Fjala e Ministres Balluku gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës:
Përshëndetje të gjithëve.
Shumë kënaqësi që të mblidhemi këtu sot. Po diskutoja edhe me Sekretarin e Shtetit Annen, se padyshim reforma në sektorin elektro energjetik për qeverinë shqiptare është një nga krenaritë më të mëdha që ne mbartim. Një reformë e cila ka nisur në vitin 2018 dhe sigurisht që përveç vështirësive që ka pasur për realizimin e saj në këtë periudhë 5 vjeçare na është dashur të përballemi dhe me sfida që nuk kanë lidhje me sektorin energjetik, siç ishte pandemia dhe më pas kriza ekonomike botërore. Kështu që është kënaqësi që të jem këtu së bashku me të gjithë ju dhe jeni që të gjithë kontributorë seriozë të sektorit dhe të reformës, por nga ana tjetër dua ti uroj mirëseardhjen Sekretarit të Shtetit Annen, i cili ndodhet këtu në Tiranë për herë të parë dhe sapo ka arritur dhe nuk ka pasur kohë të shikoj qytetin tonë, kështu që do ti kërkoja ambasadorit dhe mikut tim të dashur Peter që ti japë mundësinë që të shikoj kryeqytetin e Shqipërisë, sepse me të vërtetë ja vlen të njihesh nga afër me Tiranën. Ne do të kemi edhe evente të tjera nesër shumë të rëndësishëm, por po fokusohem tek eventi sotëm.
Sot jemi këtu për të nënshkruar një marrëveshje financiare, e cila do të kontribuojë në fazën e dytë për mbështetjen e sektorit elektroenergjetik shqiptar, i cili në vitin e fundit është përballur me një sfidë shumë të vështirë atë të krizës ekonomike, e cila sigurisht erdhi dhe nga kriza energjetike, duke pasur parasysh agresionin rus në Ukrainë gjatë vitit 2022 dhe duke pasur parasysh që Shqipëria është një vend që prodhon 100% energji të rinovueshme, por nga ana tjetër është në varësi të hidrocentraleve. Ne na është dashur vitin e kaluar që të importojmë sasi të rëndësishëm për të mos pasur ndërprerje të energjisë për të gjithë abonentët tanë, kështu që kemi qenë të ekspozuar ndaj çmimeve të çmendura të tregut elektro energjetik mbarë botëror. Këtë e kujtoj gjithmonë, pasi nuk besoj që do ketë një nivel tjetër historik të çmimit, 31 gusht i 2022-shit u mbyll me 1000 euro mbi të shitjes së megavat/orë.
Ky takim i sotëm është një moment i mirë për të reflektuar dhe për të bërë një bilanc real të reformës së sektorit elektro energjetik shqiptar, që edhe me mbështetjen e Gjermanisë dhe të Francës, përmes institucioneve tyre financiare këtu në vendin tonë KfË-së dhe AFD-së, por edhe mbështetjen dhe do të thoja të gjitha përpjekjet e ambasadorëve të Gjermanisë dhe të Francës ka pësuar një transformim rrënjësor gjatë viteve të fundit. Kjo reformë i ka hapur rrugën zbatimit të politikave dhe të projekteve të reja, dhe projekte të cilat unë do ti quaja inovative në fushën e energjive të rinovueshme, efiçencës së energjisë dhe rimodelimit të tregut të brendshëm vendas.
Reforma në sektorin elektro energjetik ka qenë një ndër proceset më sfiduese, por proces që dua ta quaj të mirë arritur dhe që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me ndërmarrjet dhe sektorët që ka, ka realizuar në këto 5 vite. Kjo reformë ka nisur në vitin 2018, ashtu siç unë thashë, dhe ka qenë një proces i ndërlikuar, i vështirë dhe me plot sfida. Ndihma e partnerëve të huaj ka qenë e vyer dhe jo pa qëllim për realizimin e kësaj reforme u zgjodh instrumenti i huamarrjes bazuar në politika. Pra, një instrument ky i cili detyron dhe palën shqiptare që të performonte në mënyrën e duhur për të pasur mundësi dhe për të tërhequr trançet e kësaj kredie dhe sigurisht ky instrument dha rezultate të mirëfillta që sot janë të prekshme, duke e përgatitur tregun tonë për integrim në tregjet rajonale edhe ato europiane.
Pavarësisht të gjitha sfidave dhe vështirësive me të cilat u përballëm gjatë pandemisë dhe më pas gjatë krizës energjetike të vitit 2022, të cilat na kanë detyruar të marrim vendime të vështira në lidhje me kufizimin e investimeve publike në sektor, apo ndoshta ngadalësuan disa në proceset e reformës, sot pa frikë mund të themi se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë ashtu siç duhet.
Ndër objektivat kryesore të reformës së sektorit ka qenë ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ose ndryshe quajtur ‘unbundling’. ‘Unbundling’ ka qenë sfida ime e parë e vitit 2019, të gjithë drejtuesit që janë këtu të sektorit e mbajnë mend mirë të gjithë punën që kemi bërë, përpjekjet. Mënyra sesi jemi ulur në tryeza në mënyrë konstruktive për të diskutuar me njëri-tjetrin, por nganjëherë edhe duke u përplasur me financuesit dhe partnerët tanë, pasi ishte një reformë e cila kërkonte ndryshimin e një mentaliteti të tërë të operimit, por që ashtu siç unë premtova në vitin 2019 ndoshta me hapa më të ngadaltë, por të sigurtë, ne ia dolëm dhe sot mund të themi padyshim që ajo që ne kemi premtuar, pra ndarjen e shërbimit të shpërndarjes nga aktivitetet e tjera që lidhen me furnizimin dhe çektimin e energjisë elektrike, duke garantuar pavarësi të operatorit të shpërndarjes dhe ndarje të qartë të aktiviteteve komerciale nga ato jo komerciale, ne të gjitha këto i kemi arritur.
Ky proces është realizuar në 1 janar të vitit 2020 dhe sigurisht është plotësuar deri në fillim të vitit 2023, duke arritur dhe duke bërë edhe aktet e fundit ligjore të cilat kornizojnë të gjithë këtë proces.
Gjithashtu, një gur kilometrik për të cilin ne ndihemi krenarë, është ai që kemi vendosur në Prillin e 2023, me krijimin e Bursës së Energjisë, e cila ka qenë me të vërtetë edhe ky një proces i komplikuar. Ka qenë një proces që ka dashur vëmendjen maksimale të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por nga ana tjetër ka pasur edhe mbështetjen e partnerëve tanë hap pas hapi gjatë gjithë këtij procesi. Dhe sigurisht, bursa energjetike shqiptare do të jetë një garantues i zhvillimit energjetik dhe sigurisht tregtimit të lirë, transparent dhe të drejt të energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë, por nga ana tjetër ne duhet të themi se sot ALPEX numëron 9 operatorë të regjistruar si anëtarë të bursës, ndërkohë që 16 operatorë janë në fazën e vlerësimit dhe 4 institucione bankare kanë shprehur interes për t’u anëtarësuar.
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike ka qenë një tjetër kërkesë kryesore e partnerëve në bazë të direktivave përkatëse europiane, por edhe marrëveshjes për reformën e sektorit. Duke filluar nga 1 Janari i 2021 të gjithë konsumatorët e lidhur në 35 kilovoltsh, por edhe një pjesë e atyre të lidhur në 20 kilovoltshin kanë dalë dhe furnizohen në tregun e lirë. Gjithashtu edhe konsumatorët e lidhur në tensionin e mesëm janë njoftuar për daljen e tyre në tregun e lirë në janar të vitit 2022, por duke qenë se mbas 24 shkurtit të vitit 2022, ne kemi nisur që të përballemi me krizën ndërkombëtare energjetike, qeverisë shqiptare i është dashur që të ndërmarrë një veprim mbrojtës për bizneset e lidhura në tensionin e mesëm, duke qenë se flitej për më shumë se 7500 biznese dhe për të mos i ekspozuar ata në çmimet shumë të larta të tregut të vitit të kaluar. Kështu që duke konsideruar kontributin e rëndësishëm që këto biznese kanë në zhvillimin tonë ekonomik, qeveria shqiptare ka vendosur ti mbrojë ato deri në një vendim të dytë, por pa shkelur premtimet tona përsa i përket reformës elektro energjetike.
Një tjetër zhvillim shumë i rëndësishëm që lidhet me reformën është dhe amendimi dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së, i ligjit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në mars të 2023, pra dy muaj më parë. Ky ligj është ndër instrumentet kryesor strategjike që do të garantojë përmbushjen e objektivave kombëtar energjetik, ekonomikë dhe mjedisor, përmes një sistemi efiçent dhe transparent të shfrytëzimit të burimeve energjetike në vend. Por një risi e këtij ligji është përcaktimi i masave mbështetëse në bazë të ankandeve konkurruese, si dhe tipologjinë e tyre bazuar në format e marrëveshjes për blerjen e energjisë, kontratës për diferencë dhe kontratës për prim. Kjo jo vetëm që adreson dhe plotëson një nga objektivat bazë të marrëveshjes për reformën e sektorit, por është dhe parakusht për krijimin e Operatorit të Energjive të Rinovueshme, i cili është një hap tjetër shumë i rëndësishëm në rimodelimin e tregut energjetik në vend.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme do të jetë përgjegjës për administrimin e kontratave me prodhuesit me përparësi të energjisë nga burimet e rinovueshme, duke menaxhuar sasitë energjetike të gjeneruara dhe duke tregtuar ato në bursë, duke garantuar kështu efikasitet dhe duke aplikuar një metodologji shitblerje të energjisë e cila i përgjigjet sinjaleve dhe kërkesave të tregut. Në këtë bilanc nuk mund të rri pa përmendur edhe disa zhvillime të tjera po aq të rëndësishme për sektorin elektro energjetik. Vitin e shkuar kemi zhvilluar ankandin për parqet eolike, ankandi i parë, ku morën pjesë 16 kompani të huaja. Duhet thënë që ankandet që ne kemi zhvilluar, duke nisur nga ankandi i parë ai i parkut fotovoltaik të Karavastasë dhe pastaj të gjitha ankandet që janë zhvilluar në Republikën e Shqipërisë kanë qenë padyshim ndoshta edhe për shkak të emrit të madh të kompanisë së parë fituese, kompanisë franceze Voltalia, por edhe për shkak të të gjithë procesit që ne kemi bërë së bashku edhe me partnerët tanë të huaj, një proces transparent dhe një proces ku konkurrenca ka qenë e drejtë dhe e hapur, do të thoja që të gjitha ankandet pasuese kanë arritur që të jenë të suksesshme dhe me pjesëmarrje shumë të lartë të kompanive europiane dhe kompanive përgjithësisht të huaja, le të themi.
