Kryeministri Edi Rama ishte sot në takimin falënderues me Skuadrën Kombëtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, e cila dëshmoi një nivel të lartë profesionalizmi në fazën hyrëse të procesit dhe mori vlerësimet më të larta nga Brukseli, duke merituar falënderimet më inkurajuese për të vazhduar më tej, në një rrugë ku çdo hap ngre më lart nivelin e demokracisë dhe institucioneve demokratike në Shqipëri.
“Unë nuk di një kënaqësi tjetër më të madhe në këtë punë 10 vjeçare në krye të qeverisë, ku nuk më kanë munguar momentet për t’u ndier i kënaqur për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare sesa kënaqësia e të dëgjuarit të kolegëve kryeministra, presidentë të vendeve anëtare që më thoshin “Dëgjojmë që Shqipëria po bën negociata të admirueshme” – u shpreh mes të tjerash Kryeministri Rama në përshëndetjen e tij.
* * *
Përshëndetje të gjithëve! Shumë faleminderit për gjithçka! Unë e dëshirova këtë takim me të gjithë ata që morën pjesë në këtë fazë të parë të suksesshme të këtij procesi, por faktikisht ishte e pamundur që të mblidheshin të gjithë fizikisht në një sallë, do duhet që të merrnim sallën e madhe dhe kështu u bë një kompromis për të pasur ju këtu, por përfitoj nga rasti që t’i falënderoj me shumë mirënjohje ata që kanë qenë me ju në këtë punë të jashtëzakonshme dhe nuk janë këtu sot me ne, thjesht fizikisht.
Besoj që meritojnë falenderim dhe mirënjohje po njësoj si të gjithë ju.
Dua t’ju them shumë sinqerisht që unë e kam pasur shumë frikë këtë moment, momentin e fillimit të negociatave. E kam pasur shumë frikë sepse siç ju e dini më mirë se kushdo tjetër, është një test shumë sfidues dhe nuk do duhej në fakt që duke qenë në krye të qeverisë, unë të isha skeptik për fuqinë, aftësinë dhe vullnetin e mirë të administratës sepse në fund të ditës kjo është një punë e administratës shqiptare, por mesa duket edhe unë jam i prekur nga virusi i mosbesimit tek administrata, i cili ushqehet vazhdimisht nga lajmet e këqija, që nuk mungojnë, patjetër, por që në ndërkohë bëjnë që shumica dërrmuese e punës së administratës dhe e njerëzve të administratës që nuk bëjnë lajm të mos vlerësohen sa duhet për atë që janë dhe për atë që bëjnë.
Në njëfarë mënyre, ky proces kaq i suksesshëm është dhe një revansh i heshtur, por kuptimplotë i administratës dhe i gjithë atyre punonjësve të administratës shqiptare që e mbajnë dhe e përmirësojnë vijimësisht gjithë makinerinë e shtetit shqiptar dhe për këtë secili dhe secila prej jush duhet të ndjeheni vërtetë krenarë dhe duhet të ndjeheni të përmbushur sepse keni marrë pjesë në këtë revansh duke treguar, jo këtu, por duke treguar në bankat e provimeve, se janë tamam si banka provimesh në Bruksel se administrata shqiptare i ka kapacitetet për të përmbushur këtë mision historik dhe për të qenë në lartësinë e kësaj detyre patriotike.
Për hir të vërtetës, besoj se ju e mirëkuptoni kur unë them që kam pasur shumë frikë sepse nuk është e lehtë të imagjinosh 1800 shqiptarë që bëhen bashkë, me sukses, në një punë që nuk është as një ditë, as dy ditë, as tre ditë sepse për tre ditë, për një punë që i zgjat tre ditë shqiptarët mund të bashkohen dhe mund të bëjnë rrëmujë gjithë botën, por për një punë që zgjat me vite dhe që është një punë në heshtje, është një punë përpara mijëra e mijëra dokumenta që duhen lexuar dhe që duhen përgatitur, besoj që është e falshme edhe frika, edhe shqetësimi se mos dilnim të turpëruar nga ky proces, të mos dilnim të papërgatitur për ta përballuar këtë proces dhe për hir të vërtetës, unë nuk di një kënaqësi tjetër më të madhe në këtë punë 10 vjeçare në krye të qeverisë ku nuk më kanë munguar momentet për t’u ndier i kënaqur për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare sesa kënaqësia e të dëgjuarit të kolegëve kryeministra, presidentë të vendeve anëtare që më thoshin “Dëgjojmë që Shqipëria po bën negociata të admirueshme”.
Siç me siguri ju tani që unë po e them e ndjeni kënaqësinë e revanshit ndaj gjithë atij perceptimi që thotë se njerëzit në administratë janë të padenjë dhe “në administratë ka vetëm hajdutë”, më falni për shprehjen, besoj që e kuptoni dhe ndjenjën time të revanshit kur ndonjë kryeministër i ndonjë vendi që në një moment të caktuar na ka penguar më afrohej dhe më thoshte “Urime, vërtetë urime. Dëgjojmë nga Brukseli që skuadrat shqiptare po bëjnë një performancë të jashtëzakonshme”.
Është vërtetë kënaqësi dhe është vërtetë një arsye për të pasur këtë nevojë që unë kisha për t’ju parë në sy dhe për t’u përulur me respekt përpara punës suaj, angazhimit tuaj dhe përpara gjithë energjisë që ju keni shpenzuar në këtë proces, ku vërtetë, jo thjesht keni provuar aftësitë, por keni dhënë një kontribut që mbase as vetë nuk e imagjinoni dot deri në fund për vendin tonë, për emrin e Shqipërisë, për flamurin shqiptar në sytë e shumëkujt atje që përpara se të t’ju shikonte juve, të shikonte prezantimet tuaja nuk ka pasur të njëjtën ide dhe të njëjtin respekt që ka sot për Shqipërinë dhe për këtë duhet të ndjeheni vërtetë të përmbushur dhe meritoni që ta konsideroni, në aspektin e karrierës suaj profesionale, por edhe në aspektin e kontributit tuaj patriotik, vitin 2023 si vitin më kuptimplotë.
Për hir të vërtetës, unë besoj që jo vetëm nuk është pak, por është një surprizë pozitive që nga ky proces ku faktikisht, ju keni bërë një numër të konsiderueshëm takimesh 777 çështje.
Përfundimi është së brendshmi nga vetë natyra jonë që e kemi problem çuditërisht që t’ia pranojmë vendit tonë të mirat e tjera përveç diellit, detit, ajrit, maleve.
Këto i pranojmë të gjithë, këtu kemi konsensus. Madje këtu shkojmë dhe në një ekzagjerim, që kemi malet më të bukura në botë, kemi detin më të bukur në botë dhe dielli në Shqipëri shkëlqen më bukur se në çdo vend tjetër të botës. Këtu s’kemi opozitë, jemi të gjithë bashkë.
Kur vjen puna për të vlerësuar pjesën tjetër që ka të bëjë me atë që vendi ka si kapacitet të brendshëm qeverisës, nuk flas për qeverinë, flas për shtetin, e kemi të vështirë.
E kemi të vështirë në pikën që nuk janë pak ata që thonë “ishim më mirë kur ishim më keq”.
Ne, natyrisht e dimë dhe ju e dini më mirë sesa unë se ju i keni përpara ato letrat se ky është vetëm fillimi, por ama ka dhe një arsye tjetër pse unë dëshiroj që t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju shpreh mirënjohjen të gjithëve ju dhe kjo arsye tjetër është që ju keni dhënë provën me këtë proces që është në një masë të caktuar, jo plotësisht, por në një masë të caktuar është në dorën tonë që ta përshpejtojmë procesin dhe kjo është shumë e rëndësishme që është të jetë motivi ynë themelor në fazën ku do hyjmë. Ta përshpejtojmë procesin. Ne për arsye që nuk është vendi që unë t’i risjell dhe që në një mënyrë ose një tjetër, ju i dini sepse këtu keni jetuar dhe pavarësisht se një pjesë e madhe e juaja nuk është e përfshirë përditë në çfarë ndodh në jetën politike apo në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.
E kemi nisur nga shumë mbrapa këtë proces krahasuar me të tjerët dhe juve e keni dëgjuar disa vite që Front Runners, pra pararoja e procesit për rajonin ishin Serbia dhe Mali i Zi.
Sot ne jemi pjesë e pararojës për të mos thënë që jemi pararoja, por kemi fituar shumë nga koha e humbur padrejtësisht. E humbur padrejtësisht sepse na penguan padrejtësisht. Por ama ne vazhduam të përgatitemi dhe kjo është një nga shkaqet pse ne ishim kaq të gatshëm në këtë proces dhe pse ne kemi mundësi ta përshpejtojmë ende më shumë procesin. Prandaj ajo çka unë do ju kërkoja me shumë respekt është që të gjithë së bashku të fokusoheni njësoj si një skuadër që ka hyrë në fushë për të fituar, që ne të fitojmë sa më shumë kohë, që ne të ecim sa më shpejt, që ne të mos mjaftohemi me çfarë na kërkojnë për javën apo për muajin e ardhshëm, por ne të synojmë që në çdo një nga pjesët e këtij procesi të arrijmë në fund përpara sesa mund të parashikohet afati i vendosur nga të tjerët. Ne duhet të jemi gati për BE shumë përpara se BE të jetë gati për ne. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë jo për BE, duhet ta bëjmë këtë jo për të dalë përpara të tjerëve në rajon, por duhet ta bëjmë këtë për ta sjellë sa më shpejt BE këtu për të bërë që në çdo sektor normat europiane, masat ligjore europiane, mënyra e të funksionarit europian të instalohet këtu. Dhe ju e dini po kaq mirë sa unë që duke punuar brenda administratës sesa i madh është deti, jo vetëm nga e thënë në të bërë, por nga e shkuara në ligj në zbatimin e plotë të asaj që shkruhet. Ama shkruajtja në ligj është thelbësore dhe themelore e këtij procesi.
Dhe kur ne po bëheshim gati për të nisur negociatat kemi bërë një mbledhje dhe unë i kam kërkuar Majlindës dhe të tjerëve që të përgatisim kombinatin e ligjeve. Sepse vërtetë duhet një kombinat i tërë për të shkruar, gati 300 mijë faqe që janë masat ligjore të organizmit të BE. Një kombinat i tërë me një armatë të tërë përkthyesish, juristësh dhe tani koha e solli që ne ta kapërcejmë këtë nevojë dhe të kemi në dispozicion modelin e inteligjencës artificiale që do të ndihmojë të gjithë skuadrat tuaja që materialin bazë në shqip për gjithçka lidh organizmin e BE dhe çka duhet të bëhet pjesë e trupës ligjore të vendit tonë, ta keni në dispozicion shumë më shpejt dhe të keni mundësi të punoni me të shumë më shpejt dhe ne të kemi mundësi që të mendojmë për zbatimin shumë më shpejt dhe të ndërtojmë një tjetër kalendar fazash të zbatimit. Se natyrisht nëse ne adaptojmë të gjithë acqui-të në legjislacionin shqiptar po aq shpejt sa do t’i kemi në dispozicion mund të na ndodhi siç i ndodh dikujt që ha të gjithë bakllavanë brenda natës së Vitit të Ri dhe pastaj përfundon në rastin më të mirë në spital, në rastin më të keq në botën tjetër.
Kështu që na duhet një fazë tretjeje e rëndësishme, por ama duhet ta kemi gati dhe ne mund ta kemi gati dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Natyrisht që ka dhe një aspekt tjetër të rëndësishëm që do ta mbajmë parasysh, që ne ia kemi dalë që të hapim një rrugë të re ndërkohë, një rrugë e re që është materializuar si projekt dhe do të fillojë të zbatohet me vendim të Këshillit e Evropian për planin e ri të rritjes. Dhe janë 1 miliardë euro plus që do të vijnë në disa vitet e ardhshme për Shqipërinë përtej mbështetjes së programuar me programet e IPA-ve dhe përtej buxhetit tonë, që do të na ndihmojë, ashtu sikundër përveç këtyre janë edhe një sërë hapjesh të reja për integrimin në tregun e përbashkët, çka më parë ndodhte vetëm për vendet që ishin anëtarë të Bashkimit Evropian dhe këtë ua them sepse ndërkohë, puna juaj nuk është thjesht prezantimi dhe negocimi në Bruksel, por është edhe jetësimi këtu përditë i gjërave që ne prezantojmë apo që duhet të bëjmë gati për të prezantuar.
Është pa diskutim një certifikatë absolutisht që ju i keni dhënë administratës shqiptare për të rritur besimin e brendshëm, edhe për të rritur patjetër edhe respektin e njerëzve për administratën shqiptare dhe për këtë duhet të ndiheni shumë mirë dhe ky është edhe thelbi në fakt i mirënjohjes për ju.
Në fund fare, dua t’ju them, sepse jam i bindur që në mos të gjithë, një pjesë e juaja e pyesin veten si vazhdon puna, pse e dini që kemi një problem që nuk lidhet fare me punën tuaj, që nuk lidhet fare me procesin e negociatave, por që lidhet me politikën dhe me marrëdhëniet politike dhe besoj që nuk duhet të keni asnjë shqetësim dhe besoj shumë që nuk do te kemi asnjë humbje kohe sepse do të gjejmë gjuhën edhe për këtë, gjithmonë me mirëkuptimin që asnjë çështje të drejtësisë dhe për asnjë çështje të drejtësisë, ne nuk bëjmë asnjë lloj kompromisi me askënd dhe për asnjë arsye.
Ky mirëkuptim është shumë i qartë për ne, por nga ana tjetër besoj që është i qartë për të gjithë në BE, ndërkohë që unë jam i bindur që me fqinjët tanë, ne do të arrijmë së bashku që të vendosim arsyet madhore mbi këtë çështje, të cilës patjetër nuk ia heqim rëndësinë që ka për fqinjët tanë dhe për të cilën patjetër ne jemi disponibël, për çdo gjë që nuk prej procesin e konsolidimit të sistemit tonë të ri të drejtësisë. Këtu nuk ka asnjë kompromis të mundshëm, jo sepse nuk duam ne po sepse drejtësia që ne duam, është e shumë më kokëfortë se ne dhe thënë të gjitha këto, puna juaj, puna jonë e përbashkët do të vazhdojë pavarësisht nga.
Ju tanimë e keni mësuar rrugën për në Bruksel dhe sa herë do të jetë e nevojshme, ju e dini si shkohet atje, e dini çfarë duhet të bëni atje, por ndërkohë puna jonë , puna juaj është këtu dhe duhet ta vazhdojmë përditë, që sa herë ju të shkoni atje të vazhdoni të shkëlqeni siç keni shkëlqyer deri tani. Jua qaj hallin sepse të gjithë ju edhe pse jeni të rinj, në një farë mënyre jua solli jeta të rifilloni nga provimet që kujtonit se i kishit mbaruar kur mbaruat jetën universitare apo kur mbaruat ato provimet për titujt që keni disa nga ju këtu etj, etj.
Edhe në këtë aspekt me thënë të drejtën nuk ju kam zili, por jeta është ajo që ndodh kur bëjmë plane të tjera dhe e rëndësishme është që pavarësisht se jeta ndodh kur bëjmë plane të tjera, ta marrim siç ndodh dhe përsëri të triumfojmë dhe ky është pa ekzagjerim një triumf brenda administratës shqiptare i patriotizmit.
Është fjalë e madhe patriotizmi pavarësisht se ne kemi kaluar një periudhë të gjatë të historisë sonë bashkëkohore që e kemi bërë fjalën patriotizëm të duket si një fjalë e rrezikshme për t’u përdorur sepse mund të të qeshin, por në fakt kjo është fjala më serioze për këdo që i shërben në radhë të parë shtetit, edhe ju keni shkëlqyer si shërbëtorë të shtetit dhe i keni treguar, s’po them i keni treguar Evropës tani se mos dukem si ato këngëtarët e polifonive labe, por i keni treguar miqve, partnerëve, përfaqësuesve të vendeve shumë më të zhvilluara, me një histori shumë më bujare sesa e jona për 1001 arsye se çfarë jemi ne në gjendje të bëjmë, dhe mbi të gjitha se pse e meritojmë plotësisht respektin, respektin që duam mbrapsht.
Koha kur shqiptarët jepnin respekt dhe maksimumi që pretendonim mbrapsht, ishte që të mos u binin shumë në qafë, ka ikur.
Ne i japim respekt dhe duam mbrapsht respekt dhe ju për sa më takon mua personalisht, por besoj edhe përsa u takon atyre që përfaqësojnë shtetin shqiptar sot dhe nesër, keni dhënë pikërisht një arsye shumë të fortë që këtë respekt që ne pretendojmë mbrapsht, ta kërkojmë edhe me më shumë bindje dhe të tjerët të na e japim me shumë më tepër bindje, falë jush, falë punës suaj.
Nuk po e zgjas më tutje fjalën time si zakonisht “të shkurtër” dhe iu uroj çdo të mirë, dua t’i bëj një urim të veçantë dhe falënderim të veçantë atyre që janë këtu dhe përfaqësojnë institucionet e pavarura, kjo është një tjetër pjesë e kësaj bukurie që ka ndodhur me procesin e negociatave, sepse të gjitha institucionet kanë funksionuar në harmoni dhe janë përgjigjur me seriozitet dhe e kanë bërë detyrën e tyre edhe duke qenë jashtë urdhrave të qeverisë në sensin që është një vetorganizim i brendshëm që flet shumë dhe shumë mirë për Shqipërinë në Bruksel.
E prandaj dua t’i falënderoj me shumë respekt të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura sepse këtu i kemi punët e ndara, por në raport me botën, ne kemi vetëm një punë dhe një punë të përbashkët: Ta përfaqësojmë Shqipërinë me sa më shumë dinjitet dhe ta bëjmë Shqipërinë që të respektohet gjithmonë e më shumë.
Në aspektin historik dua ta lehtësoj atë që tha Endriti me të drejtë, në aspektin historik ju keni bërë për Shqipërinë këtë vit, atë që ka bërë ekipi kombëtar në futboll. Është e njëjta gjë, por në dy fusha të ndryshme.
Ndryshimi është që juve nuk ju njeh njeri, ata i njohin të gjithë edhe në fund të fundit në thelb ju jeni skuadra më e madhe kombëtare që ka patur ndonjëherë Shqipëria, se një skuadër me 1800 vetë asnjë sport tjetër nuk e ka dhe ndërkohë puna juaj i shërben edhe të gjitha skuadrave në të njëjtën kohë.
Kështu që ju uroj të kaloni sa më gëzuar fundvitin!
Shpresoj që rroga plus do t’ju ndihmojë modestisht për këtë. Pa diskutim meritoni më tepër, por më mirë pak sesa asgjë besoj edhe duke qenë se keni negociuar shumë për Shqipërinë dhe i dini të gjitha llojet e dobësive, të gjitha llojet e vrimave që duhen mbyllur akoma e kuptoni shumë mirë sa e madhe është ajo rroga plus, apo jo.
Shumë faleminderit!