Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka folur në Kuvend për projektligjin “Për Policinë Bashkiake”, i cili sjell një reformim tërësor të kësaj strukture komplementare me punën e Policisë së Shtetit për rritjen e sigurisë në komunitet. Çuçi tha se rishikimi i këtij ligji është një domosdoshmëri funksionale, për dy arsye:
së pari, ajo çka kemi vërejtur në harkun kohor të 25 viteve (që kur ligji hyri në fuqi për herë të parë) është një mbivendosje e konsiderueshme e kompetencave;
së dyti, edhe mangësi evidente që kanë ardhur si produkt i kohës e që duhet të adresoheshin në të mirë të një shërbimi me standard sa më cilësor për qytetarët e vendit.
Më tej Ministri i Brendshëm renditi disa prej risive kryesore të ligjit.
“Më konkretisht bëhet fjalë për ridimensionim të kompetencave në fushën e rendit dhe sigurisë, qarkullimit rrugor, bashkëjetesës shoqërore, mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së hapësirave publike, etj. Peshë specifike i këmi kushtuar cilësisë së trupës së këtij shërbimi, duke aplikuar standarde krejt të reja dhe bashkëkohore për rekrutimin e kandidatëve- që nga shpallja, Komisioni Përzgjedhës, verifikimet dhe testet- me shkrim, ai i aftësive fizike dhe intervista, përfshirë këtu edhe të drejtën e ankimimit, deri në publikimin e listës përfundimtare fituese. Kemi integruar kritere cilësore për të zhvilluar profilin dhe aftësitë profesionale të kësaj trupe shërbimi, duke filluar që nga trajnimi i detyrueshëm katër javor pranë Akademisë së Sigurisë gjatë periudhës së provës e duke vazhduar me trajnime specifike për zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale dhe administrative mes Shkollës së Administratës Publike apo institucione të tjera arsimore (në varësi të tematikave).
Së fundmi, por jo më pak nga rëndësia, parashikohet edhe vlerësimi i performancës së punonjësve të Policisë Bashkiake, duke matur realizimin e objektivave dhe sjelljen profesionale të tyre. Po kështu ligji adreson edhe trajtimin financiar gjatë e pas përfundimit të detyrës”, deklaroi ministri Çuçi.
Në përfundim të fjalës ai theksoi, se së bashku me Këshillat Vendorë për Sigurinë Publike, instrumente tashmë të ngritur dhe funksionalë që bëjnë bashkë aktorë shtetërorë dhe komunitarë në çdo bashki, Policinë e reformuar Bashkiake dhe Policinë e Shtetit, ne po ndërtojmë një trekëndësh tejet të rëndësishëm për forcmimin e vazhdueshëm të sigurisë publike dhe parandalimin e ngjarjeve apo fenomeneve që e cënojnë atë.
Ky projektligj u miratua me 76 vota pro në seancën plenare.