Mirënjohje për ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Mirënjohje për ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës

Në mbyllje të 2024-s dhe në prag të festave tradicionale që përkojnë me këtë periudhë të vitit, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës, të cilët aktualisht janë në pension, për t’u shprehur mirënjohjen dhe uruar një Vit të Ri sa më të mbarë.

* * *

“Shumë faleminderit dhe mirë se keni ardhur këtu sot në një takim që përkon edhe me mbylljen e vitit, por edhe me përmbushjen e një detyrimi të parë, le të themi, lidhur me gjithë pensionistët, duke vënë në dispozicion të mbështetjes së tyre për fundvitin, një shumë disa herë më të lartë se sa ajo e viteve të mëparshme.

Them detyrimi i parë sepse e lidh me momentin e ri ekonomik të Shqipërisë kur rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë edhe rritja e të ardhurave, kanë hyrë në një stad të ri dhe na kanë hapur perspektivën e një qasjeje të re ndaj pensionistëve, një qasje e cila për ne vjen në dy drejtime; nga njëra anë rishpërndarjen e një pjese të të ardhurave të rritura nga rritja ekonomike drejtpërdrejt tek pensionistët përmes bonuseve, duke filluar nga bonusi i fund vitit që është një bonus tradicional, po e quajmë edhe pse tradicionalisht ka qenë fillimisht fare simbolik, pastaj është rritur por gjithsesi asnjëherë nuk ka qenë në masën e këtij viti dhe pastaj edhe me një tjetër bonus që do të jepet në pranverë, pikërisht si rezultat i mundësive të rritura të ekonomisë dhe që ne duam të kthehet në një mundësi të vit përvitshme. Ndërsa nga ana tjetër, ne jemi në procesin e përgatitjes së një rritjeje të fondit të pensioneve, qoftë duke rritur të ardhurat nga sigurimet shoqërore, por qoftë edhe duke rritur buxhetin në dispozicion të pensioneve dhe këtu kam parasysh, të pensioneve çdo muaj.

Besoj që për të gjithë ata që bëjnë llogari dhe që nuk flasin badihava dhe këtu besoj pensionistët janë kategoria më e kthjelluar nga pikëpamja e llogarive, është shumë e qartë që bëhet fjalë për një numër shumë të madh pensionistësh dhe për shifra shumë të mëdha, për mundësitë dhe buxhetin e vendit tonë, por kjo nuk vlen vetëm për vendin tonë; kjo vlen edhe për vendet më të zhvilluara që kur vjen puna tek pensionet, kanë një sfidë më vete dhe faktikisht për çdo vend ky është një debat i vazhdueshëm.

Megjithatë qoftë bonuset, qoftë plani i mundshëm i rritjes graduale të pensioneve në mënyrë të përmuajshme, nuk do të ishin dot diskutime që do t’i bënim deri përpara jo shumë kohësh. Sot ekonomia ka filluar të na i ka krijojë këto mundësi edhe fakti që me siguri e keni ndjekur nga vlerësimi i fundit i INSTAT-it, paga mesatare rezultoi më e lartë sesa ambicia jonë që ishte një ambicie e madhe me thënë të drejtën, për të pasur pagën mesatare 900 euro në sektorin publik dhe në tremujorin e tretë, paga mesatare nga INSTAT u konstatua 968 euro që praktikisht po shkon drejt tavanit të paimagjinueshëm deri disa vite më parë të 1000 eurove, është e para rezultat i rritjes së ekonomisë dhe i rritjes së të ardhurave dhe e dyta, një shenjë shumë e mirë edhe në funksion të pensioneve sepse çdo pagë e rritur dhe e formalizuar është garanci për fondin e sigurimeve shoqërore dhe aty ku rritet një pagë, ka një përfitim më shumë për pensionistet.

Është shumë pozitive që edhe sektori privat po ndjek të njëjtin trend, pagat po rriten, por përpjekja jonë po rritet gjithashtu dhe edhe rezultatet e para janë pozitive sepse kemi të ardhura të rritura ndjeshëm në muajt e fundit nga formalizimi dhe prurjet në fondin e Sigurimeve Shoqërore, që do të thotë që kemi të gjitha arsyet për të qenë optimistë për të nesërmen.

Ndërkohë e veçuam këtë takim me ju sepse ju jeni një kategori e shërbëtorëve të këtij shteti që meritoni një vlerësim të veçantë, një begenisje të veçantë jo se të tjerët nuk e meritojnë, por gjithsesi nuk ka një kategori tjetër të shërbëtorëve të shtetit që të numërojë brenda radhëve të veta, njerëz që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, siç është rasti i Policisë së Shtetit dhe për hir të vërtetës kur numëron sot 227 dëshmorë në uniformat blu, gatit-gati nuk të besohet që ky është një numër që korrespondon me periudhën e demokracisë. Gati-gati nuk të besohet që në këtë vend jo më shumë se shumë vite më parë, por deri pak më shumë se 1 dekadë më parë trupat e policisë, oficerët e policisë, drejtuesit e humbin jetën gati, gati si diçka që ishte pjesë e punës dhe unë nuk e harroj dot kohën, kur asokohe në opozitë ne shkonim herë pas herë tek shtëpia e SHQUP-it, tek godina e ish-Shtëpisë së Ushtarakëve për të bërë homazhe dhe aty mblidheshin drejtuesit e policisë, aty mblidheshin kolegë e shokë të atyre që kishin rënë në krye të detyrës dhe kjo e bën edhe më të madhe detyrën tonë për të qenë mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithëve ju dhe ndaj të gjithë gjeneratës suaj që jo vetëm shërbyen, por shërbyen në kushte shumë të vështira. Shërbyen në kushte ku nuk është aspak e ekzagjeruar të thuash që Policia e Shtetit ishte e tradhtuar nga vetë shteti.

Tani ata që vuajnë këtë pasojë dhe që janë viktimat e gjalla të politikës qorre dhe të papërgjegjshmërisë së atyre që sot e gjithë ditën iu thonë ne do t’ua bëjmë pensionet 500 euro, ne do t’ua bëjmë pensionet 1000 euro, shesin qylyma fluturës si qylymat e Sudes edhe të Rrapushit dhe faktikisht këtu është edhe dallimi, se në fund të ditës pensionistët qysh nga viti 2014 dhe sot me reformën e bërë dhe me ndryshimin komplet të qasjes, janë trajtuar si të nënës, ndërkohë që më përpara janë trajtuar si të njerkës, ky është dallimi, shumë i dhimbshëm, po shumë i vërtetë që lexohet në të gjitha shifrat, mjafton të shikosh kolonat, të njëjtat kategori, të njëjtat vite pune para dhe pas 2014 pensioni me diferencë ndryshe dhe e përsëris, çdo pagë që rritet është një lajm i mirë për sa i përket fondit të pensioneve sepse rritet fondi i pensioneve.

Ju e shikoni vetë, e ndiqni vetë. Jam i bindur që e ndiqni nga afër trupën e Policisë së Shtetit,  sepse Policia e shtetit është si një skuadër. Është si një skuadër që edhe kur ke ndaluar së luajturi, prapë je i lidhur me të.

Kështu që, ajo që unë do të thoja në përfundim është që ne po bëjmë çmos që ta rrisim prestigjin e Policisë së Shtetit, të risim mbështetjen për Policinë e Shtetit, të rrisim pagat, të përmirësojmë kushtet, të rrisim teknologjinë e kështu me radhë dhe është e sigurt, siç e tha dhe ministri të gjitha ato arritje të Policisë së Shtetit që ne mund t’i numërojmë me krenari, nuk do kishin ndodhur pa ju të gjithë që edhe pse nuk jeni aktiv sot, por jeni baza në të cilën është ndërtuar më tej, gur pas guri, muri i Policisë së Shtetit dhe për më tepër një pjesë e juaja janë edhe pedagog, mësues, por të gjithë juve jeni edhe mësues në punë të atyre që sot drejtojnë Policinë e Shtetit duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm që i përket një brezi më të ri të drejtuesve të Policisë së Shtetit.

Ju falënderoj shumë me mirënjohje dhe respekt për gjithçka që keni bërë!

Ju falënderoj shumë me mirënjohje dhe respekt dhe për mbështetjen që jepni pa kursim  dhe sot moralisht po e po, por edhe konkretisht sa herë ju kërkohet Policisë së Shtetit! Edhe dua t’iu siguroj që në çdo hap do të bëjmë më të mirën dhe në çdo hap do të mendojmë dhe jo vetëm do të mendojmë, por edhe do të veprojmë për të sjellë më shumë në familjet tuaja nga çfarë do të sjellë hap pas hapi gjithmonë e më shumë ekonomia jonë dhe rritja e ekonomisë.

Me shumë respekt do t’iu kërkoj ndjesë sepse duhet të nisemi tani për gjysmë ore në Bruksel se nesër kemi një tjetër moment shumë domethënës. Hapim një tjetër grup kapitujsh të negociatave.

Kemi shumë besim që do ta kthejmë këtë moment pozitiv në një moment që të marrim sa më shumë nga Bashkimi Europian në aspektin e negociatave dhe mundësisht të arrijmë t’i mbyllim negociatat përpara sesa Bashkimi Europian, se nuk i dihet asnjëherë, të kthehet në atë humorin e mëparshëm kështu që ju falenderoj shumë edhe njëherë dhe po shkojmë të bëjmë këtë gjë nesër dhe me shumë respekt për të gjithë ju dhe paçi vetëm shëndet dhe paçi vetëm mirësi në familjet tuaja dhe pa diskutim jetofshi sa më gjatë që t’i shikoni të mbaruara të gjitha ato meraqet që keni dhe unë jua di mirë meraqet sidomos një merak jua di shumë mirë por nuk e përmendim që mos marrim më sysh.

Shumë faleminderit.”

Previous Ministrja Manastirliu inauguron SmartLab-in e ri në shkollën “Androkli Kostallari” në Shkozë