Nis puna në terren për ndërtimin e linjës 400kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Nis puna në terren për ndërtimin e linjës 400kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut

Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë nisjes së punës për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni e Veriut:

Mirdita të gjithëve

Të nderuar ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të KfW,

Punonjës dhe përfaqësues të OST-së,

I dashur Skerdi,

Për ne është një ditë e veçantë kjo sot, apo jo? Pas shumë vitesh përpjekje, pasi ka qenë një procedurë e gjatë, një procedurë kur herë ne kemi qenë pak më pas, pala shqiptare, por sot ne jemi më të avancuar se miqtë tanë, pala e Maqedonisë së Veriut, por ka qenë një proces i gjatë, ashtu siç janë procese të gjata të gjitha projektet e rëndësishme dhe të gjitha projektet e mira që duhen bërë me hapa të sigurtë, pavarësisht se në Shqipëri, i nderuar Silvio, ne kemi një garë me kohën. Dhe shpeshherë, do ta shikoni edhe ju gjatë punës tuaj me ne. Ne fillojmë edhe kërkojmë ti bëjmë projektet sa më shpejt, të përfundojë sa më shpejt procedura, shpeshherë do t’ju ankohemi pse kjo burokraci e tej zgjatur, por duhet të na mirëkuptoni pasi Qeveria Shqiptare ka një garë me kohën.

Shqipëria ka humbur vite e vite të tëra në regjimin komunist, e më pas dekada të tëra nën tranzicion. Kështu që populli shqiptar, çdo i moshuar, çdo fëmijë që lind në këtë vend, ka të drejtën që të gëzojë nga këto projekte, projekte që vijnë me mbështetjen e jashtëzakonshme të Bashkimit Europian dhe të partnerëve, vendeve anëtare të Bashkimit Europian, dhe unë gjej rastin që t’ju falënderoj për një sërë projektesh të cilat po marrin jetë. Për një sërë projektesh të cilat po hapin rrugën për një Shqipëri europiane, ashtu siç çdo shqiptar i madh e i vogël dëshiron.

Kjo është një ditë e rëndësishme, veçanërisht për sistemin elektroenergjetik shqiptar, pasi ky nuk është thjesht një projekt i cili do të ndihmojë sistemin tonë, por ky është një projekt rajonal dhe unë do të thoja një projekt europian. Do ta nisja me një projekt të madh, gjigand, strategjik që unë kam shumë për zemër. Këtu ndodheni në Korridorin VIII. Ky është Korridori VIII. Korridori VIII ka disa komponentë, shpeshherë kur flasim për të mendojmë vetëm për transportin, por nuk është e vërtetë. Korridori i VIII është një Korridor energjetik, është Korridor hekurudhor, është Korridori i transportit rrugor dhe mbi të gjitha është Korridori i sigurisë europiane. Është Korridori që lidh detin Mesdhe me detin e Zi dhe Shqipëria gjendet në zemër të këtij Korridori. Shqipëria është një nga hallkat më të rëndësishme të këtij Korridori.

Sot kur krenarisht ne marrim pjesë një çdo takim ndërkombëtar, jo vetëm europian, apo çdo tryezë ku flitet për energjinë dhe tregojmë historinë tonë të suksesit, se si një vend i vogël prodhon 100% energji të rinovueshme, por që ka një strategji agresive për të ardhmen, një strategji e cila do ta kthejë vendin tonë, që detyrohet të importojë energji jo të rinovueshme gjatë ditëve të thata të verës, që do të jetë në të ardhmen një eksportues neto. Që do të ofrojë sigurinë energjetike për një rajon kaq të rëndësishëm, siç është rajoni i Ballkanit.

Kjo linjë interkonjeksioni, linja 400 kilovoltshe e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i shton kapacitetet tona transmetuese me 1500 megavatorë duke na dhënë kështu një komoditet të jashtëzakonshëm për të gjitha ato mundësi që ne do të kemi në të ardhmen. Siç ju e dini shumë mirë kemi nisur një sërë projektesh, siç është parku i Karavastasë apo ai i Spitallës apo 1.7 gigavat aplikime të ardhura nga sektori privat, të cilin ne e vlerësojmë shumë për të gjithë angazhimin që ka marrë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme. Të gjitha këto kapacitete padyshim kanë nevojë për kapacitete transmetuese. Gjithçka që ndodh në energji shpesh është një abstraksion për të gjithë, por ju duhet të kuptoni që nga burimet në të cilat ne e prodhojmë, kemi nevojë për linjat e transmetimit që pastaj të kalojmë në linjat e shpërndarjes që janë ato që çojnë energjinë në çdo shtëpi, në çdo ndërmarrje apo në çdo shkollë e çdo spital.

Sot Shqipëria është në ditën e saj më të mirë përsa i përket zhvillimeve energjetike. Sot ne mund të urojmë njëri tjetrin dhe të falenderojmë ambasadorin e Bashkimit Europian këtu në Shqipëri për një tjetër mbështetje që kemi marrë për energjinë e rinovueshme. Vetëm pak ditë më parë na është aprovuar rreth 10 milionë euro mbështetje për ndërtimin e një parku të ri fotovoltaik, i cili do të ndërtohet nga Korporata Elektro-energjetike Shqiptare, do të jetë pronësi e Republikës së Shqipërisë dhe bëhet fjalë për parkun fotovoltaik të Belshit, 50 megavat.

Por, në të njëjtën ditë, kemi marrë një lajm akoma më të mirë. Një lajm i cili mbështet aprovimin që Bashkimi Europian i ka bërë Korridorit VIII duke e renditur atë dhe duke e futur si pjesë të Korridoreve Paneuropiane dhe tashmë duke e mbështetur me një paketë granti mbi 50%. 62 milionë euro janë vendosur në dispozicion nga ËBIF për të mbështetur mbi 50% një nga projektet tona më të rëndësishme, hekurudhën e Korridorit VIII, atë që do të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe më pas Bullgarinë. Segmenti i parë i këtij projekti është hekurudha Durrës-Rrogozhinë, ku kemi një nyje ndërlidhëse për të vazhduar pastaj me një aplikim tjetër, që ne presim ta bëjmë në verën e 2024, që është aplikimi për Rrogozhinë-Pogradec, duke mbyllur kështu të gjithë sistemin hekurudhor nga Tirana në Durrës, në Rrogozhinë e më pas në Pogradec.

Kështu që kur projektet janë të ndërthurura. Kur projektet janë të mirë studiuara. Kur projektet japin siguri energjetike, siguri në transportin e mallrave, por edhe të qytetarëve atëherë këto projekte quhen të konsoliduara dhe kanë një vlerë jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin.

Do ti kthehem energjisë, duke qenë se sot dita i kushtohet këtij lajmi të madh. Shqipëria po nis një linjë transmetimi, e cila me të vërtetë do të ndryshojë tërësisht mënyrën tonë të operimit dhe sigurinë energjetike në Republikën e Shqipërisë. Që nga agresioni rus në Ukrainë gjatë vitit ’22, ashtu siç e përmendi dhe Ambasadori, të gjithë ne Europianët nxorëm një mësim të rëndësishëm, sesi siguria energjetike është kyç i sigurisë së përgjithshme. Sesi duke garantuar energjinë për vendet tona, për qytetarët tanë, për rajonet tona, ne krijojmë një pavarësi dhe siguri, sovranitet për vendin tonë, për Bashkimin Europian.

Duhet thënë që kjo linjë transmetimi, e cila është pjesë e rëndësishme e unazës që lidh Shqipërinë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut do të pasohet edhe nga projekte të tjera shumë të rëndësishme të transmetimit në Republikën e Shqipërisë. Ashtu siç ju jeni në dijeni, ne e kemi thënë shpesh, Operatori jonë i Transmetimit ka nisur prej kohësh negociatat, së bashku me Ministrinë e Energjisë me palën greke, përsa i përket trefishimit të kapaciteteve të transmetimit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Nga ana tjetër pak ditë më parë ne kemi bërë një lajm shumë të gëzuar publik. Një lajm që është pjesë e një ëndrre tjetër të qeverive shqiptare, ashtu siç ishte korridori blu, ashtu siç ishte tuneli i Llogarasë apo porti i ri i Durrësit, tashmë kemi një lajm të mirë. Kemi arritur një marrëveshje me palën italiane, me qeverinë italiane, pasi kemi pasur një bisedë intensive dhe të detajuar me Operatorin e Transmetimit Italian, pra me TERN-ën për të ndërtuar tashmë linjën e transmetimit energjetik midis Shqipërisë dhe Italisë. Një linjë nënujore, e cila disa herë qeveritë kanë provuar që të nisin ndërtimin e saj, por për shkak të kapitalit intensiv që duhet për ndërtimin e saj dhe për shkak kompleksitetit që të gjithë këto linja transmetimi kanë si marrëveshje dypalëshe të shteteve ka mbetur përgjatë në sirtar.

Sot ne flasim në kushte të tjera, sot Operatori ynë i Transmetimit ka arritur që të ngrejë një grup pune së bashku me palën italiane, së bashku me investitorët që kërkojnë të investojnë në këtë linjë për të pasur brenda vitit 2024 një studim fizibiliteti konkret, i cili do ti hapë më pas rrugën një marrëveshje konkrete financiare, komerciale dhe teknike midis dy vendeve tona, duke përmbyllur kështu korridorin e 8-të energjetik, i cili do të lidhë Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Shqipëria ka arritje të qenësishme, arritje të prekshme në fushën energjetike. Në fushën energjetike ne na është dashur që të bëjmë reforma të thella, duke nisur nga shërbimi i shpërndarjes, duke ulur humbjet të cilat i kemi gjetur 45% në vitin 2013. Gjysma e produktit të prodhuar apo të blerë të importuar në treg humbej nëpër linja të vjetra transmetimi dhe shpërndarje. Sot kur Shqipëria po përmbush kushtet, kriteret, kërkesat e Bashkimit Europian ne punojmë çdo ditë për uljen e humbjeve teknike, duke arritur në 19% dhe duke synuar që në vitet në vazhdim të arrijmë deri në 16% dhe për të përmbushur këto parametra europiane. Sigurisht ne vazhdojmë të investojmë pavarësisht vështirësive që kemi pasur para nesh, pavarësisht tërmetit që na vuri në sprovë në 2019, pandemisë në 2020-2021 dhe krizës energjetike në 2022.

Viti 2023 ka qenë padyshim një vit pozitiv dhe me shumë zhvillime pozitive për Shqipërinë, me shumë hapa të rëndësishëm në zhvillimin energjetik dhe atë ekonomik, me hapa të rëndësishëm në zhvillimin e një sektori të jashtëzakonshëm, sektorit të turizmit, që unë them dhe e përsëris është në dejet tona, ne e ndjejmë mikpritjen. Shqiptarët njihen për bujarinë dhe për mikpritjen dhe sot atë që Zoti na e ka dhënë ne duhet ta komercializojmë, masterizojmë dhe ta kthejmë Shqipërinë në vendin më turistik të Ballkanit dhe pse jo të Europës në të ardhmen. Vetëm dje aeroporti i Rinasit ka shënuar 7 milionë pasagjerë. Krahasuar me vitin 2019 si viti më normal para pandemisë kemi një rritje me 120% të numrit të pasagjerëve të cilët kanë hyrë nga ajri në Shqipëri. E sa e sa projekte të tjera kemi ne përpara në aviacionin civil nga aeroporti i Vlorës, apo aeroporti i jugut të cilat do të akomodojnë një numër të rritur vizitorësh që ne presim në vitet në vazhdim. Vetëm në 2024 nga të gjitha statistikat dhe përllogaritjet e bëra ne presim në Shqipëri rritje me 35% të vizitorëve. Pra nga 10 milionë që përmbyllet ky vit 2023, ne presim që në vitin e ardhshëm, pra në 2024, të vizitohemi nga mbi 13 milionë turistë të cilët do të shijojnë bukuritë e vendit tonë, bujarinë dhe mikpritjen e njerëzve tanë.

Ndaj turizmi, shëndetësia, bujqësia dhe çdo fushë tjetër ka nevojë për zhvillime të rëndësishme energjetike si ky i sotmi. Ndaj Shqipëria për të luajtur rolin e rëndësishëm që ka marrë tashmë në rajon, ashtu si dhe Ambasadori e tha për të qenë me të vërtetë një udhërrëfyes edhe për shtetet e tjera të rajonit, duhet të punojë, duhet të angazhohemi fuqishëm për të ngritur një sistem energjetik europian i cili do ti përgjigjet të gjitha kërkesave dhe rritjes ekonomike të vendit në dekadat e ardhshme.

Punët e mira nuk bëhen vetëm. Punët e mira bëhen me miq, shokë dhe partnerë të mirë. Gjej rastin të falënderoj KfW -në për të gjithë kontributin që jep në Republikën e Shqipërisë, në fushat prioritare siç është energjia, apo ujësjellës-kanalizime, apo shkollat, kopshtet dhe gjithçka tjetër na ka ndihmuar që të ngremë në vendin tonë dhe për të thënë të drejtën unë e përsëris edhe për të krijuar një kompeticion ndërmjet donatorëve që KfW -ja sipas mendimit tim dhe eksperiencës time në këto 5 vjet është një nga institucionet i cili e ndjen Shqipërinë në zemër dhe jo thjesht si një bankë.

Nga ana tjetër do të doja të falënderoja ambasadorin Berger për të gjithë mbështetjen që na jep, për të gjithë kontributin që Republika Federale Gjermane ka dhënë gjithmonë në Shqipëri, për solidaritetin dhe partneritetin që nuk ka munguar kurrë nga ana juaj.

Dhe sigurisht dua të falënderoj përmes ambasadorit, Bashkimin Europian. Dua ti uroj atij mirëseardhjen dhe e siguroj që bashkë do të shihemi shpesh në kantiere. Në kantiere të cilat tregojnë ritmin, pulsin dhe rrahjet e zemrës së Republikës së Shqipërisë. Një vend i cili ka nevojë të rritet, por ka nevojë të rritet duke vrapuar dhe jo duke ecur për të kapur kohën e humbur, për t’ju ardhur juve anëtarëve të Bashkimit Europian në krah dhe për ti bërë të gjithë shqiptarët krenarë.

Shumë faleminderit që më dhatë këtë kënaqësi sot dhe unë besoj që ky do të jetë një kantier që do ta ndjekim së bashku hap pas hapi.

Previous Ndahen çmimet në turizëm, Kumbaro: Performanca e sektorit privat fantastike, bëhemi gati për 2024