Në Dibrën e turizmit të rilindur me mençuri, punë të palodhur dhe mbështetje nga qeveria - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Në Dibrën e turizmit të rilindur me mençuri, punë të palodhur dhe mbështetje nga qeveria

Me mikpritjen tradicionale dibrane të bujtinave autentike, të çelura falë mençurisë dhe punës së palodhur të njerëzve, si dhe mbështetjes përmes skemave kombëtare, vijoi këtë të shtunë turi i Kryeministrit Edi Rama në bashkitë e vendit, në një bashkëbisedim me guida turistikë të zones, për turizimin e rilindur të Dibrës, që për herë të parë këtë vit priti 26 mijë turistë të huaj, falë investimeve madhore në infrastrukturë që lehtësojnë aksesin në zonat me natyrë mbresëlënëse.

* * *

Është kënaqësi e veçantë që jemi këtu sot. Më vjen keq që unë nuk i gëzohem dot këtij diellit, se unë dua shi sepse nëse nuk kemi shi, kemi atë hallin e madh të çmimit të energjisë elektrike, pasi detyrohemi të dalim në import dhe aty tregu ka ikur fare, është çmendur komplet, ndërkohë që ne duam ta mbrojmë me çdo kusht çmimin për familjarët dhe pikërisht për këtë shtresë, sipërmarrësit të vegjël, që falë mbështetjes që marrin nga qeveria, por falë dhe kësaj mbrojtje mund të vazhdojnë të operojnë normalisht. Nga ana tjetër, duhet patjetër që secili të ketë parasysh të fikë ato dritat, jo si Kapllani. Kapllani i kishte lënë ndezur gjithandej, “i kemi ndezur për ty” – më tha mua. Po të kishte çmimin real Kapllani do të kishte mbyllur dhe perdet për mua, se do i dukej dhe drita e diellit sikur po e paguante vetë.

Kështu që, ju lutem shumë e rëndësishme kjo pjesë. Por ndërkohë është fantastike ajo që po ndodh dhe më shumë sesa ajo që po ndodh është fantastike ajo që vjen si rezultat i vazhdimit të kësaj që po ndodh. Gjithë këto struktura të reja që po marrin jetë, po krijojnë një ekonomi tjetër, dhe familjare dhe pak nga pak edhe vendore, janë një tufë dallëndyshesh që lajmëron një pranverë për Dibrën e viteve që vijnë sepse sot ka filluar të krijohen kushtet që Dibra të jetë destinacion turistik.

Është thënë shumë herë kjo gjë, por si shumë gjëra të tjera të thëna e të stërthëna ne jemi ata që i bëjmë. Natyrisht me të gjitha vështirësitë, me të gjitha pengesat dhe me të gjitha ato pjesë të punës që mbase dhe ne mund t’i bëjmë më mirë ose nuk i kemi bërë si duhet, por ama ne i bëjmë.

Sot jemi në një vit që numërojmë 26 mijë turistë në Dibër. E paimagjinueshme deri pak vite më parë, jo deri shumë vite më parë, por deri pak vite më parë. Kush do vinte në Dibër këtu nga ajo rruga e llahtarshme? Ja pra Rruga e Arbrit është realitet. Nuk është ende e përfunduar sepse tuneli i Murrizit ka shfaqur një problematikë gjeologjike, – gjëra që ndodhin, – shumë të rëndë dhe për këtë arsye tani kompania ecën me ritmin e breshkës, një metër në ditë sepse duhet kujdes shumë i madh, fortifikim shumë i posaçëm, por ndërkohë procedura për Planin e Bardhë dhe për qafën e Buallit ka përfunduar, kështu që ato fillojnë së shpejti të realizohen dhe ndërkohë me buxhetin e vitit të ardhshëm është planifikuar edhe lidhja me Maqellarën që praktikisht e sjell makinën me rrugën e Arbrit deri në qendër të Peshkopisë dhe kjo është besoj se rëndësishme.

