Ndroq, 74 familje hyjnë në shtëpitë e reja të ringritura nga themelet pas tërmetit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ndroq, 74 familje hyjnë në shtëpitë e reja të ringritura nga themelet pas tërmetit

Lagjja e re në Ndroq mirëpret sot banorët që rikthehen në shtëpitë e reja, më të forta, më të bukura e më të sigurta se ato që humbën natën tragjike të tërmetit, dy vite më parë. Kjo lagje është vepër e Programit të Rindërtimit, i cili po e kthen sfidën e tërmeteve nga një fatkeqësi, në një potencial transformimi dhe zhvillimi të zonave rurale dhe lagjeve që u prekën.

Në lagjen e re të Ndroqit janë ndërtuar 74 shtëpi të reja individuale me hapësira të bollshme banimi. Së shpejti, aty përfundon qendra e re shëndetësore, si dhe kopshti e çerdhja për fëmijët e zonës, duke kompletuar kështu një lagje model të mirëorganizuar me infrastrukturë moderne, e cila plotëson të gjitha standardet dhe nevojat e këtij komuniteti.

Kryeministri Edi Rama ishte sot mes banorëve të Ndroqit për t’u uruar hyrjen në shtëpinë e re.

* * *

Mirë se ju gjeta!

Më vjen shumë mirë që pasi kemi ardhur disa herë këtu për të ndjekur punën nga afër, sot vijmë për t’ju përshëndetur dhe për t’ju uruar me plot gojën, t’i gëzoni shtëpitë tuaja, të cilat siç ju kemi thënë që në fillim janë tuajat, janë pronë me hipotekë, mund ta trashëgoni, mund ta jepni me qira, mund ta shisni, njësoj si të gjithë ata që janë pronarë legjitimë të shtëpive te tyre.

Nuk i keni asnjë detyrim askujt, nuk keni asnjë qindarkë për të paguar mbrapsht, keni vetëm detyrimin që këto oborre t’i gjelbëroni, t’i lulëzoni dhe mundësisht të mos ziheni për ku mbaron pjesa ime ku fillon pjesa jote. Se i pashë pak këto që janë midis shtëpive dhe s’kanë gardh këtu. Po nuk u zutë për gardhin dhe po e mbajtët gjelbërimin si pronë të përbashkët do i bëni një nder shumë të madh fëmijëve tuaj sepse këto janë hapësira që mund të bëhen bahçe fantastike ku natyrisht mund të mbillni akoma më shumë pemë, edhe pemë frutore edhe pastaj mund t’i ndani kokërr më kokërr, ca të kuqe, ca blu sipas partive që keni këtu. I dhashë dorën një demokrati aty dhe ishte shumë i mërzitur se mendonte, “shtëpinë e mora, por partia më iku”. Epo tani, ne shtëpinë kishim për detyrë dhe shtëpinë ta dhamë siç ta kishim premtuar falas, që ta gëzosh bashkë me fëmijët e tu. Partinë nuk e kishim për detyrë të ta mirëmbanim edhe shih e bëj tani për parti, shih mos gjen ndonjë parti tjetër, po s’gjete ne derën hapur e kemi edhe kemi dhënë dhe prova që demokratët i mbajmë mirë kur vijnë tek ne se iu japim edhe nga dy e nga tre shtëpi, se kur janë më shumë sesa një kurorë siç ishte kryetari i PD-së diku në një njësi në Farkë që ishin katër kurora nën një shtëpi, shtëpia u prish nga tërmeti dhe morën 4 shtëpi. Natyrisht i ndërtoi qeveria socialiste.

Me 4 shtëpi ndodh që nuk ja lexojnë dot votën njëri-tjetrit para se të shkojnë në votim, kështu që rrëshqet edhe ndonjë votë nga ne, por përtej këtyre shakave që janë në fakt më shumë se gjysma e së vërtetës, unë dua realisht që t’ju uroj çdo të mirë sot dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që afro 300 banorë të tjerë, që nga fëmijët e vegjël deri të gjyshërit dhe gjyshet do të hyjnë në këto shtëpi, që siç e shikoni nuk janë thjesht strehë, por janë dhe banesa në një komunitet njësoj si në resortet e atyre që janë të kamur. Keni dhe parkingun, kështu që nuk keni nevojë as të bllokoni rrugën, as të shkoni me makinë te dera e komshiut.

Shumë shpjet do të keni edhe qendrën shëndetësore këtu, edhe kopshtin, i cili është ndërtuar dhe tani thjeshtë do përfundojë, edhe çerdhen dhe patjetër që siç e dini dhe vetë më mirë se sa e di unë, keni edhe tokën aty ku e kishit në shtëpitë që u prishën nga tërmeti se ajo është toka juaj dhe atë nuk ua merr kush.

Pra, ajo fjala që ne e patëm thënë në fillim, besoj sot është fakt, që nga tërmeti, i cili dëmtoi shumë rëndë një pjesë të madhe të banorëve në zonat e prekura prej tij, dolëm më të fortë, sepse të gjitha familjet të cilat humbën shtëpinë sot janë më të pasura faktikisht, sepse kanë prona si këto shtëpi që vlejnë më shumë sesa ato që humbën.

Ashtu sikundër, në këto komunitete kanë shumë më tepër mundësi shërbimi, qoftë për më të moshuarit, të cilët ja ku do ta kenë qendrën shëndetësore, tre hapa larg shtëpisë, nuk do kenë nevojë më të bëjnë kilometra të tëra nga një pikë diku në thellësi të kodrave tek qendra më e afërt shëndetësore, qoftë dhe për prindërit që ja ku i kanë kopshtet dhe çerdhet dhe i lënë fëmijët aty.

Janë afro 100 fëmijë këtu që do të kenë kopshtin dhe çerdhen tek dera e shtëpisë.

Pra, familjet tuaja sot janë më të sigurta, përkujdesjen tonë e ndjejnë ngado që kthejnë sytë këtu dhe sigurisht falë zhvillimit të këtij programi sot pavarësisht mundësive ekonomike që kanë, kanë shtëpi me të njëjtat kushte dhe me të njëjtat standarde si ata që kanë mundësi më të mëdha ekonomike, gjë që nuk do ndodhte dot kurrë nëse ne të mos kishim bërë një program, i cili bazohet në parimin që çdokush që e ka humbur shtëpinë do ta marrë të renë falas dhe këtë nuk e bëjnë vendet e tjera.

Programet e rindërtimit pas tërmeteve, qoftë në Italinë fqinje, qoftë në Greqinë fqinjë, qoftë dhe në Turqi, ku ka patur shumë tërmete dhe ka patur shumë të tilla, nuk japin shtëpi falas. Japin shtëpi me kredi, me kredi të buta patjetër, por kredi janë, edhe sikur 5 lekë në muaj, janë 5 lekë në muaj.

Ne e kemi bërë programin 100% falas!

Për këtë arsye shumë familje, jam i bindur që ka dhe këtu familje që mbase janë në skemën e ndihmës ekonomike, nuk kanë asnjë nevojë të kenë dhimbje koke sesi do shlyejnë shtëpinë me bankat. Shtëpia është e tyre 100% falas! Ka disa që thonë që duhet të ishin bërë më shpejt. Në Itali dhe në Greqi të gjithë kanë njerëz të njohur, familjarë, fqinjë, mund t’i pyesni sa vite kanë familjet që presin të marrin kompensimet dhe të kthehen në shtëpi pas tërmeteve? Deri në 15 vjet. Italia është një nga 7 fuqitë më të mëdha ekonomike të botës edhe ka akoma sot, pas 15 vitesh, 12 vitesh, 10 vitesh familje që jetojnë nëpër kabina.

Ne nuk jemi më të fortë, ne nuk jemi më të pasur, ne nuk jemi më të zotë, por ne e ndamë mendjen që rindërtimin do ta bënim më shpejt se të tjerët dhe patjetër falas pikërisht sepse s’jemi më të pasur.

Ne akuzohemi shpesh edhe në fakt për fat të keq ajo shprehja që, “shpif e shpif, se diçka do mbetet”, edhe në këtë rast provohet që është e suksesshme, shpifja duke e përsëritur, duke e përsëritur, duke e përsëritur, sepse një pjesë e njerëzve janë të prirur që ta besojnë më shumë gënjeshtrën sesa të vërteten, ne akuzohemi shpesh që jemi një qeveri që mendon për më të pasurit, që jemi një qeveri që mendon për oligarkët, por vetëm Programi i Rindërtimit, pa llogaritur të tjerat, është prova më e fortë për të vërtetuar të kundërtën. Sikur ne të ishim një qeveri që mendonte për të pasurit, Programi i Rindërtimit nuk do të ndodhte kështu siç po ndodh, si një program rindërtimesh falë rritjes së taksave për të pasuri duke ulur deri në 0 taksat për ata që kanë më pak, për t’ju dhënë shtëpi familjeve falas, nuk do ndodhte!

Ashtu sikundër po të ishim ne një qeveri që mendon për të pasurit dhe që nuk sheh me vëmendje të vazhdueshme ata që kanë më pak, nuk do të ndodhte sepse nuk do kishte shans se si të ndodhte që dhe ata që i kanë pa leje shtëpitë e tyre dhe të palegalizueshme për shkak të pozicioneve ku ndodhen, t’ju prishet shtëpia dhe t’u jepet një shtëpi e re. Kjo nuk do ndodhte.

Ju e keni parë besoj dhe shume e kanë parë se çfarë ndodhi me 5 Majin, se si politika e shpifjes dhe e ushqimit të vazhdueshëm të sherrit dhe konfliktit duke keqpërdorur edhe njerëz që edhe shtëpinë e japin por votën kurrë nuk e ndërrojnë sepse e kanë aty tek fiksimi i vjetër, ngriti një furtunë sikur ne po prishnim shtëpitë e të varfërve. Cilët të varfër? Me shtëpi me 4 e 5 kate? Të ndërtuara pa kurrfarë plani? Pa kurrfarë leje? Pa kurrfarë respekti për të tjerët rreth e rrotull? Pastaj jo vetëm që përmbyten historikisht por përmbysin edhe të tjerët se janë mu në mes të shtratit të lumit. Jo!

Ama nga ana tjetër ne nuk i prishëm ato shtëpi dhe nuk do vazhdojmë t’i prishim ato lloj shtëpish për t’i hedhur në rrugë ata njerëz pavarësish se çfarë fiksimesh kanë ata lidhur me votën e tyre, sepse kjo ne nuk na intereson. Ne jemi qeveri e të gjithë shqiptarëve, ne nuk jemi qeveria vetëm e atyre që votojnë për Partinë Socialiste, për t’i çuar në shtëpi të reja, pa ju kërkuar asnjë lek. Shtëpi të ndërtuar me taksa të gjithë shqiptarëve dhe njëkohësisht për të hapur hapësirën që të ndërtojmë shtëpi dhe për ata që nuk kanë ndërtuar ndonjëherë pa leje, por që kanë të drejtën e një shtëpie të re.

Kur është bërë ndonjëherë kjo? Ata që flasin e nuk dinë se çfarë thonë dhe nuk kanë faj se nuk e dinë çfarë thonë se nuk dinë ku kanë kokën e tyre nuk e kanë bërë ndonjëherë këtë kur ishin në qeveri, përkundrazi ose i kanë lënë pa i prekur duke marrë në qafë kalamajtë e tyre. Janë rritur nëpër geto, duke marrë në qafë gjithë komunitetin që nuk ka mundur të zhvillohet  dhe duke bërë  rrugë që gjarpërojnë sipas votave: “ ky është i joni, mos e prek, bjeri këtij se është i atyre”. Ndërkohe që ne, në respekt të plotë të çdokujt që është anëtar i kësaj bashkësie shqiptare, askujt nuk i kemi ngrënë hakun për arsye politike, për arsye krahinore apo për çfarëdolloj arsye tjetër.

Nëse sot ne kemi akoma probleme me rindërtimin, të afateve, janë probleme të lidhura me leshin dhe me linë që bënë ata që ishin në detyrë më parë dhe që bënë çorapin më të madh të pronave dhe që krijuan llumin më të madh në sistemin e drejtësisë, me gjykata e me prokurorë që marrin peng komunitete të tëra pa pikën e turpit. Siç njëri ka marrë peng vazhdimin e punës për të ndërtuar apartamentet e mbetura të pa ndërtuara në Laç për një person, një! Duhet prishur pallati i vjetër i cili është rrezik për jetën e njerëzve. Kanë ikur të gjithë. Ne ju paguajmë qiratë të gjithë atyre që kanë ikur. Kemi gati projektin dhe duam të vazhdojmë punën dhe gjykatësi i jep sigurimin e padisë, domethënë ne nuk ndërhyjmë dot njërit që ka një dyqan. Çfarë t’i bëjmë ne? Ky është sistemi që kemi zgjedhur. Sistem ku gjykata ka fjalën e fundit, siç ndodh me Kombinatin. Çështje të panumërta të hapura nëpër gjykata me pretendime nga më të panumërtat për të marrë copën më të madhe sesa copa që ju takon, për të marrë peng zhvillimin atje.

Prandaj ndërkohe që tek ‘5 Maji” kemi ecur, por edhe tek “5 Maji” me gjithë ato problem që kemi patur, në Kombinat po ecim më avash, se do presim vendimet e gjykatave apo siç ndodh me shkollat që ti merr përsipër të rindërtosh shkollën simbol të arsimit në Tiranë, që u godit rëndë nga tërmeti për ta bërë shkollën simbol të rindërtimit dhe ta marrin peng sepse të çojnë në SPAK disa për një WC aty, e duhet te presësh që të bëhet procedura, të bëhet hetimi, të bëhet historia. Domethënë këto janë pengesa të natyrës objektive, aty ku s’kishim gjëra të tilla kanë kohë që njerëzit janë futur nëpër shtëpia, sepse ka ecur puna, pavarësisht gjithë problematikave, jo pandemia në mes, jo kjo historia e rritjes së çmimeve dhe siç na ndodhi edhe këtu në fillim, edhe këtu hasëm në problem, jo është e imja, jo del një pronar andej, jo një që pretendon, kap ça të kapësh, kjo është arsyeja e disa vonesave. Ne nuk kemi kujt t’i qahemi natyrisht, por janë ca gjëra që duhen thënë që njerëzit ta kuptojnë pse ndodh.

Procesi i rindërtimit ka ecur paralel me një proces të tërë falsifikimesh, ankimimesh, korruptimesh të gjykatësve, që janë të krimbur nga koka tek këmbët edhe që e dinë që nuk kanë shans ta kalojnë Vettingun dhe tani vazhdojnë të kapin ca të kapin, dhe për këtë arsye jemi vonuar në disa raste, por ama një gjë është e sigurt, që ne nuk i ndahemi kësaj pune deri kur familja e fundit të marrë shtëpi. Në Tiranë, Durrës, ku kanë qenë edhe problemet më të mëdha me gjykatës e me mashtruesa dhe sigurisht në të gjithë zonën ku siç e shihni po ndërtohet. Po ndërtohet intensivisht kudo!

29 shkolla të reja dhe kopshte të reja vetëm në Kamëz. 29! Numri total i kopshteve dhe shkollave të reja më i madh sesa kanë ndërtuar ata, në të gjitha qeveritë e tyre dhe flasin dhe shajnë dhe shpifin dhe duan t’i dalin në mbrojtje Shqipërisë dhe shqiptarëve. T’ju dalin ata në mbrojtje juve, e kuptoni? 

Maksimumi që mund të bëjnë ata për ju dhe për ju demokratët që jeni këtu, se për socialistët s’kanë çfarë bëjnë fare është t’ju ndërrojnë bravën. T’ju ndërrojnë bravën, duke ju dhënë garanci që brava e tyre ju mbron më shumë, pra që shtëpia të mbyllet e ju të mos hyni dot në shtëpi edhe askush mos hyjë dot në shtëpi dhe ju të mblidheni te Lana. Maksimumi që mund të bëjnë ata që duan të mbrojnë Shqipërinë edhe nga armiqtë e jashtëm e ku di unë se çfarë.

Megjithatë, ata janë për të ardhur keq dhe ne keq na vjen plot. E na vjen jashtëzakonisht mirë që sot kjo bashkësi këtu, socialistë, demokratë e çfarë janë të gjithë këtu se s’na intereson në këtë aspekt është gati të futet në shtëpi edhe të jetojë në këtë hapësirë të re, të bukur që tani ju takon juve ta mirëmbani.

I pyeta, pse i keni bërë jeshile këto shtëpitë? Më thanë se të bardhat bëhen pis shpejt! Ka një logjikë dhe kjo, por edhe jeshilja bëhet pis po s’e mirëmbajte. Shpresoj që kur të vijmë ndonjë ditë për t’ju përshëndetur mos shohim këtu gardhe, dyshekë të vendosur për të përballuar goditjen me grusht të komshiut e susta, kompensata, makina të vjetra që nuk punojnë, por që rrinë aty si barrikada. Shpresoj mos ketë nga këto dhe shpresoj që ju tani ta merrni këtë pronë tuajën dhe pronën private, këtë nën strehë ta gëzoni dhe pronën e përbashkët atë mes dy godinave ta lulëzoni, për fëmijët tuaj, jo për mua! Shumë faleminderit!

Previous Qeveria Shqiptare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim mbështesin kodimin që në klasë të parë dhe ndërtimin e 100 laboratorëve SMART

Leave Your Comment