Eshtë çelur Kongresi i Parë të Shëndetësisë, i cili do të mbahet në datat 6 dhe 7 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Në hapje të Kongresit mjekët e rinj dhe studentët e mjekësisë kanë shprehur vlerësimin e tyre për investimet e bëra në vitet e fundit në këtë sektor, teksa kanë nënvizuar me krenari edhe përkushtim, ushtrimin e këtij profesioni në vendin e tyre.
Dr. Kjanda Elpenoria, mjeke neurologe në Spitalin Memorial të Fierit, tha se ky spital është një fanar ndriçues për sistemin shëndetësor publik në gjithë rajonin e Jugut.
“Jam e lumtur që dëshirat e mia profesionale u plotësuan dhe vazhdojnë të ndjekin rrugën e tyre të realizimit. Këtu pata mundësinë të mësoj, por dhe t’u tregoj aftësitë e mia në shërbim të pacientëve. Memoriali është një fanar ndriçues për sistemin shëndetësor publik ne rajonin e Jugut. Sepse ne sot falë punës sonë të përditshme, dijeve dhe eksperiencës se ekipit turk, kemi arritur të sjellim ndryshimin”,- u shpreh Elpenoria.
Mjeku kirurg, Dr. Bledi Masati, në fjalën e tij theksoi se misioni dhe përkushtimi i tij profesional është i fokusuar këtu në Shqipëri në shërbim të të gjithë qytetarëve.
“Sfida sociale që ka të bëjë me lëvizjen migratore, megjithatë kur je në profesionin e mjekut nuk është vetëm në zgjedhje personale, por shkon edhe më tej sepse ka një ndikim zinxhir në shoqëri. Unë kam migruar nga qyteti im i vendlindjes, në një tjetër, e së fundmi në Tiranë për të kontribuar në këtë fushë.
Pas orëve të gjata, të lodhshme, rikujtoj ndonjë shënim, mesazh apo fjalë zemre nga pacientët, dhe marr një tjetër fuqi për të vazhduar me misionin tim. Misioni dhe përkushtimi im është i fokusuar këtu, ne vendin tim”,- theksoi Dr. Masati.
Indrit Jaupaj, infermier pranë Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, u shpreh krenar për arritjet e ketij insitucioni, teksa përmendi investimin për flotën moderne të autoambulancave sipas të cilit ka shtuar sigurinë e shërbimit tek qytetarët.
“Jam krenar sepse ne kemi fatin të jemi pjese e një vizioni të ri të Urgjences Kombëtare, me ndërtimin e QKUM, që është kthyer sot ne nje ofrues shërbimi dinjitoz për çdo pacient që i rrezikohet jeta.
Nga ky moment të qenit Infermier merr një tjeter dimension. Trajnimet dhe kualifikimet e shumta; mjetet e reja dhe teknologjine qe kemi sot ne dispozicion me autoambulancat moderne, na japin mundësi të jemi me të shpejtë dhe më të sigurt qoftë në spital, në terren apo në maxi-emergjencë, siç e kemi treguar ne këto vite sfiduese”,- tha Jaupaj.
Alessia Mehmeti, specializante e vitit të katërt pranë Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Spitalin ‘Nënë Tereza, u shpreh se në Shqipëri mund të bëhesh mjek cilësor .
“Po në Shqipëri mund të bëhesh një mjek cilësor dhe profesionist i zoti nëse ke dëshiren dhe vullnetin e mire për te punuar për këtë synim. Në fund të ditës, e them me bindje se çdo përpjekje e bërë për të përparuar Shëndetësinë e vendit tend shpaguhet 10 herë më shumë shpirterisht e moralisht dhe ky per mendimin tim, duhet të jetë motivimi kryesor i çdo mjeku që zgjedh të bëhet pjesë e sistemit shëndetësor”,- tha Mehmeti.
Rubin Mullaj, student i vitit të gjashtë në Universitetin e Mjekësisë tha se profesioni i tij do ta lejoj të jetë pranë qytetarëve në moment të bukura, por edhe mjaft të vështira.
“Të studiosh mjekësi do të thotë ti shtrëngosh dorën pacientit dhe familjarëve të tij, të japësh shpresën për jetën dhe të lesh shenjë në jetën e tyre. Tani që jam në përfundim të studimeve e kam kuptuar që kam bërë zgjedhjen e duhur! Gjithçka sa thashë kam dëshirë t’i praktikoj në shërbim të qytetarëve tanë”,- tha Mullaj.
Kongresi i Parë i Shëndetësisë do të mbahet në Tiranë në datat 6,7 në Pallatin e Kongreseve, ky Kongres synon të bëjë bashkë politikëbërës, profesionistë të Shëndetësisë, ekspertë, përfitues të shërbimeve dhe aktorë të tjerë për të ndarë përvojat dhe sfidat e këtij sektori.