Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka njoftuar ditën e sotme mbylljen e aplikimeve për Thirrjen e VIII të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, duke theksuar që këtë vit është rritur numri i aplikimeve të të rinjve që duan të zhvillojnë karrierën në vendin e tyre. Këtë vit janë plot 1327 aplikime krahasuar me një vit më parë që ishin 1096 aplikime.
Rikujtojmë që këtë vit për të rinjtë janë vënë në dispozicion plot 1612 pozicione prej të cilave 704 në administratën shtetërore, 560 në njësitë e vetëqeverisjes vendore, 94 në institucionet e pavarura, 175 në shoqëritë tregtare dhe 79 në organizatat jofitimprurëse.
Aplikimet për Thirrjen e VIII të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës kanë qëndruar të hapura që nga data 1 qershor deri më 5 korrik 2023.
Përgjatë muajit korrik, institucionet pjesëmarrëse do të ngrenë komisionet vlerësuese e më pas institucionet pritëse do të bëjnë vlerësimet e aplikantëve. Në vijim, në muajin gusht aplikantët e suksesshëm do të firmosin marrëveshjet me institucionet pritëse dhe do të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë institucioneve ku do të zhvillojnë praktikën 3 mujore. Aplikantët e suksesshëm do të zhvillojnë praktikën 3 mujore në nga data 1 shtator deri më 1 dhjetor 2023 dhe më pas do të vlerësohen me certifikatë nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Departamenti i Administratës Publike.
Të rinjtë që do të vlerësohen me pikë maksimale në praktikën 3 mujore do të punësohen me kontratë 1 vjeçare në varësi te nevojave për burime njerëzore të institucioneve pritëse.
Kujtojmë që në në Thirrjen e VII të Programit të Praktikave të Punës kanë aplikuar 1096 të rinj nga 1714 pozicione vakante, nga ku 457 prej tyre, të cilët përmbushnin kriteret e aplikimit u vlerësuan si aplikantë të suksesshëm për të zhvilluar praktikën 3 mujore. 157 prej tyre, të vlerësuar me pikë maksimale, janë punësuar me kontratë 1-vjeçare pranë institucioneve ku kanë zhvilluar praktikën.
Thirrja VIII e Programit të Praktikave të Punës është një vazhdimësi e thirrjeve të mëparshme të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, që ka si synim zhvillimin e praktikave për të rinjtë pranë insitucioneve të administratës shtetërore dhe institucioneve të tjera publike, për zhvillimin profesional të të rinjve. Zhvillimi i praktikës së punës është pa pagesë, megjithatë periudha e praktikës së punës njihet si përvojë pune gjatë rekrutimit në institucionet e administratës publike.