Ashtu sikundër,  është shumë e rëndësishme dhe tjetra që po ecim me rrugën e Lurës dhe me rrugën lidhëse të Bulqizës me Librazhdin, por kemi vetëm një problematikë shpronësimesh që kërkon edhe kohë, por kërkon dhe lekët e veta. Dhe me fondet nuk është se jemi në ditët më të mira për shkak se po na ha shumë mbrojtja nga çmimi i energjisë elektrike dhe mbrojtja nga çmimi i energjisë elektrike ka bërë që ta mbajmë sidoqoftë inflacionin më ulët se vendet ectjera të rajonit. E di që ky nuk është ndonjë ngushëllim i madh për ata që gjithsesi në çdo hap dhe për çdo herë që fusin dorën në xhep për të blerë diçka i vjen edhe dora e mostrës së inflacionit të luftës dhe i thotë: “dua dhe unë pjesën time”, por ama e vërteta është që është më ulët. Nëse ne nuk do mbronim gjithë sistemin e shërbimeve dhe nuk do të financonim koston reale të energjisë atëherë që sigurisht një pjesë e faturës së energjisë së rritur do t’i kalonte drejtpërdrejtë konsumatorëve dhe atëherë do të ishte vërtetë e dhimbshme deri në palcë goditja e inflacionit të luftës.

Kjo po mbahet dhe do duhet të vazhdojmë ta mbajmë, që do të thotë që nga diku do hiqet që të mbahet. Dhe nuk jemi akoma në fazën që mund të shtrijmë këmbët plotësisht sepse e kemi akoma jorganin të shkurtër. Shpresojmë shumë që do të marrim një lajm historik për shekullin dhe jo për vitet që vijnë nga eksplorimi i naftës dhe i gazit në zonën e Shpiragut nga Shelli, por kjo është një shpresë, jo e vogël sepse gjasat janë pozitive, por megjithatë ne nuk mund ta llogarisim këtë për sa kohë nuk kemi konfirmimin e plotë që ai burim do jetë në dispozicion të ekonomisë tonë, në rast se ai burim do vihet në dispozicion të ekonomisë tinë do bëjmë komplet biseda të tjera, totalisht. Por në ndërkohë unë dua ta nënvizoj me forcën e shembullit tani, se kur ne nismë këtë historinë e re të agroturizmit, që nuk kishte fare asgjëkundi, tek tuk ndonjëri, por asnjë lloj politike asnjë lloj mbështetje. Flitej me vite, me fushata e me dekada, “do bëjmë turizëm këtu”, por sesi do bëhej ky turizëm asnjëri nuk e kishte idenë. Dhe nuk kishte si ta kishte idenë se mbaronte fushata, ikte dhe nuk kthehej më, si puna e rrugës së Arbrit që premtoi e premtoi dhe nuk u bë kurrë, apo rruga e Lumit të Vlorës që premtoi dhe nuk u bë kurrë dhe janë premtime të nisura që në kohën e komunizmit, jo sot.

Ndërkohë që ne i bëjmë, ky është fakti. Dhe me agroturizmin tani kemi shembuj konkretë, jo vetëm këtu, por në rreth 30 pika që funksionon. Ja kjo familja këtu, ju e njihni, unë pata fatin dhe privilegjin t’i njoh sot, njerëz të jashtëzakonshëm, të punës, me ide të qarta, me plane të qarta për t’u zgjeruar, me sens të qartë se çfarë kërkon realisht një turist i ri që vjen, jo ato kollonat e gipsit falso si në Greqinë e lashtë që i bëjnë ata të klubeve nëpër qytet, por gjera autentike. Ka një histori emigracioni kjo familja. Sikundër sot, në mëngjes ishim tek një djalë emigrant, i cili ka ngritur një super fabrikë me auto prodhim energjie, nuk paguante asnjë lek, zero lek energji elektrike sepse kishte bërë fabrikën që prodhonte energji për ato punë që ishin punë për Fiatin dhe një sërë kompanish në Francë e në Gjermani të makinerive, traktorë, makineri bujqësore, e kështu me radhë. Dhe përtej kësaj është shumë e rëndësishme dhe pjesa tjetër që foli Mirela për vlerësimin e mëtejshëm të gjithë aseteve natyrore. Kemi një element të cilit do t’i kushtojmë më shumë rëndësi të këtë fazë që është një element mbështetës dhe plotësues i gjithë këtij sistemi të mikpritjes, që është elementi i artizanatit, duke i financuar dhe duke i mbështetur gratë që qëndisin, që qepin, që prodhojnë kostume, qilima, qeleshe dhe gjithë llojet e produkteve që duhet të jenë produkte autentike artizanale, jo të krijuara sa për sy e faqe. Kjo është një pasuri tjetër, që do të sjellë ta ardhura të mëdha. Një qilim i bërë më dore dhe i bërë bukur nuk ka të paguar.

Po ashtu, gjithë pjesa e bujqësisë dhe blegtorisë që po zhvillohet në të gjithë qarkun e Dibrës në mënyrë mbresëlënëse, është një qark që ka eksporte të konsiderueshme, është një mbështetje e madhe për këtë turizëm sepse vjen kërkesa e kombinuar, jo thjesht që të kem një vend tradicional ku thjesht të fle, por të kem dhe ushqime tradicionale, po të kem mundësi të shoh edhe si bëhen edhe nga ku dalin, si vijnë deri në tavolinë, se për këtë vijnë këtu turistët dhe për këtë shkojnë në agroturizma në gjithë botën, nuk shkojnë për të parë hotele me xhama se hotele me xhama i shohin në vendet e tyre, i shohin në Tiranë ose në Durrës, nuk i shohin këtu.

Në mbyllje, dua t’i them të gjithëve, sidomos për ata që janë më të rinj, të mendosh të largohesh është legjitime, të mendosh të çash detin dhe të shohësh përtej dhe të arrish për dy ore, tre orë aty ku është zhvillimi dhe pasuria më e madhe e Europës apo e botës është legjitime. Të gjitha vendet e kanë kaluar këtë histori, ne jemi në fund të kësaj radhe sepse historia jonë është e tillë, por sot nuk është siç ishte deri dje. Sot janë mundësitë këtu, sidomos për ata që kanë një shtëpi të vjetër, sado të rrënuar në fshat ose që kanë një tokë në fshat. Është një mundëisi reale për ta kthyer në një pasuri dhe për të fituar dyfishin, trefishin, pesëfishin e asaj që fitohet me punë atje. Të punosh për dikë tjetër atje është fare i thjeshtë ekuacioni dhe këtu nuk është më fjala ime dhe fjala jonë, këtu janë faktet dhe shembujt konkretë.

Dje ishim në një mikro-bujtinë, ishte një familje aty dhe kishin një plan investimi fantastik që do të rrisë kapacitetin e tyre për të pasur më shumë turistë dhe do rrisë dhe të ardhurat e tyre. Është fituese kjo gjë sepse e ka bërë Zoti këtë vend, për telha kur i thonë, e ka bë ditë diele kur ka qenë pushim, e ka qëndisur. Këtu e gjithë mençuria është ta vëmë në dispozicion të fitimit ekonomik gjithë këtë bukuri se njerëzit do vijnë për këtë bukuri dhe pastaj do gjejnë njerëz që do t’i japin mundësinë që të shijojnë pjesën tjetër që ka të bëjë me ushqimin, me fjetjen, me shtigjet se ku duhet shkuar, çfarë ka për të parë dhe kjo është gjëja.

Sa i takon emigracionit, është pjesë e historisë. Norvegjezët sot janë sheikët e Europës. Norvegjia ka pasur një zbazje totale në fillim të shekullit të shkuar sepse aty ishte realisht uri, jo uria që thonë këta që nuk e kanë idenë ku bie fshati në Shqipëri dhe thonë “Po vdesin njerëzit për bukë” se për bukë, shqiptarët nuk kanë vdekur në kohën e Skëndërbeut e jo të vdesin sot. Nuk është çështje e bukës në kuptimin e urisë dhe të mbijetesës, është çështje e kapërcimit të nivelit, është çështje e të pasur paga më të larta, punë më cilësore e të tjerë.

Ne nuk jemi ende një vend i zhvilluar, ne jemi një ekonomi në zhvillim, me të gjitha vështirësitë e veta sepse prapambetja strukturore është e tmerrshme, ne sot kemi, ju keni 24 orë ujë nga e hëna dhe tani kanë filluar ankesat, më tha kryetari i bashkisë, që vjen me shumë presion. Në rregull, por ama 24 orë ujë kjo zonë nuk ka pasur as në kohën e komunizmit, të mbretërisë jo e jo, të perandorisë harrojë.

Kështu që, ka disa që thonë “akoma për ujin flisni ju”, por mirë, është faji im a është përgjegjësia jonë që e gjetëm këtë vend pa ujësjellësa? Si t’ja bëjmë? Meqë nuk duhet të flasim për ujë, le të flasim për satelitët.

Edhe satelitët po i çojmë, paralelisht, edhe vendi i 8-të në Europë për shërbimet publike online jemi. I kemi gjërat në të cilat kemi avancuar më shumë, ka gjëra që avancojnë më avash, ka vështirësi të mëdha. Ne nuk jemi magjistarë, nuk jemi të pagabueshëm, perfektë jo e jo, por ama kush e di çdomethënë puna, e di dhe që gjërat bëhen hap pas hapi.

Kështu që, në Burrel 24 orë ujë së shpejti. Po ndërtohet e gjithë infrastruktura, gjithë qyteti me tubat. Po pse, faji jonë është që nuk ishte vënë dorë kurrë dhe ka pasur 1 orë e 2 orë ujë edhe në kohën e komunizmit? Si mund të bëheshin të gjitha këto në kushtet kur në mandatin e parë ishte gjithë ajo gropë e madhe e tmerrshme borxhesh dhe mandatin e dytë ne nuk morëm dot frymë? Tërmeti, pandemia e sa thamë dolëm nga pandemia dhe filloi një kthesë e rëndësishme ekonomike,vjen lufta.

Lufta me bomba është atje, por inflacioni është këtu dhe kriza e çmimit të energjisë, e shkaktuar nga lufta me qëllim, se shumë njerëz thonë “Ça lidhje kemi ne me luftën”?

Ne kemi një lidhje shumë të thjeshtë me luftën; lufta nuk është bërë, ai diktatori atje në Kremlin nuk e ka bërë planin e luftës dhe nuk e ka filluar luftën për Ukrainën, Ukraina është sebepi. E ka filluar për të gjunjëzuar gjithë perëndimin dhe ne jemi pjesë e botës perëndimore, jemi ana perëndimore e Rusisë, nga Polonia deri në Britani e deri në Amerikë.

Lufta është për të gjunëzuar perëndimin, rritja e çmimeve në stratosferë e gazit dhe energjisë elektrike është për të gjunjëzuar perëndimin, inflacioni është për të gjunjëzuar perëndimin, për të futur shejtanin në barkun e miletit dhe për t’i thënë miletit “Çohuni tani se jua kanë fajin këta”, kudo. Si ska lidhje? Ka lidhje që ç’ke me atë punë.

Ne i kemi lumenjtë, por në prizë nuk vjen lumi, në prizë vijnë dritat që i prodhon hidrocentrali dhe kur hidrocentrali nuk ka ujë që të prodhojë dritat, do dalësh ta blesh jashtë. Edhe sikur të gjithë hidrocentralet tona të jenë plot, na duhet 25% ta blejmë sepse 75% i kemi sot kapacitetet. Prandaj po bëjmë parqe fotovoltaike, prandaj po hapim edhe rrugën për energjinë e prodhuar nga era, prandaj kemi sjellë dhe anijet atje që prodhojnë energji dhe do hyjnë në punë në 1 janar, prandaj kemi dhe Skavicën për të bërë, Skavicën që tani ka dhe kundërshtarë.

Për çfarë e kundërshtojnë Skavicën? Përse? Ndërkohë që, përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do jenë ata që janë aty rreth e rrotull se Skavica nuk është thjesht çështja që do na garantojë ne një nga gurët themelorë të sovranitetit energjetik që në kohët e sotme është gjë e jashtëzakonshme, por do të hapë perspektivë të jashtëzakonshme për gjithë atë zonën atje, të jashtëzakonshme, pa llogaritur që ata, të cilët do të spostohen që aty do marrin shtëpi e të gjitha me radhë. Çfarë ka këtu, pse duhet me qenë kundër? Duke dëgjuar hienat, që mos ta prishim këtë bisedë tani duke futur dhe hienat se dhe hienë dhe non grata, imagjino. Hiena vetë nuk durohet, jo të jetë dhe non grata, por nuk po i hyjmë kësaj bisede dhe më falni biles që e përmenda.

Shumë faleminderit!

 

– Mirë se erdhe. Bashkë jemi takuar në Rrëshen, isha nga ata mësuesit që kisha ardhur nga Tirana për të kontribuar për 5 vite në Lurë, bashkë me time shoqe. Më premtove do të sjell rrugën, dhe më le në Lurë. Erdhe te shtëpia ime, më the për bujtinën, jepi krah. Struktura nuk lejonte për shumë dhoma dhe bëra një mini-kullë. Jam pjesë e IPARD, në 420 milion lekë të vjetra. Kam pasur gjëra që më kanë brejtur:

E para, kur shkoj të firmos kontratën pata frikë, ku do t’i gjej 80 milion lekë për t’i dhënë 20% ministrit apo drejtoreshës?

E dyta, tani jam në mbyllje të projektit. Do bëj thirrjen për të marrë subvencionimin që jep AZHBR, por kam një shqetësim. Duke qenë mësues, nuk e kam në natyrë të gënjej dhe kam bërë një gabim. Kam pasur problem me çmimin sepse në 2021 kam firmosur kontratën e tani më kapi pjesa e çmimeve. Ja kam ngritur shqetësimin Fridës që kemi patur luhatje. Në preventiv e kam 560 mijë lekë tonin e hekurit. Kam hyrë dhe me firmën që ka xhiro deri në 2 milion euro në vit dhe kam një kontratë huaje për 2-3 vjet. A mund ta bëj këtë me firmën.

Kryeministri Edi Rama: Të them dy gjëra, për sa i takon rrugës më vjen shumë mirë që jemi në proces.  Thashë që kemi vetëm një problematikë shpronësimesh, por do ta zgjidhim dhe puna vazhdon. Ne e kemi objektivin që rrugën ta mbarojmë, rrugë turistike, me standardet e një rruge turistike, s’është autostradë. Këtu më bën shumë përshtypje. Nuk ka ngelur njeri pa shkuar jashtë, por është shumë interesante. Kur vjen puna për zbatimin e ligjit, jashtë as nuk e vënë në diskutim, këtu ligjin e duan për të tjerët, jo për vete. Kur shkojnë jashtë, ju pëlqejnë edhe rrugët e ngushta nëpër male, këtu i duan autostrada. Rrugët turistike, janë rrugë turistike. Në zona të caktuara të Spanjës, kam qenë kryetar bashkie dhe jam habitur se sa të rrosh do mësosh e lum kush ka dëshirën për të mësuar, bënë një plan për të ngushtuar rrugët. Për të ulur intensitetin e trafikut. Imagjino të kërkosh rrugë me 4 korsi për në Vermosh, Theth. E them këtë sepse më bën përshtypje që nuk i del disave fjala e mirë, madje as nuk heshtin dot kur shohin një gjë të mirë. Për pjesën tjetër, do ta shohim dhe do të gjejmë një zgjidhje. Kemi gjetur një zgjidhje për kompanitë. U akuzuam shumë, prap oligarkët. Janë interesantë shumë. Oligarkët, oligarkët dhe është si vazhdimi i asaj, rreje sa më fort dikë, që të të besojë dhe këtu rrenat kanë arritur në një kulminacion të madh. Ne jemi vendosmërisht që nga dita e parë, jo sot një forcë politike që ka qenë në krahun e njerëzve të zakonshëm, jo në krahun e më të pasurve. Ne ja u kemi rritur taksat më të pasurve. Ja kemi bërë jetën më të vështirë në kuptimin e mirë të fjalës. Mjafton të shikosh aksesin në fondet publike. Sa është rritur numri i kompanive që kanë akses, më përpara ishin shumë më pak. Është rritur konkurrenca. Ne jemi ata që po ju marrim mijëra metra katrorë të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi. Ata që na thonë ne, ju jeni për të pasurit, për oligarkët, janë ata që i shëmbëllen. E patë atë ballistin që doli nga koteci, futur brenda në një pallat pa letra e bënte biznes. Doli foli si viktimë e fjalës së lirë, sikur i vajti policia. Policia s’kishte punë fare. Vajti atje sepse ishte një ndërtim i paligjshëm i cili u konfiskua. Kush punon, gabon, kjo nuk diskutohet. Patjetër që më vjen mirë që solle shembullin tënd personal. Më vjen keq që do të të thonë patronazhist ata që do të të dëgjojnë. Nuk do njeri ta besojë që këtu po s’pagove lekë, merr shërbime. Sot, 95% e shërbimeve merren pa paguar kokërr leku dhe pa pritur asnjë minutë, me telefon tek e-albania. Sot nuk shkojnë të mbajnë radha edhe për të paguar shtetit, jo më për të marrë nga shteti dokumenta. Po edhe për të paguar shtetin, për të paguar dritat, rrinin në radhë, në shi, në vapë. Sot nuk ka gjëra të tilla.

Korrupsioni, korrupsioni. Patjetër që korrupsioni është problem, po është një gjë e paimagjinueshme se çfarë prodhon gjithë kjo propagandë skandaloze, ndërkohë që gjërat janë të ndara. Nëse do të ishte e thjeshtë do e kishin bërë të tjerët, nuk e ka bërë askush, është proces, ka ulje ngritjet e veta, ka gropat e veta, ka rrëzimet e veta, të gjitha bashkë, por nuk mundesh dot të hedhësh përtokë një punë kolosale të bërë për të pastruar Shqipërinë, për të pastruar Tiranën, Elbasanin e Fierin, kolosale. Pse në bërjen e kësaj pune, disa individë dyshohen se kanë bërë korrupsion. Po kush ka bërë korrupsion në bërjen e një pune, të marrë atë që meriton nëse e ka bërë! Po si mundet kjo të kthehet e gjitha në një baltovinë nga të katërta anët dhe kjo është një histori e 5-6 viteve përpara, ndërkohë që sot është një qeveri krejt tjetër, e re e kësaj kohe. Pse hyra në këtë shpjegim? Sepse edhe kur ne axhustuam çmimet për kompani që bëjnë punë publike na thoshin që po ua u jepni oligarkëve, cilëve oligarkë? Por të mos ua jepnim, do të ndalonin punët publike se këta thonë, “ndalojini punët publike ju, pse bëni punë publike, pse bëni investime, jepini lekët njerëzve se po vuajnë”. Po patjetër por këto punë publike kush i bën? Kinezët apo australianët? Këto punë publike i bëjnë shqiptarët. Sa mijëra e mijëra familje janë që mbahen nga puna në investime publike, sa janë? Se ishim qëparë me kryetarin e bashkisë te ai projekti, kryevepër ai projekti i veshjes me kapotë, me atë shtresën mbrojtëse të eficences së energjisë të gjithë një lagjeje atje. Ishin punëtorët nëpër skela, kur ndalon punët publike domethënë zbriti ata punëtorët, çoji në shtëpi, lëri pa bukë.

Atëherë vijmë tek buka. Si bëhet kjo? Kështu që ne kemi bërë për kompaninë dhe kjo na ka ndihmuar shumë për këtë pjesë të investimeve të AZHBR nuk e kisha marrë ndonjëherë si shqetësim, do ulemi do ta shikojmë sesi t’ju mbrojmë nga goditja në këtë rast dhe patjetër që do vij ta marr dhe unë atë pirunin e sheqerpares time se një e gjitha është e rënde ajo, por një pirun do vij ta marr dhe unë por do vij nga rruga e re, nuk vij pa u bërë rruga. Do vij nga rruga e re dhe nga rruga e re do t’ju dërgoj një selam atyre që s’kanë lënë llaf pa thënë edhe për atë rrugë. Ndërkohë që nuk di sesa herë e kanë premtuar edhe kurrë nuk e kanë bërë, si Rrugën e  Arbrit. Por shyqyr dibranët e kanë shumë të shpejtë instiktin se kush është kush në një tavolinë, kështu që ua kanë kthyer kurrizin edhe ta harrojnë që t’ia shohin më gjoksin dibranëve.

Isha me një çun aty te ujësjellësi, ishte një demokrat aty. I dhashë një gotë uji atij, i thashë: ujin që s’ta solli partia, mund ta sjellë Partia Socialiste. Bojën tha kësaj kaptinës ja keni bërë blu, i thashë: në vend të hudhrës e kemi bojën blu tani. Ka diçka tjetër, dikush tjetër ndonjë shqetësim?

 

