Nis stërvitja “Defender Europe 2023”, Peleshi: Rikonfirmon bashkëpunimin e ngushtë me SHBA - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Nis stërvitja “Defender Europe 2023”, Peleshi: Rikonfirmon bashkëpunimin e ngushtë me SHBA

Nis në Shqipëri stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Europiane e SHBA, “Defender Europe 2023”. Në ceremoninë e hapjes, që u zhvillua në sheshin “Nënë Tereza” në prani edhe të qytetarëve, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e cilësoi “Defender Europe 23”, një stërvitje e përmasave të jashtëzakonshme, ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë ndihen krenare që marrim pjesë pas suksesit të plotë të arritur dy vjet më parë, në “Defender Europe 21”.

“’Defender Europe 23‘ rikonfirmon bashkëpunimin e ngushtë që Shqipëria ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vazhdën e një partneriteti të fortë strategjik në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes, për të cilin ne jemi thellësisht mirënjohës. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë pjesë e rëndësishme e kësaj stërvitje dhe, jo pa krenari, pohoj se po përfaqësohen denjësisht, duke treguar një profesionalizëm të lartë. Nëse dy vjet më parë u testuam me sukses të plotë për kapacitetet tona në rolin e NATO Host Nation Support, sot me po aq sukses po përballojmë të tjera detyra përfshirë këtu edhe ato drejtuese dhe koordinuese të Task Force South.” – theksoi gjatë fjalës së tij ministri Peleshi.

“Synimi ynë është të tregojmë se jemi në gjendje të përballojmë çdo situatë që mund të krijohet në fushën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes, duke përmbushur çdo detyrë dhe angazhim që na takon si vend i NATO. Por, sigurisht që, një tjetër synim madhor është, të sigurojmë qytetarët tanë se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë gati në çdo kohë të përmbushin detyrën e tyre bazë: atë të mbrojtjes së kufijve të atdheut!”, – theksoi ministri i Mbrojtjes.

Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti Bajram Begaj, njëherësh edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura u shpreh se: “Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues në Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë. Çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit, është një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrsesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet. Koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale.” – u shpreh presidenti.

Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria sot është më lart se kurrë në aspektin e respektit ndërkombëtar, duke e cilësuar privilegj që vendi pret për të dytën herë stërvitjen “Defender Europe 2023”: “Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar. Sot e ulur në  tryezën e Këshillit të Sigurisë krah për krah Shteteve të Bashkuara si bashkëpenëbajtëse për çështjen e Ukrainës, ajo merr një profil dhe një  rol, që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe  vë në dukje se çfarë përparimi dhe pjekuri ka arritur vendi ynë.” – tha kryeministri Rama.

Kjo stërvitje na rikujton se pavarësisht gjuhës që flasim, pavarësisht flamurit, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me ato vlera dhe parime, të cilat janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Të gjithë së bashku jemi të imponuar nga historia dhe ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë.

Vitin e shkuar erdhi lajmi i mirë për ngritjen e Shtabit të Bazës së Forcave Operacionale Speciale, çka dëshmon se Shqipëria mbetet jo vetëm një aleat i fortë dhe i besueshëm i SHBA dhe NATO, por Shqipëria bëhet hap pas hapi një pikë e palëvizshme referimi në kontinentin tonë.” – theksoi kryeministri Rama.

Në mesazhin e saj, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se kjo stërvitje tregon se SHBA së bashku me vendet aleate mund të kryejnë çdo mision: “Jemi këtu si aleatë, miq dhe partnerë, amerikanë dhe shqiptarë që qëndrojnë krah për krah, dikur të ndarë veçmas, tani aleatë të NATO dhe partnerët më të afërt ushtarakë. Në dy vite që prej ‘Defender 2021’, bota ka ndryshuar, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO janë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë.” – theksoi ambasadorja Kim.

Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshmë të FA, gjeneral brigade Arben Kingji tha se kjo stërvitje demonstron angazhimin e SHBA dhe NATO në garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë: “Kjo stërvitje na mundëson forcimin e kapaciteteve tona. Ajo është një mesazh për kundërshtarët tanë të mundshëm, që ne jemi të përgatitur dhe të bashkuar për të përballuar sfidat e përbashkëta”, – tha gjeneral brigade Arben Kingji.

Stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” do të bashkojë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende, anëtare të NATO, por edhe nga vende partnere.

Në kuadër të këtij angazhimi stërvitor gjithëpërfshirës, nga data 15 maj deri më 9 qershor 2023, vendi ynë do të mirëpresë dhe zhvillojë stërvitjet “Imediate Response” dhe “Astral Knight”.

Previous Asambleja e 76-të e OBSH, Manastirliu në Gjenevë: Shkëmbime rajonale dhe fuqizim i kapaciteteve për përballimin e emergjencave shëndetësore