Nis viti i ri shkollor, “Babë Dudë Karbunara”, në Berat, shkolla simbol e investimeve transformuese në infrastrukturën arsimore - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Nis viti i ri shkollor, “Babë Dudë Karbunara”, në Berat, shkolla simbol e investimeve transformuese në infrastrukturën arsimore

Viti i ri shkollor nisi sot në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare, në vend, ku 350 mijë nxënës, do të zhvillojnë procesin mësimor, jo vetëm në shkollat ekzistuese, shumica të rikonstruktuara, por edhe në një sërë shkollash të reja të rindërtuara nga themelet, 25 nga të cilat hapin për herë të parë dyert këtë vit të ri shkollor. Ndërkohë, vetëm gjatë këtij viti është investuar dhe po investohet në rindërtimin dhe në rehabilitimin e 100 objekteve mësimore në të gjithë vendin.

Për të uruar nisjen e vitit të ri shkollor, Kryeministri Edi Rama ishte sot në shkollën e mesme të përgjithshme “Babë Dudë Karbunara”, në Berat, e cila falë investimit transformues ofron këtë vit kushte optimale për nxënësit dhe një stafin pedagogjik.

* * *

Shumë respekte dhe komplimente për ish drejtoreshën edhe më vjen keq për drejtorin aktual, por dua t’i them që në krahasim mes të dyve, ajo duket si drejtorja, ju dukeni si ish drejtori!

Nuk e di se kur drejtoresha ka dalë në pension, por është vërtetë nga njëra anë inkurajim dhe frymëzim sa herë që e sjell rasti që të takosh mësues dhe mësuese në pension sepse kanë një energji dhe një pasion që është pak më i vështirë të lexohet tek mësuesit dhe mësuesit akoma në aktivitet, ndoshta dhe për faktin dhe pa dyshim dhe për faktin e ngarkesës së përditshme, por nga ana tjetër besoj se kam të drejtë kur përpiqem të argumentoj me kolegët ministra, qoftë me ministren e Arsimit, qoftë me ministrin e Ekonomisë që merret drejtpërdrejtë me arsimin profesional, se ne kemi shumë mësues dhe mësuese në pension, të cilët mund t’i ftojmë që të angazhohen me orar të reduktuar nën një përkujdesje të veçantë, që ka të bëjë pikërisht me mbikëqyrjen dhe me lehtësinë që duhet të ketë në aspektin e komunikimit procesi i punës së nxënësve të arsimit profesional në ndërmarrje, si pjesë e sistemin dual, që ne po thellojmë dhe që është një domosdoshmëri për t’i dhënë më shpejt dhe më shumë krah të kualifikuar pune tregut, por kjo është një bisedë tjetër.

Ndërkohë që, ajo që nuk është një bisede tjetër, por është një bisedë shumë aktuale, është domosdoshmëria për të bërë të mundur që sot, në kushtet kur ekonomia jonë ka filluar të fitojë një kapacitet gjithëpërfshirës dhe kur rritja jonë ekonomike nuk është më një rritje ekonomike që lexohet përmes shifrave, dëgjohet përmes komunikimeve mbi shifrat, por nuk ndihet drejtpërdrejtë në buxhetet familjare të njerëzve që të përshijë edhe pensionistët dhe për këtë arsye, ne jemi duke punuar intensivisht, pikërisht mbi të dhënat kuptimplota dhe që na mundësojnë tanimë që të fillojmë integrimin e pensionistëve në hapësirën e kësaj rritjeje ekonomike gjithëpërfshirëse në mënyrë që edhe pensionistët të fillojnë të ndiejnë hap pas hapi drejtë Shqipërisë 2030, atë që është besoj plotësisht e ndjeshme, le të themi, në buxhetin familjar të mësuesve dhe mësueseve, që sot e kanë pagën mesatare 950 euro, një pagë tanimë në nivelin e vendeve më të përparuara të rajonit tonë dhe një pagë, e cila patjetër krijon premisat për të kërkuar më shumë nga vetja mësuesi dhe ne nga mësuesi.

Dua që t’i shpreh një respekt të posaçëm profesor Fundos. Një mësues i shkollës “Babë Dudë Karbunara”, për hir të së vërtetës me pahir, jo me dëshirën e tij sepse “u degdis” në Berat për arsye të asaj kohe dhe sot një pedagog vizitor në universitetin Aristoteli në Selanik.

E thashë u degdis me pahir por në fakt nëse ka një vend ku nga halli mos të zgjedhësh kur të thonë do të degdisim, është Berati edhe pse në atë kohë dhe jo vetëm në atë kohë, por dhe në kohën kur unë vija në Berat përpara sesa ne të merrnim detyrën, Berati ishte një magji e fshehur, ishte një bukuri e mbuluar me shumë re pluhuri dhe e rrethuar me shumë errësirë dhe për hir të së vërtetës një nga shëmbëlltyrat kuptimplota të degradimit të vazhdueshëm të Beratit ishte dhe gjimnazi “Babë Dudë Karbunara”, flas fizikisht, pavarësisht se në hapësirat e tij vazhdonin të mbanin ndezur dëshirën për dije dhe dëshirën për të përcjellë dijen tek nxënësit, drejtorja dhe mësueset që janë këtu sot, si pjesë e historisë së këtij gjimnazi.

Sot, Berati është krejt tjetër dhe në këtë pikë kam lehtësinë e të thënit të fjalëve më të mëdha sepse edhe vetë opozita e përfaqësuar nga Dhori Kule nuk më kundërshton dot, që Ervin Demo i ka dhënë Beratit një shtysë të re dhe ka sjellë për Beratin në shumë pak kohë, më shumë sesa është bërë në Berat për shumë kohë. Natyrisht që Ervini është një djalë nga Berati, që deri tani i ka ndihur fati sepse ka kaluar nga dora përkujdesëse e Dhorit, tek dora përkujdesëse e imja, pra ka marrë më të mirat nga opozita dhe nga pushteti në aspektin e vëmendjes, por unë dua ta nënvizoj punën e jashtëzakonshme të Ervinit sepse kjo shkollë nuk do të ishte bërë dhe nuk do ishte kaq mbresëlënëse në rast se nuk do ishte vizoni dhe këmbëngulja e Ervinit për të marrë mbështetjen nga Ministria e Arsimit dhe nga qeveria, që – po shikoja disa të dhëna – në këto 11 vjet ka ndërhyrë në infrastrukturën shkollore qoftë për ndërtimet e reja, qoftë për procese rikonstruksioni më shumë sesa ç’është ndërhyrë, jo në 23 vitet përpara se ne të merrnim detyrën, por në afro 45 vjet dhe puna flet, faktet dhe veprat flasin siç flet dhe kjo godinë, e cila nuk është thjeshtë një vend ku ka disa klasa, por është praktikisht një qendër e re e dijes dhe një qendër e re komunitare për Beratin, pasi këtu janë të gjitha si ato që duhen për orët e mësimit, tek ato që duhen tek orët pas mësimit, që nga klasat dhe muret me hije të rënde të orëve të matematikes, deri  tek hapësirat për sport edhe për kulturë dhe aktivitete artistike.

Profesor Dhori përpara se të dilja këtu më pyeti, a e di Ogerta që ti je nga Berati?  Në fakt, nuk e di, a e di Ogerta, por e vërteta është që familja ime nga im atë rrjedh nga Berati dhe e sjell këtu në vëmendje këtë sepse stërgjyshi im Kristaq Rama i pari, ishte një patriot i angazhuar për lëvizjen për pavarësinë, por mbi të gjitha një njeri me të ardhura mesatare, por shumë i përkushtuar për të financuar së bashku me plot patriotë të tjerë shkollat shqipe; ngritjen e shkollave shqipe, në një kohë kur shqipja ishte një gjuhë e kërcënuar në aspektin e të shkruarit dhe në atë kohë kur një i madh, një patriot i madh, njeriu emrin e të cilit mban shkolla këtu, mbërriti në Berat në 1897 dhe ajo çka bëri ishte, t’u mësonte djemve fshehur sa në një lagje, në një lagje tjetër të lexonin dhe të shkruanin gjuhën shqipe dhe në këtë aspekt shkolla ka si të thuash, përmes emrit që mban të Babë Dudë Karbunarës edhe një simbol. Një simbol të mishëruar në një amanet, amanetin për gjuhën shqipe; për gjuhën shqipe, e cila sot kërcënohet nga një armiqësi tjetër shumë e madhe që është armiqësia e atyre komunikimeve të shpejta me shkurtime të pafundme dhe braktisja gjithmonë e më shumë e kulturës së të lexuarit të librit dhe të të shkruarit me dorë.

Këto janë sfida që nuk janë vetëm tonat, janë sfida të të gjithëve, por edhe për këtë sfidë në po përpiqemi të bëjmë më shumë dhe ministrja e përmendi, t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë, jo vetëm rritjes së kapaciteteve dhe të aftësive të mësimdhënies në aspektin e teknologjive dhe të digjitalizimit që hyn te gjuha e re, por edhe në aspektin e gjuhës shqipe për te pasur një rrjetë mbrojtëse për gjuhën shqipe. Nuk dua të zgjatem shumë sepse këtu praktikisht u thanë të tëra ato që lidhen me arsimin në kushtet e këtij viti të ri arsimor, por dua të shtoj se, jo vetëm infrastruktura, jo vetëm ato që ministrja përmendi në aspektin e rritjes së cilësisë së mësimdhënies, por edhe hapësira e krijuar për t’u dhënë mundësi fëmijëve që të edukohen fizikisht, që të socializohen përmes sportit, na bën shumë krenarë. Na bën shumë krenarë sepse në një vend, që kur ne e morëm detyrën kishte braktisur edhe ato orët formale të fizkulturës, kemi sot jo vetëm kthimin e edukimit fizik në tërësi, por kemi një lëvizje të vërtetë në të gjithë sistemin tonë arsimor që ka përfshirë drejtpërdrejtë në uniforma sportive dhe me angazhim në stërvitje dhe në skuadra sportive rreth 12 mijë nxënës.

Kjo nuk ka të bëjë thjesht me sportin dhe me një bazë të re që dalëngadalë do të krijohet edhe për të rritur cilësinë pastaj të skuadrave tona në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, por kjo ka të bëjë me shëndetin, ka të bëjë me edukimin shoqëror, ka të bëjë më mbajtjen dhe  tërheqjen e sa më shumë fëmijëve të tjerë larg rrugës, larg kafeneve dhe mundësisht edhe sa më larg për disa orë të paktën, atyre ekraneve shushatës të celularit edhe të kompjuterit.

Tjetra është ajo që po bëjmë për programin e sigurisë në shkollë. Është rritur siguria pa diskutim, por mbetet një problem natyrshëm, një problem në formën e një shqetësimi për prindërit sepse normal që çdo prind kur nis fëmijën në shkollë, qëndron me një farë meraku në tërësi, edhe kur ne ishim fëmijë dhe prindërit na çonin në shkollë dhe në një projekt që ne po e çojmë përpara dhe do të fillojmë ta jetësojmë vitin e ardhshëm, si një nga projektet madhore të Shqipërisë 2030 në aspektin e sigurisë, ku ne do të bëjmë një kapërcim epokal në monitorimin e sigurisë së rrugëve; në monitorimin e sigurisë së qyteteve; në monitorimin e sigurisë së hapësirave të mëdha publike, është përshirë edhe monitorimi i sigurisë në shkollë, por një monitorim që do të shkojë deri në qelizë, një monitorim që do t’i japë mundësi drejtuesve të shkollës, do t’i japë mundësi prindërve, do t’i japë mundësi edhe fëmijëve që të ndihen fare të qetë, por nga ana tjetër edhe që secili të bëjë detyrën e vet. Në sensin që nuk është thjesht një projekt sigurie për fenomenet kriminale apo për ndërhyrjet nga jashtë, por është një projekt sigurie kundër bullizimit, është një projekt sigurie kundër kopjeve dhe kundër braktisjes së orëve të mësimit, kundër kthimit të kurrizit të ndonjë mësuesi nga nxënësit e kështu me radhë.

Thënë të gjitha këto unë dua të shpreh këtu bindjen time që sot është më e lehtë se dje që të thuash se progresi i bërë edhe në këtë fushë na ka vendosur në një pozicion të pakrahasueshëm nga ku jemi nisur,  por kjo nuk mjafton dhe bindja ime është që ne e kemi energjinë, kemi kurajën, kemi eksperiencën, por mbi të gjitha kemi edhe dëshirën e jashtëzakonshme që duke i bërë gjërat më mirë, ta çojmë në një nivel tjetër jo vetëm arsimin, por Shqipërinë e cila në 2030 duhet të vendosë flamurin kuq e zi të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe flamurin për të cilin luftoi edhe  Babë Dudë Karbunara edhe të gjithë patriotët e tjerë, aty në oborrin e familjes europiane, në të njëjtën radhë dhe në të njëjtën gjatësi shtize dhe me të njëjta të drejta me flamujt e tjerë të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

Natyrisht, për ta bërë këtë, na duhet jo vetëm që të kemi një Shqipëri ku funksionon ligji dhe drejtësia, ku ekonomia është gjithëpërfshirëse dhe ku të gjithë kanë pjesën e tyre në rritjen ekonomike jo thjesht si kontribut, por edhe si përfitim, por edhe ku arsimi, shëndetësia, shkenca janë të atilla në nivel që nuk i ndan më një hendek aq i thellë dhe aq i errët sa ai që i ndante kur ne morëm këtë detyrë.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe dua ta mbyll me një përshëndetje të posaçme për një tjetër, sot e mora vesh, nxënës të shkollës “Babë Dudë Karbunara” një njeri që kam pasur fatin ta njoh nga afër për shkak të detyrës sepse u përfshi në bordin e arsimit të lartë vullnetarisht si pedagog i njohur në fushën e tij në Spanjë, një patriot që i është përgjigjur thirrjes dhe ftesës për hir të së vërtetës, se thirrja i bëhet ushtarëve ndërkohë që pedagogëve dhe qejflinjve, se sot e mora vesh që është edhe qejfli Tika se mbaka mend edhe dashurinë e parë nga Gjimnazi dhe nuk rrika dot dhe pa e thënë, se për ta mbajt mend, të gjithë e mbajnë mend po Tika e thotë me zë të lartë, gati-gati sa nuk i tha ish drejtores “shihemi pak mbrapa, se dua të më çosh te dashuria e parë”, por realisht shumë respekt, shumë respekt edhe për mundimin për të ardhur deri këtu edhe pse motivi kryesor u mor vesh pa dashjen tënde dhe unë jam i bindur që drejtorja dhe mësueset e tjera do të shoqërojnë të pish një kafe me dashurinë e parë.

Dhe dua po ashtu të përshëndes edhe Profesor Dhorin se sa herë e shoh them – “Ah sikur të ishte e gjithë opozita si Dhori, sa mirë do të ishte Shqipëria”.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Previous 25 shkolla të reja hapin dyert në 9 shtator