Modeli i ri i Prokurimit të Përqendruar, më shumë transparencë, siguri dhe digjitalizim
Modeli i ri i Prokurimit të Përqendruar sjell një qasje të transformuar në realizimin e prokurimeve publike, duke zhvendosur fokusin nga procedurat te rezultatet, përmes centralizimit strategjik, digjitalizimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.
Gjatë prezantimit të modelit të ri, Kryeministri Edi Rama theksoi se ky transformim do të sjellë më shumë siguri, shpejtësi dhe transparencë në përdorimin e fondeve publike, duke e çuar prokurimin publik drejt standardeve europiane dhe një administrimi të specializuar, ku teknologjia do të mbështesë çdo hallkë të procesit, ndërsa vendimmarrja do të mbetet njerëzore.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Shumë faleminderit!
Jemi sot këtu në një moment kur për herë të parë në fazën e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, përfshihet edhe sistemi i ri i prokurimit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara i cili tanimë do të shërbejë si mekanizmi në dispozicion të dikastereve qendrore dhe jo vetëm, për të planifikuar dhe realizuar në kohë prokurimet publike.
Ky është një transformim shumë i rëndësishëm në aspektin e funksionimit tërësor të strukturës së pushtetit ekzekutiv lidhur me efiçencën e prokurimeve sepse faktikisht vë në dispozicion të këtij qëllimi një strukturë të specializuar e cila siç e tha edhe drejtuesi i Operatorit është një strukturë që po integrohet në sistemin europian të prokurimeve dhe nga ana tjetër po merr ekspertizë të nivelit të lartë nga institucione të ngjashme, duke filluar nga UNOPS-i, struktura e prokurimeve të Kombeve të Bashkuara që asiston Operatorin tonë të Blerjeve të Përqendruara.
Nga ana tjetër, nuk është e panjohur për ju ambicia jonë që prokurimi publik të mos jetë thjesht një kapitull i përmbushur në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por të jetë një model ekselence dhe inovacioni për vetë këtë pjesë të botës ku ne jetojmë.
Një model i cili do të kombinojë arkitekturën ligjore europiane, centralizimin strategjik përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara të sistemit të prokurimeve dhe inteligjencën artificiale në analizën e riskut dhe në gjithë hartimin e dokumentacionit e pastaj edhe në jetësimin e procedurës.
Sot ne jemi gati të nisim punën për ndërtimin e sistemit të ri të prokurimit elektronik që e përsëris është një sistem unik jo vetëm në Shqipëri, por shumë më gjerë se kaq, ku inteligjenca artificiale do të flasë praktikisht gjuhën e çdo grupi interesi që e ka të lidhur aktivitetin e tij me aksesin në prokurimet publike të Republikës së Shqipërisë.
Kjo do të thotë që për sipërmarrjen, qoftë vendase, qoftë të huaj do të ketë shumë më tepër për qartësi, do të ketë shumë më tepër shpejtësi, do të ketë transparencë absolute dhe jo pak e rëndësishme, do të ketë ulje të konsiderueshme të kostove dhe eliminim masiv të burokracisë. E thënë me fjalë të thjeshta, asnjë biznes nuk do detyrohet më të mbledhë letra lart e poshtë për të pasur mundësinë të dorëzojë një ofertë për një prokurim publik, pasi gjithçka që lidhet me informacionin mbi një biznes apo një tjetër, do të kalojë nga Diella, nga një dosje virtuale e çdo biznesi, ku mbi 40 regjistra publikë do të jenë aty për t’u hapur me një klik të vetëm dhe për të bërë të gjithë punën që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz dhe duke konsumuar kohë, duke ndeshur pengesa të natyrave të ndryshme.
