Fjala e Zëvendës Kryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:
Përshëndetje të gjithëve!
Së pari dua të them një herë për kë na ndjek është shumë ftohtë. Në qoftë se na shikoni që jemi pak duke u dridhur, përveç këtij grupi që e ka parë diellin, ne të tjerët jemi në kushte të vështira. Më keq se në kantiere, se në kantiere unë shkoj me çizme dhe me xhupa. Erdhëm të veshur zyrtarisht, por këta të OST-së nuk na lajmëruar që ishte ftohtë nga anët e tyre.
E dashur Yuri,
E dashur Artane,
Ky është një rrugëtim që ne e kemi bërë të gjithë së bashku. Një rrugëtim që unë nuk do lë pa falënderuar fillimisht bashkë luftëtarët e mi, se ka qenë një luftë e vështirë.
Dua të falënderoj Ilir Bejtjen, zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, por që mbulon energjinë dhe është një bashkëluftëtarë i imi i 5 viteve të fundit dhe e kemi ndjekur hap pas hapi këtë proces dhe kam bërë të pamundurën që ti nxija jetën, ashtu siç di unë. Dua të falënderoj Skerdi Drenovën, me qetësinë e tij olimpike, i cili e mban presionin tim zakonisht dhe ka bërë punën më të mirë për ta çuar procesin përpara. Dua të falënderoj Petrit Ahmetin, i cili me atë mençurinë dhe qetësinë gjithashtu na ka ndihmuar që të koordinonim dhe të bënim më të mirën. Dua të falënderoj USAID që ka qenë në krahun tonë gjatë gjithë këtij procesi. Gjithë ata të tjerë të cilët kontribuuan.
Sot jemi këtu për të kurorëzuar një punë 5-vjeçare. Një punë, e cila në disa momente dukej si e pamundur, sikur nuk do zgjidhej kurrë, si nuk do përfundonte kurrë, por ndërkohë viti 2022 ka shënuar nevojën ekstreme të të pasurit një Bursë Energjetike për Shqipërinë dhe për Kosovën, ku gjej rastin të falënderoj Artanen, mikeshën time, Ministren e Ekonomisë, por edhe të gjithë stafet e saj të cilët bashkëpunojnë me ne sikur të ishim një. Ashtu siç veç ne shqiptarët dimë ta bëjmë zakonisht.
Dhe ja ku jemi sot për të nisur një proces të rëndësishëm, për të lançuar ankandin e parë të ALPEX në ditën në avancë dhe për ti dhënë kështu një mundësi që brenda 12 muajve të arrijmë të kemi dhe tre ankande ditore të intra date, duke e kompletuar të gjithë këtë proces.
A do të jetë e vështirë që këtu e tutje? Ky është vetëm hapi i parë, pra zyrtarisht tashmë kemi një Bursë Energjetike, e dyta në rajon, e cila i përket Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Do jetë e vështirë? Patjetër do jetë vështirë. Pse duhet të fshihemi pas faktit që për të krijuar likuiditete do jetë një sfidë e re. Askush nuk mund të thotë që mbaruam, bravo, deri këtu ishte. Tani fillon një hap i ri, një luftë e re për krijimin e likuiditeteve që duhet të ketë kjo Bursë. Pa harruar, dhe unë këtë se kam fshehur kurrë dhe do vazhdoj ta them, pa qenë një populizëm për të thënë të drejtën, që ne prioritet, Qeveria Shqiptare ka mbrojtjen e konsumatorit final, e familjarëve, e bizneseve nga çmimet marramendëse të tregut, të cilat sigurisht duken sikur janë stabilizuar, por askush nuk di të thotë se çfarë do të ndodh në verë. Ashtu siç askush nuk dinte të thoshte se çfarë ndodhi në 2022.
Shqipëria sot është në një nga pozitat më të mira në rajon përsa i përket strategjisë energjetike, zhvillimit që ne do ti japim vendit dhe të gjitha qëllimeve që i kemi vënë vetes tonë për të arritur deri në vitin 2030. Ka qenë një rrugë e vështirë për të dizenjuar këtë strategji dhe për të qenë një strategji koherente me momentin për të mos shkruar strategji të cilat duhen rishikuar dhe ndryshuar çdo 6 muaj. Tashmë ne e kemi të qartë që diversifikimi i burimeve të rinovueshme është synimi ynë kryesor, por ama nuk harrojmë faktin që qëndrueshmëria energjetike, siguria energjetike është qëllimi kryesor i Qeverisë Shqiptare.
Viti 2022 tregoi edhe një herë se arma më e fuqishme për të goditur një shtet, një kontinent, një treg të stabilizuar si Europa ishte energjia. Ishte energjia kur u përballëm në muajin e gushtit, në ditët e fundit të atij muaji, me një çmim tregtimi prej 1040 eurosh për megavatorë, krahasuar me një vit më parë kur arrinte maksimumin 90-100 euro në muajin gusht. Kemi provuar tashmë që siguria energjetike është çelësi i mbrojtjes së sovranitetit të një vendi.
Këtu dua të ndalem pak tek partnerët tanë, tek partnerët tanë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë qenë të pranishëm në çdo hap që ne kemi hedhur në strategjinë tonë energjetike, për të krijuar këtë siguri që i duhet Shqipërisë, por dhe rajonit. Dhe unë këtu gjej rastin të falënderoj Yuri Kim, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila tha që nuk jam eksperte energjetike, por unë ju siguroj që e njeh shumë mirë fushën energjetike dhe për më tepër, përpjekjet e saj janë të krahasueshme me secilin nga ne që përmenda më parë që e kemi detyrë organike.
