Në një bashkëbisedim me mjekë dhe infermierë në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, Kryeministri Rama, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu shpjegoi planin e qeverisë për rritjen e pagave në sistemin shëndetësor, duke nisur nga ky vit e duke vijuar vitin e ardhshëm.
“Burimet tona njerëzore dhe profesionistet e shëndetësisë janë prioriteti ynë absolut. Siç e kemi treguar me vepra, ju për ne jeni shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor për të arritur atë që ne kemi premtuar dhe jemi zotuar të gjithë së bashku, qytetarët shqiptarë të kenë shërbime cilësore, të aksesueshme dhe të marrin këto shërbime shëndetësore afër vendbanimit. Nëse do të ndalemi tek mbështetja financiare, ne e kemi rritur prej pikënisjes me 63% pagat për personelin mjekësor. E kemi premtuar dhe jemi të dedikuar t’i mbajmë premtimet tona për të vijuar mbështetjen për mjekët dhe për infermierët. “- u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Ndërsa, Kryeministri Rama tha se pas rritjes së pagës së mjekëve specialistë me 50 mijë lekë te reja në muaj, e cila bëhet efektive tani, do të përmbushet zotimi për rritjen e pagës me 7% menjëherë për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët.
“Unë nuk dua të zgjatem shumë me këto të tjerat se këto edhe i dini dhe i dëgjoni shpesh edhe jam i bindur që ndërkohë mendoni që, “mirë, mirë po çfarë do marrim ne nga kjo histori si shpërblim për punën”?
E keni dëgjuar që ne kemi aprovuar një plan shumë ambicioz të rritjes së pagave. Është faktikisht rritja më e madhe historike e pagave, por është edhe ajo rritje për të cilën ne kemi luftuar, jemi përpjekur, kemi edhe gëlltitur shumë gjëra me durim sepse kjo nuk është vetëm çështje dëshire, kjo është çështje mundësish dhe për të rritur pagat, duhet të rritësh mundësitë. Mundësitë rriten me shumë përpjekje, rriten dhe patjetër kur ekonomia merr frymë dhe rritet dhe kjo rritje pagash është pasqyra direkte e një rritje të qëndrueshme të ekonomisë, e një rritje të qëndrueshme të ekonomisë që ka përballuar edhe ato goditjet e forta që ju i dini sepse në goditjen më të fortë keni qenë ju që keni dhënë kontributin të parët dhe në vijën e parë për ta përballuar pandeminë dhe që të vij tek thelbi, ne kemi bërë një rritje të pagës së mjekëve specialistë me 50 mijë lek të reja në muaj, e cila bëhet efektive tani dhe nga ana tjetër kemi një zotim për të mbajtur që do të rrisim 7% pagën për mjeket në tërësi dhe infermierët dhe në këtë rast kjo do të behet menjëherë për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët.
Do të thotë që paga e mjekëve të përgjithshëm tani do të rritet me 59 mijë lekë dhe do të shkojë 111 mijë e 672, këto bishtat mos iu merrni shumë fiks sepse mund të ndryshojnë, por sigurisht fakti që paga e mjekëve të përgjithshëm do të shkojë te 111 mijë lekëshi, nuk do të ndryshojë. Ashtu sikundër dhe paga e infermierëve do të shkojë te 72 mijë e 118 lek, por ky është hapi i parë sepse në harkun midis dy prilleve po themi, tani dhe prillin tjetër, do ta plotësojmë kuadrin.
Mjekët specialistë do të vazhdojnë dhe për momentin nuk do kërkojnë më shumë shpresoj sepse specialistët në QSUT për shembull do ta kenë pagën 174 mijë lek, por mjekët e përgjithshëm do të shkojnë në 131 mijë e 672 lek dhe infermieret do të shkojnë 87 mijë e 118 lek.
Kështu që me këtë rritje ne praktikisht shkojmë në nivelin e lartë të rajonit, nuk mund të na thotë më njeri dhe as të rinjtë që duan më shumë edhe pse për shkak dhe të moshës kanë bërë më pak, por kështu ka ardhur koha, që të rinjtë duan më shumë të thonë: po janë më shumë këtu, janë më shumë atje. Nuk do jenë më shumë askund në rajon dhe ndërkohë ambicia jonë në këtë plan është që paga mesatare në Shqipëri të shkojë në 900 euro paga mesatare, që nuk janë eurot e Gjermanisë, por nga ana tjetër edhe shtëpitë në Gjermani i kanë pak më të kripura eurot, edhe transporti në Gjermani do më shumë euro, edhe të gjitha shërbimet e tjera në Gjermani duan më shumë euro po edhe kafet në gjermani duan më shumë euro, por dhe muhabeti në Gjermani nuk ecën siç ecën këtu kështu që e kombinuar mesatarja 900 euro me këto të tjerat dhe sidomos me mundësinë që në Gjermani nuk e ke që në një moment mund të ulesh të pish ndonjë kafe e të bësh ndonjë muhabet, po të merresh dhe me politikë, e kompensojnë deri diku. Pastaj kjo është çështje zgjedhjesh, nuk diskutohet.
Ndërkohë, patjetër që krijimi i kushteve më të mira të punës, që të vish në punë dhe jo thjeshtë të marrësh një pagë të mirë, por dhe të ndjehesh realisht mirë është domosdoshmëri dhe këtu besoj me investimin që po bëhet shumë shpejt dhe ky maternitet që është legjendë e mjekësisë shqiptare, do të jetë perfekt. Kështu që këto kisha unë nga ana ime.
Elementi tjetër që është ekstra për mjekët që nuk është për sektorët e tjerë, është që me autonominë spitalore që kemi filluar ta pilotojmë dhe që në harkun e 2-3 viteve do të shtrihet kudo, do t’i jepet mundësia mjekëve që të paguhen ekstra në bazë të performancës që bëjnë. Kush bën më shumë vizita, më shumë operacione, do të marrë më shumë, që do të thotë do të marrë mbi këto, se këto nuk diskutohen. Ne jemi të bindur që, që tani jemi në të njëjtin nivel pak a shumë me spitalet private, por me autonominë spitalore do të shkojmë shumë më sipër se spitalet private dhe duke qenë se spitalet private që marrin dhe qimet e kokës së njerëzve, funksionojnë me ju, se ju jeni dhe këtu, edhe atje, se nuk janë të tjerë atje, duke i dhënë mundësi mjekëve që këtu të bëjnë dhe punën për vete, do arrijmë të kemi shpërblime shumë të larta për mjekët dhe do arrijmë që të kemi shërbimin publik shumë cilësor, pa diskutim pa asnjë konkurrent në shqipërim, qofshin privatë. Kështu që faleminderit për punën dhe durimin e madh.” – u shpreh Kryeministri.
* * *
Më pas, Kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektuan punimet e fazës së parë të ndërtimit të ri në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, e cila është drejt përfundimit dhe që do t‘i hapë rrugë investimit në godinën qendrore, që do të restaurohet duke ruajtur arkitekturën historike, për të garantuar standardin më të mirë të shërbimit për nënat dhe fëmijët.