-Në fakt jo shqetësim por do të bëja një diskutim zoti kryeministër. Kur jam kthyer në Shqipëri në 2015 kisha këtë pasaportën dhe 150 euro në xhep. Me këtë pasaportën jam krenar se kjo është historia jonë por për këtë që isha brenda nuk isha krenar sepse isha endur rrugëve të Europës për tu punësuar në ndonjë punë në ato vende. Dhe thashë po, unë do rikthehem në vendin tim, madje në fshatin tim dhe do marr iniciativën që të ngre një biznes në vendin tim. Nëpërmjet rrjeteve sociale pashë disa aplikime dhe fillova të aplikoj si guidë lokale si fillim. Mora një rrugë të gjatë dhe hapa biznesin tim, Kampingun e Fluturave me një stil krejtësisht të aventurës, në një vend ku as familja ime nuk e besonte realisht që mund të vinin turistë dhe në fillim nuk i kisha mbështetëse se po më thoshin se këto leket e donatorëve në fillim pse duhet t’i hedhesh aty ku as fshatarët e mi nuk e vizitonin, me raste e shkelnin. Sot Kampingu i Fluturave ka një numër prej 2 mijë turistësh. Familja tani nuk po mundet ta përballojë dot punën sidomos gjatë fundajave. Ne punëtorët e thjeshtë të këtij vendi po i sjellim europianët e thjeshtë në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama: Të falënderoj dhe se mua më thonë këto shoqet këtu mos fol për mediat, por si mos të flasësh kur për shkak të detyrës, në këtë rast e sheh përditë që Shqipëria në fshat sot është totalisht tjetër nga ajo që tregon televizori, jo se ato që tregon televizori, çfarëdo problematikash që të jenë për fshatrat nuk janë të vërteta, por është një gjysmë e vërtetë që është një rrenë shumë e madhe. Jo se nuk është e vërtetë që ka fermerë, ata janë realisht fermerë, nuk janë aktorë që dalin dhe hedhin mollët, hedhin qepët, derdhin qumështin, është e vërtete, ata janë real, por është një gjysmë e vërtetë që është një rrenë shumë e madhe kur thua: “ja ky është ai”. Jo nuk është ai fare. Ata janë një pjesë gjithmonë e më e vogël e një mase gjithmonë e më të madhe njerëzish në fshat që të japin ujë në bisht të lugës që jo nuk i hedhin prodhimet, por po i rrisin eksportet çdo vit. Në pikën ku ne e kemi nisur, me 120 milionë euro eksporte dhe sot që flasim çdo javë shikojmë shifrat sepse na rren mendja, e them siç është shprehja, që do arrijmë gjysmë miliardi këtë vit, 55milionë euro është rritur periudha nga janari deri në gusht, mos gabohem, ose shtator krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, po kush i bën këto gjysmë miliardi eksporte edhe kudo në Europë, në Amerikë, kudo, kush i bën? I bën qeveria?

I bëjnë njerëzit. Natyrisht që ne mbështesim sa mundemi dhe duke qenë i vetmi sektor, se flasin “jo po nuk i jepni bujqësisë, jo e latë bujqësinë, po ngordh bujqësia”. Bujqësia jo vetëm nuk po ngordh, por bujqësia po ecën me hapa të sigurt, hapa të vegjël, por të sigurt dhe na tregojnë llogaritë.

Jemi i vetmi vend që nuk e takson fermerin, zero. Tani po mendojmë për një taksë të jashtëzakonshme vetëm për tokën e papunuar. Nuk mund ta mbash tokën e papunuar, nuk mund ta mbash ferrë, ose punoje ose jepe me qera ta punojë dikush tjetër, ndryshe do paguash qimet e kokës siç e bën gjithë bota. Ta kam fjalën që nuk ka fare lidhje me një dekurajim, sepse ata që janë jashtë që shohin këto televizorët marrin një mesazh komplet të përmbysur, të mbrapshtë. Ndërkohë që ti patjetër jepe, nuk ka asnjë problem ta japësh atë që hedh mollën, por ktheje kamerën njëçik se ndërkohë që kjo rruga ka disa që hedhin mollën, ke fusha të tëra me mollë që shkojnë për eksport, është i njëjti shtet, është e njëjta qeveri, është i njëjti popull, është e njëjta krahinë, njëri i ka plantacionet e mollëve që nuk mbarojnë dhe që i ka fut satelitët në punë për mollët e veta duke paguar për shërbimin e satelitëve jashtë shtetit, pra është shumë më përpara edhe se qeveria, ndërkohë që tjetri i hedh mollët sepse nuk do të kuptojë atë që ai tjetri ka kuptuar, jo se ka pas më shumë lekë, por sepse ka kuptuar se si duhet t’i adaptohesh tregut se nuk do blejë shteti mollën, por do ta blejë tregu dhe tregu kërkon këtë lloj molle e jo atë mollë, e ndërkohë hedh mollën dhe tallet me satelitët ndërkohë që ai komshiu vet i shet mollët jashtë dhe i përdor satelitët dhe ai normalisht duhet të ankohej, “O qeveria ime, mi sill këto satelitët sepse më duhen mua, i duhen fshatit, i duhen fermerëve për shërbime”. Jo, ai shkon i merr me qera jashtë shtetit shërbimet satelitore për mollët, llogarite. Kështu që, kjo është vështirësi shumë e madhe sepse vendoset një pengesë shumë e vazhdueshme.

