Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi, së bashku me Ministrin e Drejtësisë Z. Ulsi Manja dhe ambasadorin italian Z. Fabrizio Bucci kanë finalizuar me sukses modulin e projektit për antikorrupsionin në 4 shkolla të kryeqytetit.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kushi tha se misioni bazë nuk është thjesht arsimimi, por edukimi, pasi nxënësit në shkollë pajisen jo vetëm me njohuri, aftësi e kompetenca për jetën, por edhe me vlerat më të mira të qytetarisë dhe demokracisë që ata të bëhen qytetarë të denjë.
Ajo shtoi se nxënësit e shkollave që u bënë pjesë e këtij projekti duhet që njohuritë e përfituara t’i bëjnë pjesë të sjelljes së tyre të përditshme, por gjithashtu t’i përcjellin edhe tek të tjerët, familja dhe e gjithë shoqëria.
Ministrja vuri theksin tek rëndësia e mësimit të këtyre vlerave që në moshë të hershme, pasi kjo është mënyra më e mirë për t’i bërë nxënësit qytetarë të denjë për një shoqëri sa më e mirë nesër.
Aktualisht, në kurrikulat bazë ka lëndë specifike në të cilat u mësohen nxënësve vlerat më të mira. Krahas lëndëve të edukimit qytetar dhe tërësisë së temave që janë të integruara në lëndë të ndryshme, ka edhe shumë projekte ekstra-kurrikulare të cilat kanë për qëllim që të edukojnë qytetarë të mirë.
Znj. Kushi përmendi edhe “Shkollat Qendër Komunitare” si një nga projektet më të mira për këtë qëllim, në të cilën angazhohen nxënësit, mësuesit, prindërit dhe i gjithë komuniteti.
Znj. Kushi falënderoi ambasadën italiane dhe veçanërisht ambasadorin Z. Fabrizio Bucci, si dhe shoqatën “Avviso Pubblico” të cilët u angazhuan për realizimin e këtij projekti, ndërkohë që ka falënderuar edhe Ministrin e Drejtësisë, Z. Manja i cili e ka mirëpritur dhe ndjekur me shumë prioritet këtë projekt.