Mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës Popullore të Kinës u nënshkrua një marrëveshje afatgjatë bashkëpunimi në fushën e turizmit, veçanërisht në bashkëpunimin e bizneseve turistike të të dy vendeve.
Ministrja Mirela Kumbaro iu referua Kinës si një treg me potencial për vendin tonë, ku lehtësimi i protokolleve të Covid 19 dhe një marrëveshje favorizuese mes dy qeverive për lehtësimin e lëvizjeve mes vendeve, do të sjellë rritje të flukseve turistike nga ky vend. Gjithashtu Kumbaro theksoi se muaji janar i vitit 2023 ka një fluks vizitorësh të huaj 94% më shumë se viti paraardhës.
“Besoj që do të kemi rritje jo vetëm për shkak të lehtësimit të protokolleve të Covid në Kinë, por edhe sepse midis dy vendeve tona është nënshkruar një marrëveshje shumë e favorshme për lëvizjet turistike, ku shtetasit kinezë mund të hyjnë pa viza në Shqipëri dhe së fundmi edhe qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza drejt Kinës. Unë besoj që kjo marrëveshje vjen në një moment kur turizmi po bëhet kampion i sektorit të ekonomisë, ndoshta edhe më përpara seç e kemi menduar, po të kemi parasysh që viti 2022 u mbyll me 7.5 milionë vizitorë të huaj dhe janari i vitit 2023 ka nisur me 94% më shumë vizitorë të huaj krahasuar me janarin e vitit 2022”, u shpreh Kumbaro.
Sipas ministres së Turizmit dhe Mjedisit kjo rritje përkthehet në përgjegjësi më të madhe për punën e këtij institucioni, sektorin privat dhe më shumë punë e përbashkët me partnerët, veçanërisht në tregjet e mëdha siç është Kina.
Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Ding Zhou u shpreh se kjo marrëveshje do të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi mes dy vendeve.
“Besoj se marrëveshja do të çlirojë më tej potencialin e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe do të krijojë pikat e reja të bashkëpunimit me interes të përbashkët mes Kinës dhe Shqipërisë. Do të çojë përpara lidhjet midis njerëzve dhe do të konsolidojë miqësinë tradicionale mes dy vendeve. Sipas memorandumit, të dyja palët do të shkëmbejnë informacione, ekspertizë dhe trajnime mbi turizmin, do të promovojnë destinacionet turistike si edhe të zhvillojnë oferta turistike me interes të veçantë”, u shpreh ambasadori Ding.
Kjo marrëveshje do të shoqërohet me një vizitë të ministres Kumbaro në Kinë, me ftesë të homologut të saj në Republikën Popullore të Kinës, kompletuar me një agjendë promovimi në tregun kinez, në bashkëpunim me turoperatorët.