Në dialogun me fermerët e Lushnjës për rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Në dialogun me fermerët e Lushnjës për rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë

Dialogu i hapur me fermerët e Lushnjës, të mirënjohur për përkushtimin ndaj tokës dhe konkurrues të denjë të tregjeve europiane me produktet e tyre cilësore, vijoi këtë të shtunë dialogun mbarëkombëtar të  kryeministrit Rama në bashkitë e vendit, në disktutimin për bujqësinë zhvillimin e agropërpunimit, rritjen e eksporteve dhe mbështetjen e qeverisë në vijim.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Nëse ndonjëri nga ju ka diçka për të thënë, do ishte më mirë, që të mos e bënim si thjesht mbajtje fjalimesh, po edhe si bashkëbisedim duke qenë se këtu jemi edhe në një vatër të Partisë Demokratike që është Neta dhe Neta mbase na thotë dy fjalë, se ty nuk të thonë dot patronazhiste, e ke parasysh. Kështu që jepini mikrofonin Netës të thotë dy fjalë për ecurinë e punëve dhe për çfarë duhet të bëjmë ne tani akoma.

– Faleminderit që na keni respektuar. Për të mirën e punës, edhe këta e dinë, duhet të bëjmë diçka. Kemi ecur goxha, gjynah të qahemi, por ky sezoni i dytë është për gjithë botën. Domethënë është për gjithë botën kjo krizë, siç ra virusi  bëjmë dhe shaka me fermerët, siç na kapi ne, ka kapur edhe tek domatja. Po të tregoj një fakt. Kisha një fermer, 7 dynymë domate i kishte ekstra, pastaj në një fazë i ra virusi. I bëmë analizat virusit, i gjetëm një diagnozë me një agronom këtu nga Lushnja dhe tani i ka për bukuri, kështu që duhet një bashkëpunim, një bashkim siç keni thënë ju, kooperativat. Edhe ta bëjmë grup, se s’kemi pas kaq shumë përkujdesje sa është shtuar, siç kemi pas mbështetje edhe nga Taulanti, edhe nga Eriselda. Kështu që faleminderit, tani duam vetëm te pesticidet. Interesohu tek pikat që shpërndajnë pesticidet, vetëm kontroll dhe kontroll, po deshët të shkojmë në Evropë.

 – Përshëndetje! Problemet tona janë pa fund, por dy gjëra të vogla na duken si ai guri nën këpucë. E para, ne insistojmë akoma tek subvencionimi për njësi prodhimi për ne prodhuesit. Jemi në kushtet që kemi marrë subvencionim, por tani që kanë ndryshkur kartat jo nga kriza, jo nga lufta, këto subvencionime janë pothuajse në kushtet të pamjaftueshmërisë. Problem tjetër që na ngacmon, kemi problem të madh me median z. Kryeministër. Na sulmojnë një herë e na thonë ‘’produktet tuaja s’janë të mira’’. Unë jam një përfitues nga AZHBR-ja, i monitoruar nga linja, nga ministria , nga AZHBR-ja, nga Komuniteti Europian, e dëgjojmë nëpër media lloj-lloj. Ju lutem tani, atyre zotërinjve, edhe nëpërmjet qeverisë suaj, unë kam investuar tani  1 milionë e 100 mijë euro. Unë nuk mund të vuaj një publicitet negative për biznesin tim. Për ne është shumë shqetësuese. Ndoshta ju si qeveri keni mekanizmat tuaja për ta normalizuar këtë fenomen!

Kryeministri Edi Rama: Mirë, shumë faleminderit. Më çove në këmbë tani me këtë punën e mediave, se faktikisht ky është realiteti i hidhur i përditshëm i gjithë atyre që iu drejtohen ekraneve, ju drjetohen portaleve për të marrë informacion për vendin ku jetojmë. Është realiteti i hidhur i përditshëm sepse shumica dërrmuese e këtyre pasqyrave medikatike janë të deformuara nga interesat e pronarëve, nga babëzia dhe nga influencat e këqija të pronarëve, nga një kulturë mizerabël e investimit në media për të vënë në gjoba, gjoba të cilat i vihen qeverisë, por gjoba të cilat i vihen dhe bizneseve. Me paguaj që mos të të bëj copash me lajme të rreme edhe me informacione të deformuara. Ky është një realitet shumë fatkeq, shumë, shumë fatkeq. Kur ne ndërmorëm atë përpjekjen për të vendosur një kuadër ligjor për shpifjen, unë jam habitur nga numri i sipërmarrësve që më çonin mesazhe e më thonin “mos u tërhiqni, mos u tërhiqni’’. E mora njërin dhe e pyeta; “Po ju ça keni’’? “Ne na mbytën” – tha, “na mbytën me gjoba”, dhe këto goditje për fat të keq në biznes i marrin ata të cilët krijojnë punë, ata të cilët prodhojnë dhe më e rënda nga këto goditja, është pa diskutim goditja mbi prodhuesit e ushqimit, goditja mbi ata që prodhojnë fruta, prodhojnë perime, të cilat i eksportojnë ne BE dhe ndërkohë shqiptarëve këtu, nga këto media, u thuhet ‘’kujdes, bëni kujdes sepse çdo gjë që hani këtu, mund t’ju helmojë’’.

Ndërkohë që ne kemi prodhime të certifikuara dhe prodhime që rritet volumi i tyre për eksport dhe kthimet mbrapsht të kamionëve tanë, të prodhimeve që eksportohen nga BE, që është, ju e dini më mirë se unë, se çfarë kontrollohesh e çfarë kërkesash ka, janë zero. Atëherë si ka mundësi të ndodhë kështu? Për fat të keq kështu ndodh, nuk kemi ça i bëjmë fare. Dhe e kam thënë dhe e përsëris, problem më i madh me të cilin e përballemi sot është kthimi i gjysmë të vërtetave në një industri gënjeshtrash, se nuk thonë kot, gjysmë e vërteta është gënjeshtra më e madhe. Nëqoftëse kamera, gazetari me urdhër të pronarit shkon për të degjeneruar fshatin sepse do që t’i bjerë qeverisë, sigurisht që kur merr një fermer apo disa fermerë që hedhin mollën në kanal, tregon një fakt, patjetër. Ata nuk janë aktorë, janë realë, por ama kjo është gjysma e së vërtetës sepse gjysma tjetër e së vërtetës është që nga ana tjetër e kanalit, janë 100 të tjerë që mollën e eksportojnë. Në jemi ndër eksportuesit e mëdhenj të mollës në rajon, për shembull, për të mos thënë që jemi kryesorët me domaten.

Me Fridën po flisnim mbrëmë për të dhënat e fundit sepse pretendojmë që në fund të këtij viti, na gënjen mendja kur thotë populli, të kapim gjysmë miliardi euro eksporte, gjysmë miliardi euro eksporte bujqësore Shqipëria, është një shifër që kurrë nuk e kemi, jo arritur po nuk e kemi imagjinuar sepse kur ne e nisëm këtë punë me partinë e Netës që na la copë-copë, se nuk na la copë-copë vetëm ne por la dhe Netën copë-copë. Neta u ngrit me armikun, se me partinë e vet ishte në fushë. Armiku të ngriti, kjo është e vërteta. Ti na çmende, ti luftojë kundër nesh dhe ne tu gjendëm pranë, se kështu është, të vjen nga nuk e pret jeta.

120 milionë euro eksporte kishte Shqipëria, gjithë ky vend, e flasin këta për bujqësi, e na tregojnë po ikin njerëzit se nuk ka. Nuk është absolutisht e vërtetë. Ata që ikin janë në të drejtën e tyre të kërkojnë më shumë, patjetër, a gjejnë a nuk gjejnë më shumë atje ku ikin, kjo është pyetje tjetër pastaj, por ne nuk do t’i hymë kësaj.

