Miratohet Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030, Ministri Gonxhja: Synon zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit kulturor
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur gjatë një konference për mediat se Këshilli i Ministrave miratoi Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030, e cila synon krijimin e një kuadri të plotë politikash për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit kulturor, në përputhje me prioritetet kombëtare të zhvillimit, procesin e integrimit evropian dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë në fushën e artit dhe kulturës.
Strategjia synon të forcojë rolin e kulturës si faktor i zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe territorial, duke kontribuar në rritjen e mirëqenies sociale, zhvillimin e balancuar të territoreve dhe konsolidimin e vlerave demokratike.
Sipas ministrit, objektivi afatgjatë është që deri në vitin 2030 Shqipëria të konsolidojë pozicionin e saj si një qendër kulturore me rëndësi në Ballkanin Perëndimor dhe si një aktore aktive në hapësirën kulturore evropiane, përmes zhvillimit të një ekosistemi kulturor të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe inovativ.
Strategjia parashikon një paketë reformash legjislative dhe rregullatore, që përfshin rishikimin e kuadrit ligjor për artin dhe kulturën, modernizimin e normave për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si edhe vendosjen e statusit të artistit si një kuadër ndërsektorial.
Ministri Gonxhja theksoi se strategjia synon gjithashtu të promovojë turizmin kulturor përmes zhvillimit të përvojave autentike dhe mbështetjes së krijimtarisë, artit, artizanatit, arteve skenike dhe trashëgimisë kulturore.
Financimi i strategjisë do të mbështetet në fondet ekzistuese për kulturën, rreth 4 miliardë lekë në vit, të cilat do të plotësohen me burime të tjera financimi për të garantuar vazhdimësinë dhe forcimin e investimeve në sektor.
Duke u ndalur te rezultatet e politikave mbështetëse për kulturën, ministri Gonxhja u shpreh se thirrjet e financimit në sektorin e artit dhe kulturës kanë mundësuar zhvillimin e rreth 1700 aktiviteteve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, 26% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas tij, kjo pasqyron rritjen e financimit publik për institucionet artistike dhe kulturore.