Dalim ne dje, edhe ministrja edhe unë për të shpjeguar që ERE nuk vendos të rrisë apo të ulë çmimin e energjisë, ERE vendos çmimin, ky është çmimi i tregut, pastaj a vendoset fasha, a nuk vendoset fasha, a vendoset çmimi kaq apo aq, kjo është politikë që e bëjmë ne, nuk e bën ERE.

Jo, direkt titujt shkatërruan nervat e miletit çdo ditë “Rritet çmimi i energjisë”. E kupton? Në luftë, në kohë lufte, që gjithë bota flet për solidaritet, për mirëkuptim, jo për të qenë dakord se si gjejmë zgjidhjet por për të qenë dakord për faktet. Si mund t’ia thuash një mileti që është i shqetësuar? Po, ja thua, e di pse ja thua? Sepse ti nuk je i interesuar për asgjë tjetër përveçse ta shqetësosh miletin deri në pikën që ta tërbosh fare, ta nxjerrësh në rrugë për të rrëzuar qeverinë sepse qeveria nuk të jep ty që fshihet pas ekranit si ata që fshihen pas maskave dhe kapnin autobusat me automatikë këtu, nuk të jep ty favoret që ti i kërkon. Favore që ti kërkon, të paligjshme, gjysmë të ligjshme. Nuk t’i jep dhe nuk kanë për t’i marrë. Le të hidhen përpjetë, të dalin dhe të thonë jo 22milionë euro por 220milionë euro i kushtoi kryeministri këtij populli me avionin ndërkohë që e vërteta është që falë atij avioni promocional dhe falë një marrëveshjeje që kemi bërë, udhëtimet e mia kanë kushtuar më pak se gjysma e fondeve të Kryeministrisë krahasuar me atë që as emrin nuk ia përmend dot se më vjen për të vjellë dhe nuk dua t’iu bëj juve t’ju përzihen zorrët që me mëngjes.

Ja kjo është situata. Kjo është dashuria e këtyre për Shqipërinë, kjo është dashuria e këtyre për atdheun, kjo është feja e tyre, ky është dini dhe imani i tyre. Po e ndaloj këtu se do më sulmojnë, sa të ikin këto kamerat, këto të dyja që kam në krah  se pastaj thonë “Flasim për punën, për pozitivitetin, flasim për gjërat që po ndodhin se pastaj këta të marrin fjalët, ti çojnë”.

Ne do vazhdojmë të bëjmë atë që mundemi, sa mundemi por një gjë është e sigurt, gjë mangët nga çfarë dimë dhe çfarë mundemi, këtij populli dhe këtij vendi nuk i lëmë, me të gjitha gabimet. Ama, rrena, se tjetër gjë është të thuash “Do ta hapim Rrugën e Arbrit në verë”, vera kalon dhe Rruga e Arbrit nuk është hapur. Pse nuk është hapur Rruga e Arbrit? Sepse ka dalë një problem gjeologjik i paparashikueshëm, i paparashikuar në tunelin e Murrizit dhe kjo, këto janë gjëra që ndodhin rrugës, por ama ti nuk the një rrenë, ti the një plan të parashikuar mbi këtë bazë. Kurse, t’i thuash njerëzve “2500 policë kanë ikur nga policia, kanë hedhur kapelen, kanë dhënë dorëheqjen sepse këtu nuk kështu e ashtu”, kjo është rrenë, por një rrenë e ligë, jo rrenë për qejf: “dola për gjueti e vrava 7 derra”. Rrenë e ligë sepse vjen nga konsiderimi i popullit një turmë që nuk meriton respekt, nuk meriton të dijë të vërtetën, nuk meriton asnjë gjë tjetër përveçse të kapet për hundësh dhe të përdoret për interesa personale. Kjo e prodhon dhe normal që vazhdon edhe sot sepse është një pjesë e njerëzve që janë gati të përdoren dhe janë gati ta hanë rrenën me qejfin më të madh. Fatkeqësisht, kur edhe bota dhe miqtë më të mëdhenj të këtij vendi, edhe aleatët më të mëdhenj thonë “Ore, boll”, okej ne këtu jemi, do vazhdojmë punën dhe taksirati jonë t’i mundim edhe njëherë mirë. Këtë punë kemi, çfarë të bëjmë.

Ju falenderoj shumë!

Previous Burrel, me të rinjtë dhe të rejat që kërkojnë dhe gjejnë suksesin tek puna, talenti dhe përkushtimi i tyre në mësime dhe jo vetëm