Nga ana tjetër, ky do të jetë një revolucion i mirëfilltë edhe në aspektin e problematikave për hartimin e specifikimeve teknike, për përllogaritjen e fondeve limite, për teknikën e shqyrtimit të ofertave dhe të vlerësimit të tyre, pasi të gjitha këto do të jenë nën mbikëqyrjen e Diellës dhe Diella po përgatitet që të ofrojë zgjidhje me algoritme inteligjente për të gjitha hallkat e këtij procesi. Natyrisht që, më lejoni ta them këtë, këtu ne nuk nisemi nga zero. Këtu ne hyjmë në një fazë të re të një procesi të thellë të reformimit dhe të modernizimit të prokurimit publik, i cili mbështetet në standardet më të larta të transparencës, ku publikimet do të bazohen në “e-forms” të Bashkimit Europian.
Tani natyrisht që e tha Reida, drejtuesja jonë e Agjencisë së Prokurimit Publik, e cila është edhe negociatore me Bashkimin Europian për kapitullin përkatës, që ky është një element i funksionimit të shtetit që tërheq shumë interesa dhe prodhon shumë zhurmë. Dhe patjetër që kur ngjarje të caktuara bëhen publike dhe procedura të caktuara dalin në dritën e syve të opinionit publik me cene të caktuara, reputacioni i sistemit lëndohet ndjeshëm.
Nga ana tjetër, ashtu siç lajmet e këqija që për fat të keq ndodhin në çdo fushë, për shembull në shëndetësi, nuk e zhbëjnë absolutisht faktin që kur një operacion i pasuksesshëm kthehet në një sëkëlldi të madhe publike, pasi ka cënuar jetën e një njeriu, 60.000 operacione të tjera që ndodhin në vit dhe që janë të suksesshme dhe që nuk përbëjnë lajm, janë aty, po ashtu një dëshmi e faktit që në tërësinë e tyre gjërat janë shumë më ndryshe sesa duken nga optika e një lajmi të vetëm apo e një ngjarjeje të padëshiruar.
I them këto sepse janë disa fakte shumë kokëforta që kanë sjellë Shqipërinë në pikën që të jetë vendi më i vlerësuar nga SIGMA, mekanizmi i Komisionit Europian për vlerësime të kësaj natyre, për sa i përket fushës së prokurime publike, me diferencë nga vendi i dytë, flasim gjithmonë për rajonin tonë.
Dhe e shoh të udhës të ndaj këtu disa shifra duke nisur nga fakti që në vitin 2012, në momentin kur ne bëheshim gati të merrnim detyrën, procedurat pa shpallje paraprake, por me negocim të drejtpërdrejtë, domethënë pa garë, ishin 31% e totalit të procedurave. Në vitin që lamë pas, ato ishin vetëm 2.4%. Pra ky është një standard i ri i vendosur dhe tanimë duket e pabesueshme që të ndodhi e kundërta, që procedurat pa garë për fondet publike të jenë sa 1/3 e të gjitha procedurave të prokurimit.
Sot janë, e përsëris, vetëm 2.4%. Sot ne e kemi përafruar legjislacionin e prokurimit publik në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe vetëm pak ditë më parë kemi miratuar edhe projektligjin për disa ndryshime të reja në ligjin e prokurimit publik që faktikisht mbyll tërësisht kornizën e përafrimit të legjislacionit. Por interesante është një tjetër shifër. Nga platforma digjitale e transparencës së Komisionit Europian, “public procurement data space” për vitin 2025 në Bashkimin Europian kontratat me një ofertë ishin 32.3%, ndërkohë që në Shqipëri ato ishin 23% dhe në këtë indikator Shqipëria gjendet në një shoqëri shumë të lartë për sa i përket prokurimit publik, në të njëjtin grup me Suedinë, me Gjermaninë, me Finlandën dhe me Francën, shumë nën mesataren e Bashkimit Europian në aspektin pozitiv.
Një tjetër element i rëndësishëm që natyrisht nuk shihet dhe nuk dëgjohet në zhurmën dhe në mjegullën e avazeve të përsëritura për vendin ku vetëm një grusht njerëzish kanë akses, në fondet publike. 93% e kontratave në Shqipëri fitohen nga SME-të, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Pa shtuar dhe një 2% tjetër ku SME-të janë dhe pjesëmarrëse si bashkim operatorësh, por nuk po e quajmë këtë, 93%. Ndërkohë në Bashkimin Europian SME-të fitojnë vetëm 46% të kontratave. Natyrisht që, struktura ekonomike e Bashkimit Europian është tjetër, por kjo për të thënë se ku shkojnë fondet publike. Një tjetër tymnajë e madhe për indikatorin e tenderave pa garë, zhbëhet plotësisht po të shohësh se Shqipëria është më mirë sesa 21 vende të Bashkimit Europian.
Në raportin që SIGMA publikoi për fushën e prokurimit publik, Shqipëria ka një vlerësim 81 në 100, që është vlerësimi më i lartë në pikët mesatare për të gjitha vendet e rajonit, por natyrisht që këto nuk janë për të thënë se këtu është bërë ndonjë mrekulli. Këto janë për të thënë se çka nisim sot nuk është një kapitull i parë, por është vazhdimi i një serie kapitujsh dhe në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria synon që ta ngrejë administratën e prokurimit publik në një nivel të ri. E theksoj që prokurimi publik të ketë administratën e vet të mirëfilltë dhe të mos jetë më një sistem ku shumë njerëz përfshihen nëpër komisione prokurimi dhe shpesh herë gabojnë qoftë edhe nga padija.
Krijimi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara ka dëshmuar në mënyrë spektakolare vlerën që ka ky synim i specializimit dhe i konsolidimit të një administrate të posaçme për prokurimin. Nga mbi 2200 procedura të publikuara apo rreth 800 milion euro punë mallra dhe shërbime, janë kursyer 81 milionë euro. Megjithatë, ajo që ndajmë bashkërisht me drejtuesit tanë edhe dua t’i falënderoj që të dy Reidën absolutisht por edhe Jonin i cili pati dhe një fazë përndjekje që e ka bërë edhe më të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e të qëndruarit drejtë. Ne e kuptojmë shumë mirë që kemi nevojë të çlirojmë peshën e procedurave dhe të burokracive nga zyrat e çdo agjencie pasi kemi hequr tërësisht prokurimet nga ministritë.
Faktikisht me përjashtim të disa prokurimeve shumë specifike që lidhen me sigurinë kombëtare, çdo gjë tjetër nuk është më në duart e ministrive dhe kjo do të zbresë deri poshtë në ndërkohë që ne nuk mund të detyrojmë pushtetin vendor që të bëjë prokurime të përqendruara, por do të bëjmë çmos që ta nxisim pushtetin vendor që të shkojë drejt prokurimeve të përqendruara, të specializuara dhe me kosto shumë më të vogla.
Tani perceptimi për prokurimin dhe për problematikën e prokurimit si një problematikë me hije, nuk është vetëm një perceptim shqiptar, ashtu si kundër nuk është vetëm një perceptim shqiptar perceptimi për korrupsionin, edhe pse ne jemi njisha për ta lyer veten me katran edhe kur faktikisht jemi të pastër dhe jo më pastaj kur ka patjetër edhe katran nëpër duar.
Flash Eurobarometri i 2025-ës thotë se 63% e të anketuarve në Shqipëri mendojnë se specifikimet e procedurave hartohen në favor të kompanive të caktuara, kundrejt 58%, pra vetëm 5 pikë përqindje më poshtë është mesatarja e Bashkimit Europian.
Pra 58% në nivel të Bashkimit Europian mendojnë, kompani, që ka hile. Ndërsa në disa vende europiane, unë nuk dua t’i përmend, kjo shifër është lartësisht katastrofike. Për shembull në një vend të Bashkimit Europian, perceptimi është i 92% i të anketuarve, mendojnë që prokurimet janë me hile. Edhe te korrupsioni, e kemi thënë më parë, po të shikojmë sondazhet dhe perceptimin në nivelin europian, ka vende të Bashkimit Europian të cilat nga publiku i tyre konsiderohen të korruptuara në nivele 92 e 95% dhe 98%, pa asnjë ekzagjerim që natyrisht është absolutisht e pavërtetë, por është perceptim i cili ushqehet fuqimisht në kohën e sotme kur gëlojnë shpifjet, gëlojnë ekzagjerimet, gëlojnë gjysmë të vërtetat që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha dhe kur natyrisht pastaj fakte të pamohueshme kthehen në të vërteta absolute dhe përgjithësuese shumë padrejtësisht.
