Miratohet rregullorja e re për hapësirat publike: drejt menaxhimit të unifikuar në gjithë vendin
Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren e re për përdorimin e hapësirave publike, një akt që synon unifikimin e praktikave në nivel kombëtar dhe përmirësimin e menaxhimit të tyre në territor.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur se rregullorja vendos rregulla të qarta për përdorimin e hapësirave publike, duke garantuar një balancë mes zhvillimit të aktiviteteve tregtare dhe të drejtës së qytetarëve për t’i përdorur ato.
Sipas tij, akti sjell për herë të parë një unifikim të plotë të rregullave në të gjithë vendin, ndërsa bashkitë do të kenë fleksibilitet për të përshtatur zbatimin sipas specifikave lokale përmes vendimeve të këshillave bashkiakë.
Rregullorja është hartuar pas një procesi të gjerë konsultimi me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe synon të adresojë problematikat e zënies së hapësirave publike, duke vendosur standarde të njëjta për të gjitha bashkitë. Ministri theksoi se përparësi do të kenë qytetarët, ndërsa subjektet do të mund të ushtrojnë aktivitet vetëm nëse plotësojnë kriteret dhe garantojnë kushtet e sigurisë dhe ruajtjen e aseteve komunitare.
Procesi synon gjithashtu përmirësimin e estetikës urbane dhe cilësisë së jetesës në qytete, përmes rregullave mbi mobilimin dhe përdorimin e hapësirave publike.
Në të njëjtën dalje për mediat, ministri Demo informoi edhe për ecurinë e nismës “Paketa e Maleve”, duke bërë të ditur se katër bashki të reja: Kuçovë, Sarandë, Gramsh dhe Tropojë, kanë miratuar zonat prioritare për zhvillim, ndërsa numri i aplikimeve në nivel kombëtar ka kaluar mbi 500. Në vijim pritet të përfshihen edhe bashki të tjera për përcaktimin e zonave prioritare për zhvillimin ekonomik lokal.