Përmirësimi i infrastrukturës dhe ndërtimi i akseve të reja rrugore janë një ndër prioritetet e Qeverisë shqiptare, në kuadër edhe të integrimit rajonal dhe europian.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe drejtori Ekzekutiv i Fondit Saudit të Zhvillimit, Abdulrahman Al-Marshad, nënshkruan, në Tiranë, marrëveshjen për financimin e shtesës së huasë, për projektin e ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë.
Ministrja Ibrahimaj falënderoi ekipet përkatëse të Shqipërisë dhe Fondit Saudit të Zhvillimit, në përgatitjen e kësaj marrëveshje, e cila kap vlerën 49 milionë dollarë, ndërsa më herët janë dhënë edhe 25 milionë dollarë për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë.
“Qeveria shqiptare e vlerëson maksimalisht miqësinë me Mbretërinë e Arabisë Saudite e cila ndër vite është forcuar më shumë, përmes rritjes së mëtejshme ekonomike dhe financiare midis dy vendeve. Marrëveshja shtesë që po nënshkruajmë sot synon plotësimin e financimit të nevojshëm për përfundimin me sukses të këtij projekti me rëndësi të veçantë, që garanton rrugën më të shkurtër të ndërlidhjes mes kryeqytetit dhe zonave të juglindjes deri në kufi me Greqinë”, tha Ibrahimaj.
Ky përmirësimin në infrastrukturë, theksoi ministrja, do të ndikojë në zhvillimin e bizneseve të kësaj zone dhe të turizmit. Kjo marrëveshje përkon edhe me zhvillimin e sektorëve dhe objektivave strategjik të vendit.
“Finalizimi i këtij projekti synon përmirësimin e parametrave të infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e aksesimit të trafikut që kalon nëpërmjet korridoritt të 8-të, nga aksi Tiranë-Elbasan në pjesën e krahinës juglindore dhe shkurton distancën me pikën kufitare të Kapshticës. Ne synojmë të nxisim turizmin në zonën juglindore dhe zhvillimin e bujqësisë duke rritur edhe punësimin”, u shpreh ministrja e Financave dhe Ekonomisë.
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Saudit tw Zhvillimit, Abdulrahman Al-Marshad u shpreh se nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë, do të ndikojë në përmirësimin ekonomik të zonës, por sipas tij edhe në reduktimin e vështirësive në transport.
“Ky projekt vjen në kuadër të interesimit të madh të Arabisë Saudite për projekte për zhvillimin e Shqipërisë. Ndër vite ne kemi dhënë deri tani 4 kredi zhvillimore që kanë kontribuar në zhvillimin e tre projekteve me vlerë 114 milionë USD, për të arritur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri. I shpreh vlerësimet e mia qeverisë shqiptare dhe të gjithë popullin shqiptar. Shpresoj që ky projekt të jetë burim për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë”, tha Abdulrahman Al-Marshad.
Segmenti prej 43 kilometrash i rrugës, Qukës Qafë-Plloçë është pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë dhe parashikon të ulë me 1 orë rrugën nga kryeqyteti për në juglindje.
-Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj
Përshëndetje,
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për praninë e delegacionit të Fondit Saudit të Zhvillimit në nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë si dhe do të doja të falenderoja ekipet përkatëse dhe përfaqësuesit nga të dyja palët për punën e bërë në përgatitjen e kësaj marrëveshjeje.
Si ministër i Financave dhe Ekonomisë, është një nder i veçantë të mikpres miq të tillë të Shqipërisë, dhe më lejoni të them disa fjalë në emër të Qeverisë shqiptare me këtë rast.
Qeveria shqiptare e vlerëson maksimalisht miqësinë me Mbretërinë e Arabisë Saudite, një miqësi e cila ndër vite është forcuar më shumë me shkëmbimin e takimeve dypalëshe të nivelit të lartë, si dhe me rritjen e marrëdhënieve te mëtejshme ekonomike dhe financiare.
Sot , kam kënaqësinë që së bashku me shkëlqësinë e tij Drejtorin Ekzekutiv të Fondit Saudit të Zhvillimit, Z. Abdulrahman Al-Marshad të nënshkruajmë marrëveshjen (shtese) të Huasë për projektin e ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë,
Marrëveshja shtesë që po nënshkruajmë sot, synon plotësimin e financimit të nevojshëm për përfundimin me sukses të këtij projekti me rëndësi të veçantë që ka për synim të garantojë rrugën më të shkurtër të lidhjes midis kryeqytetit dhe zonave në juglindje te vendit, deri ne kufi me Greqinë.
Ky përmirësim në infrastrukturë do ndikojë në zhvillimin e bizneseve të kësaj zone dhe rritjen e turizmin.
Kjo marrëveshje përkon edhe me zhvillimin e sektorëve dhe objektivave strategjikë të Republikës së Shqipërisë.
