Në ambientet e reja të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ndërtuar sipas standardeve të biosigurisë së BE-së - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Në ambientet e reja të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ndërtuar sipas standardeve të biosigurisë së BE-së

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), i njohur për konsumatorët si institut reference, që mbulon fushat e kontrollit dhe monitorimit laboratorik të Sigurisë Ushqimore, Shëndetit të Kafshëve, si dhe Shëndetit e Mbrojtjen e Bimëve, – është transformuar tërësisht, falë investimit të buxhetit të shtetit, për rikonstruksionin e ndërtesës së dëmtuar nga tërmeti.

Në mjediset e reja, të pajisura me teknologjinë më moderne dhe bashkëkohore, tashmë sigurohet kryerja e të gjitha analizave konform kërkesave teknike të BE-së dhe standardeve të biosigurisë.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, vizitoi sot Institutin e ri, ku janë zgjeruar dukshëm hapësirat për laboratorët ekzistues dhe janë shtuar laboratorët e rinj, në përputhje me rritjen e nevojave për kontrollin e mbetjeve në produkte shtazore dhe bimore.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca tha se ISUV është Institucioni më i rëndësishëm i sigurisë ushqimore në vendin tonë dhe se me investimet e bëra, ai i ka të gjitha kapacitetet teknike dhe infrastrukturore për të përmbushur kërkesat e biosigurisë nga BE.

“ISUV institucioni më i rëndësishëm i sigurisë ushqimore në vendin tonë. Tashmë jemi në gjendje t’i dalim përballë çfarëdolloj trupe negociuese të BE, sepse i kemi kapacitetet teknike dhe e justifikojmë me dije, me mund, tashmë edhe me buxhet edhe me investime, qoftë teknike, qoftë infrastrukturore për të përmbushur kërkesat e biosigurisë që BE kërkon.” – u shpreh Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Krifca.

Me krijimin e kushteve të reja të punës, përveç rritjes së cilësisë, ka nisur puna për zgjerimin e gamës së akreditimeve. Me akreditimin e 5 testeve të reja që janë në proces, Instituti arrin një shifër prej 107 testesh të akredituara, shifër, e cila përfshin edhe analizimin e mbetjeve në produkte bimore për 430 pesticide. Ky është edhe një angazhim në kuadër të marrëveshjes për Ballkanin e Hapur, për garantimin e produkteve bimore nga mbetjet e pesticideve. Objektivi është akreditimi i 11 testeve te reja deri në fund të vitit 2022, që e çon në total numrin e testeve të akredituara në 118. Testet e reja garantojnë sigurinë ushqimore në vend për konsumatorët, si dhe orientojnë eksporte të sigurta të produkteve tona drejt BE-së.

“Instituti ka bërë një punë të rëndësishme, në përputhje me akreditimin, numrin e analizave. Nëse i referohemi 4-5 viteve më parë instituti bënte 8 analiza, pra ishte i akredituar për 8 analiza, sot kemi 96 dhe sot nga akreditimi ne marrim përgjigje edhe për 5 analiza të tjera, pra e rrisim gamën e analizave të akredituara.” – u shpreh Ministrja Krifca, teksa vijoi se – “Procesi i akreditimit po ecën shumë mirë, me 430 pesticide qe ne tashmë kemi gjendje të analizojmë nëpërmjet aparaturave, nëpërmjet të gjithë procesit teknik që kanë përftuar specialistët tanë, sepse pra nga 100 punonjës, 24 prej tyre janë doktorë shkencash, ne jemi në gjendje që të validojmë dhe t’i japim garanci të plotë ushqimore eksporteve tona tashmë, me një konformitet edhe të analizave të mbrojtjes së bimëve. Ne kemi mbështetur institutin këtë vit, kryeministër, me 30% më shumë të buxhetit sesa në vitin më të mirë të buxhetit që ka pasur dhe e bëjmë këtë sepse pa këtë institut ne nuk garantojmë  dot, volumet e eksporteve që na nevojiten sidomos për produktet bazë si dhe të frutave-perimeve. Analizat e 430 pesticideve ishte një detyrim edhe për marrëveshjen e Ballkanit të Hapur, pra garancia ishte që ne do ta kryenim atë proces dhe unë dua të falënderoj këtë ekip.” – shpjegoi lidhur me këtë fakt Ministrja Krifca.

Gjatë bisedës me punonjësit, Kryeministri Rama tha se ISUV  duhet t’i jepet një status i veçantë, ai i Qendrës Kërkimore Shkencore. “Ne duhet t’i japim një status të veçantë se ky është ndër të paktat institute, që duke patur parasysh, në këtë fushë po, por them në tërësi është nga të paktat struktura që shpëtuan nga ajo therja e madhe që u bë atëherë. Ishte e tmerrshme. Kështu që ne duhet ta shohim, të bëjmë një status të veçantë që të mos jenë administratë publike se s’kanë si të jenë administratë publike dhe te trajtohet si qendër kërkimorë shkencore. Falënderimi më i mirë është: Uluni bëjeni gati, që me buxhetin e ri ta bëjmë.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Previous Miratohen vendimet për indeksimin e pensioneve dhe rritjen e pagës minimale, përfitojnë 900 mijë qytetarë

Leave Your Comment