Në Drilon kanë nisur punimet intensive për rikualifikimin e parkut ujor në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Si pjesë e zonave të mbrojtura, çdo ndërhyrje do të jetë në përptuthje me ruajtjen e mjedisit, siç janë argjinaturat prej degëve të shelgut, sipas vizionit të zhvillimit të qëndrueshëm, duke rritur njëherazi potencialin turitstik të gjithë zonës.Gjatë inspektimeve në terren, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se nuk do të lejohen subjekte me aktivitet informal që janë jashtë standardeve mjedisore.
“Ne duhet të japim opinionin ku nuk lejohen ndërtime të pakoordinuara, pa kontrata, pa leje dhe projekte të pamiratura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Jemi shumë të vendosur që ndërtimet pa leje, të cilat bien edhe ndesh me zbatimin e projektit, të mos jenë më pjesë e parkut. Ne nuk pengojmë zhvillimin e bizneseve, por do të duhet të bëhen në përputhje me ligjin dhe kontrata e projekte shumë të kujdesshme. Harxhojmë miliona lekë për të bërë argjinatura miqësore me mjedisin, kështu që nuk mund të lejojmë themele me beton në mes të parkut”, u shpreh Kumbaro.
Ky projekt lejon gjithashtu, që vizitorët të mos shëtisin vetëm në pedonalen e Drilonit, por përmes kalimeve kryesisht këmbësore, të shkohet deri tek burimet e Drilonit e në Tushemisht. Por turistët mund ta vizitojnë gjithashtu parkun përmes varkave, biçikletave, mjeteve jomotorike elektrike, etj. Kështu, të 170 hektarët e kësaj zone, të konceptuar në 15 nënprojekte, ku pjesa më e madhe ka qenë e paeksploruar, do të jenë të aksesueshme në mënyra të ndryshme.