Revolucioni digjital mbyll sportelet fizike në institucionet shtetërore dhe i jep goditjen vendimtare korrupsionit, radhëve, zvarritjeve - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Revolucioni digjital mbyll sportelet fizike në institucionet shtetërore dhe i jep goditjen vendimtare korrupsionit, radhëve, zvarritjeve

Revolucioni digjital, i cili po transformon rrënjësisht marrëdhëniet e shtetit me qytetarët, duke hedhur bazat e një sistemi të sigurt antikorrupsion në shërbimet e ofruara, shënon tashmë një fazë të re, atë të mbylljes së sporteleve fizike në institucionet shtetërore dhe ofrimin e shërbimeve me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale.

Ky është hapi i radhës pas kalimit të 95% të shërbimeve publike vetëm online, që ndryshon përgjithnjë shërbimin e administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit.

Ndërkohë që, në raportin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për vitin 2021-2022, Shqipëria është ngjitur në vendin e 17-të në treguesin e shërbimeve publike, duke zënë vendin e parë në rajon e duke lënë pas vende të rëndësishme të Bashkimit Europian.

Një aktivitet informues mbi zgjerimin e shërbimeve online dhe mbylljen e sporteleve u zhvillua sot, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama, i cili theksoi në fjalën e tij se aktualisht “jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit digjital dhe i japim një goditje, një shkelm, një shtytje larg, jo fare larg akoma, korrupsionit në shërbime, bakshishit dhe ryshfetit.”

* * *

Përshëndetje të gjithëve!

Do ta nis këtë fjalë sot, në këtë ditë që është për hir të vërtetës një ditë e shënuar për historinë e administratës sonë, me dy shembuj. Njëri është shembulli i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit, se e kanë shumë të gjatë ata, asnjëherë nuk ia mësoj dot tamam [emrin], që përbën një burim shumë domethënës informacioni dhe patjetër eksperience për këtë proces tërësisht transformues që e çon administratën nga një makineri e shtrirë në territor me zyra, me njerëz, me salla pritje, rradha e kështu me rradhë, në një instrument në shërbim të çdo qytetari, në xhep, në smartphone apo në kompjuterin më të afërt. Është një transformim i jashtëzakonshëm për të cilin ka një shembull, ndër shumë të tjerë por që është shembulli më kuptimplotë në këndvështrimin tim.

Deri përpara këtij procesi, ishte e paimagjinueshëm që Republika Federale e Gjermanisë, shteti më strikt në Europë por ndoshta edhe në botë, të njihte lejet e drejtimit të Republikës së Shqipërisë, të cilat buronin nga një proces absolutisht i pa gjurmueshëm. Natyrisht që në gjithë procesin e dhënies së lejeve të drejtimit me siguri ka pasur një numër lejesh drejtimi që janë dhënë në mënyrë të rregullt por pa diskutim ka pasur një numër të konsiderueshëm lejesh drejtimi që janë dhënë në mënyrë të parregullt dhe e gjithë kjo e bënte absolutisht të pamundur që të imagjinohej që Republika Federale e Gjermanisë do njihet lejet e drejtimit të Republikës së Shqipërisë dhe çdokush me një leje drejtimi të Republikës së Shqipërisë do të mund të konvertonte atë dokument në një leje drejtimi të Republikës Federale të Gjermanisë dhe mua më kujtohet fare mirë kur unë e kam ngritur këtë çështje për herë të parë, sepse ishte një kërkesë insistuese e një bashkësie të madhe shqiptarësh që jetojnë në Republikën Federale të Gjermanisë, e gjithë rreshti i palës gjermane u rrudh në fytyrë, sepse ishte një kërkesë e pakuptueshme për ta. Se si mund të pretendonte Shqipëria që të kishte barazi në këtë aspekt.

Pastaj duke e ditur se kishim bërë një progres të konsiderueshëm me çka kishte sjellë transformimi dixhital në atë drejtori, ne insistuam që të vinte një inspektim dhe ka qenë një nga momentet e krenarisë time për punën e bërë kur inspektimi i ministrisë së transportit të Republikës Federale të Gjermanisë doli pozitiv dhe inspektorët gjermanë ishin të shokuar, sepse nuk e prisnin fare atë lloj realiteti të transformuar rrënjësisht.

Pra, vetëm përmes dixhitalizimit është realizuar një proces i cili i ka dhënë mundësi administratës në atë sektor që të bëjë performancën më të lartë.

Një shembull tjetër që është i kundërti i këtij. Dëgjova këtu Drejtorin e Gjendjes Civile. Është drejtor i ri, kështu që nuk e kam me të. Tha që vjet, në 2021 janë lëshuar 1.5 milionë certifikata, me letër. Dhe pyetja ime është, po pse? Për cilën arsye në botë Ministria e Brendshme dhe gjendja civile kanë shpenzuar për bojë, për letër, për 1.5 milionë certifikata? Për çfarë arsye? Ndërkohë që jo vjet, por të paktën prej 4 vitesh, të paktën, në mos edhe më shumë, nuk ka pasur më nevojë të harxhohet asnjë fije letër dhe asnjë pikë bojë për të printuar certifikata.

Këto janë dy ekstreme të një procesi, i cili kërkon vendosmëri të madhe dhe mbi të gjitha kërkon kalim të besimit tek teknologjia duke ndërprerë të gjitha fijet me inercinë e traditës. Eksperienca te tjera të vendeve të tjera por dhe eksperienca jonë modeste na ka mësuar që këto kalime bëhen në mënyrë drastike. Këto kalime bëhen me një të prerë të shpatës sepse përndryshe vazhdojnë gjithmonë bishtat pas bishtave, “jo se nuk e kemi këtë, jo se njerëzit nuk e dinë, disa nuk e kuptojnë, ne duhet të rrimë ti asistojmë”, e kjo çfarë prodhon? Kjo prodhon hapësira ku vazhdon zvarritja, vazhdon stresi, vazhdon edhe ryshfeti dhe vazhdon dhe shërbimi jo cilësor për njerëzit, prandaj vendimi është i prerë, në datën 30 prill nuk ka më sportele në Republikën e Shqipërisë e të jeni të sigurt që kjo do funksionojë, edhe pse në fillim mund të ketë disa ngërçe, edhe pse në fillim mund të ketë disa shqetësime, edhe pse në fillim do të ketë njerëz që nuk do mund ta dinë se si e qysh ta marrin shërbimin pro nevoja do ti bëjë që ta mësojnë. Kur me aplikimet dixhitale të fondit të mbështetjes për bujqësi ne e kemi shumëfishuar me herë dhe me shumë herë aplikimet nga fermerët, që nga zonat më pranë qyteteve, deri nëpër skajet më të largëta, nuk ka nevojë për shembull tjetër.

Fermerë që edhe në zona shumë të largëta e gjejnë rrugën dhe mundësinë për të aplikuar, mjafton që të kenë një smartphone apo të kenë akses në një smartphone të dikujt, të shkarkojnë aplikacionin e e-albania dhe gjithçka pastaj vazhdon normalisht.

I kam kërkuar në një mbledhje përgatitore për këtë para dy ditësh në mos gabohem, Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme, që Ministria e Brendshme duhet të marri të gjithë printerët dhe të gjithë letrat nga zyrat e gjendjes civile komplet dhe në zyrat e gjendjes civile nuk duhet të ketë printera dhe nuk duhet të ketë më letra, në mënyrë që të mos ketë më asnjë mundësi për të prodhuar certifikata me letër se nuk ka nevojë. Është humbje kohe për njerëzit, është para për shtetin dhe është para edhe për njerëzit.

Janë 7 milionë euro që janë kursyer vetëm nga pagesat, ato pagesat e vogla të sporteleve për të marrë letra, vetëm për letra u janë kursyer njerëzve 7 milionë euro me këto procese. Do t’u kursehet edhe më shumë dhe është e padrejtë që njerëzve të vazhdojnë t’u jepen certifikata letër kur, në fakt, shërbimi është aty dhe nuk ka asnjë problem që çdokush ta marrë certifikatën pa dalë fare nga shtëpia. Nuk ka nevojë të dalë nga shtëpia për të marrë certifikatën, nuk ka nevojë të lëvizi fare nga vendi, mjafton të fusë dorën në xhep nëse ka telefonin në xhep apo të zgjasë dorën tek tavolina nëse e ka mbi tavolinë, të hyjë tek platforma dhe ka marrë shërbimin. Të gjitha këto shërbime janë kështu, përfshirë dhe famëkeqin Hipotekë. Famëkeqja Hipotekë është këtu. Nuk ka nevojë të shkosh deri tek  Hipoteka e të hysh në gjithë ato histori, në ato kanale, në atë labirinte, në ato bodrume e në ato katakombe për të nxjerrë, më në fund, pronën tënde. Është këtu.

Ndaj dhe gjithë sportelet e Hipotekës kanë nisur të mbyllen dhe prandaj edhe unë mezi pres ditën kur edhe godinat e Hipotekës do humbasin kuptimin e tyre dhe të gjithë njerëzit që punojnë do jenë në dispozicion të gjithë përgatitjes së produktit, duke e bërë produktin të aksesueshëm këtu dhe duke pasur të gjitha pronat e Republikës së Shqipërisë në një database të madhe qendrore, e cila aksesohet, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Australia, edhe nga Britania e Madhe. Nuk ka nevojë fare të dish, as kur hapet e as kur mbyllet Hipoteka, as kur i dhemb apo jo koka atij ose asaj që qëndron tek sporteli, por zakonisht janë burrat ata që i bëjnë këto me dhimbje koke se u dhemb koka shumë nga puna që bëjnë dhe i nxjerrin bojën pastaj gjithë shtetit për arsye se gjithçka është këtu.

Ky është një ndryshim kolosal, që është dhe bukuria e epokës që jetojmë, e kohës së teknologjisë dhe digjitalizimit.

Në rast se do ishim në kohë tjetër dhe do e kishim të imponuar të hidhnim hapat graduale, ndërkohë që koha e teknologjisë dhe digjitalizimit të jep mundësinë që t’i hedhësh hapat në mënyrë eksponenciale. Nuk është një zhvillim linear, por është një zhvillim eksponencial dhe mund të kapërcesh vite të tëra në një vit të vetëm dhe mund të jesh Shqipëria shumë e prapambetur deri disa vite më parë, që sot ka shkuar në vendin e 17-të për shërbimet digjitale dhe mbrapa nesh janë vende shumë më të zhvilluara se ne dhe çuditërisht ka dhe një element tjetër; moszhvillimi i mëparshëm është një avantazh në krahasim me zhvillimin e mëparshëm të disa vendeve sepse, nëse Gjermania që e ka problem të vazhdueshëm dhe ka një debat të madh për faktin se nuk po ecën me ritmin, njësoj si disa vende të tjera, për digjitalizimin ka problemin që ka një makineri perfektë shtetërore, shumë të madhe, shumë të rëndë, që është shumë e vështirë që ta kthesh në një makineri që bazohet, jo më tek njeriu, por tek sistemet digjitale. Ndërkohë që, ne, duke mos e pasur atë makineri jo perfektë, por duke mos pasur fare, në disa raste, duke pasur një karrocë Dyli, e kemi pasur shumë më të thjeshtë dhe e kemi shumë më të thjesht që të shkojmë më me shpejtësi përpara, duke shfrytëzuar teknologjinë. Smartphone-t janë po ata, si në vendet e zhvilluara si në vendet si në vendet e pazhvilluara, kompjuterët janë po ata, teknologjia është po ajo, mjafton të dish dhe të organizohesh për ta vënë atë në punë.

Sot, ky është një lajm fantastik për të gjithë qytetarët shqiptarë sepse kush nuk do që të hyjë në atë kanalin ku pastaj përfundon me xhepa të shpuar nga duart e të tjerëve që të futen në xhep për të marrë bakshishin e radhës, nuk ka nevojë fre as të njohë njeri, as të flasë me njeri, as të interesohet me njeri sepse mjafton të hyjë këtu dhe të bëjë aplikimin për gjithë ato shërbime të të gjithë gamës së shërbimeve shtetërore.

Janë vetëm një numër i vogël shërbimesh që vazhdojnë të funksionojnë me sportele, në Gjendjen Civile, për shembull, nga 590 sportele do mbesin 150 sepse nuk e kemi arritur akoma kohën ku martesat të bëhen me aplikim në e-Albania dhe kur ai betimi përpara noterit mund të bëhet online, kështu që duhet të jenë fizikisht të dyja palët që të jenë aty dhe që ai i gjendjes civile t’i shikojë, t’i konstatojë dhe t’i shënojë. Ashtu sikundër, edhe regjistrimi i lindjeve dhe disa procese të tjera. Të tjerat janë të gjitha online.

Kështu që, në këtë aspekt, ne jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit digjital dhe i japim një goditje, një shkelm, një shtytje larg, jo fare larg akoma korrupsionit në shërbime, bakshishit dhe ryshfetit.

Pjesa tjetër, që është shumë e rëndësishme të thuhet, është se nuk do ikë njeri nga puna. Të gjithë do vazhdojnë punën, por do bëjnë një punë tjetër. Në vend të marrjes në pyetje, të hetimit dhe torturës të qytetarëve që vijnë në sportele, do merren me plotësimin e dosjeve online të qytetarëve. Pra, nëse për të marrë një dokument X duhen edhe 5 dokumente të tjerë që merren nga institucione të ndryshme shtetërore dhe që, deri dje, këto ishte i detyruar t’i merrte qytetari, tani kemi filluar ta marrim kthesën, por jo të plotë, pas datës 1 Maj të gjitha këto do të garantohen nga sistemi. Kjo do të thotë që çdokush që sot punon në sportel, nuk do ketë përballë më qytetarë që vijnë me radhë dhe kërkojnë një shërbim dhe u përgjigjen pyetjeve, por do ketë kompjuterin dhe qytetarët do jenë aty vetëm në formën e aplikimeve dhe për çdo aplikim që kërkon dokumente të tjerë, personi në sportel do bëjë pikërisht këtë, grumbullimin nga sistemi të dokumenteve dhe do plotësojë kërkesën e qytetarit. Qytetari do marrë përgjigjen po online. Pra, që nga famëkeqja Hipotekë e pastaj me radhë të gjithë të tjerët, do ta sjellin përgjigjen po këtu. Një pjesë e shërbimeve vijnë menjëherë këtu, Hipoteka kërkon disa ditë, nuk e di sa është afati tani, por afatet janë të shpallura dhe brenda disa ditëve do të vijë këtu Hipoteka, nuk ka nevojë të shkosh asgjëkund.

Do vijë këtu në telefon, në kompjuter, me vulën elektronike.

Ndërkohë, ne kemi filluar projektin tjetër për të pasur brenda vitit të ardhshëm asistentin me zë, po këtu, siç është Siri, për shembull, që besoj e dini që futesh aty dhe e pyet, kështu do të jetë Asistenti Digjital i çdo qytetari që për t’u interesuar, për të marrë përgjigje, për një shërbim të caktuar, për një mënyrë sesi merret shërbimi apo për çfarëdo qoftë që ka të bëjë me shërbimet, do ta ketë në telefon asistentin me zë dhe nga shtëpia do t’i kërkojë përgjigje për të gjithë atë gamë që lidhet me shërbimet me dokumente.

Thënë të gjitha këto, mbetet i rëndësishëm përsëri njeriu. Mbetet i rëndësishëm përsëri roli juaj dhe gjithë atyre që janë aktualisht deri në datën 1 maj nëpër sportele. Mbetet i rëndësishëm shërbimi i atyre që deri në 1 maj do vazhdojnë të jenë në zyrat e ADISA-s, të cilat do të mbyllen në 1 maj.

Nuk do ketë më zyra ADISA në 1 maj, do të mbyllen për të hyrë njerëz nga jashtë brenda, por nga brenda do të vazhdojë puna për të bërë pikërisht këtë, për të vazhduar shërbimin ndaj qytetarëve në mënyrë që gjithë procesi i aplikimeve të jetë një proces i suksesshëm dhe që askush në asnjë hallkë të tij të mos e pengojë këtë proces.

Është dhe një pjesë tjetër që ka të bëjë me mënyrën si do funksionojë procesi, që ka të bëjë me penalitetet, dhe me shkallët se si do të analizohen të gjitha ato hallka të sistemit, flas për njerëzit, që do të bëhen shkak për vonesa apo për pengesa. Por nuk është kjo dita për të folur për këtë pjesë dhe nuk është roli im për të folur për këtë pjesë. Ajo që dua të them në fund është që ne me këtë sistem sot kemi mundësinë ta çojmë në një nivel krejt tjetër marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit dhe kemi mundësi që ta bëjmë Shqipërinë, vendin ku fjala shërbim për qytetarët dhe fjala shërbim nga shteti të marrë kuptimin e vetë më të plotë dhe më kuptimplotë.

Sistemi është i gjithi gati. Pjesa dërrmuese e sistemit është e testuar. Ka disa pjesë që do të testohen në proces se përndryshe as nuk kishin për t’u bërë kurrë, sepse nuk është vetëm gjendja civile. Janë disa institucione që në mënyrë të paarsyeshme janë vonuar, pra nuk e kanë shfrytëzuar sistemin maksimalisht. Dhe në fund do ju them një anekdotë që është reale, nuk është barsoletë: Qeveria e Shqipërisë, qeveria jonë, kabineti ynë qeveritar, e kishte gati sistemin e funksionimit për të mos pasur më qarkullim letrash dhe për të mundësuar që të gjitha aktet që kalojnë në qeveri, të vinin në Këshillin e Ministrave dhe të materializoheshin pa letra. E kishim sistemin aty. U deshën vite që letrat të hiqeshin nga sistemi, sepse inercia e traditës dhe të mësuarit për një jetë të tërë me letra, nuk është një pengesë e thjeshtë për t’u kapërcyer dhe si ndryshoi, ndryshoi ajo që nuk ndryshoi për disa vite, ndryshoi për një javë.

Një ditë të bukur në qeveri u tha dhe u vendos kjo godinë, Këshilli i Ministrave nuk pret më letra. Çdo letër që do të vijë në këtë godinë do të kthehet mbrapsht dhe çdo institucion, çdo ministri që do kalojë këtu vendime duhet t’i sjelli me sistemin që është aty dhe jo me letra. Besojeni ose jo, nuk pati më asnjë problem! Menjëherë u bë ndryshimi për shkak se nevoja për të vazhduar natyrisht që ishte dhe mbetet më e madhe sesa lehtësia. Do t’ju kërkoja të gjithëve që thjesht dhe vetëm të bëjmë këtë ndryshim në mendje, që nuk ka më letra, nuk ka më sportele, nuk ka më shërbim me kontakt fizik për 95% të shërbimeve siç thashë, ato shërbime që përmenda, apo shërbimi i marrjes së kartës së identitetit ku duhet të vesh gjurmët e gishtërinjve etj, nuk mund të bëhen ende 100% digjital, janë një pjesë e vogël.

Por gjithë pjesa që përbën edhe masën më të madhe të kontakteve, të zvarritjeve, të halleve, të problemeve dhe të shërbimeve është sot e tëra gati për tu ofruar në mënyrë digjitale nëpërmjet telefonit, smartphonit apo kompjuterit më të afërt.

Ju uroj punë të mbarë të gjithëve dhe e përsëris sekretarët e përgjithshëm të ministrive janë personat përgjegjës për ta ndjekur këtë proces për të asistuar të gjitha institucionet me çdo problematikë që mund të haset dhe ndërkohë qytetarëve u them që mbase në ditët e para mund të ketë tek-tuk ngërçe, mbase në ndonjë derë apo në ndonjë ish-sportel mund të ketë konfuzion, por sportelet nuk hapen më për asnjë arsye dhe drejtorët e përgjithshëm duhet ta dinë që nuk duhet në asnjë mënyrë, për asnjë arsye të mbajnë asnjë litar jashtë dhe asnjë derë hapur.

Dera e hapur më e afërt për qytetarët është këtu në xhep, nuk ka nevojë të marrin rrugën e të shkojnë për të gjetur kur e kanë radhën për të regjistruar biznesin, për të marrë një vërtetim apo një shërbim për pensionin, për të marrë hipotekën, për të marrë këtë apo për të marrë atë. Nuk ka nevojë fare. Janë të gjitha në xhep. Kemi realizuar atë për të cilën jemi zotuar prej disa vitesh që shtetin do ta fusim në xhepin e qytetarit dhe qytetari duke pasur shtetin në xhep, sa herë ka nevojë do nxjerrë smartphone dhe tek e-albania do kërkojë shërbimin e radhës, duke kursyer kohë, duke kursyer qindarkat që një herë, dy herë, tre herë pastaj bëhen shumë dhe duke kursyer nerva për shkak të ndeshjes me lloj-loj sjelljesh dhe personash që arrijnë deri aty sa kërkojnë edhe lekë për të dhënë një dokument.

Shumë faleminderit!

Previous Drejtoresha AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj: Ambicja e 2 viteve të ardhshme është një Administratë Publike pa letra

Leave Your Comment