Nënshkruhet Deklarata e Përbashkët për Korridorin VIII: prioritet ndërlidhja rajonale, siguria euroatlantike dhe integrimi evropian

Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bullgarisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë nënshkruan në Tiranë Deklaratën e Përbashkët për Korridorin VIII, duke e cilësuar atë një bosht strategjik Lindje-Perëndim që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi dhe një komponent kyç të rrjetit evropian TEN-T, që kontribuon në stabilitetin, prosperitetin dhe sigurinë në Evropën Juglindore.

Dokumenti vjen pas Takimit të Parë Ministror të mbajtur në Brindisi më 27 korrik 2023, diskutimeve pasuese të Ministrave të Jashtëm në Bruksel në dhjetor 2025, si dhe Letrës së Qëllimit të nënshkruar në Samitin e Uashingtonit 2024 për krijimin e një Korridori të Harmonizuar të Lëvizshmërisë Ushtarake përgjatë Korridorit Pan-Evropian VIII.

Ai rikonfirmon angazhimin e pesë vendeve për zhvillimin e Korridorit VIII si projekt me rëndësi politike, ekonomike dhe të sigurisë, që synon forcimin e ndërlidhjes rajonale, rritjen e integrimit ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Palët theksuan se korridori do të lehtësojë flukset tregtare, do të përmirësojë efikasitetin logjistik dhe do të forcojë zinxhirët e furnizimit, duke kontribuar në konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë rajonale. Njëkohësisht, ai konsiderohet prioritet për rritjen e lëvizshmërisë ushtarake dhe forcimin e sigurisë në kuadër të bashkëpunimit BE-NATO.

Ministrat u angazhuan të intensifikojnë përpjekjet për sigurimin e financimeve nga instrumentet e Bashkimit Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe të vijojnë koordinimin politik dhe teknik për ta bërë Korridorin VIII një arterie plotësisht funksionale të ndërlidhjes dhe sigurisë evropiane.