U nënshkrua sot Memorandum i Mirëkuptimit mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Organizatës mjedisore amerikane Patagonia për shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar”, një hap i madh ky, i shumëdëshiruar nga aktivistët në gjithë botën, për krijimin e Parkut të parë Kombëtar për një lumë të egër në Europë.
Në muajin janar, Vjosa mori statusin “Park Natyror”, duke u bërë për herë të parë pjesë e zonave të mbrojtura, ndërsa tanimë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe organizata Patagonia, e njohur ndërkombëtarisht për angazhimet e saj në fushën e mjedisit, me pjesëmarrje aktive në shumë kauza mjedisore, – zotohen se do të punojnë së bashku me qëllim arritjen e shkallës më të lartë të mbrojtjes.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e Nënshkrimit, ku të pranishëm ishin Ministrja e Turizimit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, CEO i Patagonia Ryan Gellert, me praninë edhe të organizatave që bëjnë pjesë në koalicionin europian “Save the Blue Heart of Europe” si Riverëatch, EuroNatur, EcoAlbania, ekspertë mjedisorë, përfaqësues të trupit diplomatik, donatorë, etj.
Në memorandumin e Mirëkuptimit, i cili konkretizon bashkëpunimin, palët angazhohen për të punuar së bashku në rritjen e shkallës së mbrojtjes së lumit Vjosa në kategorinë e dytë, “Park Kombëtar”, duke përfshirë edhe degëzimet. Brenda 45 ditësh nga nënshkrimi i këtij Memorandumi, do të ngrihet grupi i punës, nën drejtimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë. Detyra e këtij grupi pune është të hartojë një propozim të plotë dhe profesional për statusin e Parkut Kombëtar, përmes zonimit dhe përcaktimit të kufijve të Parkut Kombëtar, konsultimin me palët e interesit dhe shqyrtimin e mundësive të zhvillimit të ekoturizmit.
Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i egër në Europë, me një gjatësi 272 kilometra që shërben si habitat i mbi 1,100 specieve, ndër të cilat 13 janë gjallesa në rrezik zhdukje në rang global. Këto vlera ekologjike dhe kulturore ofrojnë mundësi të mëdha për ekoturizëm dhe përfitime të tjera ekonomike për njerëzit që jetojnë në rajonin përkatës. Me vendimet e qeverisë shqiptare në muajin janar 2022, sipërfaqja e zonave të mbrojtura u rrit në 21% të territorit të vendit.
Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Rama tha se vizioni për të ardhmen është, “të ndërtohet një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që do t’ia lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës në një rrugë të re dhe deri më sot të pashkelur në Europë.”
* * *
Përshëndetje të gjithëve, më vjen mirë që sot jemi në këtë moment të rëndësishëm të hedhjes së një hapi vendimtar drejt shpalljes së Vjosës “Park Kombëtar”, duke përfituar nga një bashkëpunim i afërt me organizatën globale “Patagonia”, të cilën i detyrohem një falenderim për faktin se ishte bashkë me të gjithë zhurmaxhinjtë e tjerë në këtë proces, por ndryshe nga zhurmaxhinjtë e tjerë, e priti me shumë kënaqësi ftesën tonë për, për të përveshur edhe mëngët, përveçse për të nxjerrë zhurmën dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme pasi organizata “Patagonia” ka atë që neve na duhet më shumë se çdo gjë tjetër, që është dija dhe eksperienca në një fushë si kjo e mbrojtjes përmes sistemit të Parkut Kombëtar të një pjese të rëndësishme të vendit, e cila duket si e lehtë por është shumë e vështirë.
Është shumë e vështirë sepse Vjosa kalon mes për mes trupit të Shqipërisë, hyn nga njëra anë dhe del nga ana tjetër dhe të thuash Park Kombëtar është një fjalë goje ndërkohë që në këtë gjatësi shtrihen qytete e fshatra të tërë dhe një popullsi e tërë, e cila ka nevojë për një horizont zhvillimi ekonomik dhe social. Kur na thonë që ky është lumi i fundit i egër në Europë, bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë të tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre kurse këtu e duan të egër.
Ne nuk jemi kundra sepse përderisa po e bëjmë, po e bëjmë me bindjen e plotë që kjo është e ardhmja, por këta që e duan Vjosën të egër, duhet të kenë parasysh që ne nuk mund të ndërtojmë një rezervat ku edhe njerëzit t’i egërsojmë për t’ia përshtatur kënaqësisë së tyre për një lumë të egër diku në Europë, por të ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që do t’ia lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës në një rrugë të re dhe deri më sot të pashkelur në Europë.
Siç e thashë, Vjosa është egërsira e fundit lumore që nuk do hyjë në cirkun e kafshëve të zbutura të sistemit elektro-energjetik të Europës. Të gjithë lumenjtë e tjerë janë bë si qentë dhe macet e cirkut që prodhojnë energji ndërsa Vjosa do prodhojë ardhmëri në një formë tjetër. Kjo, dua ta them sot sepse sot është dita për të marrë pak hak, është një histori që ka pasur edhe një aspekt të lidhur me pavërtetësinë dhe me hipokrizinë pasi ne e vendosëm Vjosën në mbrojtje dhe ky është fakt, është i shkruar. Në Vjosë ishin planifikuar të ndërtoheshin hidrocentrale. Ne trashëguam rreth 400 licenca hidrocentralesh për lumenjtë e Shqipërisë, 12 vetëm në Valbonë, në lumin e mrekullueshëm të Valbonës ku gjetëm në proces 2 dhe ku bllokuam dhe pastaj eliminuam 9 a 10 të tjera.
E njëjta gjë ishte me Vjosën dhe ne e kthyem në zonë të mbrojtur për të mos lejuar ndërtimin e hidrocentraleve. Mirëpo, kjo ishte njësoj si tua fusnim në vesh të gjithë atyre që deri atëherë as nuk e dinin ku ishte Vjosa për të filluar një terror artikujsh me shumë të pavërteta edhe në gazeta shumë prestigjioze në mbrojtje të lumit të fundit të egër të Europës. Gjithsesi, kjo tani është histori!
Tani ne jemi këtu për të kaluar në një fazë tjetër, nga zona e mbrojtur e cila është një hapësirë shumë e madhe, në “Parkun Kombëtar” që do jetë boshti i kësaj hapësire, ashtu sikundër e kemi diskutuar tanimë me partnerët tanimë të organizatës “Patagonia” duke u angazhuar për një projekt shumë të madh dhe në shumë dimensione. Ministrja e preku pak larminë e çështjeve dhe dimensioneve që ka kjo ndërmarrje. Ne deri sot i kemi shtuar territorit të vendit zona të mbrojtura duke i çuar në 21% tërësinë e pjesëve të mbrojtura të territorit dhe në vizionin e Shqipërisë 2030, ambicia jonë është të shkojë 30%.
Nga ana tjetër, Moratoriumi i pyjeve, pra ndalimi i prerjes masive të pyjeve dhe Moratoriumi i gjuetisë kanë filluar tani, pas një numri relativisht të konsiderueshëm vitesh, të japë rezultatet e para. Mjafton të shikojmë hartat satelitore të vendit për të parë dallimin e madh në aspektin e ripërtëritjes së gjelbërimit dhe nga ana tjetër, të shikojmë të gjithë inventarin e specieve të faunës së vendit për të parë rezultatin e ndalimit të gjuetisë. Do vazhdojmë me Moratoriumet sepse është një domosdoshmëri dhe faktet kanë treguar që ndalimi i prerjes masive të pyjeve apo i vrasjes masive të kafshëve dhe shpendëve nuk na ka sjellë ndonjë dëm ekonomik, përkundrazi.
Natyrisht që në Shqipëri gjatë gjithë këtyre viteve kanë vazhduar të priten pemë, kanë vazhduar të bëhen dhe vrasje kafshësh, nuk ka qenë 100% e bllokuar as njëra, as tjetra në aspektin e zbatueshmërisë së Moratoriumeve, por të dyja kanë ndodhur në përmasa të atilla që janë të papërfillshme në raport me atë që është shpëtuar.
Zona që do të mbulojë Parku Kombëtar është një zonë shumë e madhe, është Parku më i madh Kombëtar i Shqipërisë dhe na vë përpara detyrimit për të ndërtuar një ngrehinë të tërë institucionale dhe për të rrjetëzuar të gjithë institucionet që kanë një veprimtari që ndërthuret lidhur me gjithçka ka brenda në përmbajtjen e Parkut Kombëtar, gjë që do të kërkojë kapacitete të larta njerëzore, profesionale dhe eksperiencë të madhe dhe këtu e përsëris, bëhet shume e vlefshme marrëdhënia jonë me organizatën Patagonia. Ashtu sikundër së bashku kam besim se do të mund të tërheqim edhe të tjerë për ta mbështetur këtë proces. Për shkak se ky është një Park shumë kompleks, ne kemi marrë një ekspertizë ndërkombëtare përveç ekspertizës së brendshme, në mënyrë që të gjitha procedurat e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare, sepse vetë statusi Park Kombëtar është një standard ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës dhe të jemi të qartë që kur flasim për Park Kombëtar, aty menjëherë flasim për ndalimin kategorik të çdo biznesi apo veprimtarie ekonomike që mund të cënojë trupin e lumit apo krahët e tij.
Nga ana tjetër ne besojmë që duke shpallur Vjosën Park Kombëtar, do të kemi një impakt ekonomik shumë më të lartë se ç’do të ishte impakti ekonomik në terma financiare flas, i bazuar tek zhvillimi, në dëm të Vjosës. Mjafton të llogarisim me një projeksion shumë modest, konservativ, numrin e turistëve që do të rritet për të ardhur në këtë Park Kombëtar, ashtu sikundër aktivitetet e natyrës jo invazive që do të ndihmojnë komunitetet dhe banorët të zhvillojnë dhe të pasurojnë më tutje ekonominë e tyre, që të arrijmë në këtë konkluzion.
Vjosa ka mbi 1100 specie dhe ndër to, janë 13 specie kafshësh dhe 2 bimësh që janë të kërcënuara globalisht, pra që janë specie në zhdukje në rang planeti dhe ka të paktën 50 specie kafshësh dhe 25 bimësh që janë në listën e kuqe të Shqipërisë, pra është një ekosistem me vlerë të jashtëzakonshme për vendin tonë.
Më kanë shënuar këtu diçka për Leonardo DiCaprio, por nuk po e them sepse u bë i gjallë për ta goditur qeverinë, por s’u bë i gjallë për ta mbështetur qeverinë. Tani qeveria po bën atë që atij i kishin thënë që nuk kishin ndërmend ta bënte, por që në fakt qeveria ishte duke e bërë. E ka shok të mirë ministrja e Turizmit prandaj nuk po i bie më shumë dhe mbase këto goditje mund t’i shkojnë në vesh se mund ta kishim lavdëruar një orë edhe as do ta merrte vesh fare, po mbase duke e sharë pak, do t’ia kapë veshi, se aty ku të lavdërojnë me mijëra njerëz dhe të lavdëron edhe një tjetër, s’bëhet lajm, por kur miliona njerëz të lavdërojnë, asnjë s’të shan dhe të thonë se të ka sharë njëri, atëherë ka të ngjarë që të zgjohet edhe Nardi.
Këto kisha unë dhe nuk dua të zgjatëm më tutje. Po ftoj ministren e Turizmit dhe mikun tonë tanimë, të provuar se kemi mik me provë tani, se kur u shfaq në fillim ishte si këta UFO-t që vijën për të shpëtuar lumin e fundit të egër, por tani është këtu, është mik i provuar, që ka vendosur të bëhet bashkëluftëtar për ta mbrojtur Vjosën nga armiku, që të firmosin marrëveshjen, memorandumin e mirëkuptimit dhe pastaj të vazhdojmë më shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.