ytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, rezidentë në zonat kufitare, mund të qarkullojnë krejt lirshëm në dy anët e kufirit, në një rreze prej 30 km nga të dy krahët, edhe me mjetet e tyre, në pikat e njohura te kalimit kufitar. Kjo lehtësi rrjedh si rezultat i një përmirësimi që iu bë protokollit bazë, ndërmjet dy palëve, që u nënshkrua nga ministrat e Brendshëm Çuçi e Sveçla gjatë takimit që u mbajt në Tiranë.
Dy ministrat, theksuan gjatë takimit se qëllimi i këtyre protokolleve është lehtësimi i qarkullimit të shtetasve të të vendeve, pa pasur pengesa burokratike e njëherësh garantimi i sigurisë së të vendeve, për të penguar çdo tentativë aktesh të paligjshme nga individë të caktuar.
Në lidhje me shtesat e bëra në protokollin e nënshkruar, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi nënvizoi se:
“Me mikun tim, me Xhelalin, tashmë jemi bërë partnerë gati të një qeverie, sepse takimet janë gjithmonë e më të shpeshta, gjithmonë në të mirë të rritjes së sigurisë së të dy vendeve tona, edhe lehtësimit të lëvizjes së shtetasve të të dy vendeve tona. Ju e dini që unë do të doja të mos kishte marrëveshje fare, ose më mirë, të kishte vetëm një marrëveshje, ku të mos kishte kufij fare, edhe kjo lëvizje e lirë që ne po i mundësojmë banorëve kufitarë, brenda 30 km, të secilit vend, të ishte për të gjithë territorin, qoftë të Kosovës, qoftë të Shqipërisë. Por deri atëherë, meqë jetojmë në Europë, jemi bashkësi e Europës e duhet të respektojmë të gjitha këto marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat jemi pjesë, deri atëherë, ne do të bëjmë të pamundurën që shtetasit tanë të qarkullojnë sa më lirshëm”.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, u shpreh se:
“Unë jam i bindur që me këtë, do t’i përafrojmë jo vetëm institucionet por edhe qytetarët e të dy vendeve tona. Kjo nuk do të jetë as marrëveshja e fundit, por do të jetë një vazhdimësi e shumë marrëveshjeve, të cilat i kemi nënshkruar dhe do t’i nënshkruajmë së bashku, deri sa të vijë koha që realisht qytetari i të dy vendeve mos ta dijë se ku ndodhet, apo punon”.