Kështu që edhe në ankandin e parë për prodhimin eolik kanë marrë pjesë 16 kompani të huaja, 6 prej të cilave janë kualifikuar për të vijuar në fazën e dytë, atë të ofertës financiare, e cila ndryshe nga sa thonë këtu në fjalën time që është brenda këtij muaji, unë them që është nesër. Kështu që nesër ne do të kemi hapjen e 6 zarfeve për të marrë dhe për të pasur fituesin e ankandit të parë eolik këtu në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu siç përmenda ne quajmë një sukses shumë të madh jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dy ankandet fotovoltaike, të cilat janë zhvilluar me toka në zonën e Karavastasë dhe asaj të Spitallës. Përsa i përket parkut të parë, pra atij prej 140 mega ka nisur prej kohësh ndërtimi i tij dhe ne presim që të futemi në prodhim vitin që vjen. Në ndërkohë që parku i Spitallës është duke përgatitur gjithçka për hapjen e kantierit në zonë për parkun e dytë pra, atë 100 megavat.
Ndërkohë, kemi pasur dhe një interes të jashtëzakonshëm nga investitorë të huaj dhe vendas për të zhvilluar projekte fotovoltaike individuale, private, me fonde sigurisht të financuara nga banka të ndryshme dhe për shitje të energjisë në tregun e lirë.
Vetëm gjatë vitit 2022 sasia e aplikimeve në total arrin 1.7 gigavat, që unë shpresoj shumë që më shumë se 50% e tyre, pra e aplikimeve të arrijnë të realizohen sa më shpejt. Këto të dhëna dhe shifra flasin shumë qartë për rezultatet e përpjekjeve tona për ta bërë sektorin eficent, transparent, atraktiv dhe për të përthithur sa më shumë investime vendase dhe të huaja edhe nga sektori privat, jo vetëm pra nga injektimi buxhetor. Besoj se tashmë kemi kaluar fazën kritike, besoj se tashmë kemi krijuar një eksperiencë shumë të mirë përgjatë rrugëtimit të kësaj reforme dhe besoj që faza e dytë e kësaj reforme do të jetë një optimalizim i asaj çka kemi nisur për ta kthyer sektorin elektro energjetik shqiptar në një sektor i cili përmbush të gjitha kriteret dhe kushtet e operimit të Bashkimit Europian.
Qeveria Shqiptare është e vetëdijshme se sektori ka sfida shumë të mëdha përpara dhe nevoja për të arritur ku ne duam, por rëndësi ka që qeveria shqiptare është e angazhuar për të mbajtur premtimet e saj dhe për të vazhduar me të njëjtin ritëm përpara.
Gjej edhe njëherë rastin që të falenderoj të gjithë partnerët tanë për mbështetjen e pakursyer gjatë gjithë këtij 5 vjeçari dhe besoj që do të kemi të njëjtin bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Ndaj ne sot me këtë marrëveshje financiare që nënshkruajmë për fazën e dytë të reformës së sektorit elektro energjetik kemi vendosur objektiva të reja që synojmë të arrijmë, një performancë më të mirë financiare të sektorit dhe kjo është pika kyçe të cilën ne duam të zgjidhim për ta kthyer sektorin në një sektor me performancë pozitive financiare. Patjetër rregullat dhe procedurat që garantojnë akses të barabartë, transparencë për të gjithë pjesëmarrësit e tregut dhe politika që na sjellin më afër me integrimin në rrjetet europiane.
Faleminderit edhe një herë për të gjithë kontributin tuaj dhe jam besimplotë se bashkëpunimi i shkëlqyer mes nesh dhe mbështetja juaj në vijim të këtij procesi nuk do të na mungojnë!
Shumë faleminderit!