Muzeu Hebraik Shqiptar, historia e rrallë shqiptare e shpëtimit të hebrenjve - prezantohet projekti fitues - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Muzeu Hebraik Shqiptar, historia e rrallë shqiptare e shpëtimit të hebrenjve – prezantohet projekti fitues

Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit do të kenë një vend të dedikuar kujtese, që është Muzeu Hebraik Shqiptar, ngritja e të cilit  mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor që do të dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Projekti fitues për muzeun, vendndodhja e të cilit do të jetë në Vlorë, u prezantua sot në prag të ditës ndërkombëtare të muzeve, nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”,

“Ky muze është një tempull kujtese, është një vend rrëfimi për historitë e mijëra shqiptarëve që si akush tjetër në botë dëshmuan që nuk ka rëmdësi as numri i vogël i popullsisë dhe as varfëria për sa kohë ke një zemër të madhe të mbudhur plot me dashuri për  njeriun.” – u shpreh Ministrja e Kulturës Elva Margariti në fjalën e saj.

Ndërsa Kryeministri Rama theksoi që projekte të tilla duhet të kenë vijimësi në të ardhmen. “Jam realisht i kënaqur që ne sot hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie, një muze hebraik në Vlorë.Unë uroj që ky muze të realizohet sa më parë dhe të mos jetë i vetmi sepse kjo histori është shumë e madhe për të patur vetëm një muze, ashtu sikundër lidhja e shqiptarëve me hebrejtë. – tha Kryeministri.

* * *

Është në fakt një luftë e madhe e vjetër që kam për formën dhe përmbajtjen, qysh kur ishim në regjimin e shkuar dhe na thonin, “përmbajtja është më e rëndësishme dhe më pas vjen forma, por unë besoj se përmbajtja është formë dhe forma është përmbajtje. 

Gjithsesi është një diskutim i gjatë ky Michael, por siç e thashë, sot është një ditë e lumtur për mua pasi së fundmi u bashkove me ‘’klubin e kriminelëve të korruptuar të këtij vendi’’. U pagëzove me ujin e pisët, kështu që jemi këtu së bashku të ‘’vjedhim’’ edhe historinë hebreje, kështu u jam mirënjohës atyre djemve që e dinë shumë mirë kush janë kriminelët. Tashmë do të vijoj në shqip. 

Ah, meqë ra fjala, kam gjëra për të thënë edhe për format, por do t’i ndaj me arkitektët. 

Është një nga gjërat më të munguara mendoj unë, në të gjithë hapësirën e territorit të vendit tonë, një muze i një historie të jashtëzakonshme dhe mbase i një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve, që është historia e shpëtimit të hebrenjve, për të cilën në këtë vend nuk ka asnjë adresë, akoma dhe jam realisht i kënaqur që sot ne hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie. Një muze hebraik në Vlorë ku ka patur një komunitet të rëndësishëm hebre dhe ku është mundësia të ngrihet një strukturë e tillë pikërisht në lagjen ku ishte i përqendruar komuniteti hebre i Vlorës dhe natyrisht unë uroj që ky muze të realizohet sa më parë dhe të mos jetë i vetmi sepse kjo histori është shumë e pasur për të patur vetëm një muze. Ashtu sikundër lidhja e shqiptarëve me hebrenjtë është shumë e posaçme për të pasur vetëm një pikë referimi dhe një adresë përsa i përket historisë së kësaj lidhjeje. 

Hebrenjtë kanë ardhur në Shqipëri disa herë, në shekullin e II-të, në shekullin e XVI-të, në shekullin e XVII-të. Ata kanë krijuar këtu vendqëndrimet e tyre, kanë krijuar edhe një qytet, Orikumin, i cili në origjinën e tij është Xheriko dhe kanë patur në këtë vend një respekt dhe një trajtim shumë të posaçëm edhe përpara ngjarjes tragjike të Luftës së Dytë Botërore. Kujtoj këtu që Shqipëria ka qenë ndoshta i vetmi vend në Europë që në vitet ’20-të ka miratuar një ligj për Shabatin, duke i detyruar të gjithë punëdhënësit që të mos i penalizonin financiarisht gjithë hebrenjtë që nuk shkonin të paraqiteshin në punë ditën e premte. 

Ashtu sikundër ka shumë dokumente, madje dhe raporte të shkruara nga të dërguar të posaçëm të komuniteteve të ndryshme hebreje, si për shembull komuniteti hebre i  SHBA-së, ku dëshmohet për një vend i cili ka një gatishmëri të posaçme për t’i mirëpritur hebrenjtë për t’i dhënë atyre strehë, për t’i dhënë atyre tokë, për t’iu krijuar atyre mundësinë që të krijojnë vendbanime. Në më shumë se në një rast, në këto raporte shkruhet se Shqipëria është streha ideale për të qenë toka rezervë e hebrenjve dhe kjo shkruhet nga vetë të dërguarit e këtyre komuniteteve. 

Megjithatë historia e Luftës së Dytë Botërore pastaj është kulmi i gjithë kësaj historie shumë të gjatë lidhje mes shqiptarëve dhe hebrenjve sepse Shqipëria është jo vetëm vendi i vetëm në Europë ku pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë  Botërore se pas Luftës së Dytë Botërore,  por është i vetmi vend në botë ku nuk ka asnjë rast të vetëm të dorëzimit të një hebreu tek nazistët, madje ka edhe raste të jashtëzakonshme, të kundërta, kur shqiptarët kanë dorëzuar fëmijët e tyre apo janë dorëzuar vetë, duke u paraqitur si hebrenj për të mbrojtur hebrenjtë që kishin marrë në mbrojtje.

Në verën e vitit 1944 nazistët kanë marrë 800 burra në zonën e Vlorës, 600 prej të cilëve kanë përfunduar në kampet e përqëndrimit dhe janë ekzekutuar dhe asnjë prej tyre nuk ishte hebre, ishte shqiptar, shqiptar që iu dilnin për zot hebrenjve. Histori e gjatë, historia e kodit etj, por besoj se një nga shembujt më domethënës për të kuptuar se pse ndodhte kjo është momenti kur katër liderët e komuniteteve fetare në Shqipëri u thirrën në Berlin për të nënshkruar një marrëvshje nga zyrtarët më të lartë  të Rajhut të trete. U thirrën si te vetmet autoritete legjitime të vendit në atë kohë pasi gjermanët kishin hyrë këtu dhe iu kërkua që në këmbim të një sjelljeje tërësisht paqësore dhe tërësisht miqësore të ushtrisë gjermane të firmosnin për dy cështje; e para për t’ju dhënë gjermanëve vullnetarisht akses në arin e bankës qëndrore që gjendej në Romë, dhe e dyta për të bashkëpunuar me gjermanët për listat e hebrenjve. Njezëri që të katërt myslimanë dhe të krishterë ranë dakord për arin, refuzuan të votojnë për listat, dhe argumenti ishte që, nëse ne dorëzojmë ata që janë miq në shtepinë tone, tempujt tanë do e humbasin përfundimisht shenjtërinë e tyre dhe njerëzit nuk do na ndjekin më, sepse kjo është tradhetia më e lartë që mund të bëjë shqiptari, në raport me ligjin e vet dhe ne e dimë shumë mirë historinë e Kanunit dhe të raportit të shqiptarit me mikun në shtëpi.

Thënë të gjitha këto, historia e shpëtimit të hebrenjve nuk është e rëndësishme të përmblidhet në një muze, në dy ose në tre, unë them edhe më shumë duhen, por thjeshtë për të treguar ne sesa te jashtëzakonshem kemi qenë në atë kohë, por për t’ju treguar fëmijevë tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë sesa e rëndësishme është kjo pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe sesa e domosdoshme është madje gjithnje dhe më e domosdoshme që njerëzit dhe shoqëritë të mos humbasin këtë sens humanizmi dhe këtë sens përkatësie ndaj bashkësisë njerëzore që treguan të parët tanë.

Është po ashtu e domosdoshme që ne këtë histori ta vlerësojmë dhe ta trashëgojmë si një nga pasuritë më të mëdha të këtij vendi, të trashëgimisë sonë historike, të trashëgimisë sonë kulturore, të asaj që ne jemi dhe të asaj qe ne duhet të mbetemi për të mos u bërë si te tjerë, që sa më shumë pasurohen dhe zhvillohen aq me shumë humbasin memorien.

Dhe e fundit është realisht shumë e rëndësishme që ne ta çojmë përpara këte proces të vënies në pah edhe të krijimit të adresave që ndihmojnë komunikimin e kësaj historie sepse në fund fare e gjithë eksperienca provon se raporti fizik me historinë është i pazevëndesueshem. Librat, rrëfimet, filmat, tregimet patjetër që janë edhe ato të pazevendësueshme, por për të rinjtë është nganjeherë gjithmonë e më e pamundur qe të dallojnë sot çfarë ështe histori reale dhe çfarë është fiksion, çfarë është e vërtetë dhe çfare është e sajuar, çfarë është prodhim i marrëzisë njerëzore dhe çfarë është prodhim i imagjinatës hollivudiane.

Çfarë është lajm dhe çfarë është shpifje dhe raporti fizik me historinë, të pasurit e një vendi ku historia tregohet përmes arkitekturës, ku historia tregohet përmes fotografive, ku historia tregohet përmes zhurmave të një hapësire të krijuar enkas është i pazëvendësueshëm.

Unë e kam shumë parasysh momentin kur ne hapëm bunkartin e parë në pallatin e famshëm anti-atomik të Enver Hoxhës. Një objekt i një marrëzie monumentale i ndërtuar me pesë a gjatë kate brenda në kodër, gërmuar kodra nga brenda, me një derë të vogël dhe pastaj hyje në një objekt që e rrezaton në çdo gjë marrëzinë e atij sistemi dhe asaj lufte kundër imperializmit amerikan edhe social imperializmit sovjetik që do të na sulmonin me bomba deri duke përdorur dhe bombën atomike dhe ku udhëheqja jonë do ishte e mbrojtur.

Ajo që më ka bërë jashtëzakonisht përshtypje në atë kohë ka qenë se sa shumë të rinj që ishin të lindur në momentin e rënies të komunizmit ose pas rrënies së komunizmit, kanë vajtur ta vizitojnë atë muze, atë hapësirë ekspozimi të të shkuarës. Atë shfaqje zbuluar të një objekti deri atëherë të mbuluar dhe të fshehtë dhe ndër ta ka qenë dhe im bir, i madhic i cili ishte më i ri në atë kohë, po jo i vogël dhe më kujtohet që më ka thënë pasi e kishte parë atë hapësirë, që tani i besoj të gjitha ato që kam dëgjuar mbi komunizmin sepse deri më sot më janë dukur si ekzagjerime të njerëzve për t’u treguar më të rëndësishëm, më interesant, më të vuajtur e ku di unë se çfarë.

E më ka bërë shumë të reflektoj ai moment sepse kam kërkuar pastaj të hyj më thellë dhe të pyes dhe të tjerë dhe duke arritur të kuptoj që ky është impakti fizik i raportit me historinë dhe këtë ndjesi, ekzakt këtë ndjesi kam pasur unë kur kam vizituar Yad Vashem, asnjëherë tjetër më parë nuk kam ndjerë fizikisht vështirësinë e të qendruarit deri në fund për ta përballur gjithë atë histori tragjike. Asnjëherë! Pavarësisht gjithë filmave, librave, rrëfimeve të para dhe të dëgjuara dhe të lexuara për Holokaustin, në Yad Vashem është e gjitha bashkë që të jep impaktin fizik të asaj tragjedie dhe të bën ta ndjesh dhimbjen dhe ta ndjesh vuajtjen, dhe ta ndjesh tmerrin që ndjen i gjithë populli i Izraelit dhe që e ndjen për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me atë histori.

Arkitekti që prezantoi në fillim, na tha që ka një lidhje të drejtpërdrejtë me atë histori dhe njësoj si arkitekti janë pothuajse të gjithë në Izrael. Prandaj është e rëndësishme që ne të invstohemi në këtë dhe prandaj edhe njëherë tjetër bashkëpunimi ynë me Fondacionin shqiptaro-amerikan është jashtëzakonisht i vyer dhe jashtëzakonisht domethënës dhe jashtëzakonisht produktiv.

Kudo ku kemi punuar së bashku, Michael me eksperiencën, me përkushtimin, me dashurinë e tij për këtë vend se është dhe nënshtetas shqiptar, përveç të tjerave, me patjetër edhe paratë e fondacionit, unë me atë dashurinë time për formën, të tjerët me gjithë kontributet e tyre, kemi arritur të bëjmë gjëra që janë realisht pika referimi dhe që janë modele për t’u zhvilluar më tutje dhe që janë realisht hapa që pastaj janë pasuar nga hapa të tjerë, pavarësisht nga ne dhe ky është qëllimi dhe në këtë rast.

Muzeu hebraik i Vlorës, është i pari, por jo i vetmi. Ne po përgatitemi për të pasur një qendër të hebraizmit në Tiranë, e cila duhet të jetë një hapësirë ku edhe historia të tregohet, por edhe të kultivohet miqësia jonë me Izraelin, me popullin e Izraelit, me bashkësinë e hebrenjve, si një miqësi, e cila ka pasur një periudhë jo ndërprerje, por një periudhë që nuk është karakterizuar nga i njëjti intensitet i atyre viteve të mëparshmë se këta janë bërë shumë të pasur tani, ky është problemi. E kur njerezit pasurohen shumë, kanë problem me memorien, por e kuptojmë këtë dhe do bëjmë çmos që të jemi sa më bindës për ta fuqizuar këtë marrëdhënie.

U zgjata pak, gjë që në fakt nuk e bëj asnjëherë, po ju falenderoj për vëmendjen, ju falenderoj për durimin dhe falenderoj shumë Michael, falenderoj fondacionin, falenderoj dhe arkitektët dhe i paralajmëroj që me mua do kenë problem serioze për formën e projektit, po është vetëm fillimi, së bashku do ta përmirësojmë, kurse për paratë nuk duhet të shqetësohen se Michael është garanci që paratë do paguhen. Ai gjithmonë paguan gjysmën, po është aq i zoti sa bën të kuptohet  sikur ai i paguan të gjitha. Gjithmonë! Ky është arti i tij dhe i fondacionit.

Por ne nuk e kemi problem këtë gjë, rëndësi ka që të bëhen gjërat.

Previous Ibrahimaj në takimin e OECD: Digjitalizimi i shërbimeve publike, minimizoi efektet negative të pandemisë

Leave Your Comment