Bashkimi Evropian dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit prezantuan sot projektin “BE për Ekonominë Qarkulluese—Programi Rajonal i Menaxhimit të Mbetjeve”.
Me një vlerë prej 19 milionë euro, ky projekt i zbatuar nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) do të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve në Gjirokastër dhe Vlorën e Jugut.
Programi ka si qëllim të mbështesë Shqipërinë në rritjen e riciklimit, ngritjen e landfilleve dhe menaxhimin e mbetjeve në përputhje me praktikat e Bashkimit Evropian si dhe reduktimin e ndikimit mjedisor të mbetjeve të ngurta.
Kjo nismë nga ana tjetër, do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës në Gjirokastër, Vlorën e Jugut, Kukës dhe do të mbështesë përafrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së në rrugën e saj drejt anëtarësimit.
Në aktivitetin në Gjirokastër gjatë të cilit nisi zyrtarisht ky program, morën pjesë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ambasadori i BE në Shqipëri Silvio Gonzato, përfaqësues nga ambasada franceze dhe Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) dhe përfaqësues të qeverisjes lokale.
Një ekip konsulentësh ndërkombëtarë dhe vendas të caktuar nga AFD do të jenë përgjegjës për realizimin e aktiviteteve programore në muajt në vijim në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe 12 bashkitë nga të dy qarqet.
Ministrja Kumbaro theksoi rëndësinë e koordimit në nivel vendor pë zbatimin e këtij programi kyç në përputhje me Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve të Shqipërisë:
“Për qeverinë shqiptare çështja e mjedisit është një prioritet absolut i mandatit të tretë. Është prioritet së bashku me turizmin dhe unë besoj se me këtë program në qarkun e Gjirokastrës ne kemi kombinimin më të mirë, por gjithashtu edhe sfidën më të madhe që e gjejmë me popullsi 10-fish më shumë për shkak të turistëve që e frekuentojnë. Duhet të jemi shumë të koordinuar me qëllim që ky ritëm të kapet. Do të futemi patjetër në logjikën e riciklimit. E vetmja mënyrë për të ulur volumin e mbetjeve është të bëjmë ndarjen në burim me qëllim që jo gjithçka që ne gjenerojmë të përfundojë në mbetje. Në Gjirokastër projekti nuk parashikon ndërtimin e një landfilli të ri, por të stacioneve të ndërmjetme me qëllim evakuimin më pas në landfillin e Bajkajt, edhe ai një tjetër projekt që meriton vëmendje për t’u përmirësuar e zgjeruar”, u shpreh Kumbaro.
Minsitrja Kumbaro njoftoi gjithashtu se qeveria shqiptare po krijon një agjenci të re për ekonominë e mbetjeve e cila do të jetë koordinatore e projekteve pranë ministrisë qoftë të programit IPA, ashtu edhe të projekteve të tjera që ka me Bankën Gjermane për Zhvillim KFW në zona të tjera të Shqiëprisë.
Ambasadori i BE-së Z. Silvio Gonzato theksoi se programi është një moment historik i rëndësishëm drejt zbatimit të reformave në përputhje me BE-në.
“Në procesin e negociatave të anëtarësimit që Shqipëria do të nisë, respektimi i standardeve mjedisore të BE-së është një nga detyrat më sfiduese. Arsyeja për këtë është se nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e legjislacionit. Ajo kërkon gjithashtu investime të konsiderueshme, një ndryshim të politikave publike, si dhe ndryshime në mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe sillen. Projekti që ne nisim sot dëshiron të kontribuojë në këtë ndryshim politik dhe shoqëror”, u shpreh ambasadori i BE-së.
Zëvendës Shefi i Misionit në Ambasadën Franceze dhe i Ngarkuari me Punë Samuel Richard, përgëzoi bashkëpunimin në rritje Francë-Shqipëri në çështjet mjedisore.
Lançimi i këtij programi nënvizoi angazhimin e bashkive të vendit për të promovuar një ekonomi qarkulluese dhe praktika të qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve. Në kuadrin e “Fushatës së Gjelbër të BE-së”, ngjarja shërbeu gjithashtu si një rast për të kujtuar publikun për ndikimin e veprimeve të tyre dhe për të nënvizuar se si BE-ja po e ndihmon vendin në mbrojtjen e biodiversitetit të tij dhe kundër degradimit të mjedisit. Ky projekt, së bashku me EU4CE, përbëhet nga tre programe të ndryshme (me vlerë 44 milionë euro) që do të kontribuojnë në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave dhe do të rrisin mbrojtjen e biodiversitetit në zonat e mbrojtura. Një aktivitet i ngjashëm do të zhvillohet të premten më 19 janar në Kukës, për nisjen zyrtare të projektit në 4 bashkitë e qarkut Kukës.