Fjala e ministres Kushi pas mbledhje së sotme të qeverisë:
Sot kemi një lajm shumë të mirë për universitetet shqiptare, sepse miratuam vendimin për kodifikimin e programeve të studimit. Kodifikimi nënkupton organizimin apo grupimin e programeve të studimit në kode që identifikojnë fusha të ngjashme.
Është një detyrim që rrjedh nga ligji për Arsimin e Lartë, por edhe nga strategjia kombëtare 2021- 2026.
Sipas ligjit të gjitha programet e studimit që ofrohen në fusha të ngjashme në të njëjtin cikël dhe që kanë të njëjtin emërtim, duhet të jenë patjetër të ngjashme së paku në 70% të tyre. Kodifikimi është një vendim që i vjen në ndihmë të gjitha institucioneve, duke nisur nga vetë universitetet të cilat do të kenë mundësinë të përmirësojnë apo rrisin koherencën e tyre akademike, duke i menaxhuar dhe planifikuar më mirë ofertën kurrikulare. Ndërkohë përfitojnë edhe institucionet politikëbërëse, siç është Ministria e Arsimit apo edhe ASCAP, sepse nëpërmjet kodifikimit do të kenë mundësi të bëjnë një analizë dhe një menaxhim më të mirë duke patur të dhëna të unifikuara midis universiteteve për sa i takon programeve të studimit.
Natyrisht, përfitojnë edhe vetë studentët, sepse do të jenë më të qartë jo vetëm kur bëjnë zgjedhjen e programeve të studimit por edhe kur bëjnë transferimin e studimeve nga një universitet në tjetrin, duke shmangur të gjitha ato problematika apo konfuzionin që kanë patur në vitet e kaluara.
Kodifikimin e kemi konsultuar në detaje me të gjitha universitetet nëpërmjet konferencës së rektorëve dhe i jemi referuar sistemit të ISCED i cili është programi për kodifikimin e programeve.
Unë besoj që ky vendim i sotëm është një tjetër hap për rritjen e cilësisë në universitetet tona.