Ishim përpara se të vinim këtu tek fabrika e mermerit dhe aty ishin disa punëtorë që ishin kthyer prapë, kishin vajtur e ishin kthyer prapë. Kjo është pjesë tjetër, por ama të flasësh sot paraqende dhe tu tregosh njerëzve sesi fshati po vdes, sesi nuk ka bukë për të ngrënë, sesi njerëzit të gjithë po ikin. Po mirë, kush po i bën gjithë eksporte? Të vdekurit po i bëjnë?

Ne sot këtu në Lushnje kemi një realitet komplet të transformuar nga çfarë ishte, gjithë këto pika grumbullimi ku ishin? Sepse puna e njerëzve nuk lindi me qeverinë tonë, njerëzit punonin, por ishin në hall të madh, nuk kishte pika grumbullimi, nuk kishte zinxhir, çdo hallkë ishte e këputur. Ndërkohë që sot jemi në kushte të tjera dhe ambicia jonë është që ta çojmë në 1 miliardë eksporte, 1 miliardë euro brenda kësaj dekade. Pra, në 2029 do ta çojmë 1 miliardë euro. Si do ta çojmë 1 miliardë euro? Duke vazhduar t’iu mbështesim juve dhe juve duke vazhduar të rrisni kapacitetet.

Tani jemi në një fazë kur duhet të shkojmë më përpara. Ajo që tha Neta është thelbi mbi të cilin ne duhet të mendojmë dhe të cilin duhet ta zhvillojmë sepse i keni bërë pikat e grumbullimit, por nuk mjafton, duhet tani të krijojmë bursën, duhet të krijojmë transparencën e çmimit sepse unë jam shumë dakord me aspektin që është ekonomia e tregut që vendos, por nga ana tjetër, prodhuesit, ata që bien produktet tek ju, duhet të ketë një transparencë, ta dimë sa është çmimi sot dhe jo të bëhet një luftë që të kujton atë shprehjen e dikurshme që, “Njeriu është ujk për njeriun, kush të shqyejë nga tjetri” sepse këtu është e qartë që sa më shumë bashkëpunim, aq më mirë për të gjithë, sa më mirë të jetë tjetri aq më mirë je ti.

Thoshte gjyshja ime “Komshi i lumtur, shtëpi e lumtur”. Të kesh komshiun e inatosur të futet shtëpia në hall. Si qenka kjo punë, ti të hash e të pish e komshiu të mos ketë për të ngrënë e për të pirë? E ke keq punën se herët a vonë do të të thyejë xhamat, kështu që duhet bërë bashkëpunim.

Kjo pjesa që foli kryetarja e bashkisë që na duhet të ndërtojmë një pikë ku ta çojmë një hap përpara këtë punë dhe jo vetëm të prodhojmë dhe eksportojmë direkt nga fusha, por edhe të agropërpunojmë. Kemi këtu një zinxhir pikash grumbullimi që është fantastik dhe zinxhiri i pikave të grumbullimit në Lushnje, që ta themi deri në fund, ka dhe një meritë shumë të madhe; e ka bashkuar komplet PS me PD totalisht sepse njerëzit këtu kanë kuptuar që politika është për pas pune, nuk mund të vijë politika e të bëjë punën këtu dhe të futen mollët në sherrin politik.

Më vjen shumë mirë që të gjithë grumbulluesit, edhe ata të PD po ia marrin PS dhe qeverisë së saj produktin, aq më tepër sot kur kuptohet që PD-ja është bërë si ato mallrat që ta kthen pika e grumbullimit.

Ndërkohë, na duhet agro-përpunimi dhe për agro-përpunimin unë ju ftoj juve që të bëheni pionierë, duke krijuar një grupim për të ndërtuar sisteme agropërpunimi. Ndërmarrje tjetër, e ke serrën, është një ndërmarrje; e ke këtë këtu, pikën e grumbullimit, është një ndërmarrje, një ndërmarrje tjetër bashkërisht me bashkinë, bashkia futet aksionere, ju fusni 1 lek, bashkia fut 3 lekë dhe qeveria fut 6 lekë dhe bashkërisht ndërtojmë një sistem, një bërthamë agropërpunimi që të nxjerrim produkte autoktone të përpunuara. Të gjithë këto produkte të kenë edhe nënproduktet e tyre, që janë një vlerë edhe më e lartë edhe për tregun vendas, edhe për eksportin.

Ajo që unë mund t’iu premtoj, duke parë dhe suksesin domethënës këtu sepse e përsëris, kur kemi ardhur këtu në fillim me Dhimon nuk ishim në këtë situatë, ishim shumë më larg sesa sot, por sot duhet të shohim shumë më larg sesa ç’jemi. Kështu që, unë ju premtoj që do të infektohemi vetë bashkë me Fridën dhe fatmirësisht, Frida është personi i duhur për ju, në aspektin që e kupton shumë mirë që të bësh ministren e Bujqësisë nuk është të rrish në zyrë dhe të bësh politikat thjeshtë, por është t’i rrish pranë protagonistëve të bujqësisë dhe t’i ndihmosh drejtpërdrejtë sepse akoma jemi në një fazë kur na duhen protagonistët, edhe si forcë shembulli për të tjerët dhe do të investohemi për të bërë këtë që tha kryetarja e bashkisë, bashkërisht, për të ndërtuar këtu një model që ta marrin pastaj dhe të tjerët. Një model ku çfarë është për tu agropërpunuar të shkojë atje dhe të jetë si një kombinat, por një kombinat i cili është pronë e përbashkët, nuk mund ta bëjë shteti kombinatin. Kombinati mund të bëhet nëse ju bëheni promotorë, me një grupim fermerësh, grumbulluesish, prodhuesish dhe fusni një shumë të caktuar si aksion, bashkia fut një shumë tjetër, qeveria nuk do të jetë aksionere, qeveria shton shumën kryesore, ju ndihmon edhe për të garantuar një kredi të mundshme dhe ai është një biznes. Bëjmë një kombinat fantastik për të prodhuar këtu reçelra, komposto, salca e të tjerë e ju nuk hidhni më asnjë kokërr fruti apo zarzavateje sepse nuk e përmbush cilësinë për tu futur në ato arkat që shkojnë për eksport. Gjithë ajo pjesë shkon për përpunim.

– Sa për dijeni, ne jemi bërë “Made in Albania”, “Made in Lushnja”. Dua ta them këtë që tregu i Europës është shumë i uritur për mallrat tona dhe në këtë moment jemi munduar të mos lënë asgjë të shkoje dëm. Kemi startuar këtë pjesë dhe vazhdojmë ta mbajmë këtë situatë në dorë, por kemi një sëmundje. Ja u them gjithë fermerëve. Kemi arritur që jemi më shtrenjtë në blerjen e çmimeve të produktit dhe prapë na thonë është lirë. Këtë nuk arrij ta kuptoj. Para një jave bëra një xhiro në Greqi për të parë kolegët dhe shikoj që shumë shqiptarë rrinë kot andej. Këtu po të punojë familja nuk ka më interes dhe Greqia ka mbaruar punë para nesh. Të kesh 2 persona nga familja tek firma ime dhe e motrës, se kemi mbi 24 vjet që punojmë. Sot tregu ka etje që këto miliona euro që ne po i diskutojmë i realizon shumë më shpejt industria përpunuese. Thirrja që ju keni bërë dhe që ishte domosdoshmëri, them që agropërpunimi është një lumë i pashterur. Sot Europa do produkt “Made in Albania” sepse ne jemi natyralë dhe kemi kërkesa. Nuk po gjejmë toka me noteri për të ndërtuar ato kooperativat, por i bëj thirrje të gjithëve të kthehen se rrogat i kemi çuar më shumë se çfarë deklarojmë.

 

Kryeministri Edi Rama: E thotë ky këtë dhe e di pse e thotë, e thotë sepse ne Shqipëria kemi sektorin më të pataksuar bujqësor të botës, jo të Europës. Rrogat i kemi më shumë thotë sesa deklarojmë, edhe natyrisht që po. Të gjithë marrin më shumë seç deklarohet e ky është një problem i madh për ne si shtet, por te fshati ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe nuk e kemi gërrmuar më shumë këtë pjesë.

Prandaj, kur vjen puna te pagat, që dalin atje, na dalin më të ultat se të tjerët në rajon, sepse kemi një mungesë deklarimi. Por ajo që është më e rëndësishmja që u tha këtu, nuk ka më, është e kotë, nuk ka më çfarë bën një shqiptar në Greqi, në Itali, nëse është në sektorin bujqësor. Nuk ka më çfarë bën. Këtu po, këtu ka çfarë bën. Krahasimi i drejtpërdrejtë pagë me pagë nuk mjafton sepse tjetër është të marrësh një pagë dhe të kesh shpenzime minimale për qira e të tjera dhe tjetër është të marrësh një pagë e të kesh gjithë ato shpenzime. Në këtë fushë, unë jam shumë optimist. Kemi probleme edhe me tokën, të natyrës që mbajnë peng tokën. Këtë nuk do ta lejojmë. Po pregatisim një ndërhyrje ligjore tani, që tokën nuk mund ta mbash peng. O punoje, o jepe. Jepe me qira, po s’mund ta mbash peng. Nuk mund të thuash “është toka ime”. Ajo është tokë buke, ti e mban me plehra. Nuk mundet. O punoje, o jepe. Do ta bëjmë këtë me ligj ose me një super takes, siç e bëjnë vendet e tjera ose me forma të tjera që në tokën që ti ke, nuk mund ta mbash kot. E fundit që kam është, shikojini sot mediat në darkë. Jam i bindur që do shikoni ndonjë në ndonjë fshat këtu në Lushnje që do dali e do ankohet dhe asgjë nuk keni për të parë nga këto që folëm ne. Nga këto që folëm ne, -edhe mund të shihni se mund të më japin një minutë mua-, po në media keni parë ndonjëherë ju “shih sa bukur punon kjo pika e grumbullimit”, “shih sa eksporton ky”, ‘shih sa fshatarë vijnë këtu”…,  kurrë, kurrë, kurrë. Kush nuk vjen në fshat, kush nuk e njeh fshatin dhe e sheh Shqipërinë nga televizori mendon që në fshat është mesjetë.

Ju siguroj që nëse bëni sondazh me ata që janë jashtë ose dhe me ata që jetojnë në qytet dhe s’kanë parë fshatin, e i thua “ka bukë në fshat?”, – do thonë – jo nuk ka, po vdesin.

Kjo është fatkeqësia e madhe që ne çdo ditë jetojmë në një vend ku mediat janë të investuara për të helmuar opinionin publik, për të helmuar njerëzit për arsye korruptive, për arsye se duan të marrin gjëra, favore të pamerituara, për arsye se nuk e kanë sensin e misionit fare apo për arsye se i shërbejnë politikave të caktuara.

Mediat e ekuilibruara që janë pak, po dhe tek ato është shumë e vështirë të shikosh lajme pozitive nga vendi, ngjarje pozitive nga vendi. Ndërkohë që nuk mund të ketë lajm më pozitiv për Shqipërinë sesa nëse ne arrijmë gjysmë miliard euro eksporte këtë vit. Nuk mund të ketë. Megjithatë ne nuk kemi rrugë tjetër, do vazhdojmë punën siç vazhdoni ju, do vazhdojmë dhe ne, do vazhdojmë bashkarisht dhe do bëjmë më të mirën që të shtojmë prodhimin, që të rrisim agropërpunimin, që të gjendemi pranë atyre që janë kampionët e punës dhe që janë një lokomotivë që tërheq mbrapa të tjerët dhe jam i sigurt që më herët sesa vonë edhe shumë të tjerë që e kanë lënë fshatin për të ikur dhe për të punuar për të tjerët jashtë, do ta kuptojnë që të ardhmen e kanë këtu, nuk e kanë atje.

Shumë faleminderit!

 

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Nëntor 2022