Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit midis Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit midis Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe

U nënshkrua sot Memorandumi i Mirëkuptimit midis Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sh.T.Z. Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, – i cili hap një kapitull të ri të bashkëpunimi në fushën e Sigurisë Kibernetike me Emiratet e Bashkuara.

Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike Igli Tafa dhe Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sh.T.Z Sulaiman Humad Salem ALMazroui, përfaqësues i Këshillit të Sigurisë Kibernetike  të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Pas nënshkrimit, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sh.T.Z. Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan dhanë një deklaratë për shtyp:

 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Kemi vendosur të dy që të flasim në anglisht kështu që më lini të shpreh e t’ju uroj mirëseardhjen nga zemra Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të vendit sivëlla të Emirateve të Bashkuara Arabe, lartësisë së tij Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan në Shqipëri.

Siç e thashë, Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend vëlla që kanë qenë të pranishëm, na kanë ardhur në ndihmë kur kemi pasur më të nevojshme për të mos u ndjerë të vetëm. Duke e nisur me eksodin madh masiv të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë kur Sheikh Mohamed bin Zayed, presidenti aktual i Emirateve te Bashkuara Arabe, i shoqëruar nga një grup i madh njerëzish, mbërriti në këtë vend për të sjellë ndihmë e lehtësim dhe kur nën patronazhin e të ndjerit Sheikh Zajed, u hap rruga për uljen e avionëve në Kukës për të ndihmuar ata që ishin shumë në nevojë.

E më pas, më tej e kemi ndjerë këtë miqësi dhe këtë dashuri dhe më duhet të them që vitet e fundit kanë shënjuar zhvillime tejet pozitive dhe një numër mbresëlënës sistematik shkëmbimesh që kanë krijuar mundësi për të ndërtuar jo vetëm programe të qëndrueshme bashkëpunimi, por po ashtu për të ndërtuar një lidhje dhe për të eksploruar së bashku për më shumë begati në mbarë këtë rajon.

I jam shumë mirënjohës mikut tim të dashur e të vërtetë dhe ministrit të Jashtëm për vizitën e tij dhe dua të cek faktin se ai mbërriti në Tiranë, pasi kishte qenë në Prishtinë e më parë në Beograd.

Ai është këtu jo vetëm si dëshmitar i dëshirës dhe vullnetit të plotë të Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u bërë pjesë e një rrugëtimi të gjatë drejt një të ardhmeje më të mirë, por edhe për të bërë gjithçka për të mbështetur procesin e normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës si dhe për tu siguruar që të gjitha vendet së bashku të marrin gjithmonë e më tepër së bashku në të ardhmen dhe të jenë gjithmonë e më pak më të lidhur me të shkuarën që nuk është kurrsesi një motivim i mirë për të ardhmen, nëse nuk e shohim si një arsye për të vrapuar drejt së ardhmes.

Së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia dua të falënderoj prej zemrës ambasadorin e Emirateve te Bashkuara Arabe dhe të gjithë ata që nën këshillimin e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Ministrit të Jashtëm, kanë ardhur të nënshkruajnë këtë marrëveshje që është e një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për vendin tonë sepse ka të bëjë me sovranitetin e këtij vendi, integritetin e këtij vendi dhe me atë çka është sot lloji i ri i kërcënimit ndaj sovranitetit dhe integritetit, jo duke treguar tanket apo avionët që shkelin integritetin territorial por duke piratuar e duke sulmuar hapësirën kibernetike për të paralizuar të gjitha funksionet shtetërore .

Nuk e falënderoj dot sa duhet Sheikh Mohammed bin Zayed, ministrin dhe njerëzit në Abu Dhabi që janë angazhuar me këtë mbështetje sepse kjo është në rëndësi jetike.

Më lini ta përmbyll duke ju kujtuar të gjithëve se Sheikh Mohammed u gjend krah nesh kur ne u goditëm nga një tërmet shkatërrimtar dhe sot shohim lagje të reja me një arkitekturë të bukur, me ngjyra të bukura, me drita të bukura shprese që shfaqen në Durrës, siç po shohim edhe nisjen e zhvillimit të investimit të huaj më të rëndësishëm në historinë e këtij vendi, Portin e Ri Turistik të Durrësit që është bërë i mundur me bekimin e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Miku im, e di që keni shumë punë, duhet të shkoni nga njëra pikë në tjetrën, jeni gjithmonë në vrap e sipër, por nuk ju kam zili. Do të ndalem këtu edhe pse do doja që të flisja orë e orë të tëra për të thënë se sa ju vlerësojmë dhe se sa ju çmojmë dhe sa të bekuar ndihemi që kemi qenë kaq të privilegjuar për të dëshmuar këtë periudhë historie, ku pas një izolimi të gjatë, ku pas një rruge të gjatë, nga ferri mundëm të takojmë njerëz si ju dhe presidenti juaj dhe si popullin e Emirateve që na e bëjnë jetën më të bukur sepse jo vetëm nuk ndihemi vetëm, por ndihemi jashtë mase të respektuar.

Zoti ju bekoftë që jeni kaq të pasur e kaq të përulur, që keni gjithçka dhe sërish silleni sikur asgjë nuk është më e rëndësishme sesa miqësia e që nuk i matni miqësitë në mbarë botën në varësi të madhësisë se vendit, në varësit të fuqisë së tyre financiare, por në bazë të vlerave shumë herë e më të thella.

Zoti ju bekoftë ju, Zoti bekoftë Emiratet e Bashkuara Arabe!

 

Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sh.T.Z. Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan: Kryeministër, më lini pikë së pari të them sesa i gëzuar dhe i nderuar jam që kthehem në Tiranë dhe ndihem vërtetë në siklet që janë bërë kaq vite nga vizita që përmendët.

Siç e përmendët ju, kur Sheikh Mohamed erdhi në Kukës, unë pata privilegjin të isha me të asokohe. Nuk i harroj dot kurrë ato pamje të njerëzve që ishin në nevojë, por edhe të bujarisë së shqiptarëve drejt të ardhurve nga Kosova.

Kryeministër, ju jeni një komb me shumë fat. Ia keni dalë në një periudhë kaq të shkurtër të përballoni kaq shumë sfida dhe jam i sigurt që kjo është falë dedikimit tuaj, të ekipit tuaj, të qytetarëve shqiptarë të cilët ia kanë dalë dhe e di që nuk është e lehtë, tingëllon e lehtë, por ia kanë dalë të kthejnë faqen. Keni kthyer faqen dhe iu keni treguar shumë njerëzve në mbarë botën sesi vendet mund të tejkalojnë të tilla tragjedi dhe ka shumë pak vende që e kanë bërë këtë gjë në mënyrë të njëpasnjëshme ndaj përgëzime.

Kryeministër, jam i lumtur të shoh që marrëdhënia jonë po rritet, por do të thoja që do të doja që ajo të rritej më shpejtë. Ka kaq shumë gjëra të mira që po ndodhin, ashtu siç ju e përmendët me të drejtë, por ka edhe shumë të tjera që mund të bëjmë sipas bisedës që edhe bëmë bashkë me kolegët e mi për energjinë, për energjitë e ripërtëritshme, infrastrukturën, turizmin dhe folëm edhe për bujqësinë.

Kryeministër, përmes jush do të doja të them se ne në Emiratet e Bashkuara Arabe jemi të nderuar që kemi 12 mijë shqiptarë që jetojnë në Emirate, të cilët kanë bërë një punë mjaft të mirë. Shpresoj fort që të ndihen si në shtëpi aty. Ne do të bëjmë gjithçka të mundur për ta që të ruajnë kontaktet në vend, por edhe që ata të mos ndjejnë mallin shumë për shtëpinë duke qenë se janë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kryeministër, dua vetëm të them se Emiratet e Bashkuara Arabe do të përpiqen që të punojnë me miqtë e tyre në Ballkan duke vlerësuar paqen, duke vlerësuar zhvillimin dhe duke respektuar të shkuarën dhe historinë, por për aq kohë sa mund të ecim përpara dhe e shohim procesin e normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës si diçka që është jashtë mase inkurajuese. Ne e mbështesim fort atë dhe do të punojmë shumë me ju dhe me miq të tjerë në Ballkan për tu siguruar që normalizimi i Kosovës dhe Serbisë të jetë i suksesshëm dhe tu japë popujve të të dy vendeve më shumë shpresë për të ardhmen.

Kështu që, kryeministër edhe një herë dua të them se jam mirënjohës për fjalët tuaja të bukura, jam mirënjohës për mikpritjen tuaj të shkëlqyer dhe jam i nderuar që gjendem në vendin tuaj.

Pres me padurim që të punoj ngushtë me ekipin tuaj për t’i bërë ëndrrat tuaja dhe të sheikh Mohamedit realitet.

Faleminderit shumë!

Previous Siguria kibernetike, firmoset Memorandumi i Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara