensionistët përmes indeksimit dhe bonusit, për të rritur ndihmën ekonomike, për të rritur prodhimin e grurit, për peshkimin, për transportin etj..
Nga ana tjetër, duhet të menaxhonim me kujdes financat tona kombëtare dhe të shmangnim jo vetëm rreziqet momentale, por edhe ato që mund të vinin më pas.
Njëkohësisht, politikat fiskale duhet të ishin të kujdesshme si në drejtim të të ardhurave, ashtu edhe të shpenzimeve buxhetore, për të siguruar një ulje të qëndrueshme të stokut të borxhit publik, angazhim që vijojmë ta kemi.
Të nderuar deputetë,
Tri ishin objektivat kryesorë të buxhetit të vitit 2023:
• Mbështetja për shtresat në nevojë;
• Mbështetja për mos ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike dhe për sektorin e energjisë në tërësi;
• Ruajtja e rritjes së qëndrueshmërisë të ekonomisë dhe konsolidimi fiskal.
Të gjithë ne jemi dëshmitarë se kjo qeveri, që me fillimin e kësaj krize mbajti një qëndrim proaktiv duke hartuar dhe zbatuar politika që kishin në fokus reduktimin e efekteve sociale.
Ndaj më lejoni të bëj një panoramë më të detajuar të fondamendeve të ekonomisë, për periudhën së cilës po i referohemi:
Ekonomia e vendit tregoi elasticitet të konsiderueshëm, pasi vijoi rritjen pozitive dhe të qëndrueshme, përfshirë edhe rritjen e punësimit dhe pagave.
Bazat kryesore ekonomike dhe financiare, si dhe stabiliteti makroekonomik i vendit, treguan një rezistencë relativisht të mirë, ndaj sot ne vijojmë të flasim për një trendin pozitiv edhe në periudhë afatmesme, të cilën unë e kam shprehur edhe gjatë diskutimeve që po zhvillojmë në komisionet e nderuara parlamentare, duke ju referuar parashikimeve tona 2024-2027.
Borxhi publik gjatë vitit 2023 përgjithësisht u karakterizua nga një ecuri pozitive, duke qenë në përputhje me objektivat makro-fiskale, buxhetin e planifikuar dhe objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit (SAMB). Viti 2023 ka qenë një vit mjaft pozitiv përsa i përket sigurimit të financimit, si në tregun e brendshëm dhe në atë të huaj. Huamarrja u realizua në linjë me buxhetin e vitit, si edhe në linjë me Planin e Huamarrjes së vitit 2023. Në ndryshim nga viti 2022, i cili u karakterizua nga një pasiguri në tregun primar vendas, si dhe ulje të kërkesës për tituj shtetërorë, gjatë 2023 situata u përmirësua ndjeshëm dhe kërkesa për tituj shtetërorë u rikthye në nivele të kënaqshme, duke tejkaluar ofertën e Qeverisë për tituj shtetërorë. Nëpërmjet huamarrjes u mundësua rifinancimi i borxhit ekzistues, si dhe financimi i pjesshëm i defiçitit të planifikuar për vitin 2023.
Programimi i të ardhurave buxhetore përgjatë vitit 2023 mbështeti synimet e Qeverisë për rritjen ekonomike, krahas mbajtjes nën kontroll të defiçitit buxhetor dhe borxhit publik. Ky programim u bazua kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi, duke mbështetur në këtë mënyrë rimëkëmbjen ekonomike pas pasojave të tërmetit dhe pandemisë gjatë 2020-2021, përmes nxitjes së prodhimit vendas dhe eksporteve. Krahas përpjekjeve për rritjen e nivelit të mirëadministrimit, e suportuar kjo edhe nga projekti i fiskalizimit, u implementuan edhe një sërë masash në kuadrin e një strategjie gjithpërfshirëse të rritjes së të ardhurave në një periudhë afatmesme, nëpërmjet përmirësimit të politikave fiskale.
Politika fiskale gjatë vitit 2023 synoi rimëkëmbjen e ekonomisë, por dhe rishikimin e incentivave tatimore të ndërmarra nga Qeveria me synim sigurimin e një sistemi taksimi të drejtë, të balancuar dhe që nxit produktivitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë. Ndryshimet në paketën fiskale 2023 synuan përgjithësisht korrektime në elementë të veçantë tatimesh dhe taksash, si tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi të ardhurat, akcizat dhe taksat kombëtare. Paketa fiskale 2023 pati si qëllim përmirësimin e politikave në fushën e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe akcizave, si dhe angazhimeve në kuadrin e përafrimit gradual të legjislacionit përkatës me direktivat e Bashkimit Evropian që lidhen me këto tatime.
Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, që u miratua në 3 mujorin e parë të vitit 2023, synoi përmirësimin e sistemit të taksimit të individëve dhe entiteteve ligjore në Shqipëri, forcimin e parimit të neutralitetit në sistemin tatimor shqiptar, përafrimin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri, me parimet e Direktivave të BE-së.
Shpenzimet Buxhetore përgjatë vitit 2023 arritën në rreth 674.9mld LEK. Krahasuar me vitin 2022, shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 3.7% më të larta.
Shpenzimet kapitale (përfshirë Fondin e Rindërtimit) rezultuan rreth 119.1mld LEK. Krahasuar me vitin 2022, ky zë është 6.2% më i lartë ose rreth 6.9mld LEK më shumë. Investimet me financim të brendshëm u realizuan në masën 88.5mld LEK ose rreth 96.4% e planit, ku shpenzimet e Rindërtimit u realizuan në masën 16.2mld LEK. Buxheti 2023 financoi një nivel të lartë investimesh publike, që kanë prekur fusha të rëndësishme të ekonomisë, si në: infrastrukturë, ujësjellës-kanalizime, transport rrugor, shëndetësi, mbrojtje, etj. Realizimi i investimeve në total ka qenë në nivele të larta, veçanërisht për financimin e brendshëm.
Shpenzimet korente rezultuan në rreth 547mld LEK ose 99.7% e planit dhe në nivelin rreth 23.7% të PBB nominale vjetore, kundrejt një mesatare prej rreth 24.4% të këtij raporti në vitet pararendëse. Krahasuar me 2022, ato rezultuan 9.4% më të larta ose rreth 47mld LEK më shumë.
Financat Vendore – Vazhdimi i konsolidimit të procesit të menaxhimit financiar në nivel vendor në funksion të vazhdimit të zbatimit të procesit të decentralizimit fiskal të njësive të vetëqeverisjes vendore, ishte në fokus edhe gjatë 2023. Ministria e Financave vijoi me reformimin e financave publike vendore, duke u fokusuar në rritjen e investimeve, digjitalizimin e operacioneve të menaxhimit financiar në nivel vendor, dhe nxitjen e rritjes së të ardhurave nga taksat vendore. Gjatë 2023, u ruajtën treguesit pozitiv të rritjes së rolit të pushtetit vendor në forcimin e kapacitetit fiskal, por gjithashtu edhe në rëndësinë e shërbimeve publike. Kjo u reflektua edhe në sigurimin për pushtetin vendor të një pakete më të gjerë të mbështetjes financiare për mbulimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, që u reflektua edhe në realizimin e treguesve fiskalë të financave vendore. Konsolidimi i buxhetit vendor në 3% të PBB apo mbi 10% të buxhetit të shtetit, tregon qartazi potencialin në rritje të pushtetit vendor për ofrimin e shërbimeve. Një ndër treguesit më të rëndësishëm të konsolidimit fiskal të njësive të vetëqeverisjes vendore mbetet rritja e aftësive të tyre për të siguruar të ardhura nga burimet e veta dhe arkëtimin e tyre në mënyrë të qëndrueshme në kohë.
Gjatë 2023, u sigurua një rritje e rëndësishme e të ardhurave në raport me planin, tregues ky i kapacitetit në rritje të njësive për të siguruar qëndrueshmërinë e financimit të funksioneve.
Të nderuar deputetë,
Të gjitha sa më sipër parashtruar, në nivel qendror e vendor, në kahun e të ardhurave e shpenzimeve, në këndvështrimin makroekonomik e atë të borxhit publik janë rezultat i një sërë masash konkrete të ndërmarra nga Qeveria ndër vite, si rrjedhojë e reformave dhe orientimit të burimeve drejt sektorëve prioritarë, gjë që ka garantuar stimuj pozitivë të sigurt për rritjen ekonomike të vendit në periudhën afatmesme.
Kjo Qeveri ka qenë dhe vazhdon të jetë e vendosur të arrijë objektivin e saj madhor për të qenë pranë të gjithë shqiptarëve. Përmes politikave ekonomike, sociale e fiskale që synojnë të ndihmojnë çdo familje dhe çdo biznes. E gjithë kjo, natyrshëm, përkthehet në një mirëqenie më të lartë ekonomike dhe sociale për qytetarët e vendit tonë!