Ndryshimet në buxhet, Akti Normativ prezantohet në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ndryshimet në buxhet, Akti Normativ prezantohet në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat Aktin Normativ për disa ndryshime dhe shtesa në Buxhetin e vitit 2022.

Ky Akt Normativ u ndërmor në përgjigje të situatës së veçantë të krijuar në vend nga kriza energjetike dhe ajo e çmimeve të karburanteve dhe mallrave të konsumit të gjerë.

Ministrja u shpreh se rishikimi i buxhetit të vitit 2022 ka si synim kryesor:

Akordimin e mbështetjes buxhetore për shtesën për sektorin e energjisë, në shumën 20 miliardë lekë, duke çuar këtë shumë në 28 miliard lekë për vitin 2022;

Financimin e një pakete ndihme për konsumatorët për të përballuar pasojat e rritjes së çmimeve të konsumit, e quajtur Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës, me kosto 6 miliardë lekë;

Financimi i Paketës së Rezistencës Sociale do të përdoret me VKM, për zbutjen e efekteve të krizës aktuale, në mbështetje të:

Shtresave në nevojë, rreth 5 miliardë lekë;

Sektorit të transportit publik, rreth 0.5 miliardë lekë;

Sektorit të bujqësisë, rreth 0.5 miliardë lekë;

“Ky rishikim vijon të ruajë objektivin e konsolidimit fiskal duke mbajtur të pandryshuar nivelin e defiçitit buxhetor”, tha Ibrahimaj.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit me këtë Akt Normativ rriten me 10 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet buxhetore janë shkurtuar në masën 16 miliardë lekë,

nga të cilat rreth 6 miliardë lekë në shpenzimet korente dhe rreth 10 miliardë në shpenzimet kapitale.

“Me këtë Akt Normativ iu përgjigjëm me masa konkrete direkte situatës anormale të krijuar jo në Shqipëri, por jashtë saj, me krizën energjetike në tregjet ndërkombëtare e më tej me pasojat e luftës në Ukrainë. Ky akt nuk është i fundit, pasi masat mbrojtëse për shtresat vulnerable të shoqërisë do të vijojnë në përputhje me situatën. Ne do ndjekim ditë pas dite situatën dhe do propozojmë masa konkrete”, tha Ministrja.

Sa i përket impaktit që do të ketë në ekonominë kombëtare rritja e çmimeve si pasojë e krizës energjetike dhe agresionit rus mbi Ukrainën, Ministrja u shpreh se ky impakt pritet të jetë i përmbajtur dhe i përkohshëm.

“Ne parashikojmë që inflacioni i përgjithshëm mesatar për vitin 2022 në tërësi do jetë rreth nivelit prej 4.5%, ku pritet të kulmojë në tremujorin e dytë dhe fillimit të tremujorit të tretë. Ndërkohë nga viti 2023 e në vijim parashikojmë që inflacioni mesatar vjetor do jetë rreth targetit të tij prej 3%”, tha Ibrahimaj.

Rritja e përkohshme e inflacionit gjatë këtij viti do të ketë një efekt frenues të fuqisë blerëse dhe rrjedhimisht efekt ngadalësues të kërkesës agregate të brendshme, krahasimisht me projeksionet fillestare, ashtu sikurse pritet edhe një kërkesë e huaj më e ngadalësuar, veçanërisht nga vendet e Europës.

Për këtë arsye, Ministrja Ibrahimaj tha se pritet të ketë një rritje ekonomike më të ulët nga ajo e parashikuar prej 4.2%, ndërkohë që objektivat e rritjes së qëndrueshme priten të rikthehen rreth nivelit prej 4% nga viti 2023 e në vijim.

Megjithatë, Ministrja theksoi faktin se, edhe nëse goditjet të jenë më të forta, ekonomia shqiptare do të vijojë të ketë rritje pozitive këtë vit dhe do të rikthehet në trendin normal në afatin e mesëm dhe inflacioni të rikthehet në targetin e tij që vitin tjetër.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

I nderuar kryetar,

Të nderuar deputetë të komisionit,

Mazhoranca qeverisëse ka treguar ndër vite se është e aftë t’i gjendej qytetarëvë të vetë në krah duke i lehtësuar veshtirësitë përmës politikave të saj, të cilat kanë si fokus kryesor mbrotjen e qytetarëve me të ardhura mesatare dhe të ulta dhe të biznesit të vogël.

Që në fillim të vitit 2013, mazhoranca jonë gjeti një borxh prej mbi 70% ku rreth 700 milion euro ishin detyrime të prapambetura . Në fund të vitit 2019 borxhi publik u ul nën 65%. Shqipëria në vitin 2013 rritej me 1% ndërkohë në fillim të mandatit të dytë, në vitin 2018, rritja ishte 4.1%. Paga mesatare në vitin 2014 ishte 45.539 lekë ndërsa në fund të vitit 2021 kjo pagë është 59.565 me rritje prej 30.8%. Prodhimi i Brendshëm vjetor për frymë ishte 466.3 mijë lekë në 2013 ndërkohë që në fund të 2021 kjo vlerë ishte 624.8 mijë lekë, me një rritje prej 33%.

Të gjithë këtë rritje virtuoze ekonomike e kemi arritur duke aplikuar parimin fiskal kush fiton më shumë, paguan më shumë.

Pas vendosjes në shinat e zhvillimit të vazhdueshëm, Shqipëria u përballë me dy kriza të tjera, atë të tërmetit dhe atë të Covidit, dhe në saj të politikave të ndërmara qeveria arriti të kthejë me mijëra familje në shtëpitë e tyre dhe të ketë rikthimin ekonomik më të fortë në rajon gjatë vitit 2021.

Me të njëtën përgjegjshmëri Shqipëria po përballet me inflacionin që vjen nga kriza energjetike, atë hidrokarbureve dhe të produkteve ushqimore, i cili erdhi fillimisht si pasojë e inflacionit të shtuar të pas pandemisë ku kërkesa nuk u përputh në të njëjtën kohë me ofertën, rritjen e çmimeve e cila u shtua nga agresioni rus mbi Ukrainën.

Nësë i referohemi vetëm bursës së energjisë elektrike të Hungarisë, ne blejmë energji nga një çmim mesatar prej 50 euro/mëh që ishte në maj-qershor të vitit të kaluar, sot tregtohet me 240 euro/mëh, pra me një rritje prej 380%.

Situata makroekonomike në vend

Sa i takon impaktit në ekonominë tonë, pra impaktit të goditjes nga kahu i ofertës e manifestuar kryesisht në rritjen e çmimeve të produkteve të energjisë, disa produkteve bazë ushqimore dhe disa produkte të tjera patjetër që pritet të ketë një impakt relativisht të dukshëm edhe për ekonominë tonë. Megjithatë, në vlerësimet tona deri të mëtanishme, sipas skenarit tonë bazë të projeksioneve makro-fsikale, pra në skenarin me probabilitetin më të lartë të ndodhjes, ky impakt do të jetë i përmbajtur dhe i përkohshëm.

Në këtë skenar, ne parashikojmë që inflacioni i përgjithshëm mesatar për vitin 2022 në tërësi do jetë rreth nivelit prej 4.5%, ku pritet të kulmojë në tremujorin e dytë dhe fillimit të tremujorit të tretë. Ndërkohë nga viti 2023 e në vijim parashikojmë që inflacioni mesatar vjetor do jetë rreth targetit të tij prej 3%.

Kjo rritje e përkohshme e inflacionit përgjatë këtij viti do të ketë një efekt frenues të fuqisë blerëse e rrjedhimisht pritet të ketë një efekt ngadalësues të kërkesës agregate të brendshme, krahasimisht me projeksionet fillestare. Kërkesa agregate e brendshme më e ngadalësuar për këtë vit, por po ashtu edhe një kërkesë e huaj më e ngadalësuar, veçanërisht nga vendet e Europës, pritet të rezultojë në një rritje ekonomike më të ulët nga ajo e parashikuar prej 4.2% fillimisht. Objektivat e rritjes së qëndrueshme priten të rikthehen rreth nivelit prej 4% nga viti 2023 e në vijim, sipas parashikimeve fillestare.

Por edhe në skenarët më pesimistë që ne kemi, ku këto goditje supozohen më të forta, sërish rezulton që ekonomia do të vijojë të ketë rritje pozitive këtë vit dhe të rikthehet në trendin normal në afatin e mesëm dhe inflacioni të rikthehet në targetin e tij që vitin tjetër.

Rishikimi i Buxhetit
Rishikimi i buxhetit 2022, nëpërmjet këtij Akti Normativ, u përgatit si përgjigje ndaj situatës së veçantë të krijuar nga kriza energjetike dhe ajo e çmimeve të karburanteve dhe mallrave të konsumit të gjerë.

Ky rishikim i buxhetit 2022, i cili propozohet t’i nënshtrohet procedurës së Aktit Normativ, ka si synim kryesor:

Akordimin e mbështetjes buxhetore për shtesën për sektorin e energjisë, në shumën 20 miliardë lekë duke çuar këtë shumë në 28 miliard lekë për vitin 2022.

Financimin e një pakete ndihme për konsumatorët për të përballuar pasojat e rritjes së çmimeve të konsumit, e quajtur Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës, me kosto 6 miliardë lekë;

Ky rishikim vijon të ruaje objektivin e konsolidimit fiskal duke mbajtur të pandryshuar nivelin e defiçitit buxhetor. Mbi këtë bazë efektet e përballimit të krizës energjetike dhe atë të rritjes së çmimeve te emallrave të konsumit kemi propozuar t’i përballojmë nëpërmjet dy instrumenteve; rialokimit të shpenzimeve buxhetore dhe rritjes së të ardhurave.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit me këtë Akt Normativ rriten me 10 miliarde lekë mbeshtetetur në performancen pozitive të realizimit të planit të të ardhurave tatimore dhe doganore nga administrata fiskale, për 2 mujorin 2022 dhe në parashikimet për realizimin e tyre deri në fund të vitit.

Shpenzimet buxhetore jane rialokuar, pra shkurtuar në masën 16 miliardë lekë, duke shkurtuar shpenzimet jo prioritare, shpenzimet administrative dhe shpenzime të vlerësuara që mund të shtyhen në vitet në vijim.

Propozimi për këtë rritje vjen si rrjedhojë e një analize të mirëfilltë nga ana e strukturave përgjegjëse në MFE, sipas së cilës rezulton se kemi rritje të të ardhurave si rezultat i miradministrimit, luftës ndaj informalitetit dhe kontrollit të zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve, duke u fokusuar në ato segmente dhe tatimpagues që kontribuojnë më shumë tek të ardhurat.

Nësë i referohemi analizave të doganave për vitin 2021, vëmë re se rreth 80 % e rritjes të së ardhurave i referohet rritjes ekonomike, pra volumit të importeve, ndërsa vetëm rreth 20 % e shtesës së të ardhurave i referohet efektit të rritjes së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.

Në krahun e shpenzimeve:

Janë rialokuar/shkurtuar shpenzimet e buxhetit të vitit 2022 në masën 16 miliardë lekë , nga të cilat rreth 6 miliardë lekë në shpenzimet korente dhe rreth 10 miliardë në shpenzimet kapitale.

Në zërin e Shpenzimeve Korente:

Parashikimin e një mbështetje financiare shtesë për sektorin energjetik në masën 20 miliardë lekë duke e çuar totalin në 28 miliardë lekë, e cila do të përdoret nëpërmjet Vendimeve të Këshillit të Ministrave, në përputhje me situatën energjetike.

Akordimin e një pakete gjithëpërfshirëse financiare të ashtuquajtur të Rezistencës Sociale ndaj Pasojave të Krizës në masën 6 miliardë lekë, e cila do të përdoret me VKM, për zbutjen e efekteve të krizës aktuale, në mbështetje të:
Shtresave në nevojë, rreth 5 miliardë lekë
Sektorit të transportit publik, rreth 0.5 miliardë lekë
Sektorit të bujqësisë, rreth 0.5 miliardë lekë

Sipas kësaj pakete, që tashmë është bërë publike, përfitojnë shtresat me vulnerable të shoqërisë si; pensionistët me të ardhura të ulta, pensionistët e vetmuar, të paaftët, familjet në ndihmë ekonomike etj. Gjithashtu kjo paketë ndihmon sektorin e transportit publik dhe atë të mekanikës në bujqësi, për shkak të rritjes së çmimit të naftës në nivele tepër të larta e të papërballueshme.

Reflektimin e shkurtimeve të zërave të shpenzimeve korente për të gjitha institucionet buxhetore janë prej rreth 6 miliardë lekë përmes aplikimit të një shkurtimi uniform në masën:

Reduktim -2.5% të planit total të shpenzimeve të Personelit

Reduktim të planit të shpenzimeve Korente në tërësi, përkatësisht:

Shkurtim -10% të zërit ‘shpenzime operative’ për të gjitha institucionet buxhetore, në të njëjtën përpjesë.

Shkurtim -10% ekstra (pra -20% kumulativ) vetëm për zërin ‘shpenzime operative’ të aparateve të ministrive të linjës, të cilat kryesisht i referohen shpenzimeve të ngushta administrative për: udhëtime, dieta, karburant, etj.

Në zërin e shpenzimeve kapitale:

Për projektet me financim të brendshëm, është reflektuar një shkurtim i përgjithshëm në masën rreth 5.2 miliardë lekë, përmes pakësimit të fondeve në zëra shpenzimesh që lidhen me shpenzime administrative apo investime të reja të cilat mund të shtyhen në një periudhe të ardhshme.

Për projektet me financim të huaj, është reflektuar një shkurtim i përgjithshëm në masën 4.6 miliardë lekë, duke marrë në konsideratë ecurinë e tyre dhe vlerësimin për periudhën e mbetur të vitit.

Të nderuar deputetë,

Siç ju shpjeguam më sipër, me këtë Akt Normativ iu përgjigjëm me masa konkrete direkte situatës anormale të krijuar jo në Shqipëri, por jashtë saj, me krizën energjetike në tregjet ndërkombëtare e më tej me pasojat e luftës në Ukrainë.

Ky akt nuk është i fundit, pasi masat mbrojtëse për shtresat vulnerable të shoqërisë do të vijojnë në përputhje me situatën.

Ne do ndjekim ditë pas dite situatën dhe do propozojmë masa konkrete, ndryshime legjislative dhe administrative, të cilat do t’i ndajmë edhe me ju.

Mbi këtë bazë jemi të bindur që do kemi edhe mbështetjen tuaj.

Ju faleminderit !

Previous Së shpejti ekosistemi TIK në Shqipëri

Leave Your Comment