Nën kryesimin e Shqipërisë u mbajt në Tiranë “Takimi i përbashkët i drejtorëve politikë të Ministrive të Jashtme dhe të Mbrojtjes”, në kuadër të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut.
Takimi u bashkëdrejtua nga drejtori i Përgjithshëm i Politikave të Mbrojtjes z. Gjergji Methoxha si dhe drejtori i NATO në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Petrika Jorgji.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Ministrive të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Bosnje Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut si dhe të SHBA, Kosovës, Sllovenisë dhe Serbisë.
Gjatë takimit u prezantuan prioritetet, të cilat do të jenë në fokusin e Shqipërisë gjatë kryesimit të SHBA – Karta e Adriatikut në vitin 2024, ku një nga prioritetet kryesore vijon të mbetet “Politika e Dyerve të Hapura” për shtete, të cilat aspirojnë të jenë pjesë e Kartës së Adriatikut dhe plotësojnë të gjitha kushtet për të qenë anëtare të denjë të saj.
Një vëmendje të shtuar mori dhe angazhimi i vendeve të Kartës në misione dhe operacione ndërkombëtare, duke nënvizuar dhe kontributin e vendit tonë për të marrë pjesë në misione të përbashkëta në kuadër të NAT0, BE dhe Kombeve të Bashkuara si dhe në angazhime të tjera në kuadër të stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi situatën politike dhe atë të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, identifikuan sfidat e përbashkëta si dhe adresuan çështje konkrete në lidhje me bashkëpunimin në të ardhmen, duke vënë theksin në rëndësinë e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Në fund të takimit, Ministria e Mbrojtjes prezantoi kalendarin e aktiviteteve, të cilat do të zhvillohen gjatë vitit në vendin tonë.