Nga shkolla “Lasgush Poradeci” në Tiranë ka nisur fushata sensibilizuese për kursimin e energjisë. “Ti je heroi i energjisë”, është slogani i kësaj fushate, që do të shtrihet edhe në shkolla të tjera të vendit dhe që ka për synim informimin e fëmijëve me njohuri bazike dhe veprime të thjeshta të cilat ndikojnë në kursimin e energjisë në çdo familje si dhe t’i bëjë fëmijët aktivistë në përhapjen e mesazheve të kësaj fushate ndërgjegjësuese.
“Fëmijët janë ata të cilët, jo vetëm janë përcjellësit më të mirë të mesazheve, por do të jenë nesër edhe qytetarë më të përgjegjshëm”. Ky ishte mesazhi që zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku përcolli gjatë takimit me nxënësit e shkollës “Lasgush Poradeci”, ku e pranishme ishte edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
“Sot e gjithë Europa, por edhe bota, ndodhet përballë një problemi shumë të madh, që është energjia dhe kriza që po kalon ky sektor dhe ka sjellë një rritje të ndjeshme të çmimeve. Prindërit tuaj vazhdojnë paguajnë të njëjtën faturë se pavarësisht se kriza ka nisur nga shtatori i vitit të mëparshëm, pra ka 12 muaj, Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një nismë të fuqishme që quhet mburoja sociale energjetike. Kjo mburojë ofron ruajtjen e çmimit prej 9.5 lekë për çdo qytetar. Pra asnjë abonent deri më sot, asnjë familje nuk ka paguar asnjë lekë më tepër, pavarësisht se qeverisë i është dashur që ta blejë këtë energji nga importet”, nënvizoi Balluku.
Zëvendëskryeministrja tha se ky është një moment solidariteti, ku secili nga ne duhet të kontribuojë, sepse vetëm kështu do të arrijmë të kursejmë energji dhe do të arrijmë të ndihmojmë njëri-tjetrin.
“Unë jam shumë e sigurt që ju do të jeni zëdhënësit më të mirë për fushatën e kursimit. Unë jam shumë e sigurt që ju do të jeni heronjtë e energjisë dhe do të meritoni këtë titull dhe do të bëheni përçuesit e çdo nisme të mirë që ne do të marrim. Unë jam e sigurt që çdo gjë e mirë nis nga brezi juaj, nis nga të rinjtë”, ju drejtua zëvendëskryeministrja nxënësve të “Lasgush Poradecit”.
Në fjalën e saj ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi theksoi se pas pandemisë, kriza e energjisë është sot një tjetër sfidë, jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë botën. “Ne duhet të premtojmë që do të vazhdojmë të jemi qytetarë të përgjegjshëm, që së bashku jo vetëm do ta kursejmë energjinë në shkollë, në shtëpi por ne do të bëhemi ‘heronjtë e energjisë”, duke e përhapur me shokët, shoqet, prindërit sepse e gjithë shoqëria duhet të përfshihet në këtë fushatë për të kursyer energjinë”, tha Kushi.
Në ditët në vijim takime të ngjashme do të vijojnë edhe në shkolla e tjera të kryeqytetit, por edhe në qytete të tjera.