Nënshkruhet marrëveshja për financimin e rrjetit të Ujësjellësit Durrës, mes Qeverisë Shqiptare dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Nënshkruhet marrëveshja për financimin e rrjetit të Ujësjellësit Durrës, mes Qeverisë Shqiptare dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit

U nënshkrua sot marrëveshja për financimin e rrjetit të Ujësjellësit Durrës, mes Qeverisë Shqiptare dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit, me Ministren franceze të Shtetit për Europën, Laurence Bonne, për të ndërhyrë me një investim masiv në gjithë zonën e Durrësit që plotëson një proces të gjatë, transformimi të gjithë sistemit të ujësjellësit të Durrësit.

Në praninë e kryeministrit Rama u firmos nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe  Ministres franceze të Shtetit për Europën, Laurence Bonne, marrëveshja e kredisë në shumë 60 milionë euro dhe marrëveshja e  grantit për asistencë teknike në shumën 1 milionë euro.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë, kryeministri Rama u shpreh: “Përpara se t’ia lë fjalën ministres së Financave dhe të Ekonomisë, dëshiroj të shpreh kënaqësinë për këtë firmosje të rëndësishme të një marrëveshje të dakordësuar në parim qysh në krye te herës, por të bërë të mundur falë përfshirjes së drejtpërdrejtë të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, për të ndërhyrë me një investim masiv në gjithë zonën e Durrësit që faktikisht plotëson një proces të gjatë, të ndërlikuar transformimi të gjithë sistemit të ujësjellësit të Durrësit.

Përfitoj nga rasti të kujtoj këtu që kur tragjedia e 26 nëntorit ndodhi, Emmanuel Macron ishte ndër më të parët që u interesua për situatën, ishte ndër ata kolegë evropianë që në mënyrë të vazhdueshme në ato ditë të vështira pyeste për ecurinë e kërkim-shpëtimeve, angazhoi menjëherë një trupë kërkim-shpëtimi franceze e cila erdhi në Shqipëri dhe bëri disa operacione të rëndësishme duke shpëtuar jetë njerëzish në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme për ata vetë dhe më pas, presidenti u angazhua personalisht duke e përfshirë drejtpërdrejtë Francën në gjithë grupin e vendeve që premtuan mbështetje financiare, duke dërguar ministrin e Jashtëm në konferencën e thirrur enkas për të mbledhur fonde për tërmetin në Bruksel dhe ja ku jemi sot, kurorëzojmë një proces të gjatë, por njëkohësisht edhe domethënës për të gjithë ata që mund të kenë pasur dhe mund të kenë akoma pikëpyetjet e tyre lidhur me angazhimin e atyre fondeve në konferencën e Brukselit, pasi janë fonde që një pjesë e tyre, janë futur në procesin e zbatimit, me programin e BE për shkollat, për kopshtet, për çerdhet e për sitet e trashëgimisë kulturore dhe një pjese e tyre janë në proces, siç është ky fond, apo siç është fondi tjetër angazhuar nga Italia, përsëri për zonën e Durrësit, por këtë rast për peshkimin dhe nga ana tjetër për gjithë logjistikën dhe strukturat e emergjencës civile.

Nuk më mbetet asgjë tjetër tani përveçse ta falënderoj ministren për Europën të Francës, e cila ka ardhur sot personalisht për këtë nënshkrim, jo thjesht në fakt vetëm për këtë, por edhe për të shprehur nga afër gatishmërinë e vazhdueshme të Francës në mbështetje të Shqipërisë, në mbështetje të transformimeve në procesin e integrimit europian, por edhe në mbështetje të transformimeve këtu në  rajon.

Agjencia Franceze është e angazhuar në këtë rajon prej shumë pak kohësh. Faktikisht në ato momente dhe sot po të shikojmë ecurinë, ka një rritje shumë të konsiderueshme të fondeve për zonën e Ballkanit dhe kjo është shprehje e një interesimi të drejtpërdrejtë të presidentit, e një interesimi të drejtpërdrejtë e qeverisë franceze, të Francës për Ballkanin si asnjëherë më parë, për hir të së vërtetës, si asnjëherë më parë dhe për këtë unë jam shumë falënderues dhe jemi njëkohësisht shumë të kënaqur sepse Agjencia Franceze e Zhvillimit nuk është një bankë që jep fonde, por është mbi të gjitha një bankë dijesh, që sjell dije, sjell eksperiencë, sjell mundësi të reja për procese që kanë nevojë për t’u përmirësuar dhe për t’u rritur cilësisht në të gjitha aspektet në rajonin tonë dhe në Shqipëri. Shumë faleminderit!

Ministrja franceze e Shtetit për Europën, Laurence Bonne:  Si fillim dua t’ju falënderoj zoti kryeministër Edi Rama për mikpritjen. Mendoj që është hera e tretë që shihemi dhe çdo herë kam mësuar diçka dhe kam mësuar diçka nga e cila do të përfitojnë jo vetëm BE por të gjitha vendet europiane që ndodhen në kontinent dhe që përbëjnë sot familjen e komunitetit politik europian.

Jam shumë e lumtur që ju takova herën e parë gjatë konferencës së parë ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë dhe jam gjithashtu shumë e lumtur që po ju takoj sot këtu. Nuk duhet nënvlerësuar kurrë që mbajtja e takimit, e mbledhjes në Bruksel reflekton një punë të madhe të kryer nga Shqipëria, për ta bërë të besueshme perspektivën e integrimit në BE. Këtu dua të përshëndes reformën e drejtësisë që Shqipëria ka kryer në këtë moment dhe që besoj nuk ka të ngjarë, nuk ka tjetër në BE.

Kur u takuam, e thatë ju këtë perspektivën e integrimit në BE. Ajo kërkon shndërrime shumë të thella sidomos në fushën ekonomike, në fushën sociale, në fushën e mjedisit, por besoj që këtu pozicioni gjeografik i Shqipërisë ju jep një avantazh krahasues të rëndësishëm gjithashtu në fushën e funksionimit të institucioneve demokratike.

Folëm për shtetin e së drejtës, për qeverisjen, për administratën publike. Dua t’ju them që ju do të keni gjithmonë mbështetjen e Francës për t’ju ndihmuar për aq sa të keni nevojë, për aq sa te jetë  e mundur. Sigurisht besoj që metodologjia e re për negociatat e aderimit është një proces shumë interaktiv që do t’ju bëj të mundur të shkëmbeni përgjatë rrugës dhe është shumë më pak dyanësorë.

Pasi folëm pak përpara, është e sigurt që sulmi rus ndaj Ukrainës ndryshon paradigmën për organizmin gjeopolitik të kontinentit tonë. Këtu dua gjithashtu të përgëzoj gatishmërinë e Shqipërisë që u bashkua me sanksionet e BE, gjithashtu rolin që luan Shqipëria në Këshillin e Sigurimit sepse gjithçka që ju keni bërë e rreshton Shqipërinë dhe dinamikën e saj si një aktor paqeje, jo vetëm në rajon, por në një rreze shumë më të largët dhe në të gjithë BE dhe më tej.

Ne e dimë se Rusia është e aftë të destabilizojë Europën, të përdorë të gjithë levat e saj në Europën Juglindore dhe për këtë kemi nevojë të përforcojmë bashkë kohezionin dhe bashkëpunimin tonë. Ky është shpirti i komunitetit europian, por nuk është vetëm ky shpirt, kjo frymë sepse ideja është gjithashtu të përforcohet identiteti kombëtar europian dhe të kemi një histori të përbashkët.

Pra folëm për të gjitha këto sot besoj se edhe Shqipëria mund të ndihmojë Francën dhe vende të tjera të BE, ta ndërtojnë këtë komunitet politik europian, këtë familje që ndodhet në kontinent dhe sesi Shqipëria mund të ndihmojë në stabilitetin dhe qetësimin e tensioneve në rajon. Gjithashtu folëm shkurtimisht për marrëdhëniet dypalëshe që bëjnë pjesë në strategjinë franceze për Europën juglindore. Shpresoj të kemi marrëdhënie të shkëlqyera politike sikurse e tha kryeministri ne mund të bëjmë më tepër në fushën ekonomike. Ka shumë fusha, shumë tema që janë të pranishme në këtë rajon. Bëhet fjalë për centralin fotovoltaik të Karavastasë që ka një zhvillim shumë pozitiv dhe nëse Shqipëria është në majat e tranziconit energjetik është falë këtyre teknologjive. Juve ishit i sjellshëm që e përmendet zoti kryeministër përfshirjen e agjencisë franceze të zhvillimit për kontribuimin në zhvillimin ekonomik social dhe për barazinë mes burrave dhe grave në vend. Që prej 3 vitesh Agjencia Franceze e Zhvillimit është në Shqipëri dhe vepron nëpërmjet huadhënieve dhe shpresoj që kjo do të vazhdojë. Gjithçka që bëjmë bashkë krijon lidhje besimi, lidhje bashkëpunimi dhe besoj që do të përforcohet nga marrëveshjet që sapo firmosëm siç e thatë dhe ju për financimin e rindërtimit të rrjetit të ujësjellës kanalizimit të qytetit të Durrësit me këtë hua dhe këtë grant. Ky ishte një ilustrim i mbështetjes së miqësisë së Francës për Shqipërinë dhe që u shpreh pas tërmetit të rëndë të vitit 2019.

Një fushë e fundit që dua të përmend, bashkëpunimi në fushën e kulturës, të arkeologjisë. Ju keni një vend fantastik për këtë dhe të frankofonisë sepse mund të kemi diskutime në frëngjisht shumë të forta, shumë të pasura dhe dua t’ju rikujtoj angazhimin tuaj për pluralitetin dhe pavarësinë e mediave dhe për ta çuar përtej kufijve tuaj sepse ju nënshkruat në 11 nëntor në Paris në emër të Shqipërisë pjesëmarrjen në partneritetin ndërkombëtar për formimin dhe demokracinë që u iniciuan nga Reporterët pa Kufij, është një OJF që harton një “road map” për të gjithë vendet për lirinë e shtypit dhe që është e rëndësishme për ne sepse mediat ndoshta ndodhen në situatë të keqe ndonjëherë nga të gjithë rrjetet sociale.

Jam shumë e gëzuar që e shoh Shqipërinë të integrohet në BE dhe të ecë drejt këtij integrimi dhe që është një aktore kaq e rëndësishme e komunitetit politik europian.

Faleminderit për mikpritjen, faleminderit për sugjerimet tuaja dhe jam vërtetë e gëzuar për këto marrëdhënie që kemi!

Previous Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, lidhur me investimet në bonot e thesarit