Nuk dua të zgjatem më shumë me krahasime. Këto të dhëna nuk vijnë dhe nuk na shërbejnë për të relativizuar problemet dhe sfidat tona, por na shërbejnë për të kuptuar që prokurimi publik është një fushë jashtëzakonisht e ndjeshme, pikërisht sepse aty siç tha ministrja, lidhen interesa të shumëllojshme të një komuniteti të tërë që është komuniteti i biznesit dhe shteti si klient në atë rast kur kërkon shërbime apo kërkon ndërtime, domosdoshmërish është në një pozitë vulnerabil, të paragjykuar vetvetiu, pa llogaritur faktin që kur konkurrojnë shqiptarët nuk humbet asnjëri. Të gjithë fitojnë dhe pastaj kur njëri shpallet fitues, të gjithë të tjerët vetë shpallen viktima të një padrejtësie ulëritëse. Ky është fakt.
Unë nuk e kam takuar akoma një që të pranojë që tjetri ishte më i zoti edhe fitoi. Gjithsesi kam besim që kur Diella bashkë me Gjonin, është dhe Gjoni që do të shfaqet së shpejti në këtë fushë, i cili do të merret specifikisht me një sërë procesesh të prokurimeve, kur Diella bashkë me Gjonin do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, atëherë besoj, dua të shpresoj që do të fillojë të krijohet dhe bindja që po, ka fitues me të drejtë dhe ka humbës me meritë pasi të kalojë dhe një fazë kur humbësit të duan t’i shikojnë me sytë e vetë dhe t’i kontrollojnë një më një të gjitha fletët e procesit, sepse procesi gjithsesi do të jetë i kontrollueshëm manualisht. Pra, ndryshe nga sa u tha në fillim kur ne e hodhëm këtë ide edhe arriti deri dhe Neë York Times të hapte debat për Diellën, nuk do të ketë një proces të mbyllur në ekranin e Diellës, por do të jetë një proces ku çdokush që do të ketë pretendime do të mund ta ndjekë atë dhe manualisht.
Dhe në fund të ditës e tha Reida, vendimmarrja do të jetë përsëri e njeriut, por natyrisht bazuar në të dhëna shumë më pak të kontestueshme dhe të procesuara nga një super inteligjencë.
Shumë faleminderit dhe edhe një herë, faleminderit të gjithë ekipit të OBP-së. Faleminderit ekipit të APP-së edhe kujtesë për sekretarët e përgjithshëm që deri në datën 20, duhet të dorëzojnë të gjithë listat e projekteve që kërkojnë të futen në procedurë prokurimi dhe duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me OBP-në, që procedurat të nisin pa humbur kohë dhe kjo do të sjelli një impakt jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm për të ulur më tej problematikat që pastaj lidhen edhe me gjëra të shëmtuara, por edhe për të realizuar më shpejt dhe për të realizuar në kohë investimet.
Patjetër që sfida e sfidave gjithsesi mbetet realizimi i kontratave dhe jo thjesht lidhja e tyre. Në fazën nga lidhja e kontratës tek dorëzimi i veprës apo tek dorëzimi i mallit, ka ende dobësi që nganjëherë janë dramatike dhe për të cilat në ndonjë rast opinioni publik me të drejtë, me të drejtë sëkëlldiset.
Shumë faleminderit dua në fund të falënderoj edhe ambasadoren që është këtu e pranishme. Është ambasadorja e një vendi që në fushën e prokurimeve ka një bilanc nga më të shkëlqyerit e Bashkimit Europian, Holanda dhe është vërtetë kënaqësi që të kemi më shumë ura bashkëpunimi, qoftë me institucionet përkatëse në Holandë, qoftë dhe me institucione të tjera, siç po ndodh me organin e blerjeve të përqendruara në Austri apo edhe në ndonjë vend tjetër ose e përmenda siç ndodh me vetë UNOPS-in që është një institucion ekselence për sa i përket prokurimit publik.
Shumë faleminderit!