Ne kemi punuar ngushtësisht për një projekt të jashtëzakonshëm, i cili, unë vazhdoj ta them nuk është më një projekt që i përket Shqipërisë, është një projekt rajonal dhe flitet për projektin e Vlorës, për portin e lundrueshëm në të cilin do të vijnë sasitë e gazit të lëngshëm amerikan për tu përdorur më pas për prodhimin e energjisë elektrike përmes TEC-it të Vlorës. Por, sot ky projekt i integruar ka arritur diçka që dikur dukej e paimagjinueshme, ngritjen e një konsorciumi me emrat më të mëdhenj të fushës së naftës dhe të gazit, duke nisur nga ExxonMobil, Excelerate Energy, Socar, Enagaz e shumë e shumë partnerë të tjerë të cilët na janë bashkuar, duke krijuar një konsorcium, i cili ka arritur të integrojë këtë projekt edhe me projektin e madh dhe tashmë të suksesshëm të TAP.
Kështu që ne në muajt në vazhdim presim implementimin e këtij projekti, i cili ka qenë një përpjekje e përbashkët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe e ambasadës Amerikane dhe veçanërisht e ambasadores Kim këtu në Shqipëri. Tashmë të gjitha palët e ulura në tryezë kanë arritur në përfundimin që ky është një projekt efiçent. Ky është një projekt, i cili do të benifikojë vendin tonë, vendet e tjera të rajonit, por dhe vetë kompanitë pjesëmarrëse. Ky është një projekt, i cili ka bërë të gjithë këto aktorë bashkë për një sukses të garantuar në të ardhmen.
Kështu ka ndodhur dhe me energjinë e rinovueshme. Gjatë vitit 2022 ne në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë kemi administruar kërkesa për ngritjen e kapaciteteve të reja me 1.7 gigavat. Një sukses i jashtëzakonshëm i sektorit privat, të cilët kanë kuptuar që kjo është një fushë që ia vlen të investohet, por nga ana tjetër kanë arritur ti ngrenë kapacitetet njerëzore për të administruar në të ardhmen këtë fuqi energjetike. Nëse do të ndërtohet e gjitha kjo është një sfidë, pasi ka kërkesa të shumta rregullatore që duhen përmbushur nga aplikantët për të ngritur një park fotovoltaik. Por, vetëm para një javë së bashku me kryeministrin e kemi vizituar një nga parqet e para private që po ngrihet në zonën e Semanit. Pra, janë raste konkrete dhe të gjitha këto sasi energjetike të cilat do ti shtohen prodhimit tonë vendas, çdo të ndodhë me to, ku do të tregtohen. Ato do të tregtohen në mënyrë transparente dhe në një kompeticion të drejtë pikërisht në bursën energjetike shqiptare.
Të gjithë prodhuesit privat të energjisë elektrike do të kenë mundësi që në mënyrën më transparente të konkurrojnë me njëri – tjetrin, duke përfituar nga bursa, por nga ana tjetër duke i dhënë kështu edhe industrisë tonë, edhe tregut ndërkombëtar, mundësinë për të marrë energji elektrike me çmime sa më të konkurrueshme dhe sa më të ulëta.
Dua të them gjithashtu që kjo rrugë sfiduese për ne ka qenë dhe një shkollë më vete, ashtu siç është çdo proces. Çdo proces i vështirë kthehet në një shkollë për punonjësit tanë, për drejtuesit e sistemit energjetik dhe na jep mundësi për të zhvilluar më tej atë çka ne parashikojmë në strategjinë tonë. Për ta kthyer Shqipërinë në vitin 2030 nga një vend importues neto, në një vend eksportues neto. Duhet thënë që kjo bursë sot përmbush të gjithë parametrat teknikë të bursave europiane. Ne do të kemi një demonstrim pas pak, pasi unë nuk dua t’ju mbaj më gjatë në këto kushte ekstreme kur dielli shkëlqen, por ndërkohë është ftohtë dhe më mirë se praktika nuk ka asnjë fjalë.
Kështu që unë shpresoj që tashmë të jemi gati Sokol për të nisur procedurën dhe për ti treguar të gjithëve live sesi funksionon ALPEX dhe unë i bëj thirrje të gjithë prodhuesve të energjisë elektrike dhe tregtarëve të energjisë elektrike të tregojnë besim në këtë instrument të ri të dixhitalizuar, i cili i jep mundësi kujtdo që ta kontrollojë dhe krijon transparencë të plotë që të angazhohen dhe vetë ata, edhe duke sforcuar kapacitetet e tyre, për ta bërë këtë bursë sa më funksionale dhe për ti dhënë mundësi që ajo koha e gjatë e kolaudimit të jetë sa më e shkurtër dhe ALPEX të shërbejë pikërisht për tregun privat, për ndërmarrjet tregtare të energjisë dhe për të gjithë ne si një instrument çlirues nga detyrimi që kemi pasur për të blerë me çmime të larta.
Unë do të doja të falenderoja dhe njëherë të gjithë për vëmendjen, për bashkëpunimin dhe për mbështetjen nga dita e parë deri më sot. Është shumë bukur kur shikojmë procese që përmbyllen me sukses dhe është akoma më bukur kur unë gjithmonë në këto takimet e energjisë shikoj miq dhe dashamirës të cilët kontribuojnë në sektor të ndryshëm të energjetikës, sepse nuk është vetëm ajo elektrike që është e rëndësishme për ne.
Shumë faleminderit!