Monitorimi me teknologji të avancuar i territorit të Republikës së Shqipërisë përmes satelitëve, një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Monitorimi me teknologji të avancuar i territorit të Republikës së Shqipërisë përmes satelitëve, një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit

U nënshkrua sot, në mjediset e Kryeministrisë, Kontrata e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc”, me vlerë 6 milionë dollarë.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi informoi në fjalën e tij se “Kjo kontratë konsiston në përdorimin  ekskluziv të dy satelitëve, për një periudhë tre vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj”.

Ndër të tjera, ky shërbim do t’ju mundësojë institucioneve përfituese marrjen e imazheve satelitore, të cilat sigurojnë një mbulim gjithëpërfshirës dhe periodik të sipërfaqes tokësore, duke mundësuar përdorime të shumta dhe një mori informacionesh dhe gjeoinformacioni për vendimmarrësit dhe planifikuesit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për politika dhe vendimmarrje efektive.

Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit tha se “me lëshimin e këtyre satelitëve, ne hyjmë në një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit, në funksion të luftës kundër korrupsionit, në funksion të forcimit të shtetit dhe në funksion të barazisë përpara ligjit, por edhe në funksion të së drejtës së barabartë për të përfituar nga gjithë mbështetja shtetërore.”

* * *

Në aktualitetin e ditëve të sotme, ndër të tjera, besoj të gjithë ju dhe ma ha mendja opinioni publik në tërësi, po e ndjekin një debat që ka nisur pasi qeveria mori një vendim ekstrem do të thoja, si rezultat i domosdoshmërisë për të shkruar edhe kapitullin e fundit të një lufte të gjatë për kontrollin e territorit në funksion të ndalimit të plotë të ndërtimit të metrave katrorë pa leje, për qëllim fitimi, duke abuzuar me lejet e ndërtimit.

Debati natyrisht i ushqyer me shumë urrejtje dhe mllef dhe për fat të keq me karakteristikën e debateve në përgjithësi, ku argumenti dhe logjika janë të dominuara nga urrejtja dhe gjakimi i një lufte politike.

Është një debat që niset nga një pyetje në dukje e thjeshtë: ‘Po si ka mundësi që ju i patë vetëm tani? Po ku i kishit sytë ju?”, madje deri në pikën që edhe mua vetë mbase dhe ngaqë jam i gjatë më drejtohet pyetja: “Po si nuk e pe ti këtë kullë apo atë pallat apo atë kat pa leje?”. Dhe ky debat për këtë temë ka një natyrë që lidhet me konkretësinë e ngrehinave të larta nëpër qytet apo qytete, por në fakt lidhet me një marrëdhënie të shtetit në terren, me ligjin dhe me qytetarët, me interesin publik dhe me korrupsionin, me zbatimin e detyrave dhe me ryshfetin.

Beteja më e madhe dhe më e gjatë në një proces shtetndërtimi është beteja për të ndërtuar një tërësi institucionesh, të cilat funksionojnë si pjesë e një makinerie që nuk ka emër të përveçëm dhe që nuk varet nga subjektiviteti i personave të veçantë.

Për shembull, ne kemi bërë një transformim rrënjësor në raportet mes shtetit dhe qytetarit dhe anasjelltas, duke kaluar 95% të shërbimeve në portalin “e-albania” dhe duke i dhënë mundësi të gjithëve që këto shërbime t’i marrin pa pasur kontakt të drejtpërdrejtë me asnjë person të përveçëm dhe pa pasur asnjë nevojë që të gjejnë lidhje me një emër të përveçëm dhe në vend të radhëve dhe projekteve dhe të zvarritjeve dhe të kohëve të harxhuara pafund për arsye nga më të ndryshmet, por edhe ndër të tjera për arsyen e korrupsionit, njerëzit sot janë absolutisht të çliruar sepse kanë një rrugë komplet të hapur mes tyre dhe nevojës për të marrë shërbimin përkatës.

Ndërkohë që në terren ne kemi një problematikë, e cila edhe pse sot është më e lehtë se më parë, vazhdon të jetë një problematikë që rëndom shqetëson biznese, shqetëson qytetarë, që është problematika përsëri e individëve, e emrave të përveçëm në raport me qytetarin apo biznesin, në funksion të një detyre shtetërore e cila jo rrallë përkthehet në një mundësi nga individët për të bërë presion mbi biznesin apo qytetarin dhe për të marrë ryshfet. Ky është fakt dhe këto ngrehina, për tu kthyer te debati i sotëm, është rezultat pikërisht i mosfunksionimit si duhet të një zinxhiri kontrolli që hallkën e vet kryesore ka drejtësinë dhe që funksionon me të dobëtit, por nuk funksionon me të fortët.

Sa raste kemi dëgjuar që për një çati, për një avlli, për një dritare të famshme pa leje të Bojken Lakos, ky zinxhir ka funksionuar deri në pikën që subjektet, personat, individët pa pushtet të parasë në këtë rast, pa fuqi për ta devijuar të drejtën publike mbi ta dhe për ta kthyer në një drejtë personale të blerë me lekë, kanë përfunduar në shkallët e gjykatave dhe kanë marrë dënime. Nga ana tjetër, më thoni një rast të një biznesi të madh, të një ndërtuesi të madh, të një abuzuesi të madh që ka përfunduar përpara gjykatës me një akuzë të ngritur nga prokurorët, më thoni një!

I kanë munguar prokurorisë rastet? Jo!  E kam thënë dhe herë tjetër dhe e them dhe sot. Policisë së Shtetit mund t’i vëmë mbi supe kritika sa të duam edhe të drejta mund t’i kërkojmë sa të duam, me të drejtë, por nëse prokuroritë dhe gjykatat në këto vite të transformimit të Policisë së Shtetit dhe të kthimit të Policisë së Shtetit në krye të detyrës do t’i ishin përgjigjur Policisë së Shtetit për të gjitha rastet, ne sot do të kishim rezultate shumë më domethënëse, spektakolare në raport me rezultatet domethënëse, por jo mjaftueshëm spektakolare që kemi.

Sa janë rastet e personave që kanë kryer krime të rënda të të gjitha llojeve që Policia e Shtetit i ka ekspozuar përpara një prokurorie apo një gjykate dhe që ka dështuar shteti vetë për shkak të prokurorit apo gjykatësit të radhës, sa janë? Duket sikur biseda për prokurorët dhe gjykatësit sot është një bisedë e tepërt pasi është bërë reforma. Jo, reforma vazhdon! Vettingu vazhdon dhe nuk kemi raste flagrante, ky është fakt, të kësaj natyre që vijojnë si rezultat i vendimmarrjeve të prokurorëve dhe gjykatësve që kanë kaluar vetingun, por kemi një numër ende të konsiderueshëm të prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vettingun, që nuk kanë as shpresë ta kalojnë dhe që vazhdojnë kryejnë krime.

Për t’u kthyer prapë te subjekti që flasim, qeveria ka marrë një vendim ekstrem që ka rrjedhur si rezultat i dinamikës së një lufte që unë personalisht e kam filluar ditën që kam hyrë në politikë, kundër abuzimeve në territor dhe ndërtimeve pa leje dhe një lufte që ne e kemi angazhuar gjithnjë me të gjithë në mënyrë të barabartë, pa parë të dobët dhe të fortë, se të fortët e kohës ishin ata që kishin pushtuar parkun “Rinia” dhe Lanën, e kështu me radhë në vite.

Në këtë rrugë ku kemi ngecur, jo një herë po disa herë dhe nuk do të sjell këtu raste, në dyert e gjykatave, të cilat sot e gjithë ditën mbajnë peng procese penale për ndërtues të caktuar dhe mes sigurime padish nuk lejojnë organet përkatëse, Inspektoratin Kombëtar të Territorit që të bëjë shembjet e caktuara, gjë që na ka detyruar të mësojmë se si mund t’ia dalim dhe me këtë vendim ne i kemi vënë me shpatulla për muri të gjithë këta, por zgjidhja që vjen nga ky vendim i sotëm, nga kjo kontratë e sotme, është një zgjidhje e cila i jep përgjigje përfundimtare pyetjes “Po si nuk i patë”? Nuk është detyra ime funksionale të shoh kate, edhe pse të gjithë jemi mësuar që t’i ndjekim këto procese, por është nga ana tjetër e pamundur që ne të vazhdojmë të mbetemi pre e boshllëqeve të një procesi shtetndërtimi dhe krijimi të një tërësie institucionesh të cilat për të funksionuar si një makineri e verbër, pa emër, por vetëm me forcën e ligjit, duan kohën e tyre.

Atëherë për të gjitha ata që na kanë përqeshur, janë skërmitur për satelitët, sot lajmi është që ne do të kemi një kryeinspektoriat në qiell i cili nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka kushërinj, i cili nuk ka parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha dhe një detaj që ministri në gjithë renditjen e gjatë të gjërave që do të bëjë ky kryeinspektoriat, nuk e solli në vëmendje është që me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin, sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 centimetrash. Pra, në rast se këtu ne do të kishim qiellin e hapur dhe jo tavanin, ky perimetër këtu është një perimetër i kapshëm si pikë nga sateliti dhe distanca mes meje këtu, ministrat aty, juve atje dhe gjithë perimetrit t të kësaj salle, është plotësisht e lexueshme nga satelitët, sëbashku me numrin e personave që janë këtu. Që do të thotë që në monitorimin e përditshëm, Inspektorati Kombëtar i Territorit, Inspektoratet e Ndërtimit në bashki, Policia e Shtetit do të kenë mundësinë të kenë në mënyrë të përditësuar, të përjavshme, hartën me zhvillimet në territorin e tyre dhe kjo nuk do të varet më nga inspektorë që janë caktuar për zona apo nga policë që janë caktuar nëpër zona dhe që janë shumë të zellshëm kur shkojnë të kapin një plakë 85-vjeçare që ka ndërtuar një kotec pa leje, i bëjmë dhe letrat, shënojnë dhe aty që po luftojnë me abuzimin por që nuk kanë sy fare për të parë kur një pallat në krah shton 1 kat, shton 2 kate, sepse sytë ua mbyll paraja. Ky është fakt!

Kjo gjë për tu bërë pa teknologji kërkon shumë vite, siç ka kërkuar shumë vite ndërtimi i administratave dhe i tërësive institucionale demokratike në vendet e tjera, që sot i kanë gati sepse kanë punuar të tjerët me shkuj, ndërkohë që për ne kjo është një sfidë e re dhe teknologjia është bekimi i vendeve në zhvillim sepse i jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë ndryshime epokale në harkun e një viti, sepse faktikisht me satelitët ne do të kemi mundësi të shohim gjithçka ndodh në shumë nga fushat, siç i përmendi ministri. Me satelitët do të kemi mundësi të monitorojmë të gjitha të mbjellat dhe do të jetë e lehtë, shumë më e lehtë të themi, – se asgjë nuk ka të lehtë fare – edhe për Ministrinë e Bujqësisë që të identifikojë vërtetësinë e të gjitha vetë deklarimeve që lidhen me nevojën për të subvencionuar naftën dhe me sasinë e të mbjellave në territor. Pra, ti nuk do vish dot më me një titull pronësie për një tokë ku mund të mos ketë asgjë dhe ti mund të mos kesh punuar asnjëherë dhe të thuash, ‘’unë kam atë tokën atje dhe unë dua naftë se unë e punoj’’ dhe kjo gjë nuk do të mbetet në tagrin e atyre inspektorëve që shkojnë për të parë nëse ti e ke apo se ke tokën sepse ajo që ndodh është që atje, toka është djerrë por është përqindja e lekëve që ti merr për naftën në xhepin e inspektorit, që tokën e bën pjellore në letra. Kjo nuk do të mund të ndodhë më! Ashtu sikundër ajo që tha ministri dhe dua të ri përsëris, ne do të krijojmë kështu një bazë të dhënash të rëndësishme që na japin mundësi për të bërë shumë analiza dhe në funksion të programimit për të nesërmen, për të parë në rastin e të mbjellave sasitë reale, për të parë të mbjellat e kulturave të ndryshme, zonat e kështu me radhë e për të bërë edhe konkluzione më të shpejta sesa nga mbledhja e të dhënave me sy.

E njëjta gjë dhe për plazhet, e njëjta gjë për pyjet, e njëjta gjë për lumenjtë. Gjithë ndërhyrjet pa leje apo prerjet e pyjeve apo gërryerjet e shtretërve të lumenjve, apo zjarret e kështu me radhe do t’i kemi në një pasqyrë të vënë para nesh në mënyrë të përditësuar nga kryeinspektorati lart. Natyrisht pastaj i takon njerëzve t’i zbërthejnë si duhet, por ama do të ketë shumë sy mbi territorin dhe do të jetë e pamundur që sytë ekskluzivë të inspektorit të zonës apo të inspektorit të rastit t’i shesin shtetit një realitet të paqenë duke bërë letra fallco në këmbim të ryshfetit. Kështu nuk do të ndodhë më që të kemi falsitete në procesin e legalizimeve, ku për ndërtesa që nuk janë fare aty, bëhen aplikime për legalizime për t’i marrë përpara dhe siç na ka ndodhur dikur që legalizohej ajri faktikisht dhe letra figuronte që ti ishe pronari i ndërtesës të legalizuar dhe aty s’kishte ndërtese fare, e ti ia shisje tokën tjetrit bashkë me ndërtesën dhe i thoje, “merre ndërto, se e ke edhe me leje ndërtimi, se e ke të legalizuar”.

Është një ditë e shënuar realisht se me lëshimin e këtyre satelitëve ne hyjmë në një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit, në funksion të luftës kundër korrupsionit, në funksion të forcimit të shtetit dhe në funksion të barazisë përpara ligjit, por edhe në funksion të së drejtës së barabartë për të përfituar nga gjithë mbështetja shtetërore, për fermerët, për sipërmarrësit dhe kështu me radhe.

E fundit që kam është se shumë shpejt satelitët do të pasohen nga dronët të cilët me zhvillimet e reja ne kemi vendosur t’i kompletojmë dhe t’i marrim dronë të armatosur, natyrisht dronët e armatosur janë për rast ekstrem kundër terrorizmit apo një armiku potencial, por dronët kanë një tërësi funksionesh në komplementaritet, në përputhje me satelitët, duke qenë në dinamikë të vazhdueshme dhe duke bërë rakordime apo thellime të të dhënave. Edhe dronët shumë shpejt do të jenë në dispozicion. Proceset janë të tilla që jo gjithmonë arrin t’i mbyllësh atëherë kur i parashikon sepse kanë burokraci, kanë gjithfarë pengesash të papritura që shfaqen. Këtë e kam për ata që filluan të qeshin e të përqeshin kur u kalua një afat i parashikuar për lëshimin e satelitëve, si rezultat i pengesave objektive që na dolën përpara. Nuk ka qenë një proces i lehtë se është një proces që bëhet për herë të parë dhe janë angazhuar disa institucione në koordinim nga Ministria e Mbrojtjes dhe sot jemi këtu me një rezultat pozitiv që na jep mundësinë të shikojmë të lehtësuar qysh prej vitit që vjen pozicionin tonë në luftën për kontrollin e plotë mbi territorin dhe njëkohësisht në funksion të rritjes së kapaciteteve shtetërore në të ardhmen në të gjithë sektorët horizontalisht.

Shqipëria dhe shteti shqiptar janë më të fortë me këto instrumente. Me satelitët, me dronët dhe me gjithë bazën e re teknologjike që po krijohet hap pas hapi, pa harruar asnjëherë që ne nuk jemi as Shtetet e Bashkuara, as Izraeli, as Turqia dhe ndërkohë që ata i kanë filluar shumë e shumë kohë më parë e kanë shumë më shumë fuqi sesa ne, ne vazhdojmë të luftojmë për të fituar kohën e humbur dhe kemi bërë në këto vite aq sa nuk mund të imagjinoheshin në shumë e shumë vite të tjera që shkuan dëm.

Shumë faleminderit edhe kompanisë dhe shpresoj që tani të hyjmë në një fazë ku rezultatet të na kënaqin edhe më shumë sesa firmosja e kësaj marrëveshje!

Previous Ministrja Ibrahimaj: Qeveria, e angazhuar për të mbështetur zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional

Leave Your Comment