Miratohet rishikimi i buxhetit 2024, Ministri Malaj: Financime shtesë për investime në sektorët prioritarë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Miratohet rishikimi i buxhetit 2024, Ministri Malaj: Financime shtesë për investime në sektorët prioritarë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare Aktin Normativ nr.3 për ndryshimin e buxhetit të vitit 2024. Akti u prezantua para deputetëve nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se përmes Aktit Normativ reflektohen në buxhetin vjetor rishikime jo vetëm në zërin e të ardhurave, por edhe atë të shpenzimeve.

Kështu, përmes Aktit Normativ sigurohet rritja e të ardhurave buxhetore me rreth 27.3 miliardë lekë dhe rritja po me 27.3 miliardë lekë e shpenzimeve buxhetore, ndërsa nuk ndryshohet deficiti buxhetor.

Ministri Malaj theksoi faktin se përmes Aktit Normativ sigurohen financime shtesë në sektorë prioritarë, si infrastrukturë, bujqësi, arsim, shëndetësi, mbrojtje e siguri, duke mbështetur kështu nevojat e ekonomisë. Miratimi i Aktit, tha Ministri, është i rëndësishëm për mirëqënien e qytetarëve dhe vijimin e reformave të nevojshme, të cilat garantojnë financa publike të shëndetshme dhe një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme.

Fjala e Ministrit Petrit Malaj:

I nderuar drejtues i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Në nisje të fjalës sime, e para kjo nga kjo sallë dhe përpara jush, më lejoni të shpreh se si Ministër i Financave do angazhohem për të nxitur më tej frymën e bashkëpunimit, në dobi të hartimit të ligjeve që do të kenë si qëllim primar progresin ekonomik të vendit dhe rritjen e mirëqenies sociale në vend.

Këtij qëllimi i shërben edhe Akti Normativ për Buxhetin e Shtetit, të cilin e sjellim sot për diskutim dhe miratim.

Përpara sesa të ndalem në mënyrë më të detajuar në lidhje me ndryshimet që parashikojmë të realizojmë, më lejoni të bëj një prezantim të shkurtër të treguesve kryesorë makroekonomikë.

Ekonomia shqiptare ka performuar në linjë me projeksionet e Ministrisë së Financave për vitin 2024 dhe aktualisht parashikojmë një rritje reale prej 3.7% deri në fund të vitit, ndërkohë që Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e parë të vitit 2024 rezultoi në 3.6%.

Ky është një parashikim pozitiv që do të vijojë edhe për periudhën e mbetur të vitit, ku padyshim një nga komponentët kryesorë që kontribuon në këtë zhvillim ekonomik është rritja e turizmit.
Edhe parametrat e tjerë kanë shënuar një rezultat pozitiv.
Inflacioni është qartazi brenda objetivit, duke rezultuar në masën 2.4%, pra një indicator që nuk përmën më një pengesë makroekonomike.
Përsa i përket shkallës së papunësisë, ajo preku nivelin më të ulët në vitin 2023 prej 10.7%.

Një rritje të konsiderueshme kanë shënuar edhe pagat, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2024, në raport me tremujorin e parë të vitit 2023, kemi një rritje reale të pagave në masën 10.8 %.

Në vitin 2023, qeveria Rama ndërmorri një reformë madhore pas më shumë se një dekade për të rritur pagat në administratën publike, të cilën e vijuam edhe këtë vit, duke garantuar një pagë mesatare mbi 900 euro për administratën publike.

Ky është një premtim i mbajtur i qeverisë Rama, si një anagazhim për të qenë sa më konkurrues në tregjet e punës, por edhe një vend lider për nivelin e pagave në rajon.

Të ardhurat e përgjithshme për 7-mujorin 2024 shënuan vlerën 402 miliardë lekë, me një realizim prej 103% ose rreth 116 milionë euro më shumë se sa plani i vitit 2024. Po të bëjmë një krahasim me 7 mujorin e vitit 2023, kemi një rritje të të ardhurave të përgjithshme me 8% ose rreth 303 milionë euro më shumë se sa 7 mujori i vitit të kaluar. Ky tejkalim i të ardhurave vërehet kryesisht në të ardhurat tatimore që administrohen nga tatimet dhe doganat, të ardhurat tatimore të pushtetit vendor, si dhe në kontributet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Sa i takon treguesve të Borxhit, në fund të vitit 2023 regjistruam një balancë primare pozitive prej 0.7%, ndërkohë që raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto pësoi një ulje me 5.5 %, krahasuar me fundin e vitit 2022, duke arritur në 58.9%.

