Nisin punimet për bypass-in e Elbasanit
Kanë nisur punimet për ndërtimin e bypass-it të Elbasanit, i cili do të vijojë autostradën Tiranë-Elbasan dhe do të krijojë një lidhje të integruar me Korridorin Elbasan-Qafë Thanë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se bypass-i do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, me të njëjtat standarde si autostrada Tiranë-Elbasan. Dy kontratat për realizimin e projektit janë lidhur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Bypass-i synon të lehtësojë trafikun në zonën e Elbasanit, veçanërisht gjatë sezonit turistik, si dhe të ndajë flukset e trafikut drejt juglindjes dhe jugut të vendit.
Aktualisht po punohet në 3 kilometrat e parë të bypass-it, deri në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Sipas ministrit Karakaçi, punimet po ecin me ritme të mira, ndërsa shpronësimet për këtë segment janë kryer më herët. Pjesa vijuese e projektit, që do të shtrihet deri pranë Peqinit, pritet të kalojë në prokurim gjatë vitit të ardhshëm.