Nderim dhe vlerësim për kampionët e sportit, Kryeministri Rama nderon me Yllin e Mirënjohjes Publike kampionin e karatesë Alvin Karaqi - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Nderim dhe vlerësim për kampionët e sportit, Kryeministri Rama nderon me Yllin e Mirënjohjes Publike kampionin e karatesë Alvin Karaqi

Në vijim të traditës për nderimin dhe vlerësimin e kampionëve të sportit të disiplinave të ndryshme, Kryeministri Edi Rama i dorëzoi sot medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” , sportistit të Federatës së Karatesë Alvin Karaqi, i cili garoi në Lojërat Europiane të Krakovës në Poloni, duke nderuar Shqipërinë me titullin kampion.

Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, në Sallën e Hartave, Kryeministri Rama tha ndër të tjera, se “ Sot mund ta themi me plot gojën që Shqipëria e vogël, që nuk është ndër vendet e pasura, iu ofron kampionëve dhe atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë për t’u bërë kampion,  një mbështetje që pak vende e kanë, e ilustruar kjo më së miri me numrin e kampionëve që ne tani kemi si asnjëherë më parë dhe me numrin e të rinjve premtues që janë gjithmonë e më të motivuar dhe kanë gjithmonë e më shumë besim se nuk janë më vetëm.”

* * *

Mirë se erdhët përsëri këtu për të kremtuar një tjetër kampion, një tjetër shembull të jashtëzakonshëm për të gjithë dhe në radhë të parë për vajzat dhe djemtë e Atdheut tonë.

Por në rastin e Alvinit një kampion që ka një veçanti të madhe sepse në një kohë që arrin të ngjitet në majë të kompeticionit të vështirë dhe sfidues ndërkombëtar të sportit të tij, është edhe një shërbëtor i përditshëm, i palodhur i shëndetit të njerëzve si mjek në Zvicër ku standardet janë ndër më të lartat në botë dhe ku profesionistët që ushtrojnë profesionet, por në këtë rast profesionin e mjekut janë ndër më të mirët në botë.

Ndër këtë të dytën nuk ka medalje, por jam i bindur që sikur të kishte nuk do të ishte aspak çudi që Alvini edhe si mjek të merrte medalje ari. Dhe për këtë arsye ai përbën një shembull absolutisht frymëzues edhe të jashtëzakonshëm për këdo. Për këdo që në rrugën e pasionit të tij është i gatshëm të sakrifikojë, është i gatshëm të angazhohet pavarësisht mundit dhe pavarësisht vështirësive dhe jeton, merr frymë, ushqehet me idenë e ngjitjes në majë dhe të të qenit fitimtar.

Unë kam pasur fatin të njihem me Alvinin si i ftuar në atë “Podcast”-in tim dhe më ka bërë shumë përshtypje ajo që e preku pak Fideli, si një eksperiencë të jetuar nga afër gjatë garave të lojërave olimpike, dashurinë e tij pasionante për Atdheut dhe të jetuarin e tij me flamurin kuqezi si me një pjesë të vetes, si me lëkuren e tij të dytë dhe kjo nuk është aspak retorikë, por është një fakt i prekshëm për këdo që bisedon me Alvinin dhe për këdo që e dëgjon të flasë për lidhjen e tij me vendin, me historinë e popullit të tij, me ëndrrat, me shpresat, me ambiciet e shqiptarëve në shekuj.

Alvini përveçse është djali që çdo prind do donte të kishte siç tha ministrja, jam i sigurt që është dhëndri që çdo vjehërr dhe çdo vjehërr do donte të kishte për vajzën e vet. Nuk jam këtu kandidat për t’u bërë vjehërr i Alvinit se një vajzë që kemi e kemi të zënë, por tani jam i bindur që edhe në këtë aspekt ai është një djalë shumë i veçantë.

Më ka bërë përshtypje mënyra sesi flet për prindërit dhe sesi i përshkruan të ëmën, të atin në të gjithë rrugën e tij ku ata e kanë ndjekur, e kanë mbështetur, por edhe sidomos e ëma ka vuajtur çdo përplasje në tapet me frikën se mos ndodh diçka. Ne i bëjmë këto ceremoni për t’ju shprehur mirënjohjen kampioneve, por edhe t’i dhënë mundësinë të gjithë të tjerëve të marrin sadopak nga energjia e tyre pozitive, të marrin sadopak nga shembulli i tyre, të marrin sadopak nga forca e tyre  e besimit, e vullnetit, e gatishmërisë për të tejkaluar çdo vështirësi sepse deri tek momenti kur ngrihet flamuri dhe këndohet himni nuk është thjeshtë ajo që ne të tjerët shohim në zhvillimin e një kompenticioni, por është një histori e tërë që askush nuk e sheh përveç atij që e bën, që fillon që nga zgjimet pa u gdhirë dhe mbaron çdo darkë me gatishmërinë për t’u zgjuar përsëri pa u gdhirë.

Alvini me tregoi se fle rreth 4 orë mos gabohem dhe se i mbyll sytë duke menduar vetëm se si t’i hapë sa më shpejt për të vazhduar ditën tjetër për të bërë të dyja detyrat e veta, atë karshi profesionit të mjekut dhe atë karshi pasionit të tij të sportistit kampion. Nuk besoj se ndodh shpesh që të kesh përballë dikë që është sikur ta kesh shkruar me dorë për sesi duhet të jetë një model i dikujt në jetë në profesion, në fushën e garave dhe sesi të gjitha këto bashkë sjellin edhe triumfin. Është shumë e rrallë! Dhe unë jam shumë i privilegjuar dhe me fat që sot për shkak të detyrës jam këtu në këtë podium për t’i shprehur Alvinit dhe familjes së tij mirënjohjen, respektin dhe patjetër gatishmërinë tonë për të ndihmuar me aq sa ne mundem të ndihmojmë, jo vetëm Alvinin, por të gjithë sportistët tanë për të cilët nuk besoj se e ekzagjeroj po të them se janë sot në kushte krejt të reja falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe pa diskutim sot mund ta themi me plot gojën që Shqipëria e vogël, që nuk është ndër vendet e pasura, iu ofron kampionëve dhe atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë për t’u bërë kampionë, një mbështetje që pak vende e kanë të them të drejtën, sidomos në këto sporte që nuk hyjnë në industritë e mëdha të sportit, siç është futbolli. Në këto sporte, që janë sporte të jashtëzakonshme, por që zhvillohen akoma në një nivel sponsorizimi dhe vëmendjeve që është shumë modeste në krahasim me futbollin, që është një industri shumëmiliardëshe dhe kjo është besoj e ilustruar tanimë më së miri, me numrin e kampionëve që ne kemi si asnjëherë më parë dhe me numrin e të rinjve premtues që janë gjithmonë e më të motivuar dhe kanë gjithnjë e më shumë besim sepse nuk janë më vetëm.

Fideli tha, kemi humbur në vitet ’90, në fillim të viteve 2000 dhe deri vonë , 37 medalje olimpike ne sensin që sportistë shqiptarë të talentuar, pasionantë, me vullnet të hekurt kanë qenë të qenë të detyruar të ndërrojnë flamur, kanë qenë të detyruar që për t’i shkuar deri në fund limiteve të forcës dhe të pasionit të tyre, të lënë pas atdheun dhe të zgjedhin një atdhe të dytë nga njëherë edhe për një copë bukë kur i thonë fjalës.

Kjo nuk ndodh më! Përkundrazi!

Ne kemi sportistë që vijnë nga të tjera vende dhe që zgjedhin Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë për të garuar me fanellën kuqezi dhe që ngrenë flamurin tonë kombëtar sepse këtu përfitojnë pikërisht nga këto kushte të reja të krijuara dhe nga ky kuadër i ri i mbështetjes. Alvini nuk ka nevojë që të përfshihet në Forcat e Armatosua të Republikës së Shqipërisë, si kampion që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë anëtar i Forcave tona të Armatosura dhe për të marrë një gradë në Forcat tona të Armatosura sepse ai jeton me profesionin e tij të mjekut, por të gjithë sportistët që arrijnë në këto nivele, nuk kanë më asnjë dilemë, asnjë ankth, asnjë frikë për të ardhmen e tyre në jetën që vazhdon pas aktivitetit sportiv. Siç ka ndodhur më parë edhe me kampionë të spikatur shqiptarë që janë gjendur në kushte realisht varfërie dhe braktisjeje për shkak se nuk ka menduar askush për ta. Kjo është një kohë që ne e kemi lënë pas dhe të gjithë kampionët tanë janë të integruar ose të integrueshëm në të nesërmen në Forcat tona të Armatosura deri në fund të jetës së tyre aktive dhe kanë dhe pensionin të garantuar si ish-ushtarakë, aq me tepër në kushtet kur ne po e rrisim çdo vit financimin për ushtarakët tanë duke arritur sot që të kemi pagat në nivelin e të gjithë ushtrive të NATO-s në rajon dhe do të vazhdojmë ta rrisim mbështetjen për ta, duke iu dhënë mundësinë që të ndjehen të mbështetur, të ndjehen të respektuar dhe të shpërblyer për sakrificën e tyre në uniformën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, u përmend këtu epoka e re që ne kemi hapur me lëvizjen sportive në shkolla. Kur ne kemi marrë detyrën Shqipëria vinte pas 20 e kusur vitesh të braktisjes së plotë të edukimit fizik në sistemin e shkollës. Ne filluam me ringjalljen e edukimit fizik në shkollë. Na u desh kohë që të kishim aftësi financiare për të shkuar më tutje dhe tanimë kemi një fond të përvitshëm për Komitetin Olimpik Shqiptar, në funksion të lëvizjes sportive në shkolla, e cila ka filluar me volejbollin dhe basketbollin në të dyja kategoritë për djem dhe për vajza dhe tani do të fillojë të shtrihet edhe në sportet e tjera, të cilat ka shumë fëmijë të talentuar që duan t’i ushtrojnë që nga peshëngritja tek mundja, tek shahu, ping-pongu e kështu me radhë deri tek atletika, në mënyrë që çdo vajzë e çdo djalë që shkon në shkollë të ketë edhe një aktivitet sportiv.

Natyrisht jo të gjithë bëhen kampionë, jo të gjithë do të përshihen në rrugën e sportit profesionit apo gjysmë profesionist, por ka shumë rëndësi për një vend dhe për një shoqëri që të gjithë fëmijët të kenë mundësi që krahas shkollës, të zhvillojnë dhe aktivitet fizik, të përfshihen në skuadra, të jetojnë një pjesë të ditës me sportin sepse kështu ata bëhen më të fortë, më të vetëdijshëm për trupin, për vlerën e shëndetit të tyre, por pa dyshim edhe qytetarë më të mirë, më socialë, më të përgatitur për të bashkëjetuar me të tjerë dhe për të kuptuar edhe sfidat e bashkëjetesës më të tjerë.

Nga ana tjetër jam i bindur që duke ecur në këtë drejtim, ne do të fillojmë të shohim vit pas viti frytet e kësaj lëvizjeje edhe në nivelin e kampionateve tona, edhe në nivelin ndërkombëtar sepse nga kjo lëvizje do të jetë shumë më e mundur dhe shumë më e lexueshme, lindja dhe zhvillimi i talenteve pasi kjo lëvizje do t’ju japë mundësinë të gjithëve, nga Tropoja deri në Konispol që nëse kanë një talent , nëse kanë një pasion, nëse kanë një mundësi për tu përfshirë në aktivitet sportiv të kenë derën e hapur për tu përfshirë dhe për ta bërë këtë.

Në mbyllje i dashur Alvin, unë dua të të them që prania jote sot është shumë e rëndësishme për ne këtu. Është po aq e rëndësishme sa prania e një presidenti apo një kryeministri që vjen të na vizitojë nga cilido vend i Europës. Ti je shëmbëlltyra e flamurit tonë kombëtar dhe me gjithë zemër unë të uroj shëndet në radhë të parë, sepse kjo është e padiskutueshme si kusht që ti të vazhdosh të stërvitesh dhe të arrish sukses. Të uroj të vazhdosh të jesh ky që je, të uroj që të jesh i rrethuar nga dashuria dhe nga respekti i të gjithëve, e mbi të gjitha që familja juaj të jetë e lumtur edhe të ketë sa më shumë arsye për të qeshur e për të gëzuar.

Previous Ministri Mete prezanton në komisionin për Ekonominë dhe Financat Aktin Normativ për ndryshimin e Buxhetit të vitit 2023