Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur programin e pasurimit të bibliotekave në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të vendit, me mbi 13 mijë libra të rinj.
Nga shkolla e mesme artistike “Jakov Xoxa” në Fier, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, foli për programin e ri, që do të përfshijë mbi 500 shkolla në vend.
“Jam e kënaqur që me këtë iniciativë do të jemi në 517 shkolla, me 13 mijë libra për shkollat 9-vjeçare dhe shkollat e mesme, për pasurimin e bibliotekave në shkolla, që ju të keni mundësi që edhe orët e hapura t’i bëni me librat e rinj”,- tha Ministrja Manastirliu.
Programi “Biblioteka ime në shkollë”, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, do të kontribuojë në zgjerimin e titujve të librave në bibliotekat e shkollave.
Më shumë se 13 mijë libra artistikë dhe shkencorë do të dorëzohen në mbi 500 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme përgjatë këtyre javëve. Pasurimi i fondit të librave në bibliotekat e shkollave u konsiderua si thelbësor nga Ministrja Manastirliu, jo vetëm për të zgjeruar aksesin e nxënësve në dije, por dhe për të ushqyer imagjinatën, dëshirën për leximin dhe për t’i pajisur me shembuj të nevojshëm, që do t’i nevojiten për të ardhmen e tyre.