“Në emër të Lirisë” është ekspozita e veçantë e çelur sot, në vigjilje të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, me 153 piktura të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, të realizuara gjatë qëndrimit të tij, në paraburgimin e Gjykatës Speciale të Hagës.
Çeljen e kësaj ekspozite, e cila do të qëndrojë e hapur disa ditë për të gjithë dashamirësit e artit, e përshëndeti edhe Kryeministri Rama.
* * *
Mirë se keni ardhur! Në pozitën time, ndodh shpesh që të japin merita që nuk i ke, ashtu sikundër ndodh edhe që të të marrin meritat që ke, por në këtë rast është e para, sepse kjo ekspozitë nuk do të ishte e mundur pa dy revolucionarë që rriten, po nuk jepen si Leart Kola dhe Andi Kananaj, të cilët ishin të parët që më propozuan idenë e kësaj ngjarjeje kaq të veçantë për qendrën COD, këtu në Kryeministri, kështu që unë dua t’i falenderoj ata për meritat që mora pa i pasur.
Së dyti, patjetër që iu bashkova kësaj ideje me shumë kënaqësi dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që sot është këtu familja e Rexhep Selimit, njërit prej katër komandantëve i themi ne nga anët tona, të UÇk-së, që sot gjenden të mbyllur padrejtësisht dhe e përsëris, padrejtësisht si rezultat i një historie të gjatë për t’u treguar sot, por edhe një fati besoj unë, të shenjuar nga barra më e madhe sesa vetë ata, një barrë që ata e morën përsipër kur ishin shumë të rinj dhe që janë të detyruar ta mbajnë deri në fund, pavarësisht se kjo barrë vjen si zgjedhje ose si pamundësi për të zgjedhur ndryshe dhe është një nder i veçantë që sot këtu kemi bashkëshorten, bashkëluftëtaren dhe bashkëvuajtësen e Rexhep Selimit, sepse në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një luftëtar, gruaja e të cilit vjen për të mbushur boshllëkun, por kemi të bëjmë me një çift bashkëluftëtarësh mos u gabofsha unë, – se kemi Fatos Klosin këtu që e njeh më mirë se unë dhe Arta Dade nuk diskutohet që i di të gjita më mirë se unë dhe mund të më korrigjojnë me siguri, – por për të thënë dy fjalë për këtë ekspozitë, e cila nuk është ekspozita e një artisti, është ekpozita e një njeriu që në izolimin e imponuar, ka gjetur rrugën e krijimit që në këndvështrimin tim është një rrugë lutjeje.
Unë gjithmonë kam menduar qysh se kam hyrë në këtë arenë të luftës politike, se politika është luftë, arti është lutje dhe kush ka fatin dhe mundësinë t’i bëjë të dyja, ka gjithmonë një hapësirë të vetën intime ku mund të strehohet për t’i ikur realitetit, për të reflektuar apo për të lëpirë plagët siç do thuhej për luanët, dhe të tilla janë të gjitha këto vepra, të cilat unë do t’i quaja lutje me ngjyra, lutje jo për mëshirë, lutje jo për drejtësi, por lutje për njerzillëk edhe për mundësinë e një udhëtimi brenda vetes që e kemi shumë të vështirë për të mos thënë të pamundur në të përditshmen në të cilën vetja jonë është e lidhur me shumë vete të tjera dhe është e detyruar t’i adaptohet, e të përshtatet edhe të përballet me gjithëfarëlloj pengesash, të cilat bëjnë që të harrosh se përveç asaj veteje që hyn në marrëdhënie me të tjerët, është edhe një vete tjetër që është ajo zona ku je vetëm ti dhe vetja jote. Dhe eksplorimi i kësaj zone në kushtet e një izolimi dramatik siç është ai në Hagë, dhe pastaj bujaria për ta ndarë këtë eksplorim me të tjerët, janë vërtetë prekëse, janë vërtetë prekëse dhe është privilegj për ne këtu që na u dha kjo mundësi dhe unë do të isha shumë mirënjohës nëse Andi dhe Learti nuk do ta linin me kaq, por në ditët kur këto punë të jenë të varuara në këto mure, të përpiqen të krijojnë në këtë hapësirë një seri ngjarjesh, që do të thotë takimesh, komunikimesh, bashkëbisedimesh, reflektimesh për atë që është historia, jo thjeshtë e Rexhep Selimit, por siç është historia e Kosovës e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e UÇK-së dhe më vjen shumë mirë që ne bëhemi si të thuash, mikpritësit e kësaj serie eventesh, për të cilat siç e kuptuat, jeni të ngarkuar pa e kërkuar edhe pa ua marrë miratimin përpara, që kështu edhe miratimin për krijimin e këtij eventi kryesor ta mbani me dinjitet deri në fund.
Në fund fare, dua sinqerisht t’ju shpreh të gjithë solidaritetin tim familjarëve dhe më këtë rast edhe gjithë bashkëluftëtarëve të UÇk-së, të cilët nuk kanë bërë asnjë mëkat tjetër, pëveçse kanë guxuar në një moment që askush nuk do të guxonte dhe jo vetëm kaq, por kanë guxuar edhe përkundër të gjitha parashikimeve edhe atyre më optimiste, kanë guxuar kundër të gjitha atyre ngrehinave institucionale të brendshme dhe të jashtme, kanë guxuar kundër të gjithë opinioneve të përgjithshme me synimin për të çliruar vendin e tyre dhe natyrisht që sot ata janë thirrur të paguajnë një çmim që nuk e meritojnë. Por që jeta e solli kështu dhe nga ana jonë, ne përveç shprehjes së solidaritetit dhe shtrirjes së dorës së vëllazërisë, kemi detyrën secili në pozicionin e vet, të bëjmë atë që mundemi për ta bërë më të lehtë barrën e tyre, natyrisht në një përpjekje që është totalisht e pabarabartë, por po ndalem këtu, sepse dua që deri në fund të respektojmë krijuesin e këtyre veprave dhe njeriun që përzemërsisht ndau me ne të gjithë këtë seri krijimesh të intimitetit të tij.
Shumë faleminderit të gjithëve dhe rastësisht sot, pak përpara mora vesh dicka që nuk e dija, jo se duhet të heq ndonjë faj nga vetja që Shqipja nuk e ka akoma pasaportën e kësaj Repuplike dhe jam i bindur që ne mund ta korigjojmë këtë gabim të madh të cilin fatmirësisht zyshë Arta nuk na e ka kapur deri tani dhe do të jem shumë i lumtur nëse do të më jepet mundësia që shumë shpejt tua dorëzoj pasaportën, jo vetëm juve, por dhe fëmijëve që familjarisht të jeni dhe me dokumenta se me zemër dhe me mendje ju jeni qytetarë të Republikës së Shqipërisë, por edhe me dokumenta qytetarë të Republikës së Shqipërisë.
Shumë faleminderit!