U lançua sot nisja e zbatimit të programit të kredive të favorshme për shtëpi, me zero interes, për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, si shprehje e mbështetjes dhe angazhimit të qeverisë për një trajtim dinjitoz dhe cilësor të punës dhe shërbimit të këtyre punonjësve.
Ky është një program i aplikuar për herë të parë këtë vit, mundësuar përmes ndryshimeve të posaçme ligjore dhe administruar online në e-albania, duke mundësuar në bashkëpunim me banka të nivelit të dytë kredi të lehtësuara, interesi i të cilave subvencionohet tërësisht nga buxheti i shtetit.
Iniciativa e këtij viti për të mbështetur me kredi me zero interes 300 punonjës të rendit, mbrojtjes dhe shëndetësisë do të shtrihet edhe vitin tjetër me synimin për të përmbushur sa të jetë e mundur nevojat e punonjësve që jetojnë larg vendit të punës apo që kanë nevojë për më shumë hapësira për strehim.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe më vjen shumë mirë që sot më në fund e materializojmë edhe një tjetër program në funksion të ushtarakëve, të punonjësve të Policisë dhe të mjekëve. Një program themelor për perspektivën e çdo vajze, djali, gruaje, burri në krijimin e familjes apo në nevojën për t’i dhënë një familjeje të re mundësinë e një shtëpie, që jemi të gjithë të vetëdijshëm. Nuk është një mundësi e lehtë për ata që janë më paga të sektorit publik apo edhe te sektorit privat dhe që hyjnë në pagën mesatare të Republikës së Shqipërisë.
Mbase ndokujt i ka rënë rasti ta dëgjojë këtë që do ritregoj, por besoj që ia vlen të ritregohet, një episod i jetua përpara pak kohe me një shqiptar i cili kishte mbaruar studimet e lartas në Zvicër, mbaruar shkëlqyeshëm dhe që kishte një ofertë pune nga një organizatë ndërkombëtare në Gjenevë dhe më kërkonte takim me mesazh në mënyrë insistuese dhe më në fund, duke parë të gjithë insistimin dhe njëkohësisht duke e ditur që është një djalë që vërtetë ka shkëlqyer në studimet e tij, gjeta mundësinë ta takoj pak minuta edhe donte të ndante me mua dilemën e tij dhe donte një mendim nga unë, sepse më tha: “Unë mund të filloj punë në një organizate ndërkombëtare edhe do kem një pagë 5000-6000 franga zvicerane, por kështu si kanë ardhur punët në Evropë edhe në Zvicër, është një pagë që me të cilën mund të jetoj normalisht muajin, por në fund të muajit mua s’më mbetet gjë dhe për më tepër, mundësinë që unë të krijoj një familje dhe të blej, të marr një shtëpi e të marr një kredi, e kam shumë të kufizuar me punën dhe pagën që kam. E ndërkohë, jam i tunduar të kthehem në Shqipëri sepse pavarësisht se do të marr një pagë shumë më të ulet në aspektin nominal, përsëri jetën e përmuajshme do ta kem normale dhe do të kem avantazhin e të qenit në vendin tim, me familjen”.
Dhe si përfundim, për të mos e zgjatur unë i thashë, kjo nuk është diçka që mund ta thotë kush, as e asnjë tjetër. Kjo është diçka që e vendos vetë. Dhe kur njeriu ka dilemën e madhe në mendje për të bërë zgjedhje të tilla, nga eksperienca ime e vë mendjen në atë “off mode” që vihet telefoni dhe pret sinjalin këtu, sinjali të vjen këtu. Prit sinjalin i thashë. Dhe pas pak ditësh, më tha: “erdhi sinjali dhe do kthehem në Shqipëri”. Pse e sjell këtë këtu? Sepse mendoj që kjo që po bëjmë sot, është shumë e rëndësishme në këtë drejtim.
Njerëzit, të cilët i përkushtohen një karriere, e cila është e lidhur me shërbimin publik, përveç të tjerash ka nevojë të shohë perspektiven dhe unë i mirëkuptoj të rinjtë që deri përpara pak kohe e shikonin të vështirë perspektivën në Policinë e Shtetit, e shikonin të vështirë perspektivën në Forcat e Armatosura sepse puna është jashtëzakonisht sfiduese, pagat ishin të atilla që nuk të japin as mundësinë në një moshë të re të shohësh perspektivën dhe për këtë arsye, përveç rritjes së pagave, të konsiderueshme, ushtria jonë ishte ushtria më e keq paguar, jo e NATO-s, por edhe e rajonit dhe me diferencë. Sot është në nivelin më të lartë të pagave në rajon nga ushtritë e NATO-s dhe synimi ynë është ta çojmë në mesataren e NATO-s , pra paga për ushtaraket do të vazhdojë të rritet në mënyrë të përvitshme deri sa të mbërrijmë tek mesatarja e NATO-s. Sepse kjo nuk është thjesht një çështje shpërblimi i atyre që janë në kulmin e karrierës, që kanë vite të tëra në ushtri, por është një çështje perspektive për të rinjtë që duhet t’i shohin Forcat e Armatosura, jo vetëm si mundësinë për t’i shërbyer atdheut edhe për të pasur një punë që i përmbush, por edhe mundësinë për të pasur një perspektivë të sigurt. Njerëzit që angazhohen në Forcat e Armatosura nuk mund të lihen që të mendojnë që, ça do bëhet me mua më vonë? Si do jetë jeta ime në pension? A do ta kem unë mundësinë që të kem këtë apo atë, por duhet t’ju garantohet kjo dhe për këtë arsye e njëjta gjë vlen edhe për forcat e Policisë patjetër.
Ky program i dhënies së kredive për shtëpi për të gjithë ata që kanë familje të reja, me të gjitha interesat e marra përsipër nga shteti, është një program që faktikisht e bën plotësisht te mundur atë që pa këtë program është e pamundur që të marrin një kredi dhe të blejnë një shtëpi.
Sot interesat bankare janë mbi 6%. Janë shumë për dikë që ka vetëm një pagë dhe për më tepër nuk është e lehtë për bankat që ta japin këtë kredi duke pasur parasysh perspektivën, ndërsa duke patur këtë kredi me asnjë interes, ndryshon krejtësisht panorama dhe të gjitha llogaritë që Ministria e Financave ka bërë, është shumë e qartë që ky është një program fitues për të gjithë ata që përfshihen në këtë program.
Ne kishim 300 kuota këtë vit. Për hir të vërtetës është hera e parë. Procesi vetë ka pasur disa probleme të natyrës burokratike, çështje dokumentesh, plotësime të parregullta të dokumenteve etj, por është vetëm fillimi. Edhe ne, edhe aplikantët do të mësojnë nga ky moment i parë dhe vitin e ardhshëm ne do të vazhdojmë me dhënien e këtyre kredive. Do të kemi mundësinë që ta zgjerojmë numrin dhe do të ketë mundësi për të gjithë ju në këto kategori, ndërkohë që ne po shohim edhe zgjerimin që të bëheni me shtëpinë tuaj.
E njëjta gjë vlen për mjeket sepse dihet botërisht që mjekët sot janë një gjah i dëshiruar nga të gjithë për arsye të rënies së numrit të mjekëve në përgjithësi në Europë, gjë që vjen si rezultat i studimeve shumë të shtrenjta për mjekësi, në Gjermani për shembull dhe për shkak se studimet në mjekësi janë shumë të shtrenjta, numri po vjen duke u zvogëluar sepse nuk është më Europa e përpara 10 viteve. Është një Europë tjetër, me probleme ekonomike dhe financiare të konsiderueshme.
Ndërkohë që në Shqipëri studimet janë thuajse falas, thuajse falas, por nuk janë falas sepse kushtojnë aq pak, por janë falas sepse është qeveria që paguan koston e studimit të mjekëve dhe të studimeve të tjera, por po flasim për mjekët. Për mua është e paimagjinueshme që studentë të mjekësisë të refuzojnë, madje të bëjnë dhe protesta që t’ia kthejnë këtij vendi dhe këtij populli për një periudhë kohe të shkurtër këtë investim shumë të madh sepse qeveria financon studimet e mjekëve për të shërbyer për shëndetin publik të Republikës së Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë nuk financon studimin e mjekëve për t’i shërbyer Republikës Federale të Gjermanisë dhe natyrisht që nëse dikush nuk dëshiron ta marrë në konsideratë detyrimin sipas meje human, patriotik, profesional si të doni quajeni që për disa vite mbas studimeve të shërbeje në spitalet e Republikës së Shqipërisë dhe t’ia kthejë këtij populli investimin që ky popull ka bërë për studimet e tij atëherë duhet të paguajë tarifën e plotë të studimeve dhe pastaj të shkojë në Gjermani, të shkojë ku të dojë dhe tarifa e plotë, ajo që është vendosur nga rektorati nuk është ajo e vërteta përsëri por këtu nuk dua të hyj se këto janë probleme të autonomisë.
Dua të shtoj që për ne është shumë e rëndësishme që për mjeket e rinj që përveç pagave të krijojmë perspektivën, kështu që dhe për mjekët që krijojnë familje të reja apo kanë familje të reja ne do të përdorim këtë instrument në mënyrë që të kenë mundësi të blejnë shtëpinë dhe të kenë mundësi që të jetojnë në shtëpinë e tyre.
Vitin e ardhshëm, në mes të vitit të ardhshëm paga mestarë në sektorin publik në Shqipëri do të jetë 900 euro dhe nga ana tjetër, e tha ministri i Financave këto që po bëjmë sot nuk janë gjëra që nuk donim t’i bënim më parë, por këto që po bëjmë sot janë gjëra që sot mund t’i bëjmë sepse e kam thënë në mënyrë të përsëritur prej vitesh. Duhet të zgjerojmë mundësitë në mënyrë që tu japim të gjithëve më shumë mundësi dhe zgjerimi i mundësive vjen si rezultat i fuqizimit të ekonomisë dhe të financave, nuk vjen si rezultat i dëshirës. Nuk ekziston kryeministër dhe nuk ekziston qeveri në botë që të mos të dojë të rrisë paga, të rrisë pensione, të rrisë mbështetjen për njerëzit, jo çdo vit, por çdo javë, nuk ekziston, por ne na duhet që ta bëjmë këtë pa goditur themelet e ekonomisë, pa kthyer vendin në një piramidë të re dhe për këtë arsye ka qenë e vështirë, është dashur durim dhe sot jemi në një fazë të re të ekonomisë së vendit, të financave të vendit dhe në një fazë ku kemi mundësi më shumë, por duhet të vazhdojmë t’i zgjerojmë këto mundësi. Dhe është e sigurt që këto mundësi do vazhdojmë t’i zgjerojmë dhe po e përmbyll me këtë, duke thënë që kush investon për Shqipërinë dhe kush investon për të ardhmen e vet në Shqipëri bën një investim fitues. Kjo është e sigurtë! Krahasimi i tabelës së pagave midis Shqipërisë dhe Gjermanisë kur vjen puna për të bërë zgjedhjen të shërbejë këtu mjek apo të shkoj atje. Të shërbej këtu ushtarak apo të shkojë atje të bëhem murator, të shërbej këtu si punonjës i Policisë apo të shkoj atje edhe të marr një punë krahu është një krahasim gënjeshtar. Totalisht gënjeshtar! Sepse vërtetë ka një diferencë shumë të madhe, por ajo paga shumë më e lartë në Gjermani kur krahasohet shifër me shifër nuk t’i tregon të gjitha. Ajo nuk te tregon as sesa taksa do të të marrin nga ajo pagë, ajo nuk të tregon sesa sigurime shoqërore dhe shëndetësore do të marrin nga ajo pagë. Ajo nuk të tregon as sesa do të hanë nga ajo pagë kostot e transportit. Ajo nuk të tregon as sesi do jetosh me atë pagë dhe prandaj në fund të muajit rezultati është që jeton në një vend të huaj, punon në një pozicion dhe në këtë rast flas për ushtarakët apo flas për punonjësit e policisë dhe në një punë që s’është puna më e mirë që t’i mund të bësh sepse në vendin tënd mund të jesh gur i rëndë në vendin tënd dhe të besh punën nën uniformën e shtetit dhe në dy uniformat e nderit të shtetit dhe rezultati është minimal.
Thënë të gjitha këto, ky program është hapur, ky është një program që do të vazhdojë vite të tëra sepse kreditë që ju do të merrni do të jenë me një afat shumë të gjatë dhe interesi do të paguhet nga shteti. Gjë që është një arsye për ti bërë thirrje të gjithë të rinjve që e shikojnë me hezitim, flas për ata që kanë dëshirë, e shikojnë me hezitim përfshirjen në Forcat e Armatosura, e shikojnë me hezitim përfshirjen në forcat e Policisë që kjo është rruga, kjo është rruga më e mirë dhe më e sigurt dhe është rruga që përveç të tjerash, të jep më shumë qetësi të brendshme sesa të jetosh në një vend të huaj ku mund të ketë shumë gjëra, shumë më tepër gjëra se këtu por 99% e atyre gjërave që janë më shumë, ti as nuk i prek dot, as nuk i afrohesh dot. I shikon siç shikon një vitrinë të një dyqani ku nuk futesh dot sepse çmimet janë shumë të larta.
Ndërkohë që këtu më e mira është e gjitha përpara. Duhet të gjithë ta kuptojnë dhe ta besojnë këtë. Shqipëria, nuk ka asgjë tjetër veçse të shkojë më lart, më lart, më lart. Sepse Shqipëria ka dalë nga rrethi vicioz dhe një hap para, dy hapa mbrapa dhe mjafton të shikoni lekun. Shikojeni lekun sot, se të tjerat mund të merren me dyshim. Shikoni lekun. Lekun nuk e forcojnë as fjalimet e mia, as vendimet e qeverisë as planet e partisë, lekun e forcon ekonomia, vetvetiu.
Dhe sot kush merr një pagë minimale që është dyfishi i pagës minimale që ne gjetëm, nuk merr 400 mijë lekë, merr 400 euro. Dhe nuk ishte 400 euro, 400 mijë lekëshi para jo shumë kohësh, që do të thotë këto janë të gjitha arsye për të patur besim. Janë arsye për të patur shpresë edhe më të madhe për të jetuar në këtë vend. Dhe meqë jemi në prag të festave, ku e gjen në Gjermani, ku e gjen kohën, vendin për të pirë një kafe dhe për të bërë lloj-lloj muhabetesh dhe për të marr nëpër gojë gjithë dynjanë shqip, ku e gjen. Është pjesë e jetës, është pjesë dhe po të mos ishte një pjesë e ëmbël e jetës nuk do ishin kafet plot, që mos të flas pastaj për ata që kafen e pëlqejnë turke. Ku e gjen. E keni parë kafen në Gjermani, lëng gështenjash, dhe s’po them tani. Gjermania është vend shumë i bukur, aq më tepër që do të shkojmë edhe në finalet e kampionatit europian, por flas për perspektivën. Po flas për perspektivën, po flas me shumë besim sepse e kam besim të bazuar te gjërat që shoh përditë, të gjërat për të cilat punojmë përditë. Punonjësit e policisë kanë vite që duan të marrin shpërblim, kompensimin, apo mbështetjen për ushqimin ka vite që duan ta bëjnë. Sepse problemi nuk është ta bësh njëherë e t’ua heqësh pastaj. Problemi është kur e bën, ajo është aty dhe vazhdon. Ata të gjithë do të marrin kartën, do marrin një kartë dhe me atë shumë që do t’u derdhet të gjithëve në bankë do të shkojnë të blejnë ushqimet dhe ushqimet do t’i blejnë më lirë se sa të tjerët sepse ministri i brendshëm dhe ekipi i tij kanë bërë negociatat me supermarketet ku blejnë ushqimet dhe kush do të shkojë me kartën e punonjësit të policisë do të blejnë çdo gjë më lirë se sa të tjetër që shkojnë dhe blejnë po në atë supermaket dhe po ato mallra. Por të jeni të sigurt, viti po mbyllet, viti i ri po vjen dhe s’keni parë asgjë akoma.