Ju e dini mirë se ne tashmë jemi në procesin e integrimit evropian dhe të integrimit rajonal dhe të dy këto procese nuk mund të kenë sukses pa zhvillimin e një infrastrukture të denjë dhe të lehtë të komunikimit midis vëndeve, e cila do të lehtësojë tregtinë dhe do të lehtësojë marrëdhëniet e ndërsjellta, duke krijuar kushtet për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe duke krijuar baza për të përfituar sa më mirë .
Nëpërmjet finalizimit të këtij projekti synohet përmirësimi i parametrave të infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur aksesimin dhe lehtësimin e trafikut, që kalon ndërmjet korridorit të 8-të nga aksi rrugor Tiranë –Elbasan me pjesën e krahinës së Juglindjes si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.
Sic thashë me këtë ne synojmë që drejtëpërsëdrejti të ndikojmë në nxitjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në zonat jug-lindore që çon në zhvillimin e bujqësisë të zonave përreth dhe krijimin e vëndeve të reja të punës;
Aktualisht projekti është në zbatim dhe financohet me një hua e nënshkruar më parë me vlerën 25 milion dollarësh akorduar nëpërmjet marrëveshjes së huasë nëpërmjet Reëpublikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim dhe pjesa tjetër e huasë me Bankën Islamike.
Ky fond, që do të akordohet nëpërmjet kësaj Marrëveshjeje Huaje shtesë bën të mundur plotësimin e financimit të munguar dhe parashikohet të përfundojë dhe pjesën e dytë të rrugës, e cila do të jetë me një gjatësi 43.4 km të gjatë me 2 korsi.
Këtu gjej rastin të falenderoj përsëri Fondin Saudit të Zhvillimit për mbështejen e tyre në termat lehtësues që na kanë ofruar në këtë marrëveshje, të cilat janë të pazakonta për kohët e sotme, kur jemi në kulmin e një krize botërore, kur normat e interesit janë më të larta se gjithë vitet e fundit, ne arrijmë sot të nënshkruajmë një marrëveshje, e cila do të ketë një afat që konsiston në një maturim prej 25 vjet duke përfshirë shmangjen e pagesës së principalit për një periudhë 5 vjeçare , me një normë interesi lehtësuese prej 2%.
Qeveria e Shqipërisë ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Mbretërinë Saudite dhe marrëveshje si kjo dhe të tjera që kemi nënshkruar në të kaluarën tregojnë pikërisht ketë marrëdhënie të shkëlqyer që kemi ndërmjet vëndeve.
Unë shpreh besimin se do të vijojmë të kemi projekte të tilla të përbashkëta, do vijojmë të kemi marrëdhenie të cilat do na ndihmojnë qoftë në zvillimin e vendit tone, ashtu edhe në zhvillim dhe bashkëpunim të mëtejshëm në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Faleminderit!
Fjala e Drejtorit Ekzekutiv i Fondit Saudit të Zhvillimit, Mr. Sultan Abdulhman Al –Marshad
Përshwndetje të gjithëve,
Znj. Ministre, të nderuar të pranishëm,
Me këtë rast kam kënaqësinë që ndodhem sot në Republikën e Shqipërisë, faleminderit për kohën që na rezervuat , faleminderit gjithashtu për mikëpritjen e ngrohtë.
Sot kam patur nderin të nënshkruaj marrëveshjen e kredisë për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, me një vlerë totale 49 milion dollarë, si një kredi shtesë e dhënë nga Fondi Saudit për Zhvillim.
Fondi ka financuar më parë projekte me një vlerë prej 25 mlion dollarësh. Marrëveshja e nënshkruar sot do të përfundojë pjesën e dytë të projektit të ndërtimit, rruga është me gjatësi 43 Km dhe u shërben të gjithë qyteteve dhe fshatrave nëpër të cilat kalon, dhe përfitojnë prej saj rreth 600 mijë banorë, veçanërisht pasi ajo kontribon në plotësimin e nevojave të popullsisë dhe reduktimin e vështirësive në transport, do të kontribojë gjithashtu edhe në përmirësimin e sigurisë rrugore përvec lehtësimit të procesit të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike me vendet e tjera.
Zonja dhe zotërinj të pranishëm, ky projekt vjen në kuadër të interesimit të madh të Qeverisë së Arabisë Saudite në mbështetje të sektorëve të zhvillimit në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet projekteve të programit të zhvillimit të financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim.
Fondi ka siguruar ndër vite përvec kësaj mrrëveshjeje 4 (katër) kredi zhvillimore që kanë kontribuar në financimin e 3 projekteve zhvillimore me vlerë më shumë se 114.5 milion dollarë, për të kontribuar në rritjen dhe prosperitetin e sektorëve të infrastrukturës për të arritur objektivat e zhvillimit të qendrueshëm.
Në fund me lejoni të shpreh edhe një herë falenderime dhe vlerësimet e mia Qeverisë Shqiptare, znj. Ministre të Financës dhe Ekonomisë dhe gjithë popullit shqitar për pritjen dhe mikpritjen e mire. Shpresojmë që ky projekt të jetë burim për të gjitha zhvillimet e tjera në Republikën e Shqipërisë, në prosperitet të mëtejshëm për të arritur qëllimet e zhvillimit të dëshiruar.
Faleminderit.