Parashikimet tona për fundin e vitit 2024 janë që borxhi publik do të arrijë në 58.2% ose e thënë ndryshe me një ulje prej 0.7 % krahasuar me fundin e vitit 2023.

Të nderuar deputetë,

Rishikimi i buxhetit për vitin 2024, të cilin qeveria e miratoi në datën 28 Gusht në formën e një Akti Normativ, ka në fokus kryesor reflektimin në buxhetin vjetor të disa rishikimeve jo vetëm në zërin e të ardhurave, por edhe të shpenzimeve buxhetore, të cilat synojnë përmirësimin e parametrave të ekzekutimit të buxhetit 2024, në drejtim të përditësimit të projeksioneve të treguesve të konsoliduar për periudhën 2024-2026.
Më konkretisht, ky Akt siguron:
Rritjen me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, ku vetëm ato tatimore rriten me 19.2 miliardë lekë;
Rritjen në të njëtën masë, me 27.3 miliardë lekë, të shpenzimeve buxhetore;
Ruajtjen të pandryshuar deficitin buxhetor në vlerën 57.3 miliardë lekë.
Sikundër e kemi diskutuar edhe në komisionet e posaçme, përtej debateve të cilat i konsideroj të frytshme, disa nga çështjet emergjente që adresohen përmes këtij Akti Normativ lidhen së pari me:
• Nevojën për të shtyrë përpara investime të rëndësishme në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi;
• Zbatimin në kohë të Kodit të ri Zgjedhor, ku elementi që financohet me këtë Akt Normativ ka të bëjë regjistrimin e zgjedhësve jashtë Republikës së Shqipërisë;
• Gjithashtu, ky Akt Normativ adreson dhe nevojën për të nxitur më tej sektorin e bujqësisë;
• Nga ana tjetër, nëpërmjet këtij Akti Normativ, ne si Ministri e Financave përpiqemi të akomodojmë nevojat shtesë të Ministrisë së Brendshme, të cilat lidhen qoftë me pjesën e kompensimit ushqimor të punonjësve të policisë, por edhe me orët shtesë që ata kanë kryer gjatë sezonit turistik.
Është e rëndësishme të nënvizojmë se akomodimi i këtyre nevojave prioritare u mbështet nga situata pozitive e arritur gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 në drejtim të nivelit të mbledhjes së të ardhurave nga administrata tatimore dhe doganore, si dhe të ardhurat e realizuara nga pushteti vendor. Ndaj, të gjitha ndryshimet që propozohen mbështeten në një sërë faktorësh realë dhe projeksionesh të pritshme, të cilat garantojnë zbatimin e plotë të tij.

Të nderuar deputetë,

Akti Normativ synon ndryshime edhe në kahun e shpenzimeve, duke alokuar më shumë financime në sektorët më prioritarë, si:

• Shtesë fondesh në masën 450 milionë lekë për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve që lidhen kryesisht me shpenzimet e personelit si rezultat i rritjes së pagave në këtë sektor, si dhe financimin e projekteve komunitare apo shpërblimin e sportistëve elitarë të vendit.
Më lejoni të theksoj se Shpenzimet Publike në Arsim zënë rreth 3.2% të PBB-së. Në vitin 2024 ne alokojmë rreth 78.9 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2013 kjo shifër ishte vetëm rreth 44.1 miliardë lekë. Nëse do të bënim një krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria është ndër vendet me përqindjen më të lartë të shpenzimeve për arsimin në raport me shpenzimet totale publike.

• Financim shtesë në masën 250 milionë lekë për projekte të reja në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me qëllim financimin e projekteve të investimeve për ndërtimin apo rikonstruksion e spitaleve dhe qendrave shëndetësore në rang vendi.

Sa i takon shpenzimeve në Sektorin e Shëndetësisë, për vitin 2024 ato janë 2-fishuar në krahasim me vitin 2013. Më konkretisht, sot ne alokojmë 72.2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2013 kjo shifër ishte vetëm 35.4 miliardë lekë.

Edhe nëse do ta krahasonim me shpenzimet e periudhës 2020-2021, që përkojnë me periudhën e pandemisë, shpenzimet për këtë sektor janë më të larta në vlerë absolute.

Po ashtu, sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen sociale, Shqipëria në Rajon renditet ndër vendet me përqindjen më lartë kundrejt totalit të shpenzimeve publike.

Nëpërmjet këtij Akti Normativ kemi:

• Shtesë finacimesh në masën 900 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht 500 milionë lekë shkojnë drejtpërdrejt si mbështetje për fermerët në implementimin e skemës së re të mbështetjes/grand për investime, e cila synon të krijojë iniciativë për rritjen e investimeve në sektorin e bujqësisë, si edhe 400 milionë lekë për projektet e reja që lidhen kryesisht me investime në sektorin e ujitje-kullimit.

Bujqësia në vitin 2024 financohet me rreth 3 herë më shumë fonde në krahasim me vitin 2013. Sot shpenzimet në sektorin e bujqësisë arrijnë në vlerën e 14.2 miliardë lekëve, ku mbështetja për fermerët parashikohet të jetë në masën 3.4 miliardë lekë, ose katër herë më shumë nëse do ta krahasonim me vitin 2013.

Ndër të tjera nëpërmjet këtij Akti Normativ parashikojmë të injektojmë më shumë fonde në infrastrukturë, rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, siguri dhe mbrojtje.

• Me këtë Akt Normativ kemi rritur financimin shtesë në masën 5 miliardë lekë për projekte të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilat konsistojnë në projekte të reja në programe zhvillimi, të infrastrukturës vendore dhe rajonale, si dhe për programin 100 fshatrat.
• Kemi rritur financimimin për projektet e reja të Transportit Rrugor, një financim shtesë rreth 4.75 miliardë lekë për projektet që lidhen me rrugët Elbasan-Lekaj, Fier-Kthesa Patos-Frataj dhe Berdicë-Unaza Lindore.
• Kemi financim shtesë në masën 2 miliardë lekë për projektet e reja në sektorin e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime, për projektet “Ndërtimi i sistemit të kanalizimeve të Njësisë Administrative Hudënisht, Pogradec”, “Optimizimi i ujësjellësit të Vorës dhe rrethinat”, si dhe investime shtesë në ujësjellësa në zona turistike.
• Siç e përmenda edhe më parë, kemi shtesë fondesh për Ministrinë e Brendshme, me qëllim përballimin e nevojave për kompensimin ushqimor të punonjësve të policisë për periudhën 12 mujore, krahas orëve shtesë në kuadër të sezonit intensiv turistik. Pjesa e kontributit për ushqimin është rreth 1 miliard lekë, ndërsa pjesa për orët jashtë orarit që do paguhen përmes këtij Akti Normativ është rreth 300 milionë lekë fond shtesë.
• Nga ana tjetër, kemi fonde shtesë fondesh edhe për Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të ndërmarrjeve ekzistuese në këtë sektor, sikundër edhe pagesën e dëmshpërblimeve të mbartura ndër vite për familje që janë përballur me fatkeqësi natyrore.
• Akti Normativ parashikon financime shtesë edhe për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike në masën 1.5 miliardë lekë, në kuadër të procesit të implementimit të ‘Platformave me teknologji të avancuar që shfrytëzojnë inteligjencën artificiale në fushën e sigurisë kibernetike, për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare të vendit’.
• Nëpërmjet këtij Akti, me fond rreth 250 milionë lekë shtesë, financojmë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë.

Këto janë disa prej financimeve kryesore që ne adresojmë nëpërmjet këtij Akti Normativ, por natyrisht përmes atij adresohen edhe nevoja të tjera të institucioneve të pavarura.

Në përfundim të fjalës time, më lejoni të ritheksoj rëndësinë që ka miratimi i këtij Akti Normativ për mirëqënien e të gjithë qytetarëve dhe për vijimin e reformave të nevojshme, të cilat garantojnë financa publike të shëndetshme dhe një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme.
Ju ftoj gjithë deputetëve ta votoni këtë Akt Normativ, pasi është i një rëndësie të veçantë, për vetë faktin se i jep një injektim shumë të rëndësishëm nevojave të ekonomisë.
Ju faleminderit!

Previous Denaj në Kuvend: Rriten investimet në bujqësi, 500 milionë lekë shtesë për ‘Zhvillimin Rural’