Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi foli në Kuvend gjatë diskutimit të marrëveshjes për hapjen e Pikës së Përbashkët të Kalimit Kufitar, Shën Nikolla-Pulaj, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Çuçi tha se hapja e kësaj do të japë një frymëmarrje të re dhe përfitime jo vetëm për banorët e zonave përreth lumit Buna, por edhe një impuls alternativ për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe zhvillimin e një ekosistemi turistik më koheziv në të dy anët e kufirit.
“Do të lehtësohet lëvizja e banorëve të zonave të nën Shkodrës, pjesë përbërëse të Bashkisë Shkodër dhe zonave të Ulqinit, malësisë së Krajës, komuna e Barit – Mali i Zi, në të dy anët e kufirit; Do të shkurtohet distanca dhe ulet fluksi i hyrje- daljeve në Pikën e Përbashkët të Kalimit Kufitar Murriqan, veçanërisht për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror, gjatë së cilit plazhet e Velipojës dhe Ulqinit, Tivarit apo Budvës shndërrohen në destinacionet turistike më të preferuara për shtetasit shqiptarë, malazezë dhe atyre të huaj në të dyja anët e kufirit; Do të stimulohet shkëmbimi i aktiviteteve/paketave turistike në destinacionet më të dashura në të dy anët e kufirit”, tha ai.
Sipas tij iniciativa për hapjen e kësaj pike të përbashkët kufitare nuk duhet parë e shkëputur nga projekti madhor që ka nisur tashmë mes dy vendeve tona, ndërtimi i urës së re mbi lumin Buna për të shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit.
Ky projekt si dhe pika e re ndërlidhëse pashmangshmërisht do të impaktojë edhe reputacionin ndërkombëtar të turizmit në rajonin tonë, pa përjashtuar këtu edhe stimulimin e ofertës së agjencive/operatorëve turistikë të vendeve tona. Shqipëria është një vend ku turizmi ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe po rritet vit pas viti. Çdo investim në infrastrukturë që e ndihmon këtë sektor është mëse i mirëpritur”, theksoi ministri i Brendshëm.
Në vijim të fjalës së tij, ai theksoi se të gjitha pikat e kalimit kufitar në kufirin shtetëror ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, duhet të jenë pika të përbashkëta të kalimit kufitar.
“Eksperienca e deritanishme, ka treguar përparësitë dhe përfitimet direkte të kryerjes së procedurave të përbashkëta të kalimit kufitar. Po punojmë me palën malazeze për të ndryshuar statusin e pikave të tjera kufitare në pika të përbashkëta. Në interesin e Shqipërisë është gjithashtu edhe hapja e pikës tjetër të përbashkët të kalimit kufitare Zogaj”, deklaroi Çuçi.
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shën Nikolla-Pulaj për qarkullimin rrugor ndërkombëtar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar u miratua me vota 85 pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.