Nënshkruhet marrëveshja për projektin “Durrës Yacht & Marina” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Nënshkruhet marrëveshja për projektin “Durrës Yacht & Marina”

U nënshkrua sot marrëveshja për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina”, investimi më i madh i huaj në historinë e vendit, me vlerë rreth 2 miliardë euro dhe projekti më të rëndësishëm turistik, i cili do të transformojë rrënjësisht Durrësin, duke e vendosur në radhën kryesore të destinacioneve turistike në Mesdhe, me një impakt të thellë ekonomik, jo vetëm për qytetin bregdetar, po për të gjithë rajonin.

Projekti gjigand, i cili do të shtrihet në 450 hektarë dhe do të çelë përgjatë gjithë zhvillimit të tij 12 mijë vende të reja pune, është finalizimi i një rruge të gjatë pune voluminoze, në aspektin tekniko-ligjor, me një investitor të madh strategjik prestigji i të cilit është botërisht i njohur.

Ky investim, i pari i këtij lloji për nga rëndësia ekonomike zhvillimore, por edhe për pjesëmarrjen e shtetit si bashkëzhvillues, në një Partneritet korrekt Publik, Privat parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët, ku shteti është aksionar në masën 33% dhe ka të gjitha benefitet e një aksionari në të ardhura dhe fitim, pa patur asnjë kontribut financiar në zhvillim.

“Durrës Yacht & Marina hyn në ekonominë shqiptare si një lokomotivë që do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik” – u shpreh Kryeministri Rama në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për projektin mes qeverisë shqiptare dhe Eagle Hills Real Estate Development, të përfaqësuar nga Mohamed Alabar.

Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:

I nderuar kryeministër,

I nderuar Mohamed,

Të nderuar pjesëmarrës, kolegë dhe bashkëpunëtorë në këtë projekt kaq të madh,

Është kënaqësi sot që të bëjmë nënshkrimin zyrtar të marrëveshjes midis palëve të “Durrës Yacht & Marina”. Ky është hapi vendimtar dhe përfundimtar i një procesi të gjatë, të cilin ne e kemi bërë transparent dhe e kemi ndarë me publikun, ndoshta sot do të lindë pyetja çfarë po firmosim, kjo është kontrata përfundimtare pasi kemi kaluar të gjitha hapat e duhur duke nisur nga AIDA, nga letra e interesit që është shprehur nga investitori në atë kohë dhe të gjithë hapat e tjerë në një negocim shumë të gjatë dhe më pas deri në aprovimin nga parlamenti dhe sigurisht edhe dekretimin e këtë ligjit të posaçëm nga Presidenti.

Në ndërkohë, e kemi thënë shpesh, por unë nuk mërzitem kurrë që ta përsërisë. Ky është projekti më i madh ekonomik që Republika e Shqipërisë ka pasur ndonjëherë, por dhe me një element shumë të rëndësishëm, për herë të parë shteti shqiptar është bashkë aksioner në një projekt i cili do të ketë një vlerë investimi rreth 2 miliardë euro dhe për më tepër duhet të kemi parasysh që ky projekt do të ndryshojë një herë e përgjithmonë të gjithë pamjen e madhe të turizmit, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.

Kemi pasur rastin që të shikojmë në dy momente hapjen e zyrave përsa i përket tregtimit të njësive të banimit, edhe në Durrës dhe në Tiranë dhe interesi ka qenë me të vërtetë i madh, ashtu siç ka qenë dhe interesi i madh nga çfarë na thotë investitori edhe në kërkesat online që ka pasur dhe jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, por nga qytetarë nga e gjithë bota dhe çfarë është lajmi i mirë gjithashtu edhe nga diaspora shqiptare të vendosur kudo në botë të cilët duan që të kenë një njësi banimi në këtë projekt të ri kaq të rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin.

Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë që të negocionim. Ecnim në një rrugë totalisht të re për ne si grup negociator, por duhet të themi që sot përveç një projekt shumë të rëndësishëm kemi dhe një grup të përgatitur për projekte të tjera të kësaj shkalle dhe të kësaj natyre që për të thënë të drejtën unë e quaj të gjithë atë kohën e negocimit, gati më shumë se një vit, si një shkollë e veçantë për të gjithë ju që keni marrë pjesë. Kemi negociuar gjatë dhe besoj dhe e vlerësoj se ja kemi dalë më së miri se realizmi i projektit do të vërtetojë një herë e përgjithmonë që kemi bërë zgjedhjen e duhur dhe kemi këmbëngulur, se për të thënë të drejtën kemi pasur dhe momente kur të dyja palët mendonim që ndoshta nuk do të ecte ky projekt pasi kërkesat nga shteti shqiptar ishin të shumta, por kemi pasur mirëkuptimin e investitorit pasi siç thamë ky ishte një projekt i një natyre totalisht për ne.

Duhet thënë që ky projekt, i pari i këtij lloji edhe për pjesëmarrjen e shtetit si bashkë zhvillues në një partneritet publik-privat me një skemë të shkëlqyer, parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët ku shteti që është aksioner në masën 33% ka të gjitha benefitet e një aksioneri në të ardhura dhe në fitim. Shteti ka përgjegjësi të ruaj asetet e tij më strategjike të cilat në Durrës janë kalatat, baseni dhe kanali i portit. Të gjitha këto mbeten pronë shtet, siç mbetet dhe 45% e hapësirës së portit aktual, hapësirë e cila do të pastrohet, do të rehabilitohet dhe do ti kthehet në përdorim qytetarëve të Durrësit, Shqipërisë dhe vizitorëve.

Mbaj mend fjalën në parlament tek debatonim e një nga deputetëve të Durrësit dhe kam dëgjuar gjënë më të bukur sepse foli jashtë çdo formati politik apo agresiviteti që në ato momente ndodhte në sallë dhe tek thuhej që Durrësi po humb portin e tij, qytetarët do humbin portin, ai tha nuk është e vërtete, ne tashmë do të kemi mundësi që të futemi në atë port se nuk jemi futur kurrë. Ka qenë një zonë industriale, e sigurisë së lartë dhe mbyllur ndërkohë që do të kthehet në një zonë rekreative dhe përveç atyre që do të kenë njësitë e banimit apo atyre që do ta vizitojë dhe do të jetojnë aty për disa ditë qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë më në fund do të kenë akses në vijën bregdetare e cila nuk ka qenë në funksion të qytetarëve, por në funksion të mallrave deri më sot.

Por, ky zhvillim ridimensionon edhe fuqinë dhe përgjegjësinë e Autoritetit Portual të Durrësit, duke na dhënë mundësinë që të bëjmë një reformë shumë të thellë përsa i përket këtij autoriteti kaq të rëndësishëm dhe Durrësi tashmë do të bëhet me dy porte, një port ky që flasim sot, porti turistik i marinës dhe i jahteve dhe nga ana tjetër porti tregtar i Porto Romanos në zonën e dedikuar për një kompleks zhvillimi industrial.

Tashmë kompania holandeze Royal Haskoning me të cilën do të kemi fatin që të prezantojmë gjithë këtë projekt për kompani të cilat janë të interesuara që të marrin pjesë në zhvillimin e projektit dhe Pirro në qoftë se nuk gabohem kemi pasur deri tani 40 aplikime për pasnesër. Në datë 1 shkurt do të bëjmë prezantimin e projektit të detajuar inxhinierik. Do të jetë një prezantim që do të bëhet nga inxhinierët e Royal Haskoning për të gjithë kompanitë të cilët janë të interesuar dhe deri më sot kemi pasur mbi 40 aplikime nga kompani ndërkombëtare që do të marrin pjesë në datë 1 shkurt në tryezën e përbashkët. Kështu që duket që ka një interes të lartë për këtë port, pasi ky nuk do të jetë porti i vetëm i shqiptarëve. Ky do të jetë një port i lidhur me dy porte të tjera të thata, njëri në Prishtinë dhe tjetri në Strugë. Pra, ne tashmë kemi marrëveshje të nënshkruara me qeverinë e Kosovës dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe ky do të jetë një port i cili do të ketë një ndikim në zhvillimin ekonomik të rajonit.

Duhet të kemi parasysh që ka disa shifra krahasuese. Flasim për një port i cili do të shtrihet në 450 hektar krahasuar me portin aktual që shtrihej në 80 hektarë. Është një port i cili është studiuar për të qenë i aksesueshëm nga të gjitha vendet që thamë për 3-4 dekadat e ardhshme dhe për të akomoduar, jo vetëm ato anije që vinin deri më sot në portin e Durrësit, por anije të tonazhit të lartë, pasi thellësia e portit do të jetë mbi 16 metra krahasuar me portin e Durrësit i cili varionte nga 9 deri në 11 metra.

Të gjitha këto zhvillime inxhinierike që do të ndodhin në portin e ri të Durrësit shoqërohen edhe me një zhvillim shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me akomodimin e faciliteteve, për forcën tonë detare dhe flotat aleate përmes një baze autonome e cila do të ndodhet në një skaj të këtij porti, për të cilën ne kemi nisur diskutimet me partnerët tanë në NATO dhe presim miratimin dhe menjëherë do të nisim nga puna.

Kjo është një vendimmarrje zhvillimore dhe strategjike e kryer me analistë të detajuar nga një nga kompanitë me emrin më të madh në fushën e zhvillimeve detare. E gjitha kjo ndërmarrje është një ndërmarrje historike, e cila do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë Durrësin, por edhe të gjithë Shqipërinë përsa i përket industrisë detare. Këto projekte do ta kthejnë Durrësin në një pikë kyç dhe pikë reference të Ballkanit Perëndimor dhe të Mesdheut përsa i përket këtij porti të ri, por sigurisht edhe për Marinën për të cilën jemi këtu sot dhe që do të kalojmë pas pak në nënshkrimin e kontratës. Në mbyllje të fjalës time, ashtu siç kam bërë dhe herë të tjera unë dua të falënderoj të gjithë grupin që kanë punuar së bashku, duke nisur nga Besi, tek Elira, tek Erlisi, tek Ermali dhe sigurisht Pirro i cili ka mbajtur një peshë shumë të madhe, duke qenë se kishte përgjegjësinë edhe të pronës së portit të Durrësit.

Ne e kemi vërtetuar gjithmonë që kur punohet në grup dhe ashtu siç ne dimë të përdorim shpirtin e skuadrës rezultatet janë gjithmonë të prekshme. Tani nis një fazë akoma më e vështirë. Faza e implementimit që ne themi që s’do ketë asnjë krahasim me vështirësinë që kaluam tek negociatat, do të jetë akoma më shumë e komplikuar, por unë jam e sigurtë që me të gjithë këta komponentë, me të gjithë njerëzit që ne tashmë kemi në gatishmëri do t’ia dalim për ti marrë më të mirën këtij projekti për Shqipërinë dhe për qytetarët e Shqipërisë.

Previous Sektori i Verës në Shqipëri në vëmendjen e revistës prestigjoze Decanter