Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ministri Gogu: Drejtësi e fortë ndaj krimit dhe korrupsionit, po aq e fortë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi së bashku me Këshillin e Evropës projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke hapur konsultimin publik për një ndërhyrje të gjerë në legjislacionin procedural penal. Në fokus të ndryshimeve janë paraburgimi dhe alternativat ndaj arrestit në burg, forcimi i garancive procedurale, të drejtat e mbrojtjes gjatë hetimit, prezumimi i pafajësisë dhe mbrojtja e të drejtave të individit.
Në prani të Kryeministrit, përfaqësuesve të Këshillit të Evropës dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, ministri Gogu solli në vëmendje të dhënat e Këshillit të Evropës, sipas të cilave, në vitin 2024, pothuajse gjashtë në dhjetë persona në institucionet penitenciare shqiptare nuk kishin ende një vendim të formës së prerë, ndërsa kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm ishte rreth 253 ditë.
Ministri theksoi se arresti në burg duhet të ketë karakter përjashtimor dhe se pesha e akuzës nuk mund të jetë e mjaftueshme në vetvete për kufizimin e lirisë. Sipas tij, duhet të argumentohet konkretisht përse masat e tjera më pak kufizuese nuk janë të mjaftueshme.
Projektndryshimet parashikojnë gjithashtu kufizimin e aksesit në të dhënat personale gjatë sekuestrimit të telefonave, forcimin e mbrojtjes së prezumimit të pafajësisë dhe masa shtesë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Sa i përket alternativave ndaj paraburgimit, ministri Gogu njoftoi se qeveria ka ndarë fondet për mbikëqyrjen elektronike dhe se Ministria e Drejtësisë angazhohet ta vërë atë në funksion brenda pranverës së ardhshme. Ai propozoi edhe hartimin e një strategjie të përbashkët për paraburgimin, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me fokus cilësinë e vendimeve, funksionimin e alternativave dhe transparencën.
Duke ftuar gjyqtarët, prokurorët, avokatët, akademikët dhe shoqërinë civile të kontribuojnë në konsultimin publik, të hapur deri më 28 tetor, ministri Gogu theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve të drejtësisë në hartimin e ndryshimeve. Ai nënvizoi se synimi është një drejtësi që të jetë e fortë si në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, ashtu edhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.