Komunikim me gazetarët i Ministrit të Brendshëm Taulant Balla pas mbledhjes së qeverisë:
Ministri Balla: Së pari, dua të ndaj me ju lajmin e miratimit nga ana e Këshillit të Ministrave të Strategjisë Kombëtare për Migracionin për vitet 2024- 2030, dhe Planin e Veprimit për dy vitet e para 2024 – 2026. Fokusi ndahet në disa drejtime kryesore, së pari ka të bëjë me migracionin e paligjshëm të qytetarëve shqiptarë, e dyta ka të bëjë me frenimin e azil-kërkimit, e treta lidhet me riintegrimin në tregun e punës dhe në shoqërinë shqiptare të emigrantëve. Synimi ynë është në kuadër të vizionit Shqipëria 2030, të rrisim ofertën për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona që janë në emigracion për t’u rikthyer në Shqipëri. Për këtë na duhet kjo strategji dhe ky dokument i rëndësishëm, që duhet të mbart në vetvete gjithë masat për një riintegrim sa më të shpejtë, qoftë në tregun e punës, qoftë në shoqëri.
Tjetra lidhet dhe me një dimension tjetër të migracionit që ka të bëjë me menaxhimin e flukseve migratore pra të emigrantëve, që vijnë nga vende të tjera dhe kryesisht e përdorin Shqipërinë si një vend tranziti, ku Shqipëria duhet të ketë gati gjithë dokumentacionin që lidhet me trajtimin e grupeve vulnerable, që lidhet me trajtimin e kërkesave për azil.
Kështu që në këtë këndvështrim miratimi i sotëm i kësaj strategjie kombëtare, e cila dua ta nënvizoj, është një dokument i shumë-konsultuar në të gjitha nivelet, por po ashtu reflekton dhe të gjitha dokumentet referuese të BE, kryesisht strategjitë por dhe direktivat e BE-së lidhur me sfidën që do e quaja unë të shekullit, që ka të bëjë me menaxhimin e flukseve migratore dhe menaxhimit në tërësi.
E dyta, është një lajm tjetër i mirë që ka të bëjë me vijimin e zbatimit të marrëveshjeve që kemi firmosur me vende të Ballkanit Perëndimor me fokusin e Ballkanit të hapur. Sot kemi miratuar protokollin për ndërlidhjen e skemave të identifikimit, në mënyrë që përmes një numri të identifikimit të Ballkanit Perëndimor, të gjithë qytetarët, e po kështu të gjitha mënyrat dhe skemat e identifikimit të ndërlidhen me njëra-tjetrën në mënyrë që të lehtësojmë duke marrë tregun e punës, të secilit prej vendeve firmëtare të qytetarëve të vendeve tona, ku do të forcojmë më tej zhvillimin e marrëveshjes dhe po ashtu do të rrisë integrimin e tregjeve të punës të Ballkanit të hapur dhe të Ballkanit Perëndimor në tërësi.
Kështu që këto janë 2 vendimet e qeverisë dhe e treta ka të bëjë me një projektligj, i cili do t’i kalojë menjëherë Kuvendit, ku ne do t’i kërkojmë miratimin me procedurë të përshpejtuar. Arsyeja është se në fillim të qershorit sikurse e kemi njoftuar do të mbahet në Tiranë edhe Konferenca Evropiane e Interpolit, e cila do të sjellë në Shqipëri drejtuesit më të lartë të Ministrive të Brendshme të vendeve të të gjithë Evropës dhe policive të shtetit, të secilit prej tyre. Besoj që ndaj të njëjtin vlerësim me të gjithë, se ky është një moment i rëndësishëm vlerësimi për punën e mirë dhe rezultatet e arrira të Policisë së Shtetit në luftën kundër kriminalitetit duke nënvizuar bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me Interpolin.
Pyetje: Në lidhje me projektligjin që keni hedhur për diskutim sa i takon dokumenteve dixhitale biometrike, çfarë risie do të sjellë ai për qytetarët? Dhe një qëndrim tuajin në lidhje me protestat që janë zhvilluar përpara Bashkisë së Tiranës, ku janë përdorur edhe mjetet piroteknike? A pritet të ketë një përmirësim të nivelit të pagave të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, por a do të përfitojë Garda e Republikës nga kjo rritje e pagave?
Ministri Balla: Lidhur me ndryshimet në ligjin për pasaportat dhe dokumentet biometrike dua të informoj publikun se ka të bëjë me një ndryshim të domosdoshëm në kuadër të një zhvillimi të vrullshëm teknologjik, na duhet që edhe Shqipëria të emetojë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe për këtë po bëjmë të gjitha përpjekjet me kompaninë shtetërore “Identitek”, e cila është ofruesi i vetëm i dokumenteve biometrike identifikues ne Shqipëri, në mënyrë që ligji të na mundësojë edhe prodhimin e dokumenteve dixhitale të identifikimit, pra e-ID-të, synimi ynë është të shkojmë drejt asaj që quhet e-wallet, pra të gjithë dokumentet që mbanë qytetarët në portofolet e tyre, qoftë karta e identitetit, qoftë patenta, qofshin kartat e kreditit, apo dokumente të tjera të identifikimit, të jenë digjitale të mos mbahen në portofol, por të mbahen në telefonin e tyre mobile. Kështu që ky ndryshim i ligjit është i domosdoshëm në mënyrë që t’i hapim rrugën më pas kompanisë shtetëror Identike, të eci përpara me prodhimin sa më shpejt të prodhimit të dokumenteve dixhitale, të cilat synojmë t’i realizojmë në një kohë sa më të shkurtër.
Sa i përket dhunës gjatë protestave të një prej fraksioneve të opozitës pranë bashkisë Tiranë, e them shpesh e më duhet ta ripërsëris, është e papranueshme dhuna ndaj institucioneve, e mbi të gjitha, dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Ligji është shumë i qartë se çdo akt dhune ndaj institucioneve apo ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dënohet dhe dënohet ashpër. Përfitoj nga rasti t’i kërkoj prokurorisë që të gjitha rastet e referuara nga Policia e Shtetit të ndiqen me vëmendje dhe natyrshëm të japim një shembull të qartë të ndëshkimit të gjithkujt që guxon të mos respektojë ligjin. Mos harroni asnjëherë se dhuna ndaj një punonjësi policie është dhunë ndaj shtetit. Punonjësi i policisë është personifikimi i shtetit dhe kryen aty detyrën. Në këtë vështrim, edhe ky fraksion i opozitës duhet të kuptojë që koha kur sulmoheshin institucionet ka mbaruar. Ajo që na duhet është të kemi sa më shumë respektim të ligjit. Të jeni të sigurt që Policia e Shtetit do të vazhdojë të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin.
Sa i përket pagave, me Kryeministrin dhe Ministrin e Financave po vazhdojmë të kemi një diskutim intensiv për të shkuar te varianti përfundimtar. Synojmë që në 1 korrik të realizojmë një pritshmëri shumë-vjeçare të punonjësve të policisë, të kemi një rritje të fortë të pagave, e cila vjen për shkak të mirë-menaxhimit financiar. Siç e dini, në buxhetin e shtetit 2024 është parashikuar një fond prej gati 400 milionë dollarë i cili është aty, jo vetëm për punonjësit e policisë, që të jem i qartë, ai fond është edhe për punonjësit e sektorëve të tjerë jetikë si arsimi, shëndetësia, FA, por natyrshëm Policia e Shtetit meriton këtë vlerësim nga ana e qeverisë sonë, duke pasur parasysh sfidat e mëdha që ka Policia e Shtetit edhe gjatë këtij viti, ku ju e dini që fokusi kryesor është mirë-menaxhimi i sezonit turistik. Ky është një vit ku presim një rritje tjetër historike të numrit të vizitorëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar, por edhe të përgjegjësive që ka Policia e Shtetit lidhur me sigurinë publike në çdo komunitet të vendit.
Gjej rastin të përshëndes aksionin më të fundit të DVP Tiranë, të cilët në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla dhe garantimit të sigurisë në komunitet, vijojnë punë e tyre intensive kundër fenomeneve të ndryshme që shqetësojnë qytetarët sikurse është fenomeni i përdorimit të lëndëve narkotike, ai i armëmbajtjes pa leje e problematika të tjera. Unë jam shpresëplotë që punonjësit e Policisë së Shtetit, në 1 korrik, lajmin e shumëpritur do ta kenë të realizuar tashmë, pa dyshim edhe Garda e Republikës.