“Kampioni në Shkollën Time” është nisma më e re që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar, me qëllim promovimin e vlerave të sportit tek nxënësit dhe të rinjtë, duke dhënë shembujt më të mirë për ta.
Nismën e ka prezantuar me anë të një videoje Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila së bashku me sportisten kampione Luiza Gega dhe nxënës të shkollës Niket Dardani në kryeqytet kanë organizuar një takim bashkëbisedues.
“Nuk mund ta nisnim ndryshe, veçse me Luiza Gegën, kampionen tonë, e cila është frymëzim për të gjithë ne por që duhet të jetë një model shumë i mirë suksesi për tu ndjekur nga të gjithë këta nxënës, këta fëmijë të mrekullueshëm”, – shprehet ministrja në videon e saj.
Ndërsa sportistja kampione Luiza Gega uroi që kjo nismë të shkojë në sa më shumë shkolla.
“E shijova pafund këtë ditë sot. Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe brezi më i ri ka kaq shumë interes që të dijë për eksperiencat tona, se si ne kemi arritur gjer këtu dhe që kanë shumë dëshirë t’i dëgjojnë” – shprehet kampionia.
Ministrja Kushi tha se së shpejti do të jenë edhe në shkolla të tjera, me kampionë të tjerë.