Në Komandën Mbështetëse u zhvillua ceremonia për nisjen e Kontingjentit XVI EOD prej 21 ushtarakësh, i cili do të marrë pjesë në misionin e Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO-s, duke iu atashuar brigadës shumëkombëshe në Camp Adazi, Letoni.
Në ceremoni ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes, zoti Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Arben Kingji, komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Shkëqim Çela, familjarë të efektivëve të kontingjentit dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij, komandant Çela falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe njëkohësisht Kontingjentin XVI, duke shprehur bindjen se ata janë vazhdues të denjë të rrugës së nisur nga kontingjentet e mëparshme.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vlerësoi sakrificën e pjesëmarrësve në këtë kontingjent dhe mbështetjen e pakufizuar nga familjet e tyre për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare: “Sakrifica juaj edhe ajo e familjeve tuaja, të cilat i përshëndes me shumë respekt sot, merr vlerësimin më të madh nga ne, nga bashkëkombësit tuaj dhe nga atdheu. Ju uroj mision të mbarë dhe të suksesshëm,” – tha ministri i Mbrojtjes
Vengu theksoi se kapacitetet EOD janë të mirënjohura tashmë si kapacitet kombëtar.
Komandanti i Kontingjentit XVI major Algert Lala, u shpreh në emër të kontingjentit se me disiplinë dhe profesionalizëm do të përfaqësojnë dhe rrisin vlerat e Forcave tona të Armatosura në këtë mision.