Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Qershor 2023:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2020 PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I PERFORMANCËS DHE INVESTIMEVE NË SEKTORIN E UJËRAVE, PJESA E DYTË”, INFRASTRUKTURA KOMUNALE, FAZA V, PJESA II
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2020 për projektin “Programi i performancës dhe investimeve në sektorin e ujërave, pjesa e dytë”, infrastruktura komunale, faza V, pjesa II, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT NR.II, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJE PËR NEGOCIATAT PËR ANËTARËSIM TË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN NË SEKTORIN EKONOMIK” (SANECA II)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit nr.II, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Deutsche Gesellschaft Für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) Gmbh, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në sektorin ekonomik” (SANECA II).
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.543, DATË 29.9.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.543, datë 29.9.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara”, anulohet kompensimi për pasurinë nr.14/207, në zonën kadastrale 8601, Vlorë.
2. Ngarkohen Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË SIGURISË USHQIMORE 2023-2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 11, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Ushqimore 2023-2027, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE DHE PUNONJËSVE TË DREJTORISË SË SHËRBIMEVE QEVERITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e strukturës së pagës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve dhe punonjësve të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
2. Klasat e pagave dhe shtesat për kushte pune (natyrë të veçantë pune) të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” në Drejtorinë e së Shërbimeve Qeveritare, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Funksioni “Sekretar i titullarit dhe bordit drejtues” përfiton një shtesë mbi pagë, në masën 7 000 (shtatë mijë) lekë në muaj.
3. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore (paga për pozicion, shtesa për vjetërsi në punë dhe shtesa e nivelit të kualifikimit) për secilën klasë, të përcaktuar në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe vlerat për secilin element, janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.
4. Klasat e pagës dhe shtesat për kushte pune të punonjësve mbështetës në Drejtorinë e së Shërbimeve Qeveritare janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Vlera e pagës bazë për klasë dhe mënyra e llogaritjes së vjetërsisë për secilën klasë, të përcaktuar në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve mbështetës në institucionet e administratës publike.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2023 për Drejtorinë e së Shërbimeve Qeveritare dhe nga fondi kontigjencës, i miratuar për buxhetin e shtetit për vitin 2023.
7. Vendimi nr.149,datë 29.2.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave për punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare”, i ndryshuar, shfuqizohet.
8. Ngarkohet Